Si do ta mbajë mend historia rolin e Ali Ahmetit në Maqedoni?

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti vite me radhë ka qenë protagonistë kryesor i skenën politike në Maqedoni. Analistët dhe publicistët kanë me...


Lideri i BDI-së Ali Ahmeti vite me radhë ka qenë protagonistë kryesor i skenën politike në Maqedoni. Analistët dhe publicistët kanë mendime të ndryshme rreth rolit të Ahmetit në avansimin e cështjes shqiptare në Maqedoni.
Halil Matoshi
Ali Ahmeti nuk dallon asgjë nga politikanët folklorik dhe neoenverist në Kosovë, të cilët pushtetin e kuptojnë si tepër personal dhe përfituese (ekstaraktive) dhe jo gjithëpërfshirëse (inkluzive.)
Ismet Ramadani
Ali Ahmeti me bagazhin që e kishte si organizator i një kryengritje në Maqedoni, fatkeqësisht në politikë nuk u gjet mirë. Me vite luajti rolin e paqësorit, tani kaloi në ekstrem të një paqësori. Dhe, në tavolinë të bisedimeve për të realizuar Marrëveshjen e Ohrit e për ta avancuar çështjen e shqiptarëve nuk pati sukses. Fjalia e tij e thënë më një kohë se e ka mundur Gruevskin në luftë dhe se do ta mund edhe në politikë, kjo e dyta nuk ndodhi. Gruevski e ka mundur dhe e ka poshtëruar tejmase autoritetin e tij si lider i një partie shqiptare.
Më e keqja është se kur të gjithë e kanë të njohur putinizmin dhe ndikimin e politikës ruse në Maqedoni, Ali Ahmeti edhe më tutje i mbetet besnik Nikolla Gruevskit- kjo dmth se mban anën e një politike pro ruse. Ndërkaq nga ana tjetër takohet edhe me perëndimorët. Ky është një rol që lenë hapësirë për të dyshuar. Ali Ahmeti nuk paraqet më një mit në politikën shqiptare, definitivisht po zbehet figura e tij, politikisht po mbaron keq.
Denko Malevski
Ata bënë një depërtim në sistemin politik drejt paqes me ndryshimet e Kushtetutës me Marrëveshjen e Ohrit. Ahmeti dhe BDI si subjekt luajtën në një kartë- mbjelljen e sigurisë. Nuk patën forca të fokusohen në zhvillimin e demokracisë. Gjatë gjithë kësaj kohe dëgjuam retorikën, “ne jemi për NATO dhe BE”. Mirëpo duhet pasur parasysh se këto dy unione janë bashkësi e vlerave demokratike. Nga këtu, BDI ishte në dilemë në mes stabilitetit dhe demokracisë, dhe më tepër u fokusuan në stabilitet. Tani janë hapur probleme tjera, probleme të lirisë, demokracisë, korrupsionit.. etj. S’paku në formë deklarative Ahmeti ka qenë për NATO dhe BE.
Xhabir Ameti
E ka pasur një “letër” të fortë gjatë luftës së 2001-shit. Mirëpo, me hyrjen e tij në politikë, e theu edhe atë përpjekje të madhe të shqiptarëve për një barabarësi të plotë me të tjerët në Maqedoni. Edhe më keq u bë pas Marrëveshjes së Përzhinos kur dolën në sipërfaqe shumë problem. Partia shqiptare që është në pushtet nuk shfrytëzoi edhe këtë rast historik që të nxirret nga liturgjia dhe plogështia politike gjatë qëndrimit të saj në Qeveri. Kjo parti në krye me Ali Ahmetin po i numëron ditët e fundit. Pritjet kanë qenë të mëdha për Ali Ahmetin, por nuk doli ashtu.
Ali Pajaziti
Ali Ahmeti si njeri dhe person do te mbetet i regjistruar në faqet e historisë si një figurë që pati gjasa të mëdha për t’u legjendarizuar, por që bëri gabime fatale duke krijuar një rreth civil destruktiv, një qark të dhelprave dhe luanëve të anti-politikës që zhbënë imazhin e luftës, që interesat dhe pasionet vetjake i vunë mbi ato kolektive gjithë shqiptare dhe në fund rrënuan vlerat autentike, duke instaluar marritë dhe skandalet më të ultë dhe më deprimuese. Ali Ahmeti përmes kuadrove të përzgjedhura në politikë afirmoi debilizmin, kundër-kulturën dhe nën-mediokritetin, mbajti gjallë pengjet e gruevizmit, të kapurit në punë të ulëta, korrupsion e më tepër se kaq. Inteligjencën dhe rininë meritore në mënyrë të tërthortë i dërgoi jashtë vendit, duke na e tharë trurin, universitetin ngjashëm si PDSH e banalizoi. Politikën e shkatërroi me defensivën e tij dhe të paaftit që mafiozuan dhe klanizuan politikbërien. Për fat të keq, këto që i them i vërtetojnë komentet edhe të shkollarëve edhe të qytetarëve. Erdhi krenar, me gjasë do shkojë nga skena politike i vetë-dëshpëruar dhe kolektivisht i atakuar. E la timonin në duart e mediokreve dhe kështu ia përgatiti fundin partisë dhe vetes.
Ilir Kulla
Ali Ahmeti është në pozitë shumë të vështirë nga njëra anë i duhet të tregohet shtetar i përgjegjshëm dhe të kërkojë stabilitet dhe arsye për Maqedoninë nga ana tjetër duhet të ketë vëmendjen tek elektorati i tij shqiptar i cili është njëtrajtshmërisht i shqetësuar për situatën e krijuar.  Unë mendoj se në këto kushte Ali Ahmeti duhet të ndërmarrë një hap të guximshëm duke u bashkuar me PDSH në një koalicion panshqiptar në zgjedhjet e ardhshme dhe nga ana tjetër ai kështu krijon parakushtet e mosfraksionimit të mëtejshëm të elektoratit shqiptarë në Maqedoni. Lypset të marrë vendime të vështira, por të domosdoshme për qytetarët e vet më shumë sesa për BDI. Përsa i përket sesi do ngelet Ali Ahmeti në histori padyshim ai do të mbetet si Abaz Gjuka lideri i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe si themelues i UCK në Kosovë. Natyrisht si gjithkush do ketë dridhjet e veta të periudhës së 15 viteve të fundit ku nga njëra anë i ka fituar të gjitha zgjedhjet, por nga ana tjetër është dashur të konsumojë kredibilitetin e vet për shkak të gabimeve që kanë bërë bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij.
/Portalb/

Related

Top Lajm 8565446234095442816

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item