Ku gaboi Rama me Donald Trampin?

Nga Andi Bushati Deklaratat e përsëritura të kryeministrit Shqiptar lidhur me mundësinë e fitores së zgjedhjeve amerikane nga miliar...

Nga Andi Bushati

Deklaratat e përsëritura të kryeministrit Shqiptar lidhur me mundësinë e fitores së zgjedhjeve amerikane nga miliarderi sharlatan Donald Tramp, kanë ngjallur një stuhi të vërtetë në këtë provincë të largët të botës perendimore.
Për Edi Ramën disa janë shqetësuar dhe shumë të tjerë e kanë akuzuar dhe përqeshur.
Rivali i tij politik Lulzim Basha, me nota të thella ironie e ka etiketuar si « një lider global i cili po mëson amerikanët se kë të zgjedhin ».
Këto deklarata kanë ngjallur një shqetësim të arsyeshëm edhe tek mbështetësit e Ramës, fati i të cilit do të qe katastrofik në rastin e një fitoreje surprizë të Trampit.
Ato kanë ndezur reagimet e diplomatëve amerikanë të cilët i kanë dërguar mesazhe, se në rast se në janarin e ardhshëm, manjati i ndërtimit dhe kazinove hyn në Shëpinë e Bardhë, atëhere ata do të jenë të detyruar ti raportojnë këto deklarata në departamentin e shtetit.
Ato kanë përndezur gjithashtu edhe idhtarët e teorive konspirative që kanë nxituar të denoncojnë sërish dorën e fshehtë të Xhorxh Sorosit që sponsorizon Hillari Klintonin në ShBA dhe Edi Ramën në Tiranë.
Por, pas gjithë këtyre debateve të nxitura nga deklaratat e para të Ramës në « Zululand-in » e Mustafa Nanos dhe më pas në « Zonën » e Baton Haxhiut : mbetet një pyetje : A duhet të fliste kështu kryeministri shqiptar ?
Mendoj se të gjithë ata që e tallin, e ironizojnë, që janë të shqetësuar për pasojat, e kanë gabim.
I di argumentat e tyre të mosndërhyrjes në punët e një vendi tjetër, aq më tepër të një superfuqie.
I kam parasysh tabutë se kryeministrit të një vendi, nuk i lejohet të bëjë publike gjithçka çfarë mendon, aq më tepër në politikën e jashtme.
E njoh kompleksin tonë tradicional të inferioritetit që ngre krye në formën e dilemës : kush jemi ne që të përziemi në punët e të mëdhenjve të kësaj bote.
Por, pikërisht për këtë mendoj, se kushdo qoftë, madje dhe një politikan, duhet të dijë ti mbrojë idetë për të cilat lufton, bindjet me të cilat është mbrujtur, vlerat tek të cilat beson.
Pak rëndësi ka nëse ai është qytetari më i parëndësishëm i kësaj bote globale, apo lideri i vendit më të vogël të saj, ai ka të drejtën të ngrejë zërin kundër fashizmit, ksenofobisë, racizmit dhe misogjinisë, apo të gjitha devijimeve që po prodhon prej vitesh zhgënjimi i thellë nga elitat ekzistuese.
Në këtë këndvështrim, as qytetari Edi Rama dhe as kryeministri shqiptar, nuk është i privuar nga kjo e drejtë. Përkundrazi, ai e ka detyrim të reagojë dhe ta interpretojë botën sipas pikpamjeve të tij.
Ai nuk ka as pse fshihet, as përsë friksohet. Çdo sjellje e tillë do të ishte kompleksive dhe padenjë.
Ndaj mendoj se Edi Rama ka thënë gjënë e drejtë, megjithëse fatkeqësisht, ai, është njeriu i gabuar për ta bërë këtë.
Ja sepse.
Në këtë rast më shumë sesa një politikan me formim intelektual, që afishon kredon e tij, kryeministri shqiptar është sjellë si një kalkulues banal që nuk paguan çmimin e ideve që mbron.
Ai e di që nuk merr asnjë kosto nga qëndrimet që po mban. Ai e di që nuk ka asnjë pasojë nga ky risk që po merr.
Sepse sipas të gjitha sondazheve, analizave të politologëve, parashikimeve të gazetarëve më me emër, shancet që Donald Tramp të zgjidhet presidenti ShBA-së janë afër zeros.
Edi Rama është i informuar padyshim që tenorët e Old Party do të përpiqen ta pengojnë miliarderin kontrovers që arrijë shifrën e magjishme të 1237 delegatëve në konventën e Clevelandit në korrik.
Ata do të bëjnë çështë e mundur që ai mos fitojë me turin e parë në votimin e republikanëve për ta zëvendësuar pastaj, me një tjetër figurë të kësaj partie (ndoshta me Ted Cruz).
Por, Rama e di gjithashtu që edhe nëse republikanët nuk e ndalojnë dot Trampin, sipas të gjitha sondazheve, ai është i humbur qoftë në përballjen ndaj demokrates Hillari Klinton, qoftë ndaj socialistit simpatik, Berni Sanders.
Dhe me që jemi tek ky i fundit : çmendim ka kryeministri shqiptar për fushatën e tij?
A mund të prononcohet kryetari i PS-së që erdhi në pushtet edhe në emër të luftës kundër pabarazive dhe të një rishpërndarjeje më të drejtë të pasurisë ( që Rama i përdori sa për të fituar zgjedhjet, kurse Sandersi i ka kredon e një jete) edhe për këtë garë?
Natyrisht Edi Rama, as nuk guxon të hyjë në këtë parashikim. Ai e di se vërtet ky është një bast me risk.
Në këtë pikë ai nuk ka as gjykim, as mendim dhe as prononcim.
Pikërisht kjo analogji, bën që qëndrimet e tij kundër Donald Trampit, përpara së të duken si reagime të një politikani me stof intelektual, të ngjajnë me ato të një prestigjatori vanitoz.
Kur Edi Rama shpalli në “Zonën” e Baton Haxhiut, se fitorja e Trampit në ShBA mund të prishë mardhëniet amerikano- shqiptare, ai ishte i bindur se kjo nuk do të ndodhë.
Ai e di se miliarderi i kazinove nuk do të hyjë në shtëpinë e bardhë. Pra ai bën aktin tipik të intelektualëve fallco, që ngërthehen në beteja pa risk.
Ky është problem i tij.
Prandaj ai nuk mund të kritikohet se pati guximin për të thënë një të vertetë, por se si gjithmonë, është kumtuesi i të vërtetave që nuk kërkojnë guxim.
Lapsi.al

Related

Opinione 1637619789867421159

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item