“Marjan Rroku e përndoqi me muaj, Alda prej tij tentoi vetëvrasjen”

Rrëfimi i Marjan Rrokut tri ditë më parë në lidhje me vrasjen që ka kryer 15 vjet parë, duket se ka irrituar familjen e Aldës dhe nënës së...

Rrëfimi i Marjan Rrokut tri ditë më parë në lidhje me vrasjen që ka kryer 15 vjet parë, duket se ka irrituar familjen e Aldës dhe nënës së saj Mbarimes, që ai u mori jetën.

Ledja Sulaj, kusherira e Aldes
Fjalët e autorit të krimit, tashmë i dënuar përjetë, kanë zgjuar zemërimin e babait të Aldës, Faslliut, por edhe motrave të tij që jetojnë në Amerikë dhe kushërinjve që jetonë në Tiranë.
Kushërira e Aldës, vajza e tezes, Ledja Sulaj, tregon të vërtetën e ngjarjes, që nga përndjekja, dhuna e kërcënimet e Marjan Rrokut.




Të vërteta, që sipas saj, Rroku i tjetërsoi me pafytyrësi gjatë intervistës që dha. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Ledja Sulja tregon se si u përjetua rrëfimi i vrasësit nga burgu dhe momentet kur ai gënjen, apo bën sikur nuk kujton.
Ndërsa shprehet se para se të ndodhte vrasja, familja e Aldës e ka denoncuar disa herë atë për dhunë, kanosje, përndjekje. Madje edhe për shkaktim vetëvrasjeje, pasi Alda, që atëherë nuk i kishte mbushur ende 16 vjeçe, kishte tentuar të vetëvritej, në mënyrë që të mos abuzohej nga Marjan Rroku, kur ai e rrëmbeu dhe e bëri për spital.
E ndoqët intervistën e Marjan Rrokut? Si u ndjetë?
Na lajmëruan, sepse nuk e dinim në fakt. Unë me mamanë ndodheshim në shtëpi. Na telefonoi vajza e tezes, motrës tjetër të mamasë dhe na thotë që ta çojmë te TV “Klan”, pasi Ardit Gjebrea ka një intervistë me atë që na vrau motrën dhe mbesën. E hapëm menjëherë televizionin dhe po e shihnim. E përjetuam shumë keq, t’ju them të drejtën. Ishte e tmerrshme se si mund të bëhet “reality show” me një vrasës. Me pafytyrësinë më të madhe aty flitej për gjithçka, duke thënë gjëra të pavërteta. Si mundet dikush të publikojë një material të tillë, pa pasur të dyja palët? Edhe versionin tonë? Edhe argumentet e personit që është i dënuar me burgim të përjetshëm, nuk ishin normale. Në momentin që ai arrinte në pikën kulmore, ku duhej të fliste për atë që kishte ndodhur, ai bënte sikur nuk mbante mend. Nuk dinte se nga kishte ikur. Nuk dinte se ku i kishte gjetur ato dokumentet false, pasaportat me emra të rremë e me kombësi të ndryshme. Aq më tepër që në rast se vajza i paska vajtur nga mbrapa, si mund ta vriste ai? Pse nuk qëndroi pasi e bëri krimin, që të përballej me Drejtësinë? Po ai flet ashtu, sepse mendon se ua mbylli gojën dy personave që vrau dhe nuk ka dëshmitarë të tjerë. Por gabohet shumë. Ai ka lënë gjurmë për atë që ka bërë. Ajo që ka bërë ai është e pafalshme. Ju pyesni se si u ndjemë ne? Ne ajo intervistë, ajo shfaqje televizive, na ka shkaktuar një dhimbje shumë të madhe. Na ka hapur sërish plagët. Madje, më keq. Kushërira dhe tezja ime u vranë për herë të dytë dje. Na ka kthyer 15 vite mbrapa, duke na bërë të përjetojmë një ngjarje aq të rëndë dhe për më tepër, të deformuar.
Po babai dhe motrat e Aldës e kanë ndjekur intervistën?
E kanë ndjekur të gjithë. U ka shkaktuar një shok emocional. Janë ndier shumë keq. Motra e Aldës ka hapur edhe një faqe në rrjetin social “Facebook”, ku ka shkruar se si është historia e vërtetë. Gjithçka që ajo ka bërë për gjetjen dhe arrestimin e vrasësit në Amerikë. Kur ka ndodhur ngjarja Ornela, motra e Aldës, ka qenë në shkollë të lartë, te Gjuhët e Huaja për Gjermanisht. Askush më mirë se ajo nuk e di të vërtetën. Sepse ka qenë bashkë me Aldën gjithmonë. Alda në atë kohë ishte në shkollë të mesme, te Gjuhët e Huaja, për Italisht.
A mund të na tregoni se çfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve, pas vitit 2001, me familjen e Aldës e Mbarimes?
