Jeta mes psikologjisë, muzikës dhe punës në bankë

Nga Valeria Dedaj Këngëtarja rikthehet sërisht, si anëtare jurie në Shqipëri, por kësaj here për të zbuluar talente të rinj. Ajo rrëfen...

Nga Valeria Dedaj


  • Këngëtarja rikthehet sërisht, si anëtare jurie në Shqipëri, por kësaj here për të zbuluar talente të rinj. Ajo rrëfen rëndësinë që ka për të kjo eksperiencë, marrëdhënien me vajzën e saj, por edhe për projektet e reja

Jehona Sopi, këngëtarja simpatike nga Prishtina rikthehet sërisht në Tiranë. Pas festivalit të fundvitit si anëtare jurie, çdo javë ajo vjen në Tiranë për të vlerësuar talentet e fëmijëve, që kanë dëshirë të bëhen këngëtarë. Gjatë një bisede me të, teksa na rrëfen për këtë përjetim, shprehet se e ka pranuar me shumë përgjegjësi, duke u munduar që të mos i lëndojë, për shkak të brishtësisë së tyre. Por këtë eksperiencë Jehona, e sheh me rëndësi të veçantë, jo vetëm për qëllimin që ka, por mbi të gjitha për hapësirat dhe lidhjet, që tashmë mund të krijojë, veçmas në marrëdhëniet mes artistëve të dy vendeve. Sipas saj, është ndierë mungesa e politikave, mbi të gjitha sepse jemi një popull.

Artistja ndalet edhe te bashkëpunimi i saj më i fundit për këngën “Çaje Shukarije” me këngëtaren rome Esma Redzepova, duke e cilësuar atë si një nga gratë më humane që ka njohur.

Tashmë një vend të veçantë në jetën e Jehonës, zë dhe familja e saj, veçanërisht vajza.

Jehona, nga skena e madhe, si ajo e Festivalit të Këngës në RTSH, si anëtare e jurisë,  rikthehesh për një format, që punon me talente të rinj. Si ndryshon përjetimi?

Sigurisht që është një përjetim shumë i veçantë, meqenëse nuk ka qenë pjesa e parë për formate të tilla, por ndoshta dhe sepse unë jam tërhequr pak për shkak të vajzës që e kam të shenjtë. Por erdhi koha që unë të pranoja një detyrë, që shkon me të gjithë karrierën time muzikore. E kam pranuar me shumë përgjegjësi festivalin e fundvitit, por sidomos dhe “Gjeniun e Vogël”, sepse këta janë fëmijë të brishtë dhe duhet që të mundohemi që të mos t’i lëndojmë. Por kështu është gara dhe ata duhet të mësohen.

Është e vështirë, që të vendosh për vazhdimësinë e ëndrrës së këtyre fëmijëve, si këngëtarë të ardhshëm?

Unë mendoj që këta fëmijë janë me shumë fat, që kanë një skenë të tillë ku të mund të prezantojnë veten. Sigurisht që, ne jemi katër anëtarë, edhe do t’i themi mendimet, duke u bazuar në profesionalizmin tonë. Por, edhe nëse ata nuk kualifikohen nuk do të jetë fundi i botës për ta. (qesh) Por unë u uroj të gjithë atyre, që skena e “Gjeniut të vogël”, të mos të jetë skena e fundit.

Çfarë rëndësie kanë për ty këto bashkëpunime artistike në Tiranë?

Kanë rëndësi të veçantë, sepse këto emisione janë shumë të shikuar edhe në Kosovë. Është shumë mirë, që kemi ndërlidhje të tillë. Në fund të fundit, sepse për shkak të politikave që kemi pasur kjo mungesë është ndierë, por ne jemi një popull. Dita-ditës kemi raste të njihemi më shumë, dhe të bëjmë atë lidhje, që është dashur që ta kishim bërë më parë.

Është kjo një mënyrë për të shkëmbyer artin e Kosovës me të Shqipërisë?

Sigurisht që po, muzika që bëhet në Shqipëri është jashtëzakonisht e pranishme në Kosovë, edhe kështu ka qenë qysh prej hapjes së kufijve. Ne mësojmë prej njëri-tjetrit në edukimin profesional. Kjo është tendencë apo influencë, që ju e keni pasur nga Italia, sepse jeni afër, por dhe për shkak të medies. Ndërsa ne e kemi pasur nga Amerika, apo nga mediet botërore, prandaj tani mendoj se po edukohemi njëlloj. Besoj se, aq pak sa jemi ne, kemi muzikë aq të bukur saqë lirisht mund ta konsideroj muzikën shqiptare, më të mirën në Ballkan.

Interpretimi i këngës “Çaje Shukarije” me Esma Redzepova, është një nga videoklipet e tua të fundit. Çfarë do të veçosh prej këtij bashkëpunimi, ka qenë kjo një dëshirë e jotja për të bashkëpunuar me këtë këngëtare, edhe pse?

Ka qenë e rastësishme, sepse unë jam e angazhuar në një biznes në youtube, ku e kam kliente. Pas një dreke të rastësishme, unë i thashë përse mos ta bëjmë një këngë. Ajo më tha: Do ta bëjmë bashkë. Edhe kështu ndodhi. Unë jam shumë e lumtur për bashkëpunimin me të, sepse ajo është këngëtarja më e mirë e komunitetit romë. Ajo ka shkelur në të gjitha skenat botërore. Është jashtëzakonisht shumë humane dhe nuk kam takuar asnjë tjetër si ajo. Nëse nuk gaboj ajo ka adoptuar rreth 68 fëmijë dhe ka 125 nipa dhe mbesa. Imagjinoni! (qesh) Është një grua me profesionalizëm të jashtëzakonshëm, me përgjegjësi të madhe në punën e saj.

Motoja jote është “Secili njeri që ka dëshirë të realizojë një ëndërr, nëse ka vullnet të madh, dëshirë të flaktë dhe nëse punon shumë, do ta realizojë”. Por ti personalisht, sa për qind të ëndrrës tënde për këngën mendoni se ke realizuar?

Ne jemi të predispozuar, që mos të kënaqemi. Por unë jam shumë e lumtur me atë që kam realizuar deri më tani.

Ke përfunduar studimet për psikologji dhe ke punuar në bankë. Si është kalimi nga shkenca në art? 

Kam nisur me muzikë që në vitin 1996, kam marrë pjesë në një festival, edhe më pas kam punuar për albumin tim të parë. Nga viti 2001-2004 kam punuar në bankë. Por është interesante se në kohën që unë kam qenë e angazhuar me muzikë dhe kam punuar, sepse kisha marrëdhënie shoqërore në bankë. Por unë besoj se kam një logjikë shumë të mirë matematikore dhe këtë e kam nga familja ime. Logjika matematikore të shërben në të gjithë jetën.

A ke menduar që ta ndërtosh jetën larg Prishtinës, në Londër, bashkë me vajzën edhe bashkëshortin?

Nuk kam menduar që ta lë asnjëherë Prishtinën për asnjë vend të botës, sepse është e pamundur që unë të jetoj pa prindërit, motrat, vëllanë dhe shoqet e mia. Jam shumë komode me jetën që bëj.

Vajza më ka ndryshuar shumë, sepse është shumë e gjallë. Sot fëmijët alfa po na befasojnë. (qesh) Duke e parë Gjeniun bashkë më pyeti në anglisht: “A e dëshiron që ta bësh këtë?” “Po”, i thashë unë. “Pse”, më tha. “Sepse është puna ime”. “Po ti tani ke një shtëpi të re” më tha. “Ku”, i thashë? “Këtu me mua”, më tha. Shqipen e ka mësuar që tetëmuajshe. Por gjuhën angleze nuk ja kam mësuar unë, por nga telefonat. E kam parë, që ajo nuk rri 20 minuta në një vend.

Dhe së fundmi, a keni projekte muzikore në duar?

Kam disa gjëra në duar, por unë muzikën nuk do ta lë. Ajo që mua më ka pëlqyer ka pasur përherë përparësi për mua, madje në kohën që po jetoj ndoshta jam duke bërë diçka, që ndoshta nuk do të përshtatet me shijen e momentit, por për shijen time është shumë mirë.

Biografia 

Jehona Sopi është një këngëtare. Ka mbaruar studimet për Psikologji në Prishtinë. Ka marrë pjesë në shumë festivale dhe ka fituar mjaft çmime. Si një këngëtare e afirmuar, Jehona Sopi, ka arritur të pushtojë skenën muzikore dhe zemrën e adhuruesve. Ka filluar të këndojë që e vogël, e njëkohësisht është paraqitur dhe në spektakle të ndryshme bukurie. Me zërin e këndshëm, sharmin dhe paraqitjen mjaft tërheqëse skenike, ajo nuk është vetëm e pëlqyer dhe adhuruar në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Maqedoni etj. Në vitin 2007 me këngën "Përvjetori" fitoi çmimin "Videoklipi me stylingun më të mirë". Po në këtë vit paraqitet te "Kënga Magjike" me "Fustani i bardhë" merr çmimin "Best Vokal", si dhe çmimin e pestë. Në vitin 2009 merr pjesë në festivalin "Top Fest" me këngën "Unë e ti" ku merr çmimin "Best Female".

Related

Intervista 7760628371710775183

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item