Sfidat e kongresit të socialistëve

Nga Afrim Krasniqi Në një shoqëri të hapur dhe demokratike zhvillimi i kongreseve apo kuvendeve kombëtare të partive nuk është lajm ...

Nga Afrim Krasniqi

Në një shoqëri të hapur dhe demokratike zhvillimi i kongreseve apo kuvendeve kombëtare të partive nuk është lajm me rëndësi. Partitë mblidhen, flasin, debatojnë, diskutojnë çështjet e tyre dhe në fund, ajo që merr publiku janë pak reshta lajm që lidhen me vendimmarrjet me ndikim politik. Në përvojën shqiptare kjo traditë demokratike bën përjashtim. Në çdo kohë dhe në çdo regjim politik kuvendet/kongreset e partive, sidomos atyre në pushtet, kanë qenë dhe janë ngjarje kryesore politike, publike dhe shtetërore. Me siguri që media do ta ndjekë live dhe në orët pikante të takimit, një numër minimal qytetarësh do të shihen shëtitje në rrugë. Një pjesë e madhe e tyre e kanë mendjen tek partia dhe mbledhja e saj, edhe kur ata nuk janë anëtarë apo mbështetës të saj, edhe kur nuk janë votues aktiv apo edhe kur kanë lënë punë të tjera më me rëndësi pa bërë. Përse ndodh kjo? Sepse në sistemin tonë politik institucioni i partive dhe politika si meny janë e mbeten ushqim kryesor, axhendë dominuese dhe shpeshherë edhe përcaktuese për fatet shtetërore, publike por edhe një pjese të privates. Vendimmarrja politike ndikon tek biznesi dhe arsimi, tek shërbimet sociale dhe policia, tek sjellja e institucionale dhe stabiliteti në vend. Sepse Shqipëria është dhe mbetet edhe për shumë vite të tjera një eksperiment në tranzicion, ku partitë kanë pasur dhe kanë shumë më tepër pushtet real sesa u njeh ligji dhe kushtetuta.
Me këtë rëndësi e domethënie mbledhja e radhës e socialistëve merr një rëndësi publike dhe me siguri, do të ketë pasoja publike. Në axhendën e takimit janë programuar çështje të demokracisë së tyre të brendshme. Debati nëse ka garë, nëse ka votim, nëse lejohet mendimi kritik, nëse ka rivalitet personal apo institucional, se çfarë do të ndodhë me mandatin e kryetarit apo oponentëve të tij, – është sa çështje që ka të bëjë me standardet e demokracisë, aq edhe “biznes familjar” i vetë PS-së, sa çështje me interes publik aq edhe interes të brendshëm partiak. Nëse standardet tona krahasohen me modelet perëndimore kjo është dhe mbetet çështje publike, nëse standardet tona krahasohen me modelet e partive të tjera në Shqipëri, kjo është dhe mbetet çështje rutinë pa interes publik. Vetë PS përgjatë tranzicionit ka dhënë shenja demokracie të brendshme shumë më tepër se çdo parti tjetër politike. Kjo risi pozitive që nuk është shndërruar dot në kulturë e identitet politik, megjithatë ka pasur edhe anën e vet kritike. Debatet e brendshme politike shpesh kanë zhvendosur axhendën prioritare publike të qeverisjes, pra kanë sjellë pasoja për vendin, shtetin dhe shoqërinë. Ndaj mbetet e vështirë të gjendet një kufi ndarës midis lajmit pozitiv për rivalitetet e brendshme dhe lajmit negative nëse këto rivalitete rivalizojnë axhendën që ka nevojë dhe prêt publiku jopartiak. Sfida e parë e Kongresit të PS është pikërisht gjetja e balancës midis këtyre dy sjelljeve e risqeve, pra gjetja e drejtimit të duhur pa kosto ose me sa më pak kosto për standardet e demokracisë dhe pritshmërinë publike e qytetare.
Sfida e dytë thelbësore e mbledhjes socialiste është thelbi i çdo mbledhje politike në një vend që bën pjesë në BE ose pretendon se është në paradhomën e saj: bilanci i qeverisjes dhe aftësia për të ndërtuar një axhendë reflektuese, realiste dhe afatgjatë për mirëqeverisje. Nuk janë fjalimet ato që e bëjnë këtë, por janë vizionet dhe lidershipi, aftësia për të parë e për tu dëgjuar tej sallës së kongreseve, pra aftësia për të marrë përgjegjësi dhe për të dëshmuar se kanë ende kapacitete për mbajtjen e përgjegjësive. Mungesa e opozitës efektive konkurruese gjithashtu nuk është dhuratë e përjetshme, teoria e 1 milion votave nuk vlen më si kartë dhe as si alibi, sa vlen standardi i premtuar për një sistem qeverisës ku nuk ndryshojnë njerëzit, por ndryshon sistemi. Çdo parti serioze dhe e madhe qeverisëse shfrytëzon raste të tilla për të