Strategjia prapa lëvizjes ruse në Siri

Nga Nikolay Pakhomov Kur filloi fushata e bombardimeve ruse në Siri vjeshtën e kaluar, shumëkush mund të supozonte se veprimet e Mos...

Nga Nikolay Pakhomov

Kur filloi fushata e bombardimeve ruse në Siri vjeshtën e kaluar, shumëkush mund të supozonte se veprimet e Moskës do të fillonin të zbulonin më shumë për politikën e jashtme të Rusisë. Ky supozim është dëshmuar të jetë i saktë tani, pasi Presidenti Putin njoftoi tërheqjen e forcave kryesore ruse. Veprimet e Moskës në Siri gjatë 6 muajve të fundit, kanë hedhur dritë si mbi linjat kryesore të politikës së jashtme ruse, dhe sesi ato ndihmojnë në trajtimin e problemeve shumë të komplikuara të Lindjes së Mesme.
Së pari, pse nisi operacioni rus në Siri? Përgjigjet janë të shumta, por thelbësore është vetëm një:Rusia veproi në përgjigje të kërkesës zyrtare siriane. Sërish mund të argumentojmë mbi arsyet e veprimeve të Rusisë, por Moska ndoqi procedurat e ligjit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm.  Pra ishte logjike, që njoftimi i tërheqjes, u pasua nga lajmi se Presidentit Asad  e falënderoi Rusinë për mbështetjen e saj.
Shumë është shkruar mbi atë se si parimet e sistemit Vestfalian janë bërë gjithnjë e më të parëndësishme, dhe se si shtetet si aktorët kryesore të marrëdhënieve ndërkombëtare, e kanë humbur rëndësinë e tyre në mënyrë të konsiderueshme. Por, në konfliktin sirian, ashtu si edhe në gjithë Lindjen e Mesme, shtetet vazhdojnë të jenë lojtarët dominues. Veprimet e Rusisë kanë dëshmuar se është më efektive për t’u marrë me shtetet në bazë të ligjit ndërkombëtar, në vend se të artikulohen pafundësisht parulla në faqet e gazetave.
Së dyti, Moska provoi se fuqia ushtarake është larg nga të qënit një mekanizëm i vjetëruar në çështjet e jashtme. Ithtarët e fuqisë së butë dhe të diplomacisë publike, mund të sjellin rastet e tyre ilustruese, por një ushtri efektive është thelbësore për një fuqi që ështe e gatshme dhe në gjendje të thotë fjalën e saj në politikën botërore.
Presidenti Obama tha me bujë se Rusia është një fuqi rajonale, duke harruar të përmendë rajonin ku vepron Rusia. Lipset jo pak imagjinatë për të parë Rusinë një fuqi rajonale të Lindjes së Mesme, por Kremlini është ende në gjendje të projektojë në mënyrë kuptimplotë fuqinë e saj ushtarake atje. Dikush mund të dyshojë nëse Rusia i ka arritur të gjitha qëllimet e saj, por është e vështirë të kundërshtohet fakti se operacioni rus krijoi rrethanat për arritjen e armëpushimit aktual. A është atëherë Rusia një fuqi multi-rajonale?
Së treti, veprimet e Rusisë ofrojnë dëshmi se interesat kombëtare kanë rëndësinë e tyre, dhe se vendi mund të veprojë jo në bazë jo të ëndrrave optimiste të një bote më të mirë me konsensusin global dhe pa konflikte, por më tepër mbi atë që është e nevojshme për një vend brenda një përleshje intensive ndërkombëtare. Përsëri, dikush mund të argumentojë se Rusia e ka gabim, por ekspertët dhe diplomatët në Moskë do të sigurojnë me lehtësi një listë rastesh kur “partnerët” perëndimore (siç i referohet shpesh presidenti Putin), kane treguar mosmarrëveshje mbi interesin e tyre në raport me Rusinë.
Ndërmjet interesave politike e ideologjike dhe interesave kombëtare, Rusia ka zgjedhur këto të fundit. Kur Kremlini e pa të nevojshme, Rusia i shkoi në ndihmë aleatit të saj Asad. Megjithatë, kur Moska gjykoi që kishte dhënë një mbështetje e mjaftueshme, ajo e ndaloi operacionin. Situata dhe interesat kanë ndryshuar në përputhje me rrethanat. Këto tre themele (një këndërvështrim në nivel shtetëror dhe në pëputhje me ligjin të  marrëdhënieve ndërkombëtare, kapacitet për të projektuar fuqinë ushtarake, dhe marrja në konsideratë e interesave kombëtare) janë thelbësore për strategjinë e Rusisë në Lindjen e Mesme. Atëherë, cili është mjedisi për këtë strategji? Cilat janë strategjitë e aktorëve të tjerë të mëdhenj?
Nuk është e rastësishme, që ndërprerja e armiqësive u vendos me pjesëmarrjen e Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, dhe se ishte presidenti Putin, i cili bëri thirrje homologut Obama për ta informuar atë mbi tërheqjen e forcave ruse nga Siria. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë një aktor shumë i rëndësishëm dhe ndoshta dominant në Lindjen e Mesme. Por cila është strategjia e Uashingtonit? Kjo pyetje pret ende të marrë një përgjigje.
Kritikat e republikanëve ndaj politikës së jashtme të Obamës janë të kuptueshme, por veprimet e SHBA-së në Siri mbeten të pashpjegueshme, si për median kryesisht liberale të Amerikës, ashtu edhe disa aleatëve të saj evropianë. Që nga fillimi i luftës civile në Siri, retorika amerikane ka qenë në favor të forcave anti-Asad. Po pse SHBA-ja nuk i mbështeti tërësisht këto forca para përfshirjes së Rusisë?
