Shtatë sëmundjet e lirisë së shtypit

Nga Stefan Ulrich Tri lajme të kësaj jave sa i përket lirisë së shtypit: në Turqi dënohen dy gazetarë me nga dy vjet burg, sepse pas...

Nga Stefan Ulrich

Tri lajme të kësaj jave sa i përket lirisë së shtypit: në Turqi dënohen dy gazetarë me nga dy vjet burg, sepse pas sulmit terrorist kundër revistës satirike Charlie Hebdi në Paris në shenjë solidariteti me viktimat kanë ribotuar dy karikatura të Muhamedit. Në Poloni deputetët po diskutojnë për një ligj të mediave, i cili pritet t’i shndërrojë kanalet shtetërore në «mediume kombëtare». Në Luksemburg gazetari Antoine Deltour është ftuar nga gjykata bashkë me dy kolegë. Këta tre persona kishin zbuluar se si Dukata e Madhe kishte organizuar shmangien nga tatimi të qindra ndërmarrjeve. Për këtë ata tani do marrin një dekoratë? Jo, jo, kurrsesi. Ata, mes tjerash, janë akuzuar për vjedhje dokumentesh dhe shkelje të fshehtësive biznesore.
Këta shembuj vijnë nga «hapësira e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë», siç dëshiron të jetë me qejf Bashkimi Europian. Në treva të tjera të botës liria e shtypit është edhe më e rrezikuar se në BE. Atje blogerët torturohen për vdekje nga shteti (në Arabinë Saudite) dhe vriten nga killerët (Bangladesh), kidnapohen gazetarë (Irak), futen në burg (Kinë) ose ndiqen nga baronët e drogës (Meksikë).
Organizata joqeveritare Reporterët pa Kufij shkruan në një raport të sapo botuar: «Gazetarët dhe mediumet e pavarura në mbarë botën gjenden nën presion të shtuar. Në të gjitha trevat e botës vitin e kaluar është vërejtur një ngushtim i hapësirës së tyre të lirë». Shumë krerë shtetesh reagojnë në mënyrë paranoide ndaj kritikës nga ana e gazetarëve.
Por liria e shtypit konsiderohet si parakusht themelor për mirëqenien e shoqërisë. Prej saj pritet të garantojë që qytetarët të jenë të informuar shumanshëm, të dalin në dritë të zezat, t’u jepet fjala pakicave dhe mendimet e ndryshme dhe interesat të përfaqësohen paqësisht. Kjo arrihet vetëm kur asnjëra palë nuk pretendon se është pronare e së vërtetës së vetme. Deviza e tolerancës duhet të jetë: shkruaj dhe le të shkruajnë, dërgo dhe le të dërgojnë. Një «demokraci ileberale», të cilën synon ta krijojë kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, apo një «demokraci të dirigjuar», siç e quajnë njerëzit e sjellshëm sundimin e Vladimir Putinit në Rusi, nuk e pranon këtë tolerancë.
«Nëse do të duhej të zgjedhja mes një vendi me qeveri, por pa gazeta dhe një vendi me gazeta, por pa qeveri, atëherë do të zgjedhja vendin pa qeveri». Këtë fjali mendohet se e ka thënë Thomas Jeffersoni, presidenti i tretë i SHBA-së dhe njëri nga shkruesit e Deklaratës amerikane të Pavarësisë. Por natyrisht që duhen të dyja: një qeveri e mirë dhe shtypi i lirë. Kur takohen është fat i madh – një fat që po bëhet gjithnjë e më i rrallë.
E marta e ardhshme është Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit. Për te festuar nuk kemi aq shumë. Në vitin 1993 ishte ndryshe: atëherë Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vendosi që 3 majit të jetë Ditë e Shtypit. Sapo ishte tejkaluar Lufta e Ftohtë. Lindja dhe Perëndimi po afroheshin. Njerëzimi dukej i pjekur për një rend të ri botëror, i cili do të bazohej në drejtësi, solidaritet dhe balancim paqësor të interesave. Edhe për lirinë e shtypit ato qenë kohëra të mira. Ajo u përhap me shpejtësi në Europën e Mesme dhe Lindore. Dukej se asaj i takonte ardhmëria.
