Familjarët e Dacit: Shteti të na kthejë fëmijët dhe trupin

Familja e Almir Dacit, i vrarë dy ditë më parë në Siri, hap mortin, ndërsa bën thirrje që shteti të bëjë gjithçka mundet për të kthyer...


Familja e Almir Dacit, i vrarë dy ditë më parë në Siri, hap mortin, ndërsa bën thirrje që shteti të bëjë gjithçka mundet për të kthyer trupin e pajetë në vendlindje. Almir Daci konsiderohej si personi kryesor që drejtonte shqiptarët që luftonin si pjesë e ISIS. Lajmin për vrasjen e ish-imamit të xhamisë së Leshnicës e dha bashkëshortja.
Dyert e mortit janë hapur. Njerëzit shkojnë për ngushëllim, por vetëm një fjalë nën zë shqiptohet nga miqësia për familjen Daci: “Të rroni vetë”.
Ndërsa të afërm të Almir Dacit, ish-imamit të xhamisë së Leshnicës në Pogradec, dje kanë bërë thirrje që strukturat shtetërore të bëjnë gjithçka për të kthyer në familje trupin e pajetë të Almirit dhe njëkohësisht të mundësijnë kthimin në vendlindje edhe të bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, që kanë mbetur në Siri.
Lajmi për vrasjen e Dacit mësohet se e ka dhënë bashkëshortja, e cila ka marrë në telefon të afërmit pasditen e së dielës, duke thënë vetëm: “Mbaroi gjithçka, Almiri vdiq”.
Për strukturat tona shtetërore, Daci është nje person i cili akuzohet për disa vepra të rënda penale, duke përfshirë edhe atë të veprimtarisë me qëllime terroriste.
Ndërkohë, të afërmit shprehen se tashmë që kjo e keqe u ndodhi, shteti duhet të bëjë ç’të mundet që t’i ndihmojë me kthimin e trupit.
“Kërkojmë trupin e vëllait, a ka mundësi shteti ta sjellë. Duam edhe fëmijët. Po pati mundësi shteti ta bëjë këtë gjë” -tha shkurtimisht Genci Daci, vëllai i Almirit, duke shtuar se asgjë nuk është e vërtetë nga ato që thonë, asnjë akuzë për terrorist.
“Shkoni pyetni në fshat, të dëgjoni ça thonë, jo prej meje” -u shpreh ai.
Pavarësisht pretendimeve të familjarëve, Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka nisur hetimet disa muaj më parë, dyshon se Almir Daci ishte ndër personat kryesorë që është marrë drejtëpërdrejt me rekrutimin e shqiptarëve që luftojnë në Siri, si pjesë e organizatës terroriste ISIS.
Në materialet që institucioni i akuzës disponon, ka disa përgjime ku Daci flet me dy imamët e vetëshpallur të Xhamisë së Unazës së Re, Genci Balla dhe atij të Mëzezit, Bujar Hysa.
Që të dy janë arrestuar dhe ndodhen përballë gjykatës për akuzat e veprimeve terroriste dhe nxitjes së urrejtjes etnike dhe fetare. Historia e Almir Dacit, që prej dy ditësh familjarët e konsiderojnë të vdekur, nisi filimisht me disa mësime teologjike dhe më pas u emërua imam i Xhamisë së Leshnicës.
Para dy vitesh, ai u largua bashkë me fëmijët dhe bashkëshorten drejt Sirisë, për t’u kthyer në një nga personazhet kryesore shqiptare si pjesë e ISIS.
Duke qenë në “hierarkinë” e organizatës terroriste, person kyç që drejtonte luftëtarët shqiptarë, ai shfaqet në një video të publikuar nga ISIS nëntë muaj më parë, ku në gjuhën shqipe bën propagandë dhe thirrje kërcënuese.
Daci njihej me emrin e luftës Abu Balkëzi në Siri, ndërsa si “pseudonim” në videon e shfaqur del me “Al Albani”, një formë për të kamufluar anëtarët e shtetit islamik. Ai shfaqet i armatosur dhe në mesazhin propagandues të tij, bën thirrje që t’i bashkohen organizatës ISIS në luftën e shenjtë.
Ndërsa familjarët shprehen se Almiri nuk ishte terrorist, por pak kohë para se të largohej drejt Sirisë, kishte pasur kontakte me disa persona nga Tirana dhe që nga ajo kohë ishte transformuar.
Megjithë pretendimet e të afërmve, Daci konsiderohet si përgjegjës për rekrutimin e disa të rinjve, një pjesë e të cilëve janë banorë të kësaj zone dhe besimtarë që faleshin në xhaminë që drejtohej nga Daci.

Xhihadistët shqiptarë, një histori tragjike në Siri
Nuk ka një shifër të saktë mbi numrin e shtetasve shqiptarë që kanë shkuar në Siri si pjesë e ISIS, por numri i tyre llogaritet në rreth 90. Një shifër në dukje e vogël, por mesazhi që kanë lënë pas është më se i frikshëm, pasi u bënë pjesë aktive e organizatës terroriste. Pjesa më e madhe e të larguarve, sipas raporteve konfidenciale të SHISH dhe prokurorisë, janë të mashtruar dhe manipuluar maksimalisht. Disa nga të rekrutuarit kanë shitur shtëpitë për të siguruar paratë e udhëtimit drejt asaj që e konsideronin “luftë e shënjtë”, në Siri. Ndërsa mendohet se 20 fëmijë të mitur dhe gra shqiptare ndodhen në këtë territor dhe e kanë të pamundur rikthimin, për shkak të izolimit dhe situatës së luftës. Një pjesë e konsideruar, afërsisht 40 persona, pasi kanë qenë në Siri mundën që të largoheshin të zhgënjyer nga ajo që panë dhe përjetuan si pjesë e organizatës terroriste ISIS. Krimet makabre dhe kalimi nga një “luftë e shenjtë” në veprime të dhunshme, deri në ekzekutime çnjerëzore me prerje kokash apo vdekje të mundimshme nëpërmjet turturave, ka bërë që shumë individë të largohen nga ISIS. Nëse ata kapeshin mund të rrezikonin edhe vrasjen, pasi organizata terroriste ISIS çdo largim nga radhët e saj e konsideron dezertim që dënohet rëndë. Ndërsa në Shqipëri ata janë thuajse gjatë gjithë kohës të survejuar nga agjentët e SHISH dhe të Antiterrorit, pasi veprimtaria e tyre konsiderohet ende e dyshimtë.

Related

Top Lajm 2033817524273074712

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item