Matoshi: Shqiptarët në Turqi të trajtohen kulturalisht si turqit në Ballkan

Në një kolumnë të tij të rregull në gazetën “Koha Ditore“, shkrimtari Halil Matoshi ka ngritur një problem fundamental që ka të bëjë me...


Në një kolumnë të tij të rregull në gazetën “Koha Ditore“, shkrimtari Halil Matoshi ka ngritur një problem fundamental që ka të bëjë me vendosjen e masave e kritere reciproke midis shteteve, sidomos kur etnitë e ndryshme bashkëjetojnë në shtete joamtare, siç janë psh. shqiptarët dhe turqit.

Duke zbërthyer idenë e vendosjes së kyëtyre masave, Matoshi fillimisht i referohet një deklarate të kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, gjatë një vizite në Shkup, i cili pat thënë se Turqia është duke punuar për rilindjen e kulturës turke në disa vende të Ballkanit.

Mes tyre ai përmendi Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Bosnjën.

“Ne do të dërgojmë nga një fjalor turqisht në çdo familje të Shkupit. Po punojmë që në gjithë Ballkanin, dhe sidomos Maqedoni, Bosnjë, Kosovë dhe Shqipëri, të ketë një rilindje të kulturës sonë“.

Për nacionalistët mendjelehtë, kjo deklaratë merr përmasat e një inkursioni të mirëfilltë kulturor turk në Ballkan dhe kjo ata i çmend, duke i nxitur në reagime banale dhe egërshane. Frika rëndom është joracionale dhe ka kundërefekt.

Duhet shikuar përpara me guxim, shkruan Matoshi.

Reagimi racional shqiptar duhej të ishte shumë më gjeneroz, pra edhe më i sofistikuar, shton ai.

Nëse sipas Davutogllu (libri “Thellësia strategjike”) Turqia moderne – sipas shembullit neotoman – duhet ta rikthejë (kulturalisht) ndikimin e vet “thellë” në Ballkanin Perëndimor, ku ajo “i ka mbetjet e veta”, edhe ‚mbetjet tona‘ (shqiptare) në Turqi duhet të rilinden, kulturalisht e politikisht, ngase miliona shqiptarë të origjinës kanë shërbyer në Perandori prej jeniçerëve e deri te Kryeministria!

"Thellësia strategjike‘ neootomane mund shtrihet vërtet deri aty ku nuk ka fare strategji kombëtare (si në Shqipëri, Kosovë ose Maqedoni), por jo më tej"… shprehet matoshi.

Prandaj institucionet e shteteve përkatëse (ku jetojnë shqiptarët) duhet të reagojnë me reciprocitet.

Sipas Matoshit liderët politikë të shqiptarëve kudo në rajon, por posaçërisht Atifete Jahjaga, Isa Mustafa, Hashim Thaçi e Kadri Veseli duhet të flasin hapur dhe t’i bëjnë ’selam‘ mikut të tyre Davutoglu se „…do të dërgojmë nga një abetare (po ashtu nga një fjalor shqip) shtëpi për shtëpi, gjithandej në Turqinë e sotme ku jetojnë turq të origjinës shqiptare.

Dhe jo vetëm kaq.


Republika e Kosovës (prej nga supozohet se ka më së shumti emigrantë në Turqi) duhet t’i drejtojë kërkesë zyrtare shtetit turk, për hapjen e shkollave të kombinuara (dygjuhëshe, shqipe dhe turqishte) gjithandej, aty ku p.sh. deklarohen mbi 5.000.000 veta që i përkasin një komuniteti të origjinës shqiptare.“

Shqip për ta ruajtur identitetin etnik dhe turqisht për t’i dhënë dashuri e besnikëri shtetit mikpritës, që u bë i tyri me kalimin e shekujve e dekadave, por edhe për hir të prosperitetit ekonomik e social, konkludon Halil Matoshi. /Gazeta FAKTI

Related

Top Lajm 5395457278923043771

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item