E ardhmja e Shengenit / Kostot nga shembja e sistemit dhe frika nga kriza e refugjatëve

Nga Suzi Denison Për të shqyrtuar se si “kriza e Shengenit” po prek pjesë të ndryshme të Bashkimit Evropian, u kërkuam 28 studiuesve...

Nga Suzi Denison

Për të shqyrtuar se si “kriza e Shengenit” po prek pjesë të ndryshme të Bashkimit Evropian, u kërkuam 28 studiuesve nga secili shtet anëtar i BE-së, për të shqyrtuar veprimet dhe perceptimet rreth Shengenit në vendin e tyre. Pavarësisht titujve të fortë mediatikë, rezulton se pezullimi i Shengenit në disa vende, nuk ka bërë që shtetet anëtare të heqin dorë nga parimet e tij, ose të bëhet disfatistë për mundësinë e rivendosjes së tyre.
Studimi ynë ka treguar se 22 nga 28 shtetet anëtare, janë të bindur se sistemi i Shengenit do t’i mbijetojë edhe kësaj vere. Po çfarë e shkakton këtë besnikëri të madhe ndaj Shengenit në mesin e evropianëve? Në kundërshtim me frikën e shprehur ndaj terrorizmit ndërkufitar në vazhdën e sulmeve të Parisit dhe Brukselit, si dhe sfidat e trajtimit të sistemit si një zonë pa kufij, shtetet anëtare po vazhdojnë ta shohin Shengenin si një përfitim jo vetëm në rrafshin ekonomik por edhe atë të sigurisë.
Pra megjithëse kontrollet kufitare janë rivendosur gjatë muajve të fundit në disa vende, ekziston një besim themelor se ato janë të përkohshme, edhe nëse kthimi në Shengenin e vjetër është i vështirë të shihet si një opsion në këtë moment.
Ekonomia e Shengenit
Uniteti ende mbetet synimi afatgjatë për anëtarët e Shengenit, më shumë për arsye praktike, sesa për shkak se është një ideal i përjetshëm evropian. Kur pyetëm ekspertët tanë për të zgjedhur nga një listë arsyet kryesore pse Shengeni ka rëndësi për shtetin e tyre, arsyet ekonomike – veçanërisht shpenzimet e lidhura me mospasjen e Shengenit – qenë të dorës së parë.
Vetëm studiuesi ynë në Qiproja, përmendi humbjen e identitetit evropian si konsideratën e tij të dytë, ndërsa Luksemburgu e quajti atë si shqetësim tretësor. Është e qartë se efektet ekonomike në rastin e një pezullimi të plotë të sistemit të Shengenit, janë shkatërruese për vendet që i kanë ndërtuar tregjet e tyre mbi parimet e tregtisë dhe lëvizjes së lirë.
Koha është para, dhe kontrollet kufitare e shndërrojnë transportin ndërkufitar në një faktor të rëndësishëm për shtimin e kostove. Komisioni Evropian ka vlerësuar se nëse Shengenit do të pushojë së ekzistuari, kostoja e kohës së pritjes së kamionëve nëpër pikat doganore, mund të rezultojë në një rritje prej deri në 7.5 miliardë euro çdo vit.
Ndërkaq parashikohet të krijohen kosto të tjera shtesë, si pasojë e një rënieje të mundshme të udhëtimeve turistike brenda hapësirës Shengen, edhe për shkak të burimeve financiare që kërkohen gjatë kalimit nëpër pikat e ndryshme kufitare.
– Mbretëria e Bashkuar: një rritje e indeksit të çmimeve prej 1 përqind për shkak të pezullimit të Shengenit, do ti kushtonte vendit 87 miliardë euro deri në vitin 2025.
-Austri: nëse mbyllen të gjithë kufjtë e vendit, humbjet çdo ditë do të jenë 2.5- 8.5 milionë euro.
– Francë: Mbyllja e kufijve do t’i kushtojë 1 miliardë euro në vit ekonomisë franceze, dhe 10  miliardë në vit pas 10 vitesh, për shkak të reduktimit të tregtisë me fqinjët e saj evropianë.
-Gjermani: Rivendosja e kontrollit të përhershëm të kufirit, do të shkaktonte një humbje që parashikohet të arrijë në 77 miliardë euro nga sot deri në vitin 2025.
-Greqi: Rezervimet për pushimet verore në ishullin Kos, ku është ndërtuar edhe nje qendër e pritjes së emigrantëve, kanë rënë me 60 përqind që nga fillimi i krizës së refugjatëve.
-Itali: Midis viteve 2016- 2025, Italia do të humbasë rreth 50 miliardë euro nëse pezullohet Shengeni.
Një raport nga Fondacioni Bertelsman, vlerëson se rikthimi i kontrolleve të përhershme kufitare do të çojë në një humbje të përgjithshme prej 470 miliardë eurosh për BE-në.
Kontrollet kufitare janë rrikthyer
