Momenti i Amerikës Latine

Nga Richard N. Haass Shumica e vëmendjes së botës në mënyrë të kuptueshme është përqendruar te zhvillimet në Lindjen e Mesme, në Eur...

Nga Richard N. Haass

Shumica e vëmendjes së botës në mënyrë të kuptueshme është përqendruar te zhvillimet në Lindjen e Mesme, në Europë dhe në Azi. Këto rajone përmbajnë shumicën dërrmuese të popullsisë dhe pasurisë së botës, gjeopolitikat e tyre janë më stresuese (dhe shumë të rëndësishme), dhe në dekadat e fundit – për të mos thënë në shekujt e fundit – ato kanë zënë pjesën më të madhe të asaj që përbën historinë e botës.
Por një pasojë e paqëllimtë e këtij përqendrimi është që shumë qeveri, korporata dhe njerëz po humbasin shumë nga ato që po ndodhin në Amerikën Latine. Dhe shumica e asaj që po ndodh në Amerikën Latine aktualisht është e mirë.
Kjo mund të mos dallohet lehtë. Brazili, vendi më i madh në rajon, është në mes të një krize të rëndë politike; presidentja aktuale, Dilma Rousseff, mund të përfundojë në gjyq para se Lojërat Olimpike të fillojnë në këtë vend gjatë verës. Ndërkohë, ekonomia ka rënë me gati 4 për qind më 2015 dhe parashikohet të bjerë afërsisht po kaq edhe këtë vit. Pasojat e virusit Zika në shëndetin publik janë më të rënda në Brazil se sa gjithkund tjetër. Korrupsioni është endemik dhe ka kompromentuar pothuajse çdokënd me jetë publike.
Por ajo që është gjithashtu e jashtëzakonshme mbi Brazilin është se e gjitha kjo ka ndodhur deri tani pa dhunë. Po kaq i rëndësishëm, procesi politik po kryhet sipas kërkesave kushtetuese dhe udhëhiqet nga gjykatës që po veprojnë në mënyrë të pavarur. Media të të gjitha llojeve po e mbulojnë atë që po ndodh me intensitet të madh. Aftësia për t’u vetëkorrigjuar është thelbësor për çdo vend dhe të pasurit të kësaj aftësie është ajo që e shpëton Brazilin nga gabimet dhe keqmenaxhimet e së shkuarës.
Dhe po, Venezuela – një vend i bekuar, dhe me shumë gjasa, edhe i mallkuar, me një nga rezervat më të mëdha të naftës në botë – është në gjendje shumë më të keqe. Ekonomia e vendit dhe monedha kanë rënë në mënyrë drastike paralelisht me çmimin e naftës. Inflacioni është rritur. Disfunksioni politik është tepër i rëndë dhe rebelimi civil dhe dhuna e brendshme në shkallë të gjerë nuk është diçka që nuk përjashtohet si mundësi.
Megjithatë edhe këtu ka pak lajme të mira. Opozita politike fitoi një shumicë të gjerë në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit 2015. Dhe çmimet më të ulëta të naftës mund të sjellin ndryshime të mëtejshme politike, duke e shtyrë qeverinë që të fillojë procesin e të bërit të Venezuelës të një vendi me institucione dhe ligje, jo me kulte personale dhe me abuzim me pushtetin.
Në një shkallë më të gjerë, shumë nga tendencat më të rëndësishme në rajon janë në përgjithësi, pozitive. Meksika, një vend që për dekada qe shtet njëpartiak, tashmë është një demokraci e shëndetshme që përjetoi disa rotacione të udhëheqësisë politike përmes kutive të votimit. Përvec kësaj, ekonomia e këtij vendi po ecën relativisht mirë. Që të jemi të qartë, sfidat vijojnë të ekzistojnë, veçanërisht kur vjen puna për të folur për dhunën dhe krimin e lidhur me drogën, por këto probleme mund të përballohen me përpjeke të vazhdueshme.
Kolumbia është drejt çlirimit më në fund nga një luftë civile e tejzgjatur. Falë pjesërisht asistencës nga Shtetet e Bashkuara, qeveria qe mjaftueshëm e fortë për ta bërë të qartë ndaj rebelëve FARC të vendit se ata nuk mund ta kapin pushtetin me pushkë. Armëpushimi po funksionon dhe perspektiva për marrëveshje paqeje është e mirë. Ndërkohë, ekonomia po rritet me 3 për qind në vit, më ulët se sa në të shkuarën, por sërish më lartë se sa shumë vende në zhvillim.
Argjentina ofron lajmin më të ri të mirë. Qeveria e re, në gjashtë muajt e saj të parë, ka ndërmarrë një seri hapash të vështirë për të rikthyer besueshmërinë ndërkombëtare. Në asnjë mënyrë kjo nuk e minimizon atë që qeveria duhet të arrijë, për të reduktuar inflacionin dhe për të rikthyer zhvillimin e qëndrueshëm por ka një ndjesi të mirë se vendi, tashmë i udhëhequr nga një skuadër e talentuar teknokratësh, e ka marrë më në fund kthesën.
Ky është një lajm i mirë – dhe jo vetëm për Argjentinën, për shkak se çfarë ndodh këtu do të ndikojë në të menduarit dhe sjelljet edhe në vende të tjera, në veçanti në Brazil. Progresi në Argjentinë duhet të tregojë se ata që dhunojnë ligjin mund të mbahen përgjegjës dhe se ndërhyrjet e tepruara të shtetit në ekonomi sjellin falimentim dhe promovojnë korrupsionin dhe se demokracia dhe tregjet përfaqësojnë të ardhmen. Kuba në dhjetë vitet e e ardhëshme ka më shumë gjasa t’i ngjajë politikisht dhe ekonomikisht fqinjëve të vet të hapur.
Sërish, asgjë nga këto nuk vlen për të thënë se Amerika Latine nuk ka probleme dhe sfida reale. Përkundrazi, ajo ka si probleme ashtu edhe sfida. Por për pjesën më të madhe, këto janë probleme të qeverisjes politike dhe ekonomike, kapacitetit shtetëror dhe korrupsionit brenda shtetit. Duke humbur pothuajse tërësisht janë problemet që rrjedhin nga marrëdhëniet mes shteteve – gjeopolitika – të cilat dominojnë dhe dëmtojnë pjesë të tjera të botës. Ky është një avantazh i stërmadh për shkak se nënkupton se vëmendjet e qeverive dhe burimet mund të përqendrohen në plotësimin e nevojave vendëse.
Lindja e Mesme është duke zjerë. Azia është në telashet e mosmarrëveshjeve territoriale, ngritjes së fuqisë së Kinës dhe papërmbajtshmëria e Koresë së Veriut. Europa është tërësisht e përmbytur nga refugjatët, nga terrori dhe nga revanshizmi rus. Dhe Afrika po mbahet pas nga konflikte civile, nga terrorizmi dhe nga qeverisja e keqe.
Në krahasim me këto, Amerika Latine ngjan shumë mirë. Në të vërtetë, nëse tendencat aktuale vijojnë, ky rajon mund të mbërrijë në pikën ku ta zëvendësojë Europën si rajoni që të tjerët e shohin me diçka më shumë se sa thjeshtë admirim – apo me zili.
Project Syndicate-BIRN

Related

Top Lajm 903739538846804971

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item