Përse Europa nuk mund ta zgjidhë problemin e saj me terrorizmin

Daniel Benjamin * Kur shpërthen një bombë në Europë, amerikanët dridhen, a thua shkunden prej shpërthimit. Cilido qoftë realiteti gj...

Daniel Benjamin *

Kur shpërthen një bombë në Europë, amerikanët dridhen, a thua shkunden prej shpërthimit. Cilido qoftë realiteti gjeografik, Europa e Vjetër post-industriale – sipas frazës së pavdekshme të Donald rumsfeldit – është, në kuptimin emocional, fqinji dhe aleati ynë më i afërt. Kështu që, kur një shërthim shpërndan xhama të thyer dhe trupa të sakatuar në një aeroport në Bruksel, ne presim që së shpejti të ndodhë në SHBA.
Nuk duhet. Ndërkohë që rreziku xhihadist është global, ai nuk është aspak i shpërndarë njëtrajtësisht. Sigurisht, siguria e përsosur nuk ekziston, dhe siç e pamë edhe në atentatet në San Bernardino në dhjetor të vitit që kaloi, ka individë në SHBA që janë të përgatitur të kryejnë akte dhune kundër amerikanëve. Por konteksti europian, që qëndron në sfondin e sulmeve në aeroportin e Brukselit dhe stacionin e metrosë në Maelbeek – pra një kontekst me myslimanë të armiqësuar, të papunë dhe që jetojnë në geto, ashtu sikurse edhe siguria në një nivel nën mesataren, ndryshon në mënyrë dramatike nga ajo çfarë gjen në SHBA.
Për të filluar, mendoni komunitetet e pakicës myslimane të Amerikës Veriore dhe Europës. Në SHBA, komunitetet myslimane përbëhen përgjithësisht nga familje me një nivel të caktuar mirëqenieje, që vijnë nga shumë vende me shumicë myslimane. Nivelet e të ardhurave dhe arsimit janë pak a shumë sa ato të amerikanëve mesatarë – i vetmi përjashtim në këtë, janë refugjatët e varfëruar që kanë ardhur nga Somalia.
Në të kundërt, komunitetet myslimanë të Europës u krijuan nga fshatarë të varfër që erdhën si punëtorë për industritë në lulëzim, në periudhën e pasluftës. Ata priteshin që të riktheheshin në shtëpi. Por, ata vazhduan të qëndrojnë edhe në një kohë kur këto industri ranë, dhe numri i tyre erdhi e u rrit, falë bashkimeve familjare si dhe pjellorisë krahasueshmërisht të lartë.
Ata erdhën të varfër dhe deri në një farë mase, kanë mbetur të varfër, me shumë pak qasje në arsimin e lartë dhe me një normë shumë më të lartë papunësie, se sa popullsitë jomyslimane. Dhe kjo, në vende ku ka pllakosur në tërësi papunësia e lartë. Ata kanë prirjen të përqëndrohen në zona urbane të dobëta, të cilat ngjajnë më shumë me vendet prej ku vijnë ata dhe paraardhësit e tyre – me saçet e tyre satelitore dhe rrobat e nderura në tela – se sa me lagjet fqinje.
Ndonëse pjesa dërrmuese e myslimanëve të Europës nuk duan të kenë aspak të bëjnë me ekstremizmin, dhe siç e tregojnë sondazhet, shpesh herë janë po aq patriotë, në mos mëshumë, se sa bashkëqytetarët e tyre jomyslimanë, ka më shumë ekstremistë në mesin e tyre, se sa në SHBA. Në Belgjikë, numri i tyre është veçanërisht i lartë. Siaps një raporti të Soufan Group të muajit dhjetor, për shembull, 470 myslimanë belgë kanë shkuar të luftojnë në Siri ose Irak, nga një popullsi totale myslimane prej 660 mijë vetësh – për nga numri i popullsisë, është furnizuesi numër një i militantëve në Europën Perëndimore.
Ndërkohë, vlerësohet se janë 250 myslimanët amerikanë që kanë shkuar, nga një popullsi myslimane prej pesë herë më shumë (ndoshta edhe më shumë) në SHBA. Në tërësi, myslimanët në Europën Perëndimore kanë tre herë më shumë gjasa që të përfundojnë në ISIS, se sa bashkëfetarët e tyre amerikanë. Si tregues i niveleve të radikalizimit, është goxha definitiv.
Megjithatë, në një tjetër barometër, mendoni këtë gjë: Që nga 11 shtatori 2001, katër sulmet më të mëdhenj në Europë – Madrid (2004), Londër (2005), Paris (2015) dhe Bruksel (2016) kanë marrë të paktën 426 jetë njerëzish. Në SHBA, edhe me atentatin në Fort Hood, vënien e bombës në Maratonën e Bostonit dhe atentatin në San Bernardino, totali i viktimave është 45. Shtoji shifrave edhe disa sulme në shkallë më të vogël në Europën Perëndimore, dhe dallimi me SHBA është në një faktor dhjetë.
Një arsye e madhe përse shanset për një sulm si ai i Brukselit apo Parisit në SHBA janë më të ulët, është se ne kemi punuar përditë për reduktimin e rrezikut prej 15 vitesh, që nga 11 shtatori. Me një prej problemeve mëtë mëdha të ekstremizmit në Perëndim, edhe Britania ka qenë e ashpër. Por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për “kushërinjtë” kontinentalë. SHBA ka shpenzuar më shumë se 650 miliardë dollarë për sigurinë e vendit, që nga 11 shtatori. Nuk ekzistojnë statistika të krahasueshme për Europën, por pa ta gjykosh nga buxhetet për zbatimin e ligjit, sigurinë e kufijve dhe ata të agjencive të tjera, shifrat përmbledhëse janë shumë më të ulëta. Gafat dhe gabimet e shumta të qeverisë franceze, para, gjatë dhe pas sulmeve në Paris flasin shumë.
Brenda kësaj panorame, Belgjika ka qenë një rast veçanërisht i trishtë. Thellësisht e përçarë prej konflikteve politike në lidhje me reformën politike, vendi ishte i shpërqëndruar prej një krize politike që ka vazhduar nga 2007 deri në 2011.
Gjatë pjesës më të madhe të kësaj kohe, ka patur një qeveri kujdestarie, dhe paaftësia e belgëve për të përmirësuar kapacitetet e tyre në antiterrorizëm ka shkaktuar vazhdimisht irritimin e SHBA. Në një moment, unë i thashë një zyrtari të lartë belg se vendi i tij po konkurronte me Irakun, sa i përket kohës që i duhej për të krijuar një qeveri. “Krahasimi nuk është i mirëpritur”, mu përgjigj zymtë. Në fund, belgëve iu desh dy herë më shumë – 541 ditë – për të krijuar një qeveri; autoritetet ngecën me buxhete të sheshtë dhe shumë pak hapësirë për programe të reja.
Ka arsye të tjera përse europa është – dhe do të jetë – më e prekur prej terrorizmit xhihadist edhe për shumë vite. SHBA ka ende bekimin e gjeografisë – dy oqeane, që do të thotë se ekstremistëve të huaj do u duhet të fluturojnë për të ardhur këtu. Siç e pamë në Ditën e Krishtlindjeve 2009, kur Umar Farouk Abdulmuttalab u përpoq të hedhë në erë të brendshmen gjatë një fluturimi për në Detroit, siguria jonë e aviacionit, listat e ndalim-fluturimit dhe zbulimi kanë nevojë për përditësim konstant. Por ne kemi bërë shumë përparime. Në të kundërt Europa, me kufijtë e jashtëm të dobësuar, kufijtë e brendshëm joekzistues dhe një krizë migrantësh që ka sjellë afro një milion e gjysmë imigrantë, përballet me një shumëfishim të rreziqeve.
Avantazhet e Amerikës nuk janë arsye për vetëkënaqësi, edhe pse sugjerojnë që paniku është i pajustifikuar. Shumë gjëra mund të shkojnë sërish gabim, sidomos nëse fushata presidenciale në SHBA do të vazhdojë të demonizojë myslimanët, të cilët janë linja e parë e mbrojtjes kundër terrorizmit – dhe besimi i të cilëve në ligjzbatimin në SHBA është i vyer. Dhe nëse dhuna në Europë përhapet, sërish përballemi me një sfidë madhore – një zjarr në derën ngjitur, me pasoja të paparashikueshme.
Ambasadori Daniel Benjamin është Drejtor i Qendrës “John Sloan Dickey” për Mirëkuptim Ndërkombëtar në Kolegjin Dartmouth dhe ka qenë Koordinator i Kundërterrorizmit në Departamentin e Shtetit, në periudhën 2009-2012.
Burimi: Politico.eu – Në shqip nga www.bota.al

Related

Top Lajm 822663994878783110

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item