Pavarësisht entuziazmit për konceptin e Shengenit, si dhe tabllosë së qartë mbi ndikimin ekonomik të pezullimit të tij, kontrollet kufitare janë aktualisht në vazhdim në 6 shtete anëtare të BE (Austri, Belgjikë, Danimarkë, Francë, Gjermani dhe Suedi). Këto vende të BE-së janë detyruar të përballen me situata ekstreme, dhe marrëveshja e Shengenit parashikon në fakt mundësinë e kontrolleve të përkohshme, vetëm në rast se ka një kërcënim serioz për rendin publik.
Shengeni përcakton se këto masa duhet të përdoren vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, dhe në proporcion me kërcënimin që paraqitet. Kontrollet në hapësirën Shengen të Hungarisë, Maltës dhe Sllovenisë, të cilat ndodhën gjatë 3-mujorit të fundit të vitit 2015 në përgjigje të krizës së refugjatëve, u ndërprenë. Por fakti që disa kontrolle të mbeten gjysmë të përhershme, e dëmton imazhin e Shengenit si një shtyllë e bashkëpunimit evropian.
Në kërkimin tonë, ne nuk kemi gjetur asnjë lidhje të qartë ndërmjet vendeve të cilat vënë në dyshim fuqinë e Shengenit dhe që e shohin rivendosjen e kontrolleve kufitare si një opsion të qëndrueshëm në të ardhmen, dhe atyre që aktualisht praktikojnë kontrollet kufitare.
Duket sikur ka një hendek për politikëbërësit, në mes të asaj që funksionon më mirë për BE-në si një e tërë, dhe çfarë efekti kanë veprimet e vendeve të veçanta tek sistemi. Preferenca për interesin kombëtar në terma afatshkurtër, pavarësisht kostove, mund të shpjegohet me një faktor kyç:opinioni publik.
Emigrantët vs opinionit publik në Evropë
“Frika nga e panjohura”, është një temë e përsëritur në sondazhet e opinionit publik. Në Lituani, e cila pranoi 275 kërkesa për azil në vitin 2015, një sondazh nga Qendra Kërkimore Sociale zbuloi se mbi 80 për qind e popullisë, beson se refugjatët mund të kontribuojnë në rritjen e nivelit të krimit dhe trazirave sociale në vend.
Në Estoni, ku u pranuan 225 azilantë vitin e kaluar, 59 përqind e qytetarëve janë të gatshëm të heqin dorë nga marrëveshja Shengen, për të reduktuar kërcënimet e perceptuara lidhur me flukset e pakontrolluara të refugjatëve. Sa për krahasim, në një sondazh të kryer në Gjermani në mars të këtij viti, tregoi se mbështetja për kontrollin e kufijve ka rënë në 49 përqind, nga 53 përqind në muajin shkurt.
Opinioni publik është gjithmonë një faktor i paparashikueshëm. Por teksa Evropa po sheh partitë ekstreme të fitojnë më shumë pushtet dhe mbështetje në vende si Danimarka, Finlanda, dhe më së fundmi Sllovakia, kjo do të ketë një ndikim më të drejtpërdrejtë në marrjen e vendimeve, si dhe tek e ardhmja e një politike të unifikuar mbi kontrollet kufitare.
Përfundim
Edhe pse sistemi i Shengenit ndodhet aktualisht nën një presion të madh, shtetet anëtare mbeten ende të përkushtuara si ndaj idealit të një BE-je pa kufij, ashtu edhe përfitimeve që rrjedhin prej saj. Ata duan të sigurohen që parimi i lëvizjes së lirë të mbrohet për qytetarët e tyre, si dhe të ruajnë sistemin Shengen për shkak të përfitimeve ekonomike që ai ofron.
Për më tepër, ata ende besojnë tek ideja e sigurisë kolektive, nëpërmjet bashkëpunimit ndërkufitar në BE. Sfida tanimë është të lëvizet nga statuskuoja, duke rikrijuar sjelljet e nevojshme për të mundësuar që Shengeni të funksionojë sërish siç duhet. Klima aktuale e kërcënimit të menjëhershëm, po i çon evropianët drejt një rruge që në fund të fundit rrezikon një çmontim të verbër dhe në mënyrë të përhershme të kufirit të zonës së lirë.
Ky studim duhet të shërbejë si një këmbanë alarmi për liderët evropianë mbi rëndësinë e vazhdueshme të Shengenit për qytetarët në të gjithë BE-në, dhe kërkesën për zgjidhje politike që do të zbatohen në krizën e refugjatëve dhe çështjet e sigurisë. Vetëm duke bërë këtë do të jetë sërish e mundur të rivendoset besimi i nevojshëm për t’i bërë sërish funksionalë kufijtë e hapur.
Marrë me shkurtime nga ”European Council of Foreign Affairs” – Në shqip nga bota.al

Related

Top Lajm 652526375687929339

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item