Njëra nga motrat e Aldës, Ornela, është martuar dhe siç ju thashë jeton në Amerikë. Ajo e ka ndjekur këtë çështje që kur ndodhi e derisa u arrestua Marjan Rroku. Ajo bëri çmos që ai të kapej atje ku fshihej. Ornela, pasi iku vetë në SHBA, mori edhe motrën tjetër me vete atje. I ati i Aldës ishte mësues te shkolla “Edith Durham”, deri para ca kohësh, po tani është në pension. Ai shkruan ndonjë libër herë pas here dhe mundohet që ta kapërcejë dhimbjen.
Me aq sa dini ju, si ka qenë historia e vërtetë e njohjes së Aldës me Marjan Rrokun, por edhe e vrasjes?
Ornela bashkë me Aldën kanë pasur një shoqe. Në mos gaboj, ajo quhej Blerina. Ajo e njihte Marjan Rrokun dhe e kishte prezantuar edhe me dy kushërirat e mia. Fillimisht kanë qenë një grup shoqëror. Më pas, kur Marjan Rroku filloi të përndiqte Aldën, të bëhej këmbëngulës, të bëhej posesiv, ato më pas u shkëputën nga ai.
Sa zgjati kjo histori përndjekjeje?
Zgjati me muaj. Deri sa një ditë ai e mori me dhunë Aldën. E mori nga shkolla e Gjuhëve të Huaja, duke e kërcënuar me pistoletë. E rrahu. Madje e kishte goditur në kokë dhe i kishte çarë vetullën. E ka pasur vetullën të qepur Alda. Kur Alda shkoi në spital, atëherë u bë alarmante situata. E morën vesh edhe prindërit. Normalisht kjo nuk mund të mbahej e fshehur. Nuk mund të fshihej që një psikopat e përndiqte vajzën e mitur, e përndiqte dhe e torturonte.
Si e mori, e mori me dhunë duke ecur në rrugë, apo e futi në ndonjë makinë me forcë?
Ai e mori me forcë duke e tërhequr nga krahu dhe e çoi te banesa e tij. Aty e rrahu dhe e çau te vetulla. Alda, në mënyrë që të mos binte preh e atij, piu edhe ilaçe duke tentuar të vriste veten. Në këtë moment ai e çoi dhe e la në spital pastaj.
A ka abuzuar seksualisht Marjan Rroku me Aldën?
Jo, jo, nuk ka abuzuar seksualisht.
Po pas kësaj që i ndodhi Aldës, a bëri ajo kallëzim ndaj Marjan Rrokut?
Po, disa. Ajo bashkë me të ëmën dhe të atin. Kanë bërë denoncim në Komisariatin nr.1, në Komisariatin nr.2. I kanë dërguar shkresë edhe Fatos Klosit në atë kohë. I kërkonin urdhër mbrojtjeje. Por askush nuk u mor seriozisht me këtë çështje. Ai duhej të arrestohej që në atë kohë, sepse Alda ishte e mitur, ishte vetëm 15 vjeçe. Po merrej me një të mitur, po e përndiqte, po e dhunonte, e kishte shtyrë drejt vetëvrasjes. Por jo, askush nuk merrej me të. Ai përkrahej nga vetë shteti, sepse ishte punonjës i SHIK-ut.
Ku banonte familja e Aldës në atë kohë?
Familja e Aldës banonte në Mallakastër. Alda dhe Ornela jetonin bashkë këtu në Tiranë, në konvikt, pasi njëra ishte studente në shkollë të lartë dhe tjetra në të mesmen. Në atë kohë, babai i Aldës ishte drejtor shkolle atje dhe teze Mbarimja ishte mësuese.
Ka pasur ndonjë komunikim, apo takim mes Marjan Rrokut dhe babait të Aldës? Po. Ai shkoi në Mallakastër të takonte babanë e Aldës. I thoshte që e donte e të tilla gjëra. I ati i Aldës i tha që: “Vajza ime është e vogël. Ajo do të vazhdojë shkollën dhe nuk të do ty. Kështu që të lutem lëre të qetë vajzën time. Nëse ti do ta lësh të qetë vajzën time, atëherë nuk do të kemi asnjë problem bashkë, por do të shoh si djalin tim”. Marjan Rroku i premtoi se do ta linte të qetë dhe u largua. Por në fakt, nuk ndodhi kështu.
Pra përndjekja vazhdoi edhe pas këtij takimi?