E sot? Sot kjo ardhmëri ka marrë fund. Një valë autoritare po përplaset mbi të dhe po e vërshon lirinë e shtypit. Shtete të mëdha të cilat tashmë kujdesshëm apo me përkushtim kishin pranuar gazetarinë e pavarur – për shembull Rusia, Turqia apo madje edhe Kina – po e ngufatin sërish lirinë. Gazetarët kritikë bëjnë jetë të rrezikshme. Mediumet e pavarura herë mbyllen, here kapen nga sundimtarët dhe ndryshohet politika e tyre redaktuese. Sipas Komitetit Amerikan për Mbrojtjen e Gazetarëve vitin e kaluar 69 gazetarë janë vrarë gjatë ushtrimit të profesionit; jo vetëm në vende të përfshira nga lufta si Siria, por edhe në shtete në dukje të sigurta si Franca (Charlie Hebdo). Reporterët pa Kufij kërkojnë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së që më në fund të emërojë një të emisar të posaçëm për mbrojtjen e gazetarëve.
Së paku interneti duket se sillte lajme të mira në frontin medial, sepse duket se ofron parakushte ideale për lirinë globale të shtypit. Por ai është një instrument ambivalent. Po, ai ndihmon të futen informata në shtetet të cilat izolohen nën regjimet diktatoriale. Ai u ka shërbyer kryengritësve gjatë Pranverës Arabe për t’u informuar dhe organizuar. Dhe krijon forma të reja, lehtë të qasshme të gazetarisë, siç janë blogjet dhe gazetat Online.
Mirëpo: regjimet kanë mësuar. «Tani qeveritë autoritare po i mbyllin hapësirat e lira në rrjet ose po i mbikëqyrin», thotë Christian Mihr, drejtori i Reporterëve pa Kufij në Berlin. Të tjerët vërshojnë internetin me propagandë (Rusia) ose e shfrytëzojnë për të përgjuar gazetarë dhe për ta suprimuar sekretin e redaksisë (SHBA). Policët iranianë të internetit ndjekin aktivistët në web, dhe sundimtarët në Egjipt nuk do të lejojnë që edhe njëherë të sulmohen në befasi nga interneti.
Domethënë nuk kemi asgjë pozitive për të treguar për Ditën e Lirisë së Shtypit? Natyrisht po. Për shembull këtë: Reporterët pa Kufij çdo vit përpilojnë një ranglistë të shteteve sa i përket lirisë së shtypit. Më së larti në tabelë është ngritur Tunizia. Lulja e fundit e Pranverës Arabe është ngjitur për 30 vende në rangun e 96-të. Ose: UNESCO vëren se sot në mbarë botën në shumë kushtetuta dhe ligje garantohen liria e informacionit dhe mbrojtja e burimeve. Dhe: fushatat ndërkombëtare çojnë në lirimin e gazetarëve. Gazetarë hulumtues nga shumë vende bashkohen për të kontribuar më shumë, siç tregojnë hulumtimet për Panama Papers (Letrat e Panamasë). «Mbresëlënëse është se këtu bashkëpunojnë edhe gazetarë nga shtetet totalitare», thotë Mihr nga Reporterët pa Kufij.
Por e gjithë kjo nuk ndryshon faktin se gjendja e pacientit të quajtur liri e shtypit në përgjithësi është keqësuar. Shtatë sëmundje po e mundojnë. Së pari duhet përmendur detyrimin e drejtpërdrejtë nga ana e shtetit. Ky detyrim shtrihet nga vrasjet e organizuara nga shteti apo së paku të toleruara, censura dhe mbyllja e mediave me ndihmën e ligjit për tatime apo falimentim. Dhe nuk është vetëm presidenti turk Rexhep Taip Erdoan, i cili e sheh si çështje nderi që nëpërmjet të padive t’ua mbyllë gojën gazetarëve kritikë.
