Orjola Lleshi: Ferri në shtëpinë e burrit, si më ngacmonte vjehrri

Orjola Lleshi, e ditëlindjes 25.05.1986, lindur në Qukës dhe banuese në Kuturman të komunës Qendër, Librazhd, është dënuar nga Gjykata e ...

Orjola Lleshi, e ditëlindjes 25.05.1986, lindur në Qukës dhe banuese në Kuturman të komunës Qendër, Librazhd, është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Dënim i lënë në fuqi nga Apeli, si fajtore për veprën penale të “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” me 16 vite e tetë muaj burg. Vendimi përfundimtar u shpall në shkurt 2015.


Orjola Lleshi

Sipas vendimit të gjykatës, Orjola Lleshi në datën 29.04.2014, në orët e para të mëngjesit, ka vrarë djalin e saj 2- muajsh, Mateon. Në vendimin e Gjykatës thuhet: “E pandehura ka marrë fëmijën e saj të mitur nga krevati dhe, duke e mbuluar me batanije, e ka shtrënguar me duar rreth qafës duke i ka shkaktuar asfiksi të plotë, gjë e cila ka sjellë vdekjen e menjëhershme”. Në arsyetimin e vendimit të gjykatës thuhet se vetë e pandehura Orjola Lleshi pranon autorësinë e kryerjes së veprës penale. E pyetur si person nën hetim në prani të avokatit dhe psikologes, Orjola Lleshi deklaron:… “Unë kam shpjeguar që djalin e dytë e kam me shtetasin Ladi Lleshi, i cili është me banim në lagjen tonë. Ai më ka kapur me zor mua, në datë 05.06.2013, në kohën kur isha duke punuar tokën. Duke parë që vjehrra dhe vjehrri im debatonin për shkakun e fëmijës dhe unë nuk doja të ndahesha nga burri… ditën e sotme, në orët e para të mëngjesit, e kam mbytur fëmijën, duke e kthyer përmbys atë dhe duke e shtrënguar që atij t’i merrej fryma, duke e mbuluar me batanije dhe e kam mbajtur deri sa ka vdekur.
(Më poshtë po botojmë intervistën e shkurtuar që gazetarja Eni Vasili ka realizuar me të dënuarën Orjola Lleshi.)
Si pranove të fejohesh?
Thotë babi një ditë: do të vijnë nja dy persona. Më drejtohet mua, vishu ti flutur, mos rri ashtu, se unë po rrija thjesht, si në shtëpi… Erdhën me gjithë të atin, u bëmë kafetë, edhe fillon vjehrri të flasë. I thotë babi: – Po prit njëherë, është djali që duhet të pëlqejë nusen, nuk je ti. Po e thashë unë, ka marrë fund, – vazhdoi edhe ia bënte me sy çunit, që të pranonte. Burri im i ardhshëm tha: Do pimë kafe nesër, por tani do bisedoj vetë me vajzën. Ata të tjerët u futën në aneks. Unë, i thashë jam 22 vjeçe, kemi kaluar shumë probleme, por meqë familjet janë dakord, edhe unë pranoj të martohemi. Dua të vazhdojmë jetën, të mos kemi telashe. Ne do të pimë kafe nesër, tha. Mbaj mend se vjehrri donte vetëm raki, nuk pushonte së piri, babi ia mbushte gotën gjithë kohën. Të nesërmen, kur erdhën, më thanë: Do shkojmë të blejmë rroba.
Ku e kishin ata shtëpinë?
Në një fshat të Librazhdit, në Kuturman. Kur u afruam në fshat u errësua, shikoja rrugët, thoshnja obobo si qenka… pastaj u futëm në lagjen e tij, kishte shtëpi si kasolle dhe thashë me vete ku po jeton ky! Mendova se kaq vite në Greqi, do të ketë shtëpi të paktën. Nuk doja tjetër, po të paktën një shtëpi të fusnim kokën.
Ishe e gëzuar që po fejoheshe?