Dikush mund të supozojë se shembujt e Irakut dhe Libi, ku Uashingtoni përmbysi diktatorët laike, vetëm për t’u ndeshur me probleme të reja dhe më të rënda të sigurisë, kanë qenë të njohura. Megjithatë, është ende e paqartë se cili është pozicioni amerikan në Siri. Si Uashingtoni dhe Moska kanë patur një rol jetik tek bisedimet që sollën ndërprerjen e luftimeve në Siri.
Natyrisht, Rusia qëndron ushtarakisht dhe diplomatikisht në krah të aleatit të saj Asad. Por kush janë aleatët e Amerikës në Siri? Çfarë ndodhi me pozicionin e mëhershëm amerikan se “Asadi duhet të largohet”? Qëndrimi i Uashingtonit se bisedimet mbi Sirinë “nuk do të çojnë gjëkundi, nëse nuk ulen në tryezë Rusia dhe Irani” mund të jetë i dobishëm për stabilizimin e menjëhershëm të Lindjes së Mesme, por cili është plani i lojës afatgjatë të Amerikës?
Pa iu përgjigjur këtyre pyetjeve, do të jetë e vështirë që Shtetet e Bashkuara të zhvillojnë politikën e saj në Lindjen e Mesme. Aktorët e tjerë rajonalë, mund të shohin lëvizjet e qarta të Rusisë, pavarësisht nëse i përlqejnë apo jo. Në shumë raste, strategjitë e fuqive rajonale nuk janë edhe shumë të vështira për t’u kuptuar, sidomos duke pasur parasysh faktin se fuqitë e tjera janë kryesisht të interesuara në rritjen e ndikimit të tyre, duke përmirësuar pozitat strategjike kundër kundërshtarëve dhe frenuar kërcënimet ndaj sigurisë.
Përkundër këtij sfondi, mungesa e qartësisë së strategjisë amerikane në rajon, nuk është e dobishme as për subjektivitetin ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo edhe për stabilitetin e marrëdhënieve ndërkombëtare në përgjithësi. Ndërkohë, qartësia e lëvizjeve të Moskës, ka përshpejtuar ndërveprimet ruse, pse jo edhe bashkëpunimin me vendet në Lindjen e Mesme. Aktorët kryesore rajonalë, janë të vetëdijshëm për motivet, interesat, aftësitë dhe qëllimet ruse, dhe ata mund të veprojnë në përputhje me rrethanat.
Afërsia e pozicioneve ruse dhe iraniane mbi Sirinë dhe vendet e tjera, është e mirë-njohur. Megjithatë, për shembull, kurdët janë konsideruar aleati kryesor amerikan kundër ISIS-it. Pas nisjes së fushatës së Rusisë, marrëdhëniet e kurdëve të Sirisë me Moskën janë përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme, pasi të dyja palët po kuptojnë motivet e palës tjetër dhe janë të gatshëm për të negociuar dhe bërë marrëveshje.
Pavarësisht nga mbështetja e Rusisë për Asadin, Moska vazhdon të jetë një përkrahëse e fortë i pjesëmarrjes kurde në bisedimet e Gjenevës. Është e mundur të nxirret në pah një tjetër rezultat i veprimeve të Rusisë në Lindjen e Mesme:ajo mund të provojë të jetë një partner shumë i mirë për Izraelin, në zhvillimin e fushave të saj në det të hapur të gazit natyror. Sipas disa ekspertëve dhe vëzhguesve, një partneritet i thelluar Izrael-Rusi mund të rrisë ndjeshëm sigurinë e prodhimit të gazit natyror dhe të rrugës e kalimit tranzit.
Nëse Hezbollahu dhe Irani paraqesin një kërcënim serioz të sigurisë të kësaj infrastrukture, pjesëmarrja e Rusisë mund të përshkojë një rrugë të gjatë në reduktimin e këtij rreziku. Për Rusinë, ky partneritet mund të përmirësojë ndjeshëm pozitën strategjike në tregjet ndërkombëtare të gazit, sidomos, në marrëdhëniet me BE-në dhe Turqinë.
Qasja e qartë e Rusisë ndaj qëllimeve dhe interesave të veta, mban hapur shumë kanale ndërkombëtare të komunikimit. Dikush mund të mendojë se Arabia Saudite është shumë larg mbështetjs së presidentit Asad apo veprimeve të Rusisë për ta ndihmuar atë, por Presidenti Putin dhe Mbreti Salman po diskutojnë mbi situatën në Siri. Sipas Kremlinit, të dyja vendet mund të lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre, ndërsa mbreti Salman shprehu gatishmërinë e tij për të punuar së bashku me Rusinë për zbatimin e planin të armëpushimit.
Pas tërheqjes së forcave të saj, Rusia do të pushojë së qëni një luftëtare në luftë, çka do ta ndihmojë në përpjekjet e saj diplomatike të mëtejshme. Nuk ka dyshim se Lindja e Mesme mbetet një vend i trazuar dhe i rrezikshëm. Është shumë herët për të deklaruar humbësit dhe fituesit e luftës në Siri (shanset më të mëdha janë që në fund të mos ketë asnjë fitues).
Por, veprimet e Rusisë gjatë krizës në Siri, tregojnë edhe se forca dhe koha e këtyre veprimeve janë efektive, dhe se receta e punës klasike diplomatike të realizimit, funksionon edhe në shekullin XXI. Me njoftimin e tërheqjes së forcave ruse, Presidenti Putin ka dëshmuar sërish se ai mbetet protagonist kryesor në këtë luftë.
Shënim: Nikolay Pakhomov është analist politik dhe konsulent në New York. Ai është një ekspert rus në Këshillin e Çështjeve Ndërkombëtare./ National Interest/ Bota.al

Related

Top Lajm 7546289782780443627

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item