Për trekëndëshin në politikë, dashuri e pasion

Nga Lorenc Vangjeli Nëse do të ishin kulme, të tre së bashku do të formonin një trekëndësh. Edhe pse pa ndonjë lidhje të dukshme me ...

Nga Lorenc Vangjeli

Nëse do të ishin kulme, të tre së bashku do të formonin një trekëndësh. Edhe pse pa ndonjë lidhje të dukshme me njëra-tjetrën, ndoshta përpos faktit që u bënë publike në të njëjtën hapësirë kohore dhe mbajtën pezull frymën e publikut, këto janë tre lajmet më të rëndësishme të ditëve të fundit. Duke e shndërruar dhe atë vetë, në fakt, në një personazh të katërt të tre historive shqiptare. Edhe këtej, edhe andej kufirit.
Lajmi i parë dhe më i rëndësishëm ishte letërkëmbimi mes kryeministrit dhe kryetarit të opozitës. Në fillim Rama dhe pastaj edhe Basha, diskutuan në distancë për mundësinë e një takimi mes tyre. Tema: bisedë për reformën në drejtësi. Në një vend normal, akti më normal i mundshëm është takimi sy më sy mes përfaqësuesve të pozitës dhe të opozitës. Por Tirana nuk është vend normal dhe Rama nuk le rast pa ironizuar dhe pa deligjitimuar Bashën, pak a shumë në të njëjtin stil që përdorte dikur Doktor Berisha për atë vetë. Basha nga ana tjetër kur është pyetur për takime të mundshme dhe informale me Ramën, ka reaguar më keq sesa kur e akuzonin për gjithçka tjetër në politikë. Edhe ai prej kohësh ka zgjedhur si mjet komunikimi me kryeministrin fjalë të të njëjtës monedhe fyese. Të dy palët i bënë publike letrat e tyre para se ato të përfuundonin  në tryezat dhe në duart respektive. Të dy palët i treguan mbështetësve reciprokë sesa me hile ja ka tjetri prosperitetit demokratik të vendit në përgjithësi dhe reformës së drejtësisë në veçanti.
Dy politikanë të rëndësishëm shqiptarë në Maqedoni u bënë objekt i gjykimeve jo politike për një bisedë të supozuar mes tyre, një përgjim i publikuar fillimisht nga një gazetar serb. Biseda u bë e rëndësishme dhe u shndërrua gati-gati në temën kryesore të debatit edhe në Tiranë e Prishtinë për shkak të ngarkesës rozë dhe marrëdhënies së supozuar mes dy politikanëve. Ai ishte një rast “i shkëlqyer” jo vetëm për të kënaqur kureshtjen e publikut që më shumë se supa e përditshme në tryezë kërkon nga media zgjidhje e rebuseve: “Kush shkon me kë”, por edhe e medias që në mungesë të diskutimit për pjatën e supës, është e aftë të tregojë se “Kush shkon me kë”.
Dy të rinj në Tiranë kanë pushtuar faqet e para të shtypit të shkruar dhe janë bërë subjektet më të klikuar në rrjetet sociale. Një marrëdhënie pasioni mes tyre që merr një fund nga njëra palë, katër makina të djegura në mes të natës në një akt hakmarrjeje dhe një lumë mesazhesh private në celular dhe në FB që rreken të rindërtojnë të shkuarën e marrëdhënies së tyre: kjo është tabloja e një historie “dramatike” në Tiranë. Që ndiqet me ankth dhe pasion si telenovelat turke, por me të vetmin ndryshim se fatet njerëzore dhe ndikimi i saj në fatet e tyre, janë tërësisht realë. Rrjetet sociale dhe mediat po analizojnë rresht pas rreshti mesazhet e tyre. Njëlloj si paleontologët që nga një eshtër e vetme janë në gjendje të ndërtojnë skeletin dhe pamjen e një dinosauri, edhe kritikët, edhe të ngeshmit, edhe moralistët e gjithkush tjetër, po tenton të ndajë të mirën dhe të keqen mes dy të rinjve. Çfarë tjetër kanë të përbshkët këto tre histori kaq të ndryshme me njëra-tjetrën? Tekstet e shkruara të Ramës dhe Bashës fituan më shumë vëmendje jo për shkak të thelbit, por të formës. Njëra palë e publikon para se ajo të mbërrijë në dorën e marrësit dhe pala tjetër e pararefuzon para se të dërgojë përgjigjen për vendimin që do të merrej. Duket se të dyja palët më shumë se kërkesën për sukses, kanë preokupimin se kush do të jetë fajtor për çfarë po ndodh me reformën në drejtësi.
Dialogu i supozuar mes dy politikanëve shqiptarë në Maqedoni është vënë dhe në kontekste gjeopolitikë, siç dhe ka gjasë të ndodhë me përdorimin jo fort të rrallë të dobësive njerëzore nga njerëz që rrinë gjithmonë në hije. Maqedonia shkon për pak ditë në zgjedhje dhe biseda e supozuar, pak ndikim do të ketë në raportet e votës mes shqiptarëve dhe maqedonasve, përveç ndikimit në votën mes vetë shqiptarëve.
SMS-të dhe mesazhet në FB mes dy të rinjve që i ka ndarë tashmë burgu i vajzës dhe zjarri i makinave të djalit, ishin plot me gabime drejtshkrimore. Diçka e zakonshme për të rinj shqiptarë që shpesh shkruajnë më mirë anglisht sesa shqip, por që rriten në një ambient konkurues që nuk di të shpallë si në politikë, si në dashuri dy fitues të njëkohshëm. Në Shqipëri kërkohet me patjetër një humbës. Si në reformën në drejtësi. Si në marrëdhëniet njerëzore.
Këto janë tre lajme që nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin, por ndjekin njëri-tjetrin si seri telenovelash. Nëse do të ishin kulme, të tre së bashku do të formonin një trekëndësh. Dhe trekëndëshi është figura më e qëndrueshme në natyrë, por në marrëdhëniet njerëzore, një i tretë është shpesh arsyeja e thyerjes.
Javanews.al

Related

Opinione 5421676312232731458

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item