Kush ka faj, ai që u zgjodh, apo ne që e zgjodhëm?

Nga Majlinda BUSHJA   U bë kohë që dëgjojmë të njëjtat fjalë e shprehje në median e shkruar, elektronike dhe në rrjetet sociale. ...

Nga Majlinda BUSHJA



 U bë kohë që dëgjojmë të njëjtat fjalë e shprehje në median e shkruar, elektronike dhe në rrjetet sociale. Fjalët, “hajdut”, “maniak”, “korrupsion”, “reforma në drejtësi”, “përgjim” e “përgjues” na kanë mbirë në tru. Politika është vënë në shënjestër si kurrë më parë dhe goditet me llumin e fjalëve pa pushim (por i përdor dhe vet çdo të enjte në kuvend). Gjuha e urrejtjes është në kulmin e vet, për “paturpësitë”e “paudhësitë” që po iu bëjnë popullit. Nuk po e diskutojë e meritojnë, apo jo, sepse ajo është një temë tjetër, por natyrshëm më lind një pyetje: Kush i zgjodhi këta politikan “faqezinj” e “të korruptuar”? A nuk jemi ne që i kemi vendosur në krye të tryezës, e që sot shajmë e lajmë gjithë ditën? Shumë prej tyre nuk janë të rinj në politikë, janë të zgjedhur e të rizgjedhur prej nesh. Nëse nuk jemi të gjithë ne që i kemi zgjedhur, është shumica prej nesh që sa herë vijnë zgjedhjet, i zgjedhim prap këta “faqezinj” me ndërgjegje të plotë. Kush nuk do të mashtrohet, nuk mashtrohet. Por ne na ka pëlqyer kjo lloj zgjedhjeje për vite me radhë. Më pas harxhojnë gjithë kohën tonë të çmuar për të sharë me gjithë fjalorin që disponojmë, se këta qenkërkan “zuzarë” e “të marrë”, e po e çojnë vendin poshtë e për poshtë. Në të gjitha zgjedhjet që janë zhvilluar në vend pas vitit ’90 kemi reflektuar pakënaqësinë tonë ndaj klasës politike, dhe kur ka fituar e majta, dhe kur ka fituar e djathta, që skandal pas skandali na e kanë bërë kokën dru. Por ne sa herë vijnë zgjedhjet shkojmë me kënaqësi në kutitë e votimit duke zgjedhur mes të majtës apo të djathtës, apo duke kryquar ndonjë “satelit” të tyre. Më pas derdhim lum akuzash si shoqëri (dhe vet ata ndërmjet tyre), harxhojmë kohën me fyerje të llatarshme në rrjetet sociale për atë që ndodh sa herë na jepet mundësia. Pakënaqësi e pajustifikuar, sepse shumë prej tyre janë prej vitesh në politikë, prej disa mandatesh deputet, apo shkurt muhabeti, po ju dalin thinjat aty. Por ajo që bie më shumë në sy në të gjithë këtë histori, është se ne pavarsisht se kë zgjedhim jemi të pakënaqur për zgjedhjen tonë. I heqim dhe i vemë po të njëjtët politikan, e asnjëherë s’na dalin hesapet. Sot për sot i shpeshtë është debati, për aferat korruptive, trafikun e drogës, skandalet seksuale, politikanët hajdut dhe dashnoret e tyre, por fjala duket se ka humbur peshën e saj për sa kohë përsëritet e njëjta melodi dhe s’vjen ndryshimi. Pasi kjo gjendje e stërzgjatur i ka lodhur shumë qytetarët e thjeshtë. Thua se nuk ka asgjë të bukur jeta veç këta “hajdut me çizme” që nuk lenë t’u dal nga “thesi i vjedhur” asnjë qindarkë.
Kush ka futur duart në “xhepat e shtetit” e ka një emër e një mbiemër dhe e di vendin ku shkon, përsa kohë di çfarë po bën. Nëse i kanë shpëtuar drejtësisë nuk i kanë shpëtuar vëmendjes së qytetarëve, që dinë ta ndajnë mirë shapin nga sheqeri. Koha nuk shpëton dot asnjë njeri nga mëkati. Kushdo qoftë ky, politikan, nënpunës i thjeshtë, gjyqtar, ministër i korruptuar, apo çtë jetë. Koha do t’i fus vet në “çark”. Mënyra që do ta paguajnë nuk do të jetë e njëjtë, por i njëjtë do të jetë rezultati.
Kështu,  në vend që të jepen alternativa nga specialistë se si të dilet nga gjendja e si të përmirësohet ekonomia, se si të hapen sa më shumë vende pune për të përmirësuar jetën e qytetarëve, jetën tonë, ne harxhojmë gjithë kohën (dhe vet ata), me fjalime që tashmë e kanë humbur vlerën për shkak të përsëritjes së shpeshtë. Pendesa për njerëzit që kemi zgjedhur nuk na është bërë asnjëherë mësim, harresa ka ardhur shumë shpejtë e ne kemi zgjedhur po të njëjtët  Kush ka faj ai që u zgjodh, apo ne që e zgjodhëm dhe rizgjodhëm?
Pavarsisht se do të ketë zvarritje nga njerëz që i friken veprimeve të tyre dhe reformës në drejtësi, ajo do të bëhet herët a vonë. Dhe çdokush do të marr atë që meriton. E rëndësishme është që ne si qytetar të bëjmë zgjedhjet e duhura sa herë vijnë zgjedhjet, të mos vrapojmë për të mbajtur flamujtë e partive, e nëse se kemi bërë ne e kanë bërë shokët, miqtë e të njohurit tanë. Të jemi të fortë të mos na “blej” politika me “thërrime”, që më pas të mos e “blejnë” ata shtetin duke e përdorur pushtetin sipas interesit të tyre. Vështirësia qendron në zgjedhjen e intelektualëve të ndershëm. Zgjedhja është jona, e drejta gjithashtu, e kjo e drejtë nuk duhet shpërdoruar, që më pas të mos ankohemi për zgjedhjet tona, pasi duket se jemi futur në pesimizëm si shoqëri.

E në fakt po të shikosh rrotull janë bërë 2-3 punë të mira, po ndreqen ca rrugë, disa projekte po vihen në zbatim për ndryshimin e infrastukturës, në qytetet kryesore të vendit dhe në fshatra. E kjo ndihet për ata që janë vëzhgues të mirë të ndryshimit. U bën përpjekje për formalizimin e tregut, dhe para disa kohësh ra “Republika e Hashashit” në Lazarat, vend që nuk guxonte të hynte asnjë, e i vajti nami shumë larg. Gjithsesi, duhet bërë më shumë për punësimin që vë në lëvizje ekonominë e vendit. Duhen gjetur alternativa, duhen gjetur zgjidhje që të pakësohet koha e muhabetit, e të zëvendësohet me atë të punës për qytetarët. 


Related

Opinione 1138276313356422639

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item