Zigzak

Nga Majlinda BUSHJA Çdo shoqëri kur udhëhiqet nga vlera të paqendrueshme, përfundon në zigzake të përhershme. Paqendrueshmëria, ...

Nga Majlinda BUSHJA



Çdo shoqëri kur udhëhiqet nga vlera të paqendrueshme, përfundon në zigzake të përhershme. Paqendrueshmëria, apo animi nga një kah në tjetrin i shpërbën asaj boshtin e vlerave bazë. Atje ku ajo duhet të mbështet për të krijuar një të ardhme të sigurtë. Çdo pozicionim nga njëri kah në tjetrin brenda një kohe të shkurtër duke u larguar nga boshti qendror i vlerave ridimesionon brenda saj, jo elasticitetin e vlerave por shpërbërjen e tij. E deformon konceptin për vlerat bazë që duhet ta udhëheqin atë, duke afruar atë çka është më e leverdisshme për momentin, por jo për kohën që transformon lëvizjen e shoqërisë nisur dhe nga sistemi që adopton. 
Në shoqëritë në tranzicion në të cilën futet dhe kjo jona zigzaket e saj tashmë janë pjesë normale e rrugës që përshkojnë çdo ditë. Ato përthithen me shpejtësi nga shoqëria, pavarsisht jo normalitetit që sjellin, pranohen sepse kanë një produkt që pëlqehet nga elita. Elita vendos duke e rrotulluar masën në krahun e vet përmes mekanizmave “merimangë” që s’mund të shpërbëhen. Shoqëria bindet, pavarsisht se zien brenda saj pa shpërthyer në rreziqe të mëdha, por vetëm përmes shpërthimeve të vogla që administrohen me lehtësi. Elita përmes fijeve që mban vetveten përpiqet të lidhi sa më shumë nga masa duke i pozicionuar kah vetes. Kjo sjellje prej grabitqari në një elitë që brenda vet saj është e copëzuar  për shkaqe politike apo tjetër gjë, e shndërron masën në një preh që përfundon tërësisht e hallakatur. Kjo shpërbërje e saj jo vetëm që rrit paqendrueshmërinë, por e vendos atë para situatave të pa parashikueshme për të ardhmen. Rreziku është prezent për sa kohë nuk dinë ku shkojnë, por thjeshtë ecin. Ndjekin rrugën e të tjerëve, pavarsisht se të tjerët sipër tyre kanë qellime të brendshme, por duke mos i shfaqur ato.
Në çdo kohë elita është përpjekur që të orientojë, por piketat e saj jo gjithmonë kanë qenë të duhurat. Copëzimi brenda saj në luftën, se cila është rruga e duhur përzier kjo me qellime të brendshme personale, më shumë e ka çorjentuar shoqërinë. Pasi, ajo nuk është pozicionuar nisur vetëm nga vullneti personal për të përcaktuar vlerat e duhura, por edhe opinioni i përgjithshëm. Ajo ka ndryshuar qendrimin e mëparshëm sa herë e ka parë të udhës. Por,  këto zigzake kur kanë qenë të herë pas hershme jo vetëm e kanë lodhur atë, por edhe e kanë çorjentuar në rrugën e saj. Mungesa e një baze të fortë ka sjellë pasoja të pariparueshme, por që me kohën janë pranuar me parimin e diversitetit në shoqëri. Është pranuar paqendrueshmëria e sjelljes së saj, pasi kur nuk ka zgjedhje më të mirë, pranohet e vetmja zgjedhje që ekziston.
Por, çdo shoqëri kur  udhëhiqet nga paqendrueshmëria në rrugën e saj le pas kaosin e së shkuarës. Ajo mund të kamuflojë momentin duke e bërë të padukshmëm, por s’është në gjendje të ndryshojë të vërtetën që ka një kohëzgjatje brenda saj dhe lë shenja të dallueshme. Dhe e vërteta e kësaj rruge janë veprat konkrete që dëshmojnë, duke shpërfaqur formën e të jetuarit që ajo ka zgjedhur. Kështu, çdo ecejake në këtë udhëtim nga një kah në tjetrin më shumë ka “gjarpëruar” vlerat e saj duke humbur qendrueshmërinë, si forma e duhur për të ecur përpara në rrugën e duhur. Dhe e shkuara në këtë formë pavarsisht se nuk i ka bërë mirë shumicës së shoqërisë, ajo, e ka pranuar ndonjëherë si dëshmi e pafuqisë së saj për të vepruar ndryshe. Të kthehesh e të bësh ndryshimin është më e vështirë se të vazhdosh rrugën, pasi çdo fillim i ri, do prish ngrehinat e së shkuarës, të cilat kur janë të thella kërkojnë kohën e tyre me një kosto të lartë.
Ndaj, shoqëria është e paparashikueshme në lëvizjet e saj të përditshme, të cilat kanë si bazë të vetën ndryshimin, nisur nga qellimi i momentit, Ky tranzicion i saj i vazhdueshëm pa kohë, sjell pasoja të dukshme, që pasojnë me trauma të rënda e që refuzohet të pranohen nga vet individi.  E në të tilla raste efekti domino, përdoret nga ai për t’u shfajsuar, e për të hequr dorë nga përgjegjësitë personale. Gjithçka ndodh sipas tij për shkakun e të tjerëve, e të tjerët kanë qenë rryma që veçse e ka marrë përpara dhe e ka detyruar të bindet. Me këtë sjellje ,ai, jo vetëm kërkon të pastrohet, por largon nga vetja dhe përgjegjësitë personale që mund ta kryqëzojnë në të ardhmen. Shmangia e gjithkujt nga përgjegjësitë personale, duke krijuar në këtë formë rrethin e botës së vogël, e bën gjendjen e përgjithshme të vet shoqërisë të paqartë për vlerat që do ta orientojnë. Në këto kushte zhvillohen betejat e vogla të jetës së përditshme për ta mbajtur të paprekur territorin e pafajsisë. Detyrim që rrjedh nga nevoja për të gëzuar lirinë me dimensione sa më të gjera.

Kur shoqëria pozicionohet kah interesave, por jo të drejtave, pastaj kërkon të drejtat, se e sheh veten të nëpërkëmbur nga interesat, ajo është duke tronditur sigurinë e saj. Dhe sa më shumë ta përsëris këtë sjellje aq më shumë rrit pasigurinë e së ardhmes. Gjithë kjo lëvizje e vë në provë më vonë e cila është e pa kalueshme. Shoqëria përpiqet të shmanget duke kërkuar rrugë të reja, pa kuptuar peshën e së shkuarës që tërheq. Gjithë devijimet shenjojnë kohën e tyre të mbrapsht. E shkuara përsëritet në një formë tjetër. Përpjekja për të ndryshuar, por në një formë jo të qendrueshme e lë pezull dhe si e tillë ajo mbet gjithmonë në tranzicion.



Related

Opinione 522748039804494447

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item