Xhelozi, ankth, seks… pushteti i kundërt mbi kohën

Është nga rastet e rralla në kryeqytet, kur përkthyesit e një gjuhë mblidhen në një forum jo vetëm për shkrimtarin, por edhe kolegun e...


Është nga rastet e rralla në kryeqytet, kur përkthyesit e një gjuhë mblidhen në një forum jo vetëm për shkrimtarin, por edhe kolegun e tyre. Rasti ka qenë dje, në Bibliotekën Kombëtare, në paraqitjen e veprës së shkrimtarit francez Marsel Prust, “Robinja”, përkthyer nga Edit Dibra. Përkthimi, si një proces sfidues, ka pasur përballë njohësit më të mirë të frëngjishtes, për të perceptuar “pushtetin e kohës” mbi njeriun, te një vepër moderne e shek. XX, përballë leximit të sotëm
Kantier i përvojës së leximit dhe përkthimit, -thotë Persida Asllani, duke hapur dyert në Bibliotekën Kombëtare për një nga autorët që dha përvojën e pavetëdijes, jo si filozof por si shkrimtar i angazhuar; Marsel Prust në shqip. Me këtë rast, drejtorja e bibliotekës thotë se ky autor, si gjithë të tjerët, tani nuk do të kërkohet nëpër skeda, por online.
Mbi këtë njësi kërkimi duket se ngjan edhe ngacmimi i një shkrimtari si Prust, që dje, ka pasur një auditor të rinjsh, në një përballje krahasuese të pedagogëve të tyre, si njohës e nostalgjikë të një letërsie të munguar, në kulmet e moshës së leximit.
Në skenë del botuesi i “Fan Nolit”, një nga entet më të hershme në Shqipëri, që e ka nisur biznesin me përkthimin e romanit “I huaji” të Kamysë, duke bërë një kontratë morale, të pashkruar edhe për Prustin. Është e rrallënisur nga ky rast, përkthimi i romanit “Robinja” e Marsel Prust dhe prezantimi i tij në një auditor që sfidon edhe njohësit më të mirë të përkthimit që kemi në frëngjisht si Edmond Tupja,(përkthyes i parë i Prustit), Ilia Lëngu, Saverina Pasha, si dhe shkrimtari Agron Tufa, në cilësinë e studiuesit të letërsisë moderne.
Në segmentet e të treguarit mbi “tradhtitë” e përkthyesit, Prusti njihet më mirë, dhe konsiderohet si nga më të vështirët, si për shkak të strukturës gjuhësore, labirintit që krijon ashtu dhe në situatën e fjalës, si proces kërkimi të gjuhës së emocionit, mendimit, psikikës.
Përkthyesja Saverina Pasha flet më gjatë, mbi një autor që u ka shpëtuar klisheve të famës, por aq sa ka qëndruar brenda, ka mbetur edhe jashtë mondanitetit francez të shekullit XX.
Në këto kryqëzime komplekse te Prust njihnin një të panjohur të Francës! Ndërsa nuk i ka shpëtuar klisheve si shkrimtar snob, çifut, shkrimtar i salloneve…kur vetë ky autor urrente çdo klasifikim apo përcaktim. “Ai ishte gjeni i papërcaktuar, një shkrimtar modern që hapi modernizmin në letërsi dhe që përcaktoi jetën e tij”, ndan përkthyesja Pasha, në kujtesë se si e shoqëroi këtë shkrimtar dualiteti social, i ndodh mes katolicizmit dhe judaizmit. Por estetika e tij nuk kishte ndarje, apo zgjedhje në shoqërimin e veprës mesfiction dhe krijimit, ku gjente veten në organizimin e reminishencës, kujtesës në krijimtari.
Prusti çifut, homoseksual dhe njeri i konvencioneve që donte ta shpëtonte botën, mbajti së brendshmi ndjesinë si çifut i dyzuar, që i krijonte vetes një vend në qarqet mondane, por njëkohësisht zgjidhte edhe të mos i përkiste, të mbetej jashtë saj.
Me rastin e Prustit duket se gjithmonë ngacmohet debati mbi shkrimtarin e angazhuar që përfshihet në çështje të mëdha të kohës, apo shkrimtari që vetëm shkruan për artin. Kujtohet kur Prust ndikon në një nga polemikat më të mëdha të kohës së tij, me mbylljen e katedrales, ku shkruajti në “La Figaro”. Një farë polemike modeste ekziston me përkthimin e Prustit ndër studiuesit e përkthyesit e këtushëm, nëse leximi i tij mund të konsiderohet si një letërsi filozofike. Saverina Pasha mendon se Prust është më afër eksperiencës se sa filozofit, si një letërsi realiste që e shkëput unin nga e ardhja. Pranohet gjerësisht se vepra e Prust është një vepër e kujtesës së pavullnetshme dhe jo e inteligjencës.
Për përkthyesen Edit Dibra, e cila ka pasur një takim të hershëm me Marsel Prust kur ishte në gjimnaz, thjesht duke e njohur, si fillim vlerën e veprës së tij, tregon se ka refuzuar disa herë përkthimin e kësaj vepre, duke e konsideruar nga më të vështirin në punën e saj të deritanishme. Ishte frika e “Robinjës”, duke e parë Prust si një fushë të minuar për nga fizionomia komplekse, sintaksa dhe potenciali i gjuhësh, në regjistrimin e gjuhës si një realitet mendor dhe emocional. Në përvojën e saj, Dibra thotë se kjo vepër i ka marrë më shumë kohë në proces përkthimi, si një punë që nuk mbyllej brenda kompjuterit, por kalonte në zgjatimin e kërkimit referencial. Si një shkrimtar erudit, Dibra ka treguar sfidën e kërkimit, perspektivën e përkthimit, artit të personazhit. Labirinti i fjalive të gjata të Prustit, është forma besnike që i ka qëndruar Dibra edhe në shqip, si një përvojë e vështirë të ndeshjes gjuhësore te “Robinja”.
Një roman i rrallë që e shndërron të pavetëdijen në një tekst letrar, duke e bërë të prekshme, të gjallë. Një roman modern, ku mungon subjekti, intriga por lënda e ndërtuar mbi ndjesitë, emocionin, idetë, mendimet. Lajtmotivi: një autopsi, klinikë e xhelozisë që mban ankth, mister dhe të panjohura. Mbi këto arsye, Edmond Tupe përkthyesi i veprës së parë të Prust, që beson te leximi, si një romantik i pandreqshëm, pavarësisht se sot mbetet një informacion i brishtë, pra ky përkthyes thotë se mund të “thyen libraritë për ‘Robinjën’”!! Por, me një vlerësim të tërthortë ndalon në procesin e përkthimit të veprës, ku mjafton një relatë konteksti se në “sekretet” e Prust është fjalia e tij e gjatë, dhe nëse ndodh “tradhtia” ndaj tij, pothuaj “vdes” ky autor.
Studiuesi i letërsisë moderne, Agron Tufa, ndalet në mekanizmin prustian mbi kujtesën, një prozë në kërkim të kohës së humbur, ku diafragma e gjatë është e ngjashme me ligjërimin në shqip. Duhet të kapim kohën e humbur më këto përkthime, thotë Tufa, duke renditur Kafkën, Xhojs dhe sigurisht Prustin.
Në këtë forum, Tufa hap dritare sidomos për të rinjtë, studentë duke mbajtur një kornizë të ngjashme mes Prustit, veprën e tij identifikuese “Biskota e Madlenës” dhe veprës së Ernest Koliqit, “Kumbulla përtej murit”. Studiuesi mendon se mbi Koliqin gjenden mekanizmat prustianë, me një vrull tipik, në aftësinë e kujtesës, duke çliruar nga koha stinë të largëta, si domethënie e njeriut të shekullit XX, për ta shndërruar botën, ku njeriut i ka humbur pushteti mbi kohën.
Violeta Murati

