Vdekja e Supermenit

Nga Sokol Balla Të premten në mbrëmje ndodhi diçka që ndryshoi jetën time. Askush nuk e di, askush nuk e mori vesh, megjithëse e pan...

Nga Sokol Balla

Të premten në mbrëmje ndodhi diçka që ndryshoi jetën time. Askush nuk e di, askush nuk e mori vesh, megjithëse e panë me sytë e tyre qindra veta. Të premten në darkë, vdiq dikush shumë i afërt me mua. Në fakt edhe unë e mora vesh rastësisht. I mësuar të shkoj tashmë në kinema për të shoqëruar fëmijët e mi, i mësuar me efektet speciale që tashmë kanë zëvendësuar përmbajtjen e filmave të dikurshëm, i mësuar me rutinën e filmave të rinj që tashmë janë vetëm ribërje të filmave të vjetër, shtanga kur në fund të filmit “Batman vs Superman”, personazhi kryesor si gjithmonë i keqkuptuar në përleshjen e tij të fundit me të Keqen, vdes. Prita me ankth se mos ai ringjallej si gjithmonë në fund, por jo. Superman vdiq. Në film dëshmohej kjo me funeralin e tij. Dhe ky është një zhvillim i fortë dhe dramatik, edhe për vetë Hollivudin.
Ky personazh ka shoqëruar shumë breza përmes revistave me ilustrime e më pas edhe shumë filmave hollivudianë. Ka qënë simbolika e shumë epokave dhe ka marë dashurinë e njerëzve dhe jo rrallë urrejtjen e diktatorëve. Në shumë vende komuniste Superman anatemohej. Në vende si Shqipëria ai film ndalohej. Shqipëria e lejfenëve, spiunëve, grave me muskuj, nuk kishte vend për supernjeriun. Ai simbolizonte një forcë që nuk pranohej. E para sepse simbolizonte zotin, e dyta sepse supernjeriu shqiptar duhet të kishte vetëm një emër: Enver Hoxha. Ndërkohë që për njerëzit e zakonshëm kudo në botë, Superman ishte dhe është një rol model: është sifda me të renë, të panjohurën, është këmbëngulja për tu ngjitur sa më lart, pr t’u përfeksionuar, për të fluturuar. Superman është i pavdekshëm, ashtu siç është edhe diçka tjetër: Shpresa.
Por të premten Superman vdiq. Siç do vdesë për shumë nga ata që do shkojnë ta shohin çdo ditë. Dhe nuk do jetë ndonjë moment i lehtë, sidomos për brezin tim dhe të tjerë, që tek ai kanë parë gjithmonë diçka më shumë sesa thjesht madhështinë e fluturimit pa krahë. Në këtë kohë të keqe, kur frika, pasiguria, varfëria shpirtërore dhe Republika e Gomorrës e kanë bërë mision të pamundur, fjalën e zotit dhe pavdekshmërinë e shpresës, vdekja e Supermanit është një lajm i keq. A është vallë ky mesazhi kobëzi që po na vjen nga Hollivudi, nga ky planet paralel, ku bota sheh veten si në pasqyrë, sa herë ajo kalon kriza monumentale?
Dikur kur Godzilla doli si personazh, për shumë analistë, ajo ishte gjerësisht e pranuar, si simboli i bombës atomike mbi Hiroshima, një shëmbëlltyrë e së keqes, përmes të cilës, Amerika i kërkonte falje botës për atë krim monstruoz të vitit 1945. Batman, mbetet gjithmonë profili psikanalitik i njeriut që përpëlitet mes të mirës dhe të keqes. Ai herë shfaqet pozitiv, dhe herë kontroversial, pasi mënyrat sesi ai shpëton qytetin e tij, janë jo gjithmonë me kosto të ulëta. Por Hollivudi nuk kishte shkuar kurrë kaq larg, sa të varroste personazhin e tij më pozitiv, Supermenin. Por në fakt supermenin ne e kemi varrosur prej kohësh.
Kush kujton, se kur ka qënë hera e fundit që kemi ngritur telefonin për të marrë dikë, jo për t’i kërkuar një nder, një favor apo diçka që lidhet me asgjë tjetër por veçse per ta pyetur: si je sot? Kush kujton herën e fundit kur është ngritur në mëngjes me buzëqeshje, për të parë nga dritarja dhe për të menduar: sa ditë e bukur qenka sot? Kush kujton herën e fundit kur kemi falur dashuri falas dhe kemi marrë falas? Kush kujton herën e fundit kur kemi parë nga tjetri dhe e kemi përshëndetur pa patur një mendim të keq për të, ose edhe më thjesht, pa patur asnjë mendim për të?
Jetojmë në kohë të këqija, ku nuk ka as dashuri, as qetësi e as siguri. Kur ecim rrugëve me kokën pas, me kokën ulur ose me kokën anash për të parë se kush mund të jetë armiku i radhës. Jetojmë në kohën kur dyshojmë në miqësinë e tjetrit dhe shpesh e luftojmë atë sepse më shumë e konsiderojmë atë ai armik.
Dhe në shumicën e kohës kemi të drejtë. Jetojmë në kohën kur e Keqja na lufton më lehtë sepse jemi të përçarë ashtu si në film, ku Batmani dhe Superman luftojnë njëri tjetrin gjatë gjithë kohës. Deri sa kujtohen se pavarësisht gjithçkaje vijnë nga e njëjti vend, të dy kanë nga një nënë dhe të dyja (jo) rastësisht kanë të njëjtin emër (Marta). Jetojmë në kohët kur ka vdekur Shpresa dhe e Mira e ka humbur sfidën me të Keqen. Jetojmë në kohën e Vdekjes së Supermenit.
Të premten në darkë, errësira e kinemasë fshehu një lot, që iku vjedhurazi poshtë (jetojmë në kohën kur të qash nuk është njerëzore) dhe kur me zë të dridhur ftoja fëmijët e mi të ndiqnin një film, i cili nuk do të harrohet për shumë kohë.
Ose mund të harrohet edhe shumë shpejt, nëse e Mira rikthen balancën e prishur në Republikën e Gomorrës. Por tani që Supermani vdiq, jemi në fatin tonë.
Dhe sa herë e kemi lënë fatin në dorën tonë, dihet sesi ka përfunduar historia. Zakonisht jo me Fund të Lumtur.

Related

Opinione 846916905180088573

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item