STENDHAL DHE ESEJA E TIJ “PËR DASHURINË”

Nga Feride PAPLEKA Esenë e parë, shkrimtari francez Stendhal (Henri Beyle) e botoi më 1822. Ajo kishte si titull Për dashurinë, një ...

Nga Feride PAPLEKA

Esenë e parë, shkrimtari francez Stendhal (Henri Beyle) e botoi më 1822. Ajo kishte si titull Për dashurinë, një titull i çuditshëm, i drejtpërdrejtë, i guximshëm për moralin e kohës. Duke i bërë një analizë psikologjike dhe sociologjike dashurisë, ai shpreh aty pasionin e tij për Matilda Dembovkin, që përfundoi në mënyrë të trishtuar. Në këtë vepër ai përfiton ti bëjë një kritikë therëse martesës së kohës. Në një letër dërguar botuesit të tij më 21 shkurt 1821, ai i shkruan se do të bëjë një studim të zakoneve në Itali, por nuk harron të theksojë se « është e pabesueshme që gratë pranojnë më mirë të bien në shtrat me një burrë që e kanë parë vetëm dy herë, vetëm se janë thënë dy-tri fjalë latinisht në kishë, se sa ti jepen atij që e kanë adhuruar dhjetë vjet rresht ».
***
Shkrimtarit i lindi ideja për të shkruar këtë ese më 29 dhjetor 1819, një ditë pasi qe ndarë nga e dashura e tij, Ai do të shkruante një ese idelogjike për ndjenjat dashurore. « Më mirë është të flasësh për pasionin tënd fatkeq përmes idesh përgjithësuese, se sa të kalosh nga fiksioni » mendon ai në fillim. Esenë ai e mbaron në korrik 1820 dhe ngarkon një të njohur që ta shpjerë në Strasbourg te një botues. Prej shpërfilljes, dorëshkrimi humbet për një vit. Stendhal-i e rimerr më 1821 dhe kthehet në Paris. Duke e ditur se çdo shpresë për dashurinë e humbur është e pamundur, ai i futet edhe njëherë punimit, duke e redaktuar rrënjësisht. Pastaj vihet në kërkim të një botuesi të ri. Më 30 maj 1822 ai firmos kontratën dhe më 17 gusht eseja del në dy vëllime, me një tirazh prej njëmijë kopjesh. Libri kalon krejtësisht pa u vënë re. Sigurisht, Stendali nuk kishte botuar ende romane dhe askush nuk e njihte, ishte libri i tij i parë. Në këtë ese ai ka bërë një zhvendosje të marrëdhënieve të veta të dashurisë së humbur, duke ndryshuar vetëm emrat.
Në kapitujt e parë, pas përshkrimit të etapave të ndryshme të dashurisë, ai zhvillon teorinë e tij të kristalizimit, fenomeni i idealizimit në një lidhje dashurore : « me një fjalë, mjafton të mendojmë një përkryerje, për të parë në atë që dashurojmë ». Ai bën përpjekje të krahasojë zhvillimin e ndenjave të dashurisë te burri dhe te gruaja në të gjitha shfaqjet : Vështrimi i parë, admirimi, dashuria e fortë, druajtja, vështrimet etj.
Me këtë trajtesë, Stendali është në prag të romanit, libri i tij ushqehet me këtë lëndë. Në pseudnimet e dy protagonistëve, janë ata të dy, ai dhe e dashura. Ai e rrëfen dashurinë e vet duke e larë me një dritë mitike, duke i zhdukur pistat, ngaqë dyshon se mund të njihet. Njëra pistë është ditari i Salviatit, rrëfim i vërtetë i dashurisë së tij të marrë, me të cilën ai përpiqet të krijojë largësinë ; personazhin që përdor si alibi autori e çon në vdekje.. Në të vërtetë eseja është si një roman analitik me një zhvillim rrëfimtar dhe kohor të pasionit dashuror.
E shitur fare pak, vetëm disa kopje sipas botuesit të tij, e pritur keq në epokën e tij, dhe e gjykuar si e pakuptueshme nga shumica, shumë kopje të saj u dogjën prej kotësisë së xhindosur të disave disave që e mbanin veten për të «ndershëm ». Më 1833 ai shton edhe dy kapituj, midis të cilëve është edhe « Lindja e dashurisë ». Njëkohësisht autori bën një përpjekje për tu shpjeguar dhe e pohon se nuk është treguar shumë i qartë. Sidoqoftë ai dyshon se lexuesit (industrialistë dhe bankierë shqetësohen veç për gjërat e zakonshme) dhe lexueset (femra të botës së shtirë, janë të paafta për ndjenja të sinqerta) nuk mund ta kuptojnë, nëse nuk kanë njohur dashurinë. « Për të ndjekur me interes një ushtrim psikologjik