Fragment
Zjarret e pashuara të xhelozisë
Nga Marsel Prust
Vuajtja në dashuri ndalon hera-herës për t’u shfaqur në një formë tjetër. Ne vajtojmë pse ajo që duam nuk na përgjigjet me të njëjtën zjarr, me ato vrundujt dashurorë të fillimit, vuajmë edhe më shumë, kur pasi i janë shuar ndaj nesh, i janë ngjallur për të tjerë; pastaj, një e keqe më e rëndë na heq mendjen nga ajo vuajtje, dyshimi se mos na ka gënjyer për festën e mbrëmshme, ose se mos na ka tradhtuar; edhe ky dyshim davaritet, dashamirësia e mikës tonë na qetëson, por befas një djalë i harruar na shfaqet në mendje; na kanë fryrë në vesh që ajo është e zjarrtë në shtrat, por ne na është dukur e përmbajtur; rrekemi të përfytyrojmë se si harbonte me të tjerë, ndiejmë se sa pak vlejmë për të, nuhasim një si bezdi, lektisje, trishtim kur flet me ne, na vrasin sytë fustanet e rëndomta që vesh në praninë tonë, duke ruajtur për të tjerët ata me të cilët na miklonte dikur. Nëse, përkundrazi, ajo na shfaq dashuri, fluturojmë nga gëzimi për një çast, por kur shohim gjuhën e vogël që lëpin buzët si për të grishur dikë, mendja na shkon tek ato që ajo grishte, mbase dhe në praninë tonë, ndonëse Albertina mund të mos kishte atë qëllim, pasi lëpirja e buzëve i është bërë, për shkak të zakonit, një gjest mekanik. Pastaj mendimi se e bezdisim na rikthehet. Por kjo vuajtje kthehet në çikërrimë kur mendojmë për të panjohurin e mallkuar në jetën e saj, për vendet ku ajo ka qenë dhe që s’do mund t’i zbulojmë kurrë, ku akoma më keq, mbase shkon ende në kohën kur nuk jemi me të, ku mbase mendon të qëndrojë përgjithnjë, në vendet ku e ndiejmë të largët, ku nuk na përket, ku ndihet më e lumtur se me ne. Të tilla janë zjarret e pashuara të xhelozisë.
Përktheu: Edit Dibra

Related

Kultura 6366004848844919864

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item