Ana e errët e stadiumit të ri dhe e vërteta e Kullës së tij 19-katëshe

Në vitin 2011 një Vendim i Këshillit të Ministrave që mban poshtë firmën e Sali Berishës i dha jetë një shoqërie me emrin “Kuq e Zi”. ...


Në vitin 2011 një Vendim i Këshillit të Ministrave që mban poshtë firmën e Sali Berishës i dha jetë një shoqërie me emrin “Kuq e Zi”.
Kjo VKM ndau 75% të Ndërmarrjes “Stadiumi Kombëtar Qemal Stafa” për Federatën Shqiptare të Futbollit (me status privat OJF-je) dhe 25 përqind për shtetin shqiptar, përfaqësuar nga Ministria e Ekonomisë.
Njihet nga qarqet e sportit në Tiranë fakti që nënshkrimi i Berishës erdhi pas një lobimi shumë të fortë veçanërisht nga qarku i njohur Frangaj-Duka i biznesit.
Me këtë VKM, “Qemal Stafa” thuajse u privatizua, sepse pjesa private (75 përqindshi) merrte tashmë lehtësisht të gjitha vendimet për këtë Sh.A.
Jo rastësisht Bordi i krijuar pas kësaj VKM-je të Berishës ka për kryetar presidentin e FSHF-së, Armando Duka dhe administrator ish-sekretarin e FSHF-së, Eduard Prodani.
Mori udhë kështu ajo që për lehtësi krahasimi po e quajmë “Versioni 1” i stadiumit të ri.
Asokohe FIFA kontraktoi për shumën 200 mijë euro një kompani që do të bënte fizibilitetin e “Qemal Stafës” ekzistues.
Ky studim sugjeroi që stadiumi i ri mund të ketë vetëm 16 mijë vende të ulura, të cilat pas negociatave FIFA-FSHF u bënë 22 mijë.
Pas këtij studimi, Shoqëria Kuq e Zi deklaroi të hapur tenderin për ndërtimin e stadiumit. U vendos forma e Koncesionit, miratuar edhe nga FIFA dhe UEFA.
Ky version parashikonte ndërtimin e stadiumi me Koncesion 35 vjeçar. Pas 35 viteve stadiumi do t’i kthehej shtetit shqiptar.
Në gusht 2013 u mbyllën pranimet e dokumentacioneve nga kompanitë e interesuara dhe u shpallën 3 finaliste të cilat ishin nga Koreja e Jugut, Italia dhe Franca.
Pas tërheqjes së çuditshme të aziatikëve, gjithçka u diskutua midis Bouygues Batiment Internationalinstitucione nga Franca dhe Serenissima Contruzioni nga Italia.
U shpall fituese kjo e fundit.
Ashtu sic veprohet në vende të brishta e të pastabilizuara, firma fituese e koncesionit për stadiumin e ri, kërkoi një “Letër-Garanci” nga qeveria shqiptare.
Por ndryshimi politik pas zgjedhjeve të 2013-s e la gjithçka pezull.
Edi Rama që mori drejtimin e Ekzekutivit shqiptar, i këshilluar nga FMN nuk e lëshoi këtë letër-garanci.
Në vend të kësaj, Rama deklaroi në fillim të qeverisjes që “nuk ndërtojmë stadium të ri kombëtar me 50 apo 70 milion euro, por me 20 milion euro do rikonstruktojmë 4 deri në 5 stadiume aktuale”.
Dhe ashtu u bë. U rikonstruktuan Elbasani e Shkodra, ndërsa në “Qemal Stafa” nisi rinovimi i pjesshëm i shkallëve, ambjenteve të ndryshme dhe shtrimi me tapet të ri i fushës.
Por ndodhi diçka e papritur.
Shqipëria kualifikohet për në finalet e EURO 2016. Veç të tjerave, u hap rruga për disa miliona euro nga FIFA.
Në këto kushte rihidhet nw skenë ideja e ndërtimit të një stadiumi të ri kombëtar me Koncesion.
Por… Historia tashmë ndryshon krejtësisht.
Vimë këtu tek “Versioni 2” i Stadiumit të ri Kombëtar, ose tek debati i ditëve të fundit.
Shoqëria “Kuq e Zi” dhe Qeveria, (ose Duka dhe Rama që përfaqësojnë 75 përqind dhe 25 përqindshin e shoqërisë) “gjejnë” një kompani shqiptare me emrin Alb Star.
Alb Star, që njihet në qarqet e biznesit si “kompania e ish-ortakëve të Olldashit”, premton një investim 40 milionë euro, kurse FSHF dhe Shteti premtojnë të venë 10 milionë të tjerë  për ndërtimin e stadiumit të ri.
Interesante është që ende pa u shpallur fituese Alb Star, porositi një studio italiane për të bërë projektin e stadiumit të ri.
Krahas stadiumit dhe ambjenteve sportive, kontrata i jep Alb Starit të drejtën të ndërtojë të trupëzuar me stadiumin “ambjente josportive” mes të cilave një Kullë biznesi 19-katëshe.
Madje Qeveria i njeh të drejtën Alb Starit të parashesë 25. 200 m2 “pjesë biznesi” në stadiumin e ri.
Edhe pjesa e parkimit nën administrimin e FSHF-së (sheshi aktual përballë stadiumit) i kalon Alb Starit kurse hyrja e stadiumit të ri sipas projektit do jetë tek shesh-pushimi ku më parë ka qenë lokali i njohur si Kolonat.
Sikur të mos mjaftonte, Koncesioni në fjalë nuk i njeh shtetit të drejtën e rikthimit të stadiumit pas 35 viteve shfrytëzim si në Versionin 1.
Të mbytura nga zhurma politike, detajet e kësaj që po ndodh mbeten të errëta për publikun.
Por DITA posedon dokumentacionin e plotë të dy versioneve që provon sa më sipër.
E vetmja pengesë që ka dalë aktualisht është drejtoria që mbron Trashëgiminë Kulturore.
Drejtoresha e kësaj zyre refuzon të nënshkruajë marrëveshjen në fjalë, pasi stadiumi Qemal Stafa është në listën e Monumenteve të Kulturës.
Burime nga qeveria thanë për DITA se drejtoresha në fjalë ka kërkuar shfuqizimin në Kuvend të pjesës së ligjit që e paracakton “Qemal Stafën” si të tillë, ndryshe nuk mund të firmosë prishjen e tij, që ndalohet nga i njëjti ligj.
Jo rastësisht disa ditë më parë, vetë Rama ironizoi zërat që mbronin “Qemal Stafën” si Monument Kulture duke thënë që edhe Uembli i Londrës u prish.
“I cilësuar monument kulture vetëm për shkak të fasadës së tribunës qendrore, ndërkohë që gjithçka ka në pjesën tjetër është monument vulgariteti, degradimi, pisllëku” – tha Rama për Qemal Stafën..
Të ndodhur përballë këmbënguljes së Drejtorisë në fjalë për të mos firmosur dhe ngutit për të proceduar me punimet pa ndryshime ligjore në Kuvend, orët e fundit është gjendur një zgjidhje mbresëlënëse: Fasada e Tribunës Qendrore të Qemal Stafës do “pritet” dhe do “ngjitet” në stadiumin e ri.
Neser është parashikuar mbledhja e Këshillit Kombëtar të Territorit nën drejtimin e kryeministrit, ku në listën e miratimeve është edhe ky “version 2” i stadiumit të ri kombëtar.
A do kalojë? Mbetet për t’u parë.
DITA

Related

Sport 1796022409656517184

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item