Së dyti duhet përmendur terrorin që e ushtrojnë ekstremistët si Shteti Islamik apo grupet mafioze si klanet latinoamerikane të drogës. Sulmi kundër Charlie Hebdo, me ç’rast u vranë 12 veta, me të drejtë në mbarë botën shkaktoi dhembje. Por gazetarët që humbin jetën në Siri ose Libi vajtohen shumë më pak.
Së treti: fatalisht reagimi shtetëror ndaj terrorit po e dëmton edhe lirinë e shtypit. Vendet ku liria e shprehjes ka traditë, për shembull SHBA-të apo Britania e Madhe, në luftë kundër terrorit po i shkelin të drejtat e shtypit. Sekreti i redaksisë, atmosfera e mirëbesimit gjatë bisedave me qëllim hulumtimi po shkelen në mënyrë masive. Reporterët pa Kufij kritikojnë: «Në SHBA rreziqet më të mëdha për lirinë e shtypit vijnë nga mbikëqyrja digjitale dhe fushata juridike e qeverisë kundër sinjalizuesve (Whistleblower) dhe gazetarëve hulumtues. Atuha ç’do të thotë Thomas Jeffersoni për këtë? Christian Mihr paralajmëron: «Përgjimi frikëson burimet gazetareske. Kjo godet themelet e gazetarisë së pavarur».
Sëmundja e katërt po përhapet tepër mirë në internet: propaganda me dezinformim. Me këtë rast nuk duhet të na shkojë mendja vetëm te Vladimir Putini (nuk kemi ushtarë rusë në Ukrainë) apo George W. Bushi (Sadam Huseini fsheh armë të shkatërrimit masiv). Qeveri të të gjitha ngjyrave, firma dhe grupe interesi e ndotin botën mediale me rrena, gjysmë të vërteta dhe interpretime të shtrembëruara. Për të gjithë qytetarët, përfshirë gazetarët, po bëhet gjithnjë e më e vështirë të kesh një pamje të qartë.
Së pesti: edhe paratë po e vënë shtypin nën presion. Në kohërat e rënies së tirazhit dhe rënies së fitimeve nga reklamat gazetat në disa shtete gazetat janë të varura nga reklamat qeveritare (Nigeri) apo subvencionet shtetërore (Francë). Kjo krijon varësi. Oligarkë në Lindje dhe miliarderë në Perëndim po blejnë perandori mediale dhe po i përdorin për interesat e tyre. Silvio Berlusconi sundonte pjesët më të mëdha të trevës televizive italiane. Kësisoj në televizionin shtetëror RAI u shporrën tre gazetarë pasi e kishin kritikuar kryeministrin e atëhershëm gjatë një vizite në Bullgari. Ky rast hyri në histori si «edikti i Bullgarisë».
Edhe në Gjermani assesi nuk është gjithçka në rregull. Kështu, sëmundja numër gjashtë, po bëhen përpjekje të shtypen mendime të padëshiruara – për shembull kritika kundër Putinit apo mirëkuptimi për refugjatët -, duke shpifur kundër gazetarëve dhe shumë mediumeve, të cilat quhen «shtypi i gënjeshtrave», kërcënohen dhe sulmohen. Në ranglistën e Reporterëve pa Kufij Republika Federale e Gjermanisë ka rënë për katër vende në rangun e 16-të, ajo tani gjendet dukshëm pas shteteve si Kostarika, Xhamajka apo Sllovakia. Arsyeja: është rritur dukshëm numri i sulmeve, kërcënime dhe akteve të dhunshme kundër gazetarëve. Gazetarët goditen sidomos nga ekstremistët e djathtë dhe nga selafistët.
Së shtati: gjithë ky presion mund të çojë në autocensurë. Nëse kjo sëmundje përhapet, atëherë pacienti vdes.
(«Süddeutsche Zeitung»)

Related

Top Lajm 598535931670897608

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item