Jo shumë, por e shikoja familjen time ku ishin të gjithë të lumtur e mendoja se mbase Zoti do të na ndihmojë për të ecur përpara… Shkuam në një lokal për fejesën. Kur ka mbaruar dreka dhe u shpërndanë njerëzit, familja ime shkoi në shtëpi dhe ata më morën lart për në shtëpinë e tyre… Rrugës për në shtëpi, burri thotë: Do të iki në Greqi.
Fjetët bashkë që atë natë, bëtë dashuri?
Po, nuk iku që atë ditë, ndenjëm bashkë disa kohë…
Më shpjego një gjë, ti bërë dashuri me burrin tënd që në fejesë? Lejohej?
Nuk lejohej, po ata mendonin meqë burri është rritur në Greqi, ndryshe mentaliteti atje.
Sa vjeç ka vajtur ai atje?
16 vjeç, e ka kaluar pothuaj jetën andej, dëgjonte që edhe çuni xhaxhait të tij ishte fejuar gjashtë muaj përpara me një vajzë, e cila nuk i kishte dalë e ndershme dhe e kishin çuar në shtëpi të vet. Edhe ky para se të ikte në Greqi mbeti me mua, fjetëm bashkë.
Për të verifikuar?
Po, për të verifikuar, pastaj i treguan vjehrrës e vjehrrit ato.
Çfarë i treguan?
Nishanet, pra, të gjitha.
Si nishanet?
Çarçafin, shenjat…
Pse, vazhdojnë ende këto zakone?
Në fshat po…
Më trego pak si është ky moment? Bëni dashuri natën dhe në mëngjes ai merr çarçafin?
Jo, e shikojnë vetë, vjen kunata dhe e rregullon krevatin dhe e shikon vetë.
Vijnë dhe vjehrra dhe vjehrri?
Jo vetëm vjehrra, bile atë natë unë e kam ndier që vjehrri ka ndenjur gjithë natën jashtë, në korridor.
Po pse?
Ai ashtu, nuk flinte gjumë, sa herë do flinim neve, ai do rrinte në korridor gjithë natën. Sepse e dëgjonim kur kollitej ndonjëherë, se pinte cigare, duhan gjithë natën, ashtu rrinte, kafe-cigare.
Po pse rrinte në korridor?
Rrinte… nuk e di pse, gjithmonë, derisa isha unë aty, ai ashtu rrinte… Vjehrri ka qenë shumë i poshtër… Ndenjëm një javë e ca bashkë me burrin, pastaj ai e vendosi e iku në tre të natës.
Sa vjet qëndrove në atë shtëpi?
Pesë vjet, por jo të gjithë tamam, se dy muaj pas dasmës së motrës, vajta në Greqi tek im shoq. Nxora vizën në Ambasadën Greke. Vajta me avion, nuk kisha parë kurrë aeroport. Kur mbërrita në Aeroportin e Athinës, nuk dija as valixhen ku ta merrja… Rrugës në motor filloi të më bërtiste dhe të më shante. Ti nuk kupton asgjë, ti je kurvë, më tha llafet më të pista, thashë ç’mu desh mua që erdha këtu. Para se të shkojmë në shtëpi ndalojmë në super-market për të blerë bukë. Zbrit tha, shko merr bukë. Unë sa kisha ardhur, s’dija ku të hyja. Ai filloi prapë. Ç’mu desh që të mora unë ty këtu, ti s’di të jetosh, ti kështu, ti ashtu. Arritëm te shtëpia, ishte një dhomë e vogël fare, kishte një lavaman, një kondrabufe shumë të vogël, një dritare, një krevat, një dollap të shkatërruar. Unë mendoja se ai jetonte bukur. Nejse, u ngritëm në mëngjes e ai tha: Unë do iki në punë, ti mos dil nga dhoma fare. Ditën tjetër, ditën e dytë, më thotë: – Bëhu gati për punë, unë nuk kisha as rroba, gjuhën nuk e dija, kështu kanë bërë të gjithë tha, pse ti do dalësh më e mira. Erdhe?- tha, dashke të rrish në Paris këtu, të punoj unë dhe të hash ti, më tha. Nejse, shkojmë në punë. Kishte pastrim portokallesh, rrush, mandarina… kishte të gjitha frutat… futem atje unë… Fabrika ishte shumë e madhe.
Si ishin marrëdhëniet tuaja gjatë kësaj periudhe?
Ishte shumë xheloz… Shkoja në shtëpi e ai thoshte: Hë, çfarë bëre sot? Kush të kapi, çfarë të tha ky, çfarë të tha ai. Në fakt, aty ishin të gjitha gra.
E linde në Greqi djalin?
Jo, këtu në Shqipëri. Ndenja 3-4 muaj, punoja tek e njëjta punë në Greqi, edhe s’kisha lekë të lindja atje. Djali lindi pa praninë e burrit.
Të mori në telefon?
Më mori në telefon, po ishte si i ftohtë, unë kisha shumë dhimbje, nuk doja të më fliste njeri fare, edhe dërgon mesazh edhe thotë: “ Të na rrojë, por do t’i bëjmë analizën e ADN-së, ta dimë me kë e ke”. Unë duke qarë, ishin 3-4 gra të tjera mënjanë, unë isha në anën tjetër, fillova duke qarë. Moj Lol, më thanë, je budallaqe apo bën vetë, mos qaj se nuk të vjen qumështi për fëmijën. Do ta rrisësh vetë apo jo? Filluan duke më thënë mos e çaj kokën, se burrat kështu e kanë, erdhi mami… Duhet të haja se nuk më vinte qumështi. Në krye të tri ditëve më erdhi qumështi…
Kur ngele shtatzënë për herë të dytë?
Në qershor më duket, nuk më kujtohet…
Kur e linde të parin?
Të parin në 2011-n.
Çfarë ditëlindje ka ai?
10.11.2011. Në prill të 2014-s ka lindur fëmija i dytë, jo më fal, se në prill ka ndodhur fatkeqësia dhe më rri mendja aty. Djali ka lindur në mars.
Kur filloi kontradikta e parë për këtë fëmijë, që thonë që nuk e ke të burrit?
Që aty, në spital, filloi burri, çunin e madh, Elion, e kisha në shtëpi. Sepse i kishin bërë planet këta, vjen vjehrra me më sjell nja dy rroba, bluze edhe rroba për djalin e vogël, që i kisha nga djali i madh, rrinte ftohtë me mua, do të vijmë prapë, nesër tha ajo. Sikur m’u ngroh një çikë shpirti. Mendova do më sjellin djalin, kur më çon burri mesazh: “S’ke për ta pa më çunin me sy, ik në shtëpi tënde, çuni le të rrijë ca ditë te shtëpia ime, do të sjellim rrobat atje dhe ik në shtëpi tënde, se s’ke punë te ne”. Merrja babin në telefon duke qarë, isha bërë që s’njihesha në këmbë. O ba, – thashë-, ma morën djalin. Nuk ta merr njeri fëmijën më tha babi, i kallëzoj të gjitha babit. Mos u mërzit tha: Mos luaj ti prej vendit, aman, thashë ço Kastriotin, vëllain e madh, të ma marri e të ma bjeri këtu. Nejse, erdhi vjehrra me vjehrrin, katër ditë ndenja në spital, nuk ndenja tetë, se më plasi shpirti për çunin.
Qëndrove katër ditë në spital dhe dole?
Po dola. Para se të mbërrinim në shtëpi unë u mërzita, bëmë sherr, sepse në makinë kisha djalin e vogël disaditësh në krah. Djali i madh ishte në këmbë te vjehrra përpara dhe vjehrri filloi t’i jepte birrë. Ishte një vapë e paparë, ishte mbuluar në djersë çuni. I thashë pse m’i jep birrë çunit? Mos do ta bësh si çunin tënd, që s’di me mbajt një familje? -thashë unë. Ai e kapi birrën e hodhi në përrua, doli jashtë, e mbylli makinën dhe filloi të më bërtiste. Ti e ke fajin, unë të kam mbrojt, unë të kam mbajt! Ça më ke mbajt, i thashë, ti përplas në sy horlliqet e tua, që sa herë ngrihesha natën me shku në banjo, ti më dilje para, ça më ke mbajte ti mua, thashë, më kanë mbajt shpatullat e mia. As ti, as kurrkush, as yt bir, i thashë, nuk më ka mbajt. Ti s’di me majtë një familje, jo me më mbajt mu!
Po ai, të kishte ngacmuar ndonjëherë?
Po, e qiste ndonjë fjalë, por nuk e lejoja unë…
E çfarë të thoshte?
Zemër, -kur e shihte për shembull që ishte shtëpia vetëm, më thërriste: – Hajde më bëj kafe, unë nuk i shkoja dhe ai fillonte shante e ofendonte…
Po me dorë nuk të ka prekë, deri në atë ditë?
Jo, jo, nuk e lejoj unë kurrë me më prekë sa të jem gjallë, jo atë, po kërkënd tjetër nuk e lejoj me më prekë.
Ndodhte të të prekte me dhunë?
Vetëm po të jem e vdekur unë! Kam duar, shyqyr që m’i ka dhënë Zoti. Nejse, burri merrte në telefon, merrte vjehrrën, mua s’më merrte. Këta i thoshin mos u mërzit, kur të vish i bëjmë analizën e ADN-së, sepse unë pata probleme dhe kam lindë përpara.
Po Mario, kush është?
Mario është ai personi që dyshonin ata për mua, është një kushëri i burrit, që ishte në lagje afër…
E njihje ti?
Unë s’e njihja fare! Një herë që pati ardhur në shtëpi tonë, pati kaluar kështu, as nuk e njihja fare, bile atëherë kur e dëgjova këtë, thashë nga ma kanë gjetur këtë emër…
Dëgjo tani, vazhdojmë me historinë, se ky është momenti më i rëndësishëm. Ne e dëgjuam gjithë kalvarin e jetës tënde, po tani duhet të kuptojmë se çfarë ka ndodhur, pra ta lëmë për një moment Marion dhe të vazhdojmë historinë tënde. Burri të dërgonte mesazhe, po vjehrri e vjehrra si silleshin?
Më rrinin ftohtë, fëmijën nuk e preknin fare me dorë. Kaluan nja dy javë dhe shkoj në shtëpinë time, nuk e dija që ata e kishin bërë plan të më linin aty. Merr në telefon im shoq e kërkon të flasë me mamin tim. Pyes pse. Ti s’ke më punë në shtëpinë time më tha, mirë i thashë unë, si të duash… Ai merr mamin tim në telefon edhe mami nuk i kishte fol, vetëm e kishte dëgjuar se ça i kishte fol, se ça i kishte përrallosë nuk e di. Nejse, unë i thashë mamit mos dëgjo atë, se edhe me të parin ai ashtu tha, edhe me këtë të dytin thashë ashtu tha, po unë i thashë s’kam ndërmend të lë fëmijët pa nënë e pa babë. Po të dojë le të rrijë në Greqi, unë do të rri atje në shtëpi, se e fillova, kam ndërtuar shtëpinë dykatëshe, nuk e kam rrethuar, kam hedhë kolonat dhe e kam rregulluar pak më ndryshe, kam blerë ca gjëra edhe atje do rri, i thashë, se atje kam derdhë edhe djersën time. Ai të bëjë çfarë të dojë, në daç t’i pëlqejë, në daç mos t’i pëlqejë, ai po deshi të vijë në Shqipëri, po s’deshi le të rrijë në Greqi. Ndenja dy-tri ditë te mami. Çuni i madh qante shumë, se ishte mësuar atje, në shtëpinë e burrit. Vendosa të kthehem, u bëra gati, më përcjell mami deri në qytet, i hipi një furgoni për lart, aty marr vjehrrin, i them ku je, në shtëpi tha, hajde. I thashë se po vij lart, s’më tha gjë ai, mirë bab tha, po pse s’prite tha se të kisha marrë unë. Zbres unë dhe i them shoferit shiko pak te lokali se mos është vjehrri im, që të më ndihmonte me çunin e madh, se po binte dhe një shi atë ditë, edhe vjen ky merr çunin e madh, shkojmë lart. Kur hyjmë brenda në shtëpi, aty ishte bërë një rrëmujë e paparë, ishin hapë rrobat të gjitha. Vjehrra kishte futë ca dega të mëdhaja me ndezë sobën. Dhe i thotë: Ku e çon more, ku e çon?! Moj plakë, thotë ai, më shkatërrove shtëpinë! Aty e kuptova unë që këta kishin qëllim që të mos më sillnin më lart, dhe merr vjehrra telefonin edhe i thotë mamit tim: moj Xhevri, me çfarë mend e çon gocën lart ti?! Djali im i thotë se s’e ka fëmijën me mu, si i bëni këto punë kështu?! Duke fajësuar mamin tim edhe mu prapë. I marr telefonin asaj nga veshi dhe i them mamit: Mos merr më ne telefon, këtu e kam shtëpinë edhe këtu do të rri, i thashë, kur të vijë burri t’i marri të tëra analizat e çunit, edhe të vetën, atëherë zgjidhet kjo punë. Në qoftë se nuk del fëmija e atij, unë iki në shtëpinë time! Mirë, tha mami. Merr burri dhe thotë: Si do t’ia bësh? Për çfarë? – i them. Do të ikësh në shtëpinë tënde për ca ditë? A ke ndonjë muhabet tjetër, thashë, mos ma zër më këtë muhabet me gojë! Ma jep çunin tha. Mori çunin e foli me të, vjehrri po pinte, në mes të natës tapë. Unë shkoja flija para, vija çunin e madh në gjumë, pastaj sillte vjehrra të voglin. Filloi me u afruar një çikë ajo, se kur rritet fëmija më ndryshe, po shkonte gati një muaj e gjysmë çuni edhe shkoj unë para sa ta zëri gjumi, se po e zuri gjumi Elion, nuk ndjen ma pastaj. Vë çunin në gjumë, më kap gjumi dhe mua, kur vjen vjehrra dhe e ven çunin në mes, meqë po flinte thashë po fle dhe unë një çikë, edhe si për gjumë dëgjoja unë duke fol vjehrrin dhe vjehrrën: t’ia bëjmë kështu, ashtu… Edhe ngrihem unë më datën 29, në mëngjes…
29 prill…
Po 29 prill, ngrihem në mëngjes, çuni i madh në gjumë, i vogli ishte nxirë, i kishte kullu gjak nga fytyra: nuk dua ta përmend, po kam kaluar një tronditje të papame…U ngrita, hedh sytë te vjehrra, ajo ishte matanë, kap çunin, ai ishte ngri, ishte bërë akull i ftohtë, e marr, e tund, e shkund, i hedh ujë, marr çunin e madh dhe e kaloj matanë, se thashë më trembet çuni i madh, edhe vjen vjehrra aty:- Ça ka?, tha. Dhe unë tu qa, i thashë: Shko shih ça m’i ke bërë fëmijës, qyqja moj, tha, ça ke bërë ti, moj, tha t’u bërtitë vjehrra… Pastaj unë as jepja, as merrja, vetëm qaja, qaja… U ngrit dhe djali i madh prej gjumi. Vjehrra merr telefonin, merr mamin tim dhe i thotë hajde merr gocën se ka mbytë fëmijën! Nuk zgjati shumë, vjen edhe vjehrri, që kishte qenë te lokali. Vjehrra thërret e bërtet e shkon dhe merr edhe një infermiere që ka aty afër. Hajde se ma mbyti nusja çunin! Vjen ajo, unë as jepja, as merrja, vetëm qaja e më thotë mua ajo çfarë i bëre fëmijës moj, unë hiç, as jepja, as merrja. Më thotë vjehrra trego drejt çfarë i bëre fëmijës. Unë them se nuk kam prekë fëmijë me dorë, ça m’i bëtë ju! As dy minuta nuk zgjati e policia te dera. Ku e ke nusen dhe fëmijën, pyeti. Aty ishin mbledhë xhaxhai i burrit, dy komshinj dhe vjehrri tha nuk ka gjë, është mbytë nga qumështi pa dashje natën. U qetësua vjehrra e filloi t’u bo kafe e t’u qeshë dhe vjen edhe më thotë mua: kur të shkosh në polici e të marrin në pyetje, thuaj që më ka kapë filani me zor edhe thuaj se prandaj dhe e mbyta fëmijën, se mora hak. Pastaj vjehrra shkon te dhoma e fëmijës, unë nuk e shihja dot fëmijën… Nuk e kam bo unë, në gjykatë nuk më kanë pyetur fare, as kam fol atje… Mbërrijmë në komisariat, ishin nja dy policë edhe filluan duke shkruar ata, vjen edhe një psikologe, më thanë firmos këtu dhe firmosa unë, pa lexuar asgjë edhe më futën në një birucë…
Po çfarë ishte ajo letër?
Letër që unë e pranoj se unë e kam vra, përderisa unë e firmosa…
Po ti, tregove gjë me gojë?
Unë po i thosha asaj psikologes ashtu si më tha vjehrra…
Pra ti e pranove atë që të tha vjehrra?
Po, që e pranoj krimin, jo, e pranoj se s’kam thënë, po kështu si ka ndodh ngjarja: u ngrita në mëngjes, pashë çunin dhe më tha vjehrra pranoje kështu si të them, se nuk ka gjë edhe trego më tha, që e bëra kështu, e ktheva djalin përmbys… Po, ia kam thënë edhe këtë.
I ke thënë se tha vjehrra të thuash ashtu?
Po… po…
Është e shkruar kjo? Ajo e ka shkruar këtë?
Ajo nuk e ka shkruar por unë, kur i kam lexuar letrat dhe vendimin e gjykatës, ato e kanë bërë sikur e kam mbytë, sikur e kam mbledhë me batanije djalin jo përmbys. Mua më thanë firmos letrat, unë nuk e dija dhe më fusin në birucë…
Pra, në atë moment ti e ke pranuar…
E kam pranuar pa dijeni dhe pa bërë gjë fare.
E kuptoj, po pse e pranove?
E pranova vetëm për djalin tjetër, që kisha jashtë…
Po çfarë frike kishe?
Kisha frikë se do ma merrnin çunin, le që unë nuk i dija fare se si vazhdonin këto procedurat penale, fare nuk e kisha idenë…
Me pak fjalë, ti the: e mbyta fëmijën tim?
Po, e kam thënë, nuk e mohoj, e kam thënë, po nuk kam bërë gjë, e kam thënë dhe e them, sepse edhe sot e kësaj ditë nuk e hap gojën, për atë djalë që kam jashtë. Edhe kaq vite sa më kanë dhënë mua, do Zoti bën ndonjë mrekulli. Dhe është turp e faqja e zezë të dënohet një nënë 16.8 vjet, dhe në fillim dhanë 35! Për një gjë që s’e kam bërë…
Po ti ke pranuar edhe që nuk e ke pasur me burrin tënd po me një tjetër, me Marion. I ke thënë të gjitha këto?
Jo, jo.
Po çfarë kishte te deklarata jote?
Atje në polici? Nuk e mbaj mënd fare se çfarë është shkruar atje, po këtë ia kam thënë asaj psikologes dhe ajo më ka thënë mos u mërzit se do të ndihmojë Zoti, kaq më ka thënë e nga aty më kanë nxjerrë.
A e mban mend se çfarë i ke thënë?
Vetëm atë që më tha vjehrra: pranoje tha, se nuk të bëjnë gjë. Ajo bazohej se fëmija ishte i pa regjistruar në gjendjen civile dhe nuk të bëjnë gjë fare, tha, do marrësh djalin dhe do të shkosh në Greqi dhe do të bësh fëmijë tjetër. Këtë tha edhe më fusin brenda e më thanë do të bëjmë një analizë në Elbasan. Epo thashë shyqyr, të më marrin ndonjë analizë dhe të dali se s’kam pasur lidhje me atë person që thoshin.
Po kush të thoshte se ke pasur lidhje me atë person, se nuk ma ke thënë akoma këtë?
Burri dyshonte, gjithmonë burri ma thoshte se ti nuk e ke fëmijën me mu, e ke me filanin. (Marion).
Po pse pikërisht me atë?
Se ai person i rreptë ka qenë nëpër burgje dhe e ka pas nda gruan e vet dhe ai e njerëzit e vet mbaheshin për më të këqijtë.
Po burri çfarë thoshte?
Burri ishte në Greqi…
Po burri, e beson që ti ke qenë e dashura e Marios?
Jo, nuk e beson, se unë ja tregova historinë, i thash shko te prokurori dhe shiko analizën e ADN-së. Kishte vajtur, kishte pyetur dhe i kanë thënë që nuk ka dalë e filanit analiza, ti për mu bëj ça të dush i thash, paraqitu në gjyq e të flasësh vetë, se unë nuk e kam hap gojën, se më kujtoheshin fjalët e vjehrrës që më tha do dalësh dhe me burrin me fëminë do të ikësh në Greqi. Mirë, më tha, do vij, kur e ke gjyqin? Në filan datë e kam gjyqin, i thashë, hajde. Kur shkoj në gjyq, asnjë njeri nuk paraqitet, vetëm avokati. Fillon gjyqi, unë s’flisja, vetëm prezantohesha dhe ulesha. Shtyhet gjyqi për seancën tjetër, unë nuk e hapa gojën dot, se kisha firmosë.
U binde se ishte mashtrim ajo puna e vjehrrës që të tha pranoje krimin? Plotësisht. Kur kisha gjyqin e apelit më thotë avokatja, Kristina Marku: Orjola, të më kishe dhënë 5000 euro nuk do t’i kisha bërë letrat ashtu. Të kisha 5000 euro i thash unë, nuk merrja shtetëror, po merrja avokat privat e paguaja paradhënie dhe ja tregoja që nga fillimi. 14 do të jap unë si mbrojtje, tha. Çfarë është kjo 14-ta, thashë unë, historia ime është akoma misterioze, është një mister, vetëm më atë që kam firmos dhe që kam thënë unë jeni bazuar juve të gjithë. Prokurori duhet të marrë parasysh edhe rrethanat, deri sa të arrijë në konkluzion, le që mua nuk më morën në pyetje fare, i thashë. Kur erdhi apeli iu thashë që dua të ndryshoj avokat. Më vunë një Majlinda nga Rrësheni, ishte shumë e mirë ajo, ja tregova historinë asaj.
I tregove të vërtetën?
Po, jam zgjuar në mëngjes i thash, vjehrra më tha kështu e ashtu. Ja tregova të vërtetën, i erdhi keq, më tha pse s’i ke bërë këto veprime më parë. Rrija akoma me shpresë, i thashë se vjehrra më ka thënë mos fol, se do të ndihmojmë ne edhe unë s’e hapja gojën. Avokates së re i thashë se lekë nuk kam. Unë jam shtetërore, tha, nuk dua lekë. Kalojnë dy-tre ditë dhe më thërrasin mua për gjyq prapë. Ngrihet kjo avokatja, unë qaj edhe ajo qante mbas meje. Ajo mua mu afrua shumë, sa e pashë krijova besim. Majlindë, i thashë, këtë do ta shënosh, e ka dëgjuar edhe shefja e takimit poshtë. Kur shkojmë në gjyq e kishte bërë mbrojtjen gati ajo. Atje ishin dy femra e tre meshkuj gjyqtarë, kur do merrnin vendimin unë u ngrita në këmbë dhe thashë zotërinj gjyqtare dua të them diçka se deri sot e kësaj dite thash nuk jam shprehur edhe fillova po ja tregoja, thash e kam gjetur djalin kështu, nuk e kam bërë unë, mirëpo nuk e besonin ata, se kjo ka thënë ndryshe dhe po thotë ndryshe, edhe prokurori ngrihet në këmbë dhe thotë: nuk e kuptoj pse e pandehura kërkon pafajësi dhe unë i them: z. Prokuror unë nuk po kërkoj pafajësi, po kërkoj të jem pranë djalit tim, që më ka mbetë. Kur ngrihen edhe flasin gjyqtarët thonë se dënohet me 16.5 vjet. U tmerrova fare, çfarë të bëja unë, qaja gjithë rrugës. Ajo e shoqërimit më tha mos u mërzit, mos qaj, do të ketë falje, çdo gjë që e kam bë e kam bë për atë fëmijë, i thash unë.
Çfarë mendon se ka ndodhur me fëmijën?
Nuk e di se çfarë ka ndodhur, unë dyshoj te vjehrra. Nuk arrij ta kuptoj pse një grua plakë i thotë nuses së vet të sajojë që e ka kapur me zor filani dhe se ajo e ka vrarë fëmijën. Ta them troç, kur kemi ik njëherë në makinë me të, më ka ngacmuar ai personi. Isha ulë unë, vjehrra dhe ky Ladi, edhe vjehrri ishte përpara, unë isha me çunin.
Ti ishe në mes?
Po, unë isha në mes, dhe ky hedh dorën dhe më prek mua. Aty fillon debati, unë ia tregoj vjehrrës dhe vjehrra i thotë burrit. Këtu filloi dyshimi dhe ai filloi e ke fëmijën me të e kështu, prandaj më tha vjehrra mua që kur të shkosh atje thuaj që më ka kapë filani me zor për këtë. Babai i fëmijës është burri jot, është vjehrri jot, është Ladi: kush është babai i fëmijës? Fëmija është i burrit tim dhe i asnjë tjetri… Ka diçka që ti nuk ma thua, më mungon një pjesë e historisë… nuk e di si mundet një njeri të marrë përsipër këtë që ke bërë ti. Eh o Zot i madh, do me i ditë të gjitha, po këto që ta thashë janë të vërteta… bile edhe kur i kam bërë kërkesë kryeministrit, tani nuk më kujtohen me hollësi se çfarë i kam shkruar… të vërtetën kam thanë…
Mendon se vjehrra ta ka sjellë fëmijën ashtu?
Atë mendoj qind për qind.
Pse të ndodhi gjithë kjo histori, si mendon?
Gjithë kjo situatë u krijua nga vetë vjehrra dhe vjehrri. Duke shkuar mirë me burrin e me çunin, ata filluan të kishin xhelozi. Thoshin kjo na mori çunin, do ikin në Greqi, ne do vdesim vetëm. Dua shumë të të besoj, po është e vështirë… E vërteta ime vetëm kjo: dyshoj vetëm tek vjehrra, vetëm tek ajo.
Ti mendon se ka qenë aksidentale, se fëmija është kthyer mbrapsht vetë?
Po, e kam menduar, ia kam shkruar edhe Kryeministrit, i kam thënë se mund të ketë qenë aksidentale.
E di si e mendoj unë historinë? Që të ka përdhunuar vjehrri dhe se fëmijën e kishe me vjehrrin tënd. Për ta fshehur këtë përdhunim, vjehrra e vret fëmijën se është i burrit të saj dhe ti bën fajtor atë tjetrin. Kështu e bëj unë filmin në mendjen time.
Ti e ke menduar kështu, edhe unë mendoj që kështu ka menduar vjehrra, por unë nuk po fsheh asnjë përdhunim. Ajo mund ta ketë menduar këtë gjë, se e shihte se ça bënte vjehrri.
Pra, vjehrra e shikonte se vjehrri të ngacmonte?
E shikonte shumë se ça bënte vjehrri, i thoshte shtyu këtej edhe kur shkonim te tokat ai vinte me mua, unë i thosha ik përpara ti, se vij mbrapa unë. Bëja sikur kisha harruar ndonjë gjë dhe kthehesha deri sa i dilte rakia. Kur i dilte rakia, s’mbante mend se çfarë kishte bërë.
Pra ti ngulmon që nuk të ka përdhunuar dhe se nuk është ai babai i fëmijës tënd?
Jo, jo…
Dhe nuk po fsheh vjehrrin për t’i ruajtur fytyrën familjes dhe po bën burg vetë? Jeta ime u shkatërrua, mori fund.
ENI VASILI

Related

Intervista 3975964098885039342

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item