Brigada e re amerikane në Europën Lindore alarmon Rusinë

Njoftimi se Shtetet e Bashkuara do të vendosin në Europën Lindore një brigadë tjetër të korracuar është mikpritur nga ekspertët e sigu...


Njoftimi se Shtetet e Bashkuara do të vendosin në Europën Lindore një brigadë tjetër të korracuar është mikpritur nga ekspertët e sigurisë në Bukuresht dhe në Sofie si një shenjë e qartë e angazhimit të NATO-s për sigurinë kolektive përballë rikthimit të Rusisë në rajon.
Uashingtoni njoftoi javën e kaluar për të vendosur 4,500 trupa, të cilat do të kalojnë me rotacion në Bullgari, Letoni, Lituani, Hungari, Poloni e Rumani për të kryer stërvitje ushtarake të përbashkëta.
“Ky plan zbatimi i ushtrisë vijon të demonstrojë përqasjen tonë të fortë dhe të balancuar për të risiguruar aleatët tanë të NATO-s dhe partnerët pas rishfaqjes së Rusisë agresive në Europën Lindore dhe në zona të tjera,” shkruhet në një deklaratë për shtyp të Pentagonit.
Në Bullgari, lajmet mbi planet e SHBA-së përkojnë me miratimin nga ana e qeverisë të një riorganizimi të madh të ushtrisë me vlerë 1.2 miliardë euro.
Deputetët në Bullgari miratuan tri projekte investimi, blerjen e avionëve të ri të luftës dhe anijeve patrulluese shumëfunksionëshe si dhe për zgjatjen e jetës së dhjetë avionëve MiG-29.
Ndërsa udhëheqësit e Bullgarisë kanë përshëndetur vendimin për të modernizuar ushtrinë në përputhje me angazhimet e Bullgarisë në NATO dhe BE, lëvizja e Pentagonit ka kaluar pothuajse e pa vënë re.
Në mënyrë surprizë, nuk pati reagim as nga Partia Socialiste Bullgare BSP, dhe partia pro-ruse e ekstremit të djathtë ATAKA, të cilat tradicionalisht kundërshtojnë masat që sjellin përballje me Rusinë.
Ministria e Mbrojtjes e Bullgarisë i tha BIRN se sipas një marrëveshjeje mes qeverive të Bullgarisë dhe SHBA-së të vitit 2006, çdo vit do të zhvillohen stërvitje të përbashkëta në Bullgari, të cilat “ndihmojnë në rritjen e përputhshmërisë operacionale mes forcave të armatosura të të dyja vendeve”.
Ministria shtoi se në përputhje me tendencën drejt rritjes së aktiviteteve ushtarake të përbashkëta mes vendeve të NATO-s dhe partnerëve, më 2016 do të zhvillohen 30 stërvitje në Bullgari, ku do të përfshihen forcat tokësore, ajrore dhe marina ushtarake.
Nuk pati reagim zyrtar mbi lëvizjen amerikane as në Rumani, ku qeveria ka kërkuar në mënyrë të përsëritur rritjen e pranisë së NATO-s në Europën Lindore.
Gjithsesi, analistët në rajon e kanë përshëndetur njoftimin e Pentagonit.
“Çdo hap i ndërmarrë nga SHBA-të apo NATO në tërësi e fuqizon sigurinë në rajon. Prania e trupave pararojë përgjatë krahut lindor të Aleancës është një parandalues i fuqishëm kundrejt çdo lëvizjeje provokuese ruse, e cila ka më shumë gjasa të ndodhë në Balltik në kufijtë e Rusisë” thotë Paul Ciocoiu, redaktor i publikimit rajonal mbi sigurinë Balkandefense.com.
“Moska tashmë po bëhet më e vetëdijshme për aksionet e veta provokative dhe agresionin në Ukrainë si masa që kanë dobësuar Aleancën por që njëkohësisht e kanë shtyrë atë të ndërmarrë masa të konceptuara për t’u përshtatur me situatën që vetë Rusia ka krijuar,” shtoi ai.
“Pavarësisht disa lëvizjeve të forta dhe mesazheve propagandistike që Moska dërgon, ajo është bërë gjithnjë e më e vetëdijshme se Europa Lindore është tepër larg radarit të saj,” vijoi Ciocoiu.
Yordan Bojilov, drejtor i Forumit të Sigurisë me bazë në Sofie, tha se vendimi i SHBA-ve për të rritur praninë e vet ushtarake ka dy dimensione kyçe.
“Problemi më serios është pasiguria në sjelljen e Rusisë,” tha Bojilov për BIRN, duke shtuar se sfida tjetër është tensioni i përshkallëzuar mes Turqisë dhe Rusisë, e cila mund të sjellë nevojën për angazhim të NATO-s.
Bojilov vërejti, gjithsesi, se nuk ka kërcënom për “ushtarak konvencional” të drejtpërdrejtë për Bullgarinë. Ai shpjegoi se vendimi i Pentagonit për të vendosur një brigadë tjetër “nuk do ta ndryshojë ekuacionin botëror” dhe ka më shumë gjasa të jetë një “limit i ri” që po vendoset.
Por zyrtarët rusë po sinjalizojnë se Moska mund të reagojë ndaj planeve të SHBA-së dhe të vendosë njësi të reja të korracuara në Europën Lindore.
“Ne nuk jemi vëzhgues pasivë, ne në vijimësi marrim të gjitha masat ushtarake që i mendojmë si të nevojshme në mënyrë që të kundëbalancojmë këtë prani të përforcuar,” deklaroi Aleksandr Grushko, përfaqësues i përhershëm i Moskës në NATO, në një intervistë televizive. “Sigurisht, ne do të përgjigjemi totalisht në mënyrë asimetrike”.
Grushko nuk e shpjegoi më tepër këtë deklaratë, por tha se veprimet e Rusisë mund të korrespondojnë me “të kuptuarit që ku vend ka për përmasat e kërcënimit ushtarak, nuk do të jenë tepër të kushtueshme por do të jenë edhe shumë efektive.”
BIRN

Related

Top Lajm 4071119818273752457

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item