të këtyre ndjenjave, duhet tjetër gjë. Jo vetëm zgjuarsi, por edhe dituri, është krejt e domosdoshme që ta kemi parë dashurinë. Por, ku mund ta shohim një pasion ? » Megjithatë ai pati disa lëvdata nga Gazete de Paris  (ku kishte mbështetjen e një miku të vet) « Stendhal i thur himn të natyrshmes, sinqeritetit, lirisë tejfilozofike dhe të mprehtë.» ; në Angli, Neë Monthly Magazine e cilësonte Z. Beyle si autorin që kishte kënaqësi të lexonte, të udhëtonte, të shkruante, dhe « ti çante zemrat më katërsh me psherëtima » : ajo e këshillonte të shkruante një roman… Më 1832, gazeta Le Globe shihte te eseja e tij teorinë e një njeriu që parashikonte revolucionin feminist.
Por eseja mbeti vetëm një mjet lehtësimi : « Duke e shkruar Stendhal-i arriti ta jetonte dëshpërimin e vet dhe ta bënte aktiv, të shkëputej prej tij ; duke analizuar dashurinë dhe duke gjetur në fund të analizës një leksion logjike, për tu ngushëlluar ose së paku për të ndier drithërimin e krenarisë dhe të kthjelltësisë e të fitores mbi fatkeqësinë […] ai e shkrinte përvojën vetjake me ligjet e përgjithshme të dashurisë: të shkruarit ngushëllon dhe ngroh zemrën », shkruan biografi i tij.
Vepra ndahet në dy pjesë, e para i kushtohet analizës psikologjike të ndenjave dashurore ; i dyti propozon një studim sociologjik të zakoneve dashurore të vendeve të ndryshme, gjithashtu edhe edukimit të gruas ; kjo temë e fundit trajtohet nga pak në të dy librat. Doemos ai bën aluzion për historinë e tij të dashurisë, aluzioni që lidhet edhe me një keqkuptim : Matilda dyshonte se ai ishte thjesht një joshës që mblidhte fitoret ndaj grave: « Ndoshta gratë kryesisht mbahen nga krenaria për të bërë një mbrojtje të fortë dhe mendojnë se i dashuri i tyre mburret po ti shtjerë në dorë ; ide meskine dhe e mjerë : një burrë i pasionuar që nuk ka kohë të mendojë për mburrje ».
Në pjesën e dytë Stendali bën një krahasim të zakoneve dashurore të vendeve të ndryshme (Francë, Itali, Britani e Madhe, Gjermani, Arabi, Provansa në shekullin XII etj.) sepse « ne jemi të qartë për atë që ndodh te ne vetëm nga dobësitë që vëzhgojmë te të tjerët ».
Tepër kritik autori tregohet kundrejt Francës ku djemtë e rinj, dëgjonin vetëm krenarinë e tyre për të dashuruar apo për të lënë të dashurat e tyre, ai ndalet më tepër te Italia, « i vetmi vend ku rritet në liri bima që po përshkruaj. Aty ai lëvdon zakonin e « kavalierit bujar » të përshkruar veç kësaj nga Lord Byron.
Në fund, në kreun 54 me titull Edukimi i grave dhe më pas, ai paraqet një tezë mallëngjyese për një edukim më të mirë që duhet tu dhurohet grave :« Me edukimin aktual të vajzave të reja që është fryt i rastit dhe i krenarisë më budallaqe, ne i lëmë të shkojnë për lumë cilësitë më të shkëlqyera për ato dhe për ne ». Ai arrin në përfundimin se : « Po të isha personi që vendos për zakonet, unë do tu jepja vajzave të reja, mundësisht, të njëjtin edukim si ai i djeve të rinj ». Ai e mbyll këtë pjesë me krahasimin mes dy tipa dashnorësh, Verter dhe Don Zhuan. Për model ai merr Verterin, hero tepër i ndjeshëm i Gëtes, me qëllim që të tregojë epërsinë e kënaqësive që lidhin estetikën me erotikën :  « Dashuria alla Verter u hap shpirtin të gjitha arteve, të gjitha përshtypjeve të ëmbla dhe romantike, në dritë të hënës, në bukurinë e pyjeve, në atë të pikturës, me një fjalë. ndjenjave të kënaqësisë prej të bukurës, në çdo formë që të paraqitet ajo.» Përkundrazi, ai bën me Don Zhuanin, që megjithatë është i admiruar dhe i lakmuar në shoqëri, një njeri fatkeq : « Në vend që të humbasë në ëndërrime magjepsëse të kristalizimit, Don Zhuani mendon si një gjeneral fitimtar për manovrat e veta, dhe për ta thënë shkurt, ai e vret dashurinë në vend që të gëzohet prej saj më shumë se me çdo gjë tjetër. »