debatuar mbi rrugëzgjidhjet dhe modelet ekonomike e sociale, për bilancin e koalicionit dhe raportin me programin elektoral 2013, për kapacitetet në dispozicion dhe ofertën për një nivel më cilësor qeverisës, për matjen jo me hijen e tjetrit, por me projektin e premtuar të Shqipërisë së shekullit të ri. Rreth tri vjet pas zgjedhjeve parlamentare nuk ka më alibi fajësimi tek ish pushteti i djeshëm dhe as tek segmente ende problematika të pushteteve të tjera bashkëqeverisëse. E majta ka pasur dhe ka mandat të plotë, hapësirë të plotë dhe liri të plotë të implementojë gjithçka ka premtuar, nëse ka pasur vërtetë projekt, vizion, vullnet dhe aftësi. Takime kombëtare si ai i sotmi duhet ta kryejnë procesin e shikimit në pasqyrë të vetvetes dhe të ofrojnë zgjidhje të besueshme të atyre problemeve që ende nuk janë trajtuar ose ende nuk janë prioritare në trajtim ose që janë krijuar gjatë viteve të fundit.
Sfida e tretë e takimit të sotëm është aftësia për të ndarë me aleatët e partnerët përgjegjësinë dhe bilancin e pushtetit, si dhe për të përcjellë mesazhin se ende ka forcë e shpresë për ndryshim. Kjo vlen sidomos në raport me partnerët ndërkombëtare, të cilat kanë qenë mbështetëse të forta të rotacionit politik 2013 dhe që asistojnë pa reshtur përpjekjet për reforma reale dhe forcim të shtetit të së drejtës. Në këtë axhendë një vizion i qartë vendimmarrës për reformën në drejtësi dhe anekset e saj, për reformë kushtetuese dhe reformë zgjedhorë, sipas sugjerimeve të Komisionit të Venecias, SHBA, BE dhe raportit të ODIHR, janë e mbeten kryetema dhe akti më i pritshëm që një parti apo koalicion serioz mund tu ofrojë qytetarëve të vet dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Sfida e katërt e socialistëve është identifikimi i tyre politik, përse janë të majtë, përse mendojnë se Shqipëria anon nga e majta dhe cila është rrugëzgjidhja më e mirë për një axhendë efektive të së majtës në Shqipëri. Ajo është zgjeruar dukshëm muajit e fundit me anëtarë të rinj, – një dukuri e çdo partie në kulmin e pushtetit, dhe tanimë duhet të tregojë se motivimi për jetë partie nuk është motivim për interesa afatshkurtra, por një hapësirë veprimi në të mirë të shoqërisë.
Mbledhja e socialistëve përballët me sfidën e luftës së brezave, me dilemat e identitetit dhe me presionin për tu sjellë si “parti popullore”, “parti e të gjithëve”, – një tipar i partive të majta e të djathta në rajone ende me demokraci të brishtë. Këto vendime nuk zgjidhen me numër votash dhe as me vullnete individuale, por me maturinë dhe vizionin për të nesërmen, për shoqërinë e qytetarët jashtë asaj salle, për ata që i votuan apo i ndihmuan të rikthehen në pushtet, – në mënyrë që përmes identifikimit dhe strukturimit funksional partiak të krijohet një alternativë e qëndrueshme, e dallueshme dhe afatgjatë, – si investim për demokraci konkurruese.
Sfidat nuk janë axhendë e përhershme dhe as hermetike. Çdo parti përcakton sfidat dhe synimet e veta. Nga këndvështrimi qytetar këto ishin disa prej sfidave kryesore të mbledhjes së fundjavës të socialistëve, këndvështrime të tjera, sidomos ato nga brenda, mund të ketë prioritete të tjera. Ka shumë nga ata që mendojnë se jetë-zgjatja e pushtetit vlen më shumë se gjithçka, siç ka nga ata që pushtetin e shohin si përgjegjësi publike. Le ta vendosin vetë socialistët cila është rruga e duhur. Pikërisht për shkak të këtij pluralizmi këndvështrimesh mbledhja e sotme nuk është një llogari e thjeshtë matematike, por në fund të ditës do të ketë një headline. Interesi publik është që ky lajm të mos jetë monoton, protokollar, personal dhe deja-vu e grindje tipike shqiptare, por një lajm që lidhet me shtetin, vendin, qeverisjen, të sotmen e të ardhmen e atyre që momentalisht janë në pushtet dhe në opozitë, votues apo të zhgënjyer,- pra një sinjal serioz i ecjes reale në drejtimin e duhur dhe me cilësinë e duhur drejt asaj që është premtuar dhe për të cilën është votuar, – Shqipërisë (ende të munguar) të gjeneratës tjetër.

Related

Opinione 8879690603283999383

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item