Pas Super të Martës, vjen Super e Shtuna – dy parti të mëdha, dy siklete të ndryshme

Ted Cruz po fiton në Kansas – elita republikane shpreson se është sinjal i kthesës anti-Trump Pas votimit në 12 shtete ditën e mar...

Ted Cruz po fiton në Kansas – elita republikane shpreson se është sinjal i kthesës anti-Trump


Pas votimit në 12 shtete ditën e martë, ka ardhur shtuna e pesë shteteve të tjera, në kuadrin e zgjedhjeve brendapartiake në SHBA.
Të dy partitë kryesore po përpiqen të zgjedhin kandidatin e tyre për në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Problemet janë më të shumta në Partinë Republikane, ku kandidati që udhëheq bindshëm, Donald Trump shihet me shqetësim të madh nga elita e partisë.
Ditët e fundit kanë qenë ditë sulmesh të parreshtura kundër tij. Marco Rubio dhe Ted Cruz nuk lanë rast në debatin e të enjtes pa e ngacmuar, tallur, kritikuar dhe akuzuar miliardierin nga Manhattan.

Trump, në të vërtetë, nuk është shumë konservator në pikëpamjet e tij. Ai është proteksionist në fushën ekonomike, është izolacionist dhe amoral në planin e politikës së jashtme dhe sigurisë, është mbase tepër liberal për të djathtën e krishterë në planin social dhe tingëllon si racist në trajtimin e emigrantëve në vend, sidomos ata të fesë myslimane dhe ata me prejardhje nga Meksika dhe vendet latine.
Por Trump nga ana tjetër është shumë social në pikëpamjet e tij. Paraqet një vizion që edhe nëse është fals dhe pa themel, bën jehonë në shtresat e varfëruara sidomos në shtresën e mesme të ulët apo ata që kanë rënë nga shtresa e mesme. Shumë industri amerikane janë shkatërruar nga globalizmi. Për miliona vetë vendet e punës nuk do të kthehen më kurrë. Konservatorët republikanë ende flasin për moralin e tregjeve të hapura, por shumë amerikanë kanë filluar ta rimendojnë filozofinë me të cilën Amerika ka udhëhequr botën në gjysëmshekullin e fundit.
Lajmi që Ted Cruz duket se po fiton në Kansas është muzikë për veshët e elitës së Partisë Republikane. Ndoshta ky është fillimi i rënies së dukurisë Donald Trump, që erdhi nga jashtë partisë dhe ua ka “çoroditur batalionin”.

Në kampin demokrat, Bernie Sanders do të mundohet të rimëkëmbë fushatën e tij, pas disa fitoreve të bujshme nga ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton.
Clinton ka dëshmuar se është e pamposhtur në jug dhe sidomos me votat e pakicave. Demokratët kanë shpërfillur deri tani problemin e saj më të madh, atë të abuzimit me serverin që ka përdorur kur ishte Sekretare e Shtetit që mund të ketë sjellë rënien në duar të gabuara të materialeve top sekret, një akt për të cilin njerëzit mund të burgosen për shumë vite në SHBA. Për Demokratët Clinton nuk ka shkelur asnjë ligj dhe zhurma për këtë çështje është për arsye zgjedhore.
Për Republikanët, ajo ka shkelur ligjin dhe e vetmja arsye pse nuk burgoset janë lidhjet e saj politike që e mbajnë mbi ligjin.
Disa zëra të pavarur kanë debatuar nëse Partia Demokratike duhej të angazhonte në zgjedhje Joe Biden ose senatoren Elizabeth Warren për të shmangur problemet me skandalin e mesazheve elektronike të Hillary Clinton, por kjo nuk ndodhi dhe megjithë rivalitetin nga e majta të socialistit Sanders, ish-Sekretarja e Shtetit duket se po marshon bindshëm drejt fitimit të kandidaturës. Për shumë demokratë zgjedhja e një gruaje për herë të parë në histori, Presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është po aq e rëndësishme sa dukuria “Barack Obama” në 2008. Ata duan të bëjnë histori përsëri dhe ndoshta përçarja republikane do t’i ndihmojë ta realizojnë. (Ruben Avxhiu)

Related

Top Lajm 7184485201910379737

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item