Njëmbëdhjetë vjet pas vdekjes së Stendhal-it, më 1853, kushëriri i tij e riboton librin duke i shtuar edhe dy fragmente të tjera që i pati lënë pa përfshirë shkrimtari dhe me titull tjetër. Në fragmentin e titulluar Dështimet, Stendali përshkruan një bisedë midis oficerësh që flasin për dashurinë dhe për vështirësitë që paraqet erosi fillimisht në marrëdhëniet dashurore te djemtë e rinj e të ndjeshëm nga tepërimi i ndjenjave dashurore e i respektit dhe nga druajtja që mund të korrigjohet lehtë, me kalimin e kohës . Kjo bisedë, e dhënë si reale, është fiksion, krejtësisht i imagjinuar nga Stendali : « Eshtë një ëndërr që këta oficerë dhe beilistë dikutojnë për dashurinë.»
Në shtesë është edhe fragmenti Degëza e Salzburgut që tregon si i erdhi atij në mend ideja e analogjisë midis sentimenteve dashurore dhe ecurisë natyrore të kristalizimit, gjatë një vizite, me gjasa krejt fiktive, në minierat e Halleinit, pranë Salzburgut, më 1818, me miqtë: « Në çastin kur ju filloni të merreni me një grua, ju nuk e shihni më ashtu si është në të vërtetë, por ashtu si ju pëlqen të jetë. Ju i krahasoni vegimet dashamire e të përshtatshme që prodhon ky fillim interesi me ata diamantet e bukura që fshihen nën degën e shkozës së zhveshur nga dimri, e që vihen re nga syri i këtij djaloshi që fillon të dashurojë.
Përparimi i Kristalizimit, vizatuar nga Stendali në fragmentin Degëza e Salzbourgut
Dashuria e vërtetë, e vetmja që ka rëndësi dhe vlerë në sytë e Stendalit, është dashuria pasion, dashuria totale, absolute, ajo që pushton krejt forcat e qenies njerëzore dhe frymëzon të kapërcehen pengesat qesharake të moralit apo të arsyes. Veçanësia kryesore e librit Per dashurinë qëndron në këtë përzierje të papajtueshme midis idelogjisë dhe romantizmit. Duhet shtuar se Stendali, për të forcuar demonstrimin e tij, u drejtohet shkencave si psikologjia e krahasuar dhe antropologjia, për të cilat bashkëkohësit, thuajse nuk e kishin fare idenë. Stendali ishte i pari që e vuri re se fjala dashuri ishte një fjalë e paqartë që tregonte njëherësh forma sentimentale, jo vetëm të dallueshme, por edhe pak të pajtueshme mes tyre. Ai shpalli i pari se lumturia nuk është vetëm të dashurosh dhe thjesht të jesh i dashuruar, por të jesh i dashuruar me të njëjtën forcë që dashuron. Ai gjithashtu vuri re i pari se dy qenie njerëzore mund të provojnë për njëra-tjetrën ndjenja që emrëtohen dashuri, edhe pse me përbërje të ndryshme, dhe që ky gënjim për një dashuri të përbashkët, mund të çojë në një hidhërim të thellë dhe në pasoja të paparashikuara. Për Stendalin dashuria ka një kuptim që është kristalizimi e që prodhon objektin e dashurisë dhe përsosjen e tij. Libri Për dashurinë u përshtat për kinema në Francë më 1964, me aktorin Michel Piccoli në rolin kryesor
Disa nga librat e tij :
E kuqja dhe e zeza, me nëntitull Kronikë e shekullit XIX. Këtë roman e përmend edhe Somerset Maugham (Samërset Mom) më 1954, në esenë: Ten Novels and Their Authors mes dhjetë romaneve më të mëdhenj.
Manastiri i Parmës, roman që i dha famë. Stendali e diktoi atë në 52 ditë, nga 4 nëntori më 26 dhjetor 1838.
Historia e pikturës në Itali, ese e botuar më 1817, por e projektuar si ide që më 1811 kur ishte në Bolonjë ; në fillim ai donte tu paraqiste lexuesve një manual të pikturës italiane. Libri hapet me një hyrje historike që ndahet në shtatë pjesë e që lidhen me shkollën fiorentine të pikturës, e vetmja që studioi Stendhal-i.
Lamiel është nja roman i pambaruar që u botua për herë të parë më 1889, postume. Shkrimtari e pati filluar redaktimin e tekstit më 1839, e vazhdoi më 1841 dhe vdekja e papritur më 1842 e la përgjysmë, megjithatë teksti i botuar korrespondon me dorëshkrimin e marsit 1841.

Related

Kultura 1941046924215609671

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item