Shqiptari (Kushtuar Faik Konicës)

Nga Guillaume Apollinaire Shqiptarët janë njerëz të pashëm, fisnikë e kurajozë, por ata kanë një prirje për vetëvrasje, çka të bën t...

Nga Guillaume Apollinaire

Shqiptarët janë njerëz të pashëm, fisnikë e kurajozë, por ata kanë një prirje për vetëvrasje, çka të bën të dridhesh për këtë racë, që mund të shuhej në se cilësitë e tyre gjenetike produktive nuk do ta balanconin mërzinë apo dhimbjen e të jetuarit. Një shqiptar që kam njohur gjatë qëndrimit në Bruksel, më ka lënë mbresa të paharrueshme dhe të sakta për një komb, që bashkë me skocezët, janë ndoshta popujt më të vjetër të Evropës.
Ky shqiptar kishte një mikeshe angleze që e bënte të vuante, siç bëjnë të vuajnë nga dashuria ata që i përkasin një elite të shoqërisë njerëzore. Vajza, bukuria e së cilës binte aq shumë në sy saqë çdo burrë e dashuronte atë marrëzisht, e mashtroi mikun tim si dhe  ata që e donin aq shumë atë, pra edhe mua, që për një kohë të gjatë lëkundesha midis ndjenjës së miqësisë dhe të dëshirës.
Modi, që ishte një vajzë e paturpshme, nga ata njerëz që jeta i ka trajtuar keq dhe i ka bërë me shpirt të vrarë e zemër të thyer dhe që nuk mund të rrijë pa e admiruar, e kalonte jetën e saj ashtu e  zhveshur në apartamentin e mikut tim. Dhe kur ai dilte, rrëmuja pllakoste në banesën e tij.
A nuk bënte pjesë dhe Modi në shoqërinë njerëzore?
Ajo nuk fliste asnjë lloj gjuhe, por një dialekt hibrid, një përzjerje te anglishtes, frëngjishtes, me trajta të gjuhës belge dhe gjermanike.
Një filolog do ta kish adhuruar atë, ndërsa një linguist i gramatikës do ta kishte urryer, megjithë bukurinë e saj.
Ajo ishte me origjine angleze nga i ati, një oficer mizor, i dënuar me vdekje në Indi, për trajtimin e keq që u kishte bërë indigjenëve. Ndërsa nëna e saj ishte një malteze.
       ***
Një ditë miku im më tha:
“Duhet të iki nga kjo botë. Nesër do të vras veten!”
Unë i njihja mirë zakonet e shqiptarëve dhe e kuptova se këto nuk ishin fjalë të thëna kot. Ai do të vritej sepse këtë e kish deklaruar tashmë, e kishte thënë.
Të nesërmen, në sajë të miqësisë dhe pranisë sime, që nuk e lashë për asnjë çast vetëm, shqiptari nuk u vetëvra.
Por vete ai gjeti një ilaç për vuajtjen e tij.
“Kjo grua, më tha ai, nuk është aspak gruaja ime. Është e vërtetë që e dua, por kjo dashuri, në se do të martohesha me të , do më shkatërronte.
“Nuk e kuptoj, – i klitha, – shpjegoma më qartë!”
 Ai buzëqeshi dhe vazhdoi:
“Popujt e Ballkanit dhe banorët e maleve në breg të Adriatikut, dikur i rrëmbenin femrat dhe ky zakon jeton edhe sot në krahina të ndryshme.
“Realisht ne nuk na përket veçse gruaja që marrim dhe që e nënshtrojmë atë.
 “Pa rrëmbim nuk ka martesë të lumtur”.
“Unë i erdha rrotull Modit”.
“Por ishte ajo që më bëri për vete”.
“Ajo është e lirë dhe unë dua të rifitoj lirinë time ”.
– Po si?- e pyeta i çuditur.
– Duke  rrëmbyer! – tha ai me një qetësi dhe fisnikëri imponuese.
Ditët e mëpasme, shqiptari dhe unë u nisëm për udhëtim.
Ai më çoi në Gjermani dhe për shumë kohë dukej i shqetësuar. Unë e respektoja dhimbjen e tij, dhe pa menduar më për idenë e rrëmbimit, gëzohesha  në qetësi për Modin e harruar tashmë, e cila e kishte dëshpëruar atë gjer në vdekje.
      ***
Një mëngjes, në Cologne (Këln), në qendër të Hohestrasse, shqiptari me tregoi një vajzë të re, e cila me një partiturë në dorë ecte në krah të guvernantes së saj.
Një hyzmeqar i veshur mirë, me rrobat e një shërbëtori fisnikësh, i ndiqte  dhjetë hapa pas tyre.
Vajza mund të ishte 17 vjeç. Dy bishtaleca i binin mbi shpinë. Kjo vajzë e një patrici kolonjez, dukej shumë e gëzuar, jo si të ishte në Prusi, por në qytetin e mbretërve të magjishëm.
“Ndiqmë nga pas, – më tha menjëherë shqiptari.
Ai nisi të vraponte, kaloi hyzmeqarin dhe kur arriti pranë vajzës së re, duke i hedhur krahun rreth trupit, e ngriti duke vrapuar tutje bashkë me të.
Shumë i shqetësuar vrapova pas gjurmëve të mikut tim. Nuk vështroja aspak prapa meje, por padyshim, hyzmeqari dhe guvernantja  të tromaksur e kishin humbur pusullën dhe as që kujtoheshin të thërrisnin për ndihmë.
  ***
Kaluam para kishës dhe arritëm stacionin e trenit. Vajza e joshur nga paraqitja burrërore e rrëmbyesit të saj, qeshte e ngazëllyer në thellësi të vetvetes, dhe kur ne ishim në vagonin e trenit që po nisej drejt kufirit, në Erbestal, shqiptari e puthi çmëndurisht atë vajzë, që i ishte nënshtruar si e fejuara më e përgjëruar e botës.
(Botuar në vëllimin “Poeti i vrarë” të shtëpisë botuese “Gallimard”, France. Apollinaire, “Le Poete assassiné”) Shqipëroi Luan Rama

Related

Top Lajm 8719251472669028674

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item