Po. Për këtë arsye familja e Aldës u shkëput nga Mallakastra dhe erdhi në Tiranë. E panë se situata po bëhej çdo ditë e më keq. Ai vazhdonte i rrinte Aldës para derës së shtëpisë, atje mbrapa Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, e ndiqte gjithandej. I kërcënonte vazhdimisht, Aldën dhe familjen e saj. Një ditë nga këto, kur sërish po priste te shtëpia, në rrugë ndeshet me Aldën dhe tezen time. E tërheq Aldën nga krahu, duke i thënë: “Ose do të më marrësh mua, ose je e vdekur”. Kjo situatë është parë edhe nga dëshmitarë. Madje, aty afër ka qenë një shitëse ambulante që ka parë të gjithë ngjarjen. Ajo na ka treguar se teksa ai tërhiqte Aldën nga krahu, ka ndërhyrë tezja duke e goditur me çantë. E kanë shtyrë të dyja dhe ai pastaj ka nxjerrë pistoletën. I ka qëlluar të dyja në kokë. E ka shprazur të gjithë karikatorin e pistoletës. Nuk është fare e vërtetë ajo histori që tregonte ai dje në intervistë. Pastaj, bënte sikur nuk mbante mend…
Ka pasur ndonjë problem familja e Aldës pasi ndodhi ngjarja nga ndonjë i afërm i Marjan Rrokut?
Kanë jetuar me frikë gjatë gjithë kohës. Ditën që po bëhej varrimi në Mallakastër, babai i Marjan Rrokut vjen në varrim bashkë me një fëmijë të vogël dhe i drejtohet babait të Aldës duke i folur për Kanunin e gjakmarrjen. I drejton fëmijën dhe i thotë: “Për atë që ka bërë djali im u kam gjakun borxh. Ja ku e keni këtë fëmijë dhe në rast se doni të na e falni gjakun, ky fëmijë do të vijë me mua. Në rast se nuk doni të na e falni, unë do e lë këtu dhe lë të vdesë”. Xhaxhi Faslliu nuk ishte kështu, nuk merrej ai me Kanun e me hasmëri. “Unë ia kam lënë në dorë Drejtësisë të vendosë për atë që ka ndodhur. Nuk njoh unë Kanun e gjakmarrje. Merre fëmijën dhe shkoni në punën tuaj”, i tha babai i Aldës.
Ky ka qenë kontakti i vetëm me familjarët e Marjan Rrokut?
Po, ky i vetmi dhe i fundit.
Motra e Aldës, Ornela, ka qenë ajo që zbuloi vendndodhjen e Marjan Rrokut, që bëri të mundur arrestimin e tij. Si e zbuloi?
Ornela iku në Amerikë, siç ju thashë, pak kohë pas vrasjes. Krejt rastësisht ajo është ndeshur në autobus me Marjan Rrokun dhe e ka njohur. Edhe pse ai kishte vendosur syze, Ornela sërish e ka njohur. Madje ajo na thoshte se edhe ai e njohu, por bëri sikur nuk e kishte parë. Që nga ai moment pastaj, Ornela takoi marshallin në Virxhinia, atë që e arrestoi pas 6 vitesh. Nuk la gur pa lëvizur, deri sa ai u arrestua. Edhe atje çfarë nuk bëri që t’i shmangej Drejtësisë shqiptare. U prezantua si shtetas slloven a ku di unë dhe kur i thanë të fliste atë gjuhë, ai nuk dinte asnjë fjalë. Kërkoi azil, duke pretenduar se këtu në Shqipëri do ta vriste shteti. Pse do e vriste shteti atë, kur shteti e përkrahu? Por nuk ia miratoi njeri. Ndërsa dje ai përlotej se nuk po e takonte dot të birin. Këtë ka kërkuar edhe nga marshalli që e arrestoi, të takonte djalin. Dhe marshalli i ka thënë: “Edhe babai i Aldës dëshiron shumë ta shohë të bijën, por ti ia more jetën asaj dhe ai nuk e sheh dot më”.
Si u ndjetë kur morët vesh që Marjan Rroku ishte arrestuar dhe më pas u ekstradua?
U lehtësuam disi, në fakt. Por sot, pas kësaj që pamë në televizor, shfaqjen që na detyroi Ardit Gjebrea që të shihnim, mendojmë se do ishte më mirë që të mos e ekstradonin fare në Shqipëri. Ndoshta, po të ishte në Amerikë, nuk do t’ia jepte njeri mundësinë që të shpifte në këtë formë dhe të njolloste për së vdekuri emrin e Aldës, duke thënë që ishte ajo që nuk e linte të qetë. Një gënjeshtër e madhe që e vrau atë për së dyti. Prandaj babai i Aldës po shikon çdo mundësi ligjore që të çojë në gjykatë këtë çështje, për shpifje dhe për dëmtimin që iu bë së bijës e gruas. Tani të gjithë ne kemi të drejtë të mendojmë se edhe ajo intervistë e tij, mund të jetë e porositur, ose një manovër që ai të rigjykohet dhe t’i lehtësohet dënimi. Përse pikërisht duhej intervistuar Marjan Rroku? Përse pas 15 vitesh duhej rikthyer ajo histori dhe të na rihapeshin plagët që po tentonim t’i mbyllnin? Nuk gjeti Ardit Gjebrea ndonjë të dënuar tjetër për të bërë “show”, por pikërisht atë, një vrasës gjakftohtë dhe të përlotej bashkë me atë?
ETLEVA DELIA

Related

Top Lajm 6718910630370808728

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item