Letra e profesorit drejtuar kamikazit: Si dreqin arrite deri këtu ?!

E trishtë! Mes dramës, tragjedisë dhe apelit mbarë shoqëror! Për fëmijët, e rritur në një sistem që kur mbushin moshën madhore, projek...


E trishtë! Mes dramës, tragjedisë dhe apelit mbarë shoqëror! Për fëmijët, e rritur në një sistem që kur mbushin moshën madhore, projektojnë modele, për të hedhur në erë vetë shoqërinë, që i ka edukuar! Shndërrimi i tyre nga nxënës të dashur dhe të sjellshëm, në kamikazë të pamëshirshëm! Metamorfozë, që përfshin një mekanizëm të tërë, familjen, shtetin, sistemin edukativ, shoqërinë, fenë, dhe çdo pjesë përbërëse të tyre.
Si shpjegohet ky transformim? Kush janë mekanizmat që e lejojnë, apo defektet që e mundësojnë? Ku duhet të shkojë vëmendja e shoqërisë dhe e shtetit ndaj kësaj problematike?
Në një letër publike, Bruno Derbaix, ish-profesori i filozofisë, drejtuar një prej kamikazëve të ngjarjeve të Brukselit dhe aktiv në ngjarjet e Parisit, Najim Laachraoui, pasqyron indiciet e dramës së shndërrimit gradual të nxënësit të tij inteligjent, në një terrorist të pamëshirshëm. Një letër, që imponon lexim, në një optikë reflektuese, mbi një problem që është shumë i përhapur, radikalizmi dhe për të cilën gjithsecili duhet të mbart rolin e tij, në një mekanizëm gjigant. Duke filluar që herët, në edukimin familjar, edukimin shkollor dhe detektimin që prej shenjave të para të formave të tij. Nëpërmjet një sistemi, që duhet të rrisë rolin vëzhgues, ndjekës dhe konsultues, sidomos në sistemet shkollore dhe institucionet fetare.
Letra*
Këtë të martë, 22 mars 2016, pashë në ëndërr Najimin. U zgjova duke i thënë vetes, se duhet të shkruaja dhe në momentin e shpërthimit në Zaventem, isha duke “hedhur idetë e mia mbi letër”. Disa paragrafë gati të përfunduar, kur dëgjova bashkëshorten time të thërrasë dhe të më thotë lajmin tragjik…..Që prej këtij momenti, hezitoj ta bëj publike dëshminë time. Sepse mediat janë të rrezikshme, sepse imazhi i shumë personave është në lojë, sprovë delikate. Sepse, ajo që ndodhi është e tmerrshme, sepse duhet bërë gjithçka për të kuptuar dhe evituar që kjo të mos ndodhë sërish, pasi shumë marrëzira thuhen dhe shkruhen, zgjodha më në fund të shprehem.
Prej kujtimeve të mia dhe të disa të afërmve të mi, përpilova « portretin tim » të Najim Laachraoui. E nxora në bazë të pyetjeve, që duhet të ngrihen. I bashkëngjis mbi të gjitha një qëllim : që, në diferencën, dëgjimin dhe kuptimin, ne do të arrijmë së bashku, të flasim më mirë, ta bëjmë të lëvizë shoqërinë tonë.
Najimi ishte një nxënës i qeshur dhe i komunikueshëm. I sjellshëm, dukej në të njëjtën kohë i turpshëm, apo i rezervuar në kontaktet e tij, me vajzat. Ishte kurioz dhe kërkonte rregullisht diskutime me disa mësues. Përpara se ta kisha në kurset e mia, e kisha venë re, duke qarkulluar në korridore me « shokët » e tij, duke komunikuar lehtësisht me personat që takonte. Kur e pata në kursin tim, konstatova se dilte mirë në provime dhe se nga ana intelektuale, ishte i interesuar për një sërë temash. Në shumë diskutime ndërfetare të lëndës sime, « religjionet », ai shfaqej shumë i acaruar kundrejt shkollës dhe kundrejt një shoqërie, që nuk e kuptonte Islamin. Ai ndjehej i keq shikuar dhe i zhvlerësuar padrejtësisht. Ishte mjaft inteligjent për të matur dobësitë dhe limitet e profesorëve apo të një bote, që kishin tendencë të përçmonin religjionin e tij.
Në atë kohë, ne nuk e kishim instaluar ende sistemin tonë të « pjesëmarrjes qytetare për nxënësit » dhe në përgjithësi nuk mund të them, se ishte tërësisht i gabuar.
Një Islam jo i dhunshëm
Në gjimnaz, Islami i tij nuk kishte asgjë të dhunshme. Përkundrazi, ai bënte kërkime dhe shpenzonte shumë energji për të treguar që, edhe mbi temat si skllavëria apo ekzekutimet me gurë, Islami ishte «liri», «paqe» dhe «edukim». Feja e tij ishte bërë nga praktika rigoroze. Ishte gjithashtu një sistem, që në sytë e tij prej adoleshenti, lejonte të përmbusheshin më mirë nevojat e njerëzve, se sa në Perëndimin tonë. Në të njëjtën kohë, sjellja e tij, ishte në zhvillim. Përgjatë vitit të fundit, ai filloi të vishte pantallona më të shkurtra, të linte qimet e mjekrës të zgjateshin dhe të mos i shtrëngonte më duart e vajzave. Asgjë e jashtëzakonshme për një mysliman të Brukselit, që eksploron në të njëjtën kohë identitetin belg dhe islamizