Mesazhi i Donald Trump

Nga Joseph S. Nye, Jr. Avantazhi i Donald Trump në garën për nominimin nga Partia Republikane si kandidat për president në nëntor ka...

Nga Joseph S. Nye, Jr.

Avantazhi i Donald Trump në garën për nominimin nga Partia Republikane si kandidat për president në nëntor ka shkaktuar lemerisje. Estabilishmenti republikan ka frikë se ai nuk do të jetë në gjendje të mposhtë Hillary Clinton, e cila ka gjasa do të jetë kandidatja demokrate. Por disa vëzhgues shqetësohen më shumë nga rreziku që Trump të bëhet me të vërtetë president. Disa madje e shohin Trump edhe si një lloj Mussolini amerikan.
Gjithsesi, pavarësisht problemeve që ka, Shtetet e Bashkuara nuk janë sot siç qe Italia më 1922. Kontrollet dhe balancimet institucionale të kushtetutës, bashkë me një sistem ligjor të pavarur, ka gjasa që do ta përmbajnë një figurë spektaklesh televizive. Rreziku i vërtetë nuk është që Trump të bëjë atë që thotë se do të bëjë nëse mbërrin te Shtëpia e Bardhë, por dëmi që ai do të shkaktojë me atë që thotë në përpjekje për të mbërritur atje.
Udhëheqësit gjykohen jo vetëm për efikasitetin e vendimeve të tyre, por edhe të kuptuarit që ata krijojnë dhe ia mësojnë ndjekësve të tyre. Shumica e udhëheqësve fitojnë mbështetje duke joshur identitetin dhe solidaritetin ekzistues të grupeve që përfaqësojnë. Por udhëheqësit e mëdhenj i edukojnë ndjekësit e tyre mbi botën përtej grupit të vogël.
Pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë së cilës Gjermania pati pushtuar Francën për herë të tretë brenda 70 vjetësh, udhëheqësi francez Jean Monnet vendosi që hakmarrja mbi Gjermaninë e mposhtur do të prodhonte edhe një tragjedi më tepër. Në vend të kësaj, ai shpiku një plan për zhvillimin gradual të institucioneve që më pasë evoluan në atë që sot e njohim si Bashkimi Europian, gjë që ndihmoi për ta bërë një luftë tjetër mes dy vendeve efektivisht të paimagjinueshme.
Ose, që të marrim një shembull tjetër të udhëheqësisë së lavdishme, Nelson Mandela lehtësisht mund të kishte zgjedhur të përcaktonte grupin e tij si Afrikanojugorët me ngjyrë që kërkonin hakmarrje për padrejtësitë e Aparteidit që patën zgjatur për shumë dekada si dhe për vetë burgosjen e tij. Në vend të kësaj, ai punoi në mënyrë të palodhur për ta zgjeruar identitetin e ndjekësve të tij, si përmes fjalimeve që mbante ashtu edhe përmes veprave që bëri.
Në një veprim të famshëm simbolik, ai u shfaq në një ndeshje regbi duke veshur bluzë të
South African Springboks, një skuadër që më herët qe bërë simbol i supermacisë së bardhë të Afrikës së Jugut. Krahaso përpjekjet e Mandelës për t’i mësuar ndjekësve të tyre një identitet më të gjerë, me atë përqasjen e ngushtë të Robert Mugabe në Zimbabven fqinje. Ndryshe nga Mandela, Mugabe përdori armiqësitë e epokës koloniale për të krijuar mbështetje dhe tashmë po bazohet te dhuna për të mbetur në pushtet.
Në SHBA sot, ndërsa ekonomia po rritet dhe norma e papunësisë është në pikën e ulët prej 4.9 për qind, shumë ndjehen të përjashtuar nga mirëqënia e vendit. Shumë akuzojnë pabarazinë në rritje përgjatë dekadave të fundit, akuzojnë të huajt, më shumë se sa teknologjinë dhe rrjedhimisht është e lehtë të gruposh kundërshti si ndaj migrimit ashtu edhe ndaj globalizimit. Përveç populizmit ekonomik, një minoritet domethënës i popullsisë ndjehet gjithashtu e kërcënuar nga ndryshimet kulturore të lidhura me racën, kulturën, etninë, megjithëse shumica e këtyre gjërave nuk janë ekzaktësisht fenomene të reja.
Presidenti i ardhshëm do të duhet të edukojë amerikanët për mënyrën se si duhet të trajtojnë procesin e globalizimit, të cilin shumë e konsiderojnë si kërcënues. Identitetet kombëtare janë bashkësi imagjinare në kuptimin që shumë pak njerëz kanë eksperienca të drejtpërdrejta me anëtarët e tjerë. Përgjatë një apo dy shekujve të fundit, shteti-komb i ka qenë bashkësia imagjinare për të cilën njerëzit janë të gatshëm të vdesin, ndërsa shumica e udhëheqësve e kanë parë si detyrim primar të jenë nacionalë. Kjo është e pashmangshme, por penguese në një botë që po globalizohet.
Në një botë globalizimi, shumë njerëz i përkasin një numri më të madh bashkësish imagjinare – vendore, rajonale, kombëtare, kozmopolitane, – bashkësi që janë rrethe të mbivendosura dhe që ushqehen nga interneti dhe udhëtimet e pakushtueshme. Diasporat janë tashmë të lidhur përtej kufijve kombëtarë. Grupimet e profesionistëve si avokatët kanë standarde transnacionale. Grupimet e aktivistëve nga mjedisorët te terroristët kanë gjithashtu lidhje përtej kufijve. Sovraniteti nuk është më aq absolut sa qe dikur.
Ish presidenti Bill Clinton tha se ai kishte brerje ndërgjegjeje për faktin që nuk iu përgjigj siç duhet gjenocidit në Ruanda më 1994, megjithëse ai nuk qe i vetmi. Nëse Clinton do të përpiqej të dërgonte trupa amerikane, ai do të qe përballur me rezistencë të ashpër nga Kongresi. Udhëheqësit e mirë sot shpesh kapen mes prirjeve kozmopolitane dhe detyrimeve të tyre më tradicionale ndaj njerëzve që i zgjedhin ata – siç zbuloi Kancelarja e Gjermanisë
Angela Merkel në veprimet e saj prej udhëheqëseje të guximshme përballë krizës së refugjatëve verën e kaluar.
Në një botë ku popujt janë organizuar para së gjithash në bashkësi kombëtare, një ideal pastër kozmopolitan është jorealist. Ne e shohim këtë në rezistencën e gjithëpërhapur ndaj pranimit të migrimit. Që një udhëheqës të thotë se është e detyrueshme që të ardhurat të barazohen në të gjithë botën, ky nuk është një detyrim i besueshëm, por që të thuash se duhet të bëhet më shumë për të reduktuar varfërinë dhe sëmundjet duke ndihmuar ata që janë në nevojë, kjo mund të ndihmojë në edukimin e ndjekësve të tyre.
Fjalët kanë rëndësi. Siç e tha filozofi Këame Anthony Appiah, “Të mos vrasësh është një urdhëresë hyjnore e bardhë mbi të zezë. Ndërsa të ‘respektosh babin dhe nënën’, pranon edhe shkallë”. E njëjta gjë është e vërtetë për çështjen e kozmopolitanizmit përballë izolimit.
Ndërsa bota sheh kandidatin për president të SHBA-së duke luftuar me çështje të proteksionizmit, migrimit, shëndetit botërore publik, ndryshimet klimaterike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, ne duhet të shtrojmë pyetjen se cilave prej identiteteve amerikane po i drejtohet ai dhe nëse ai po i edukon ndjekësit për çështje më të gjera se kaq. A po e zgjerojnë ato ndjenjën amerikane për identitet sa më shumë të jetë e mundëshme apo thjeshtë po joshin interesat e tyre më të ngushtë?
Propozimi i Trump për të ndaluar myslimanët nga hyrja në SHBA dhe kërkesat e tij që Meksika të paguajë për ndërtimin e një muri për ndalimin e migrimit ka pak gjasa që të kalojnë kufizimet kushtetuse apo limitet e pushtetit që ka një president i zgjedhur. Gjithsesi, shumë nga propozimet e tij nuk janë politika të dizenjuara për t’u zbatuar, por slogane të farkëtuara për të joshur një ndjesi populiste vetëizoluese mes disa segmenteve të popullsisë.
Duke parë këtë mungesë të një thelbi të fuqishëm ideologjik dhe aftësinë e tij në ushtrimin e “artit të pazarit” Trump mund të kthehet edhe në një president pragmatik, pavarësisht narcizizmit të tij të famshëm. Por udhëheqësit e mirë janë ata që na ndihmojnë ne të mësojmë se cilët jemi. Në këtë drejtim, Trump sakaq ka dështuar.
Project Syndicate-BIRN

Related

Top Lajm 4936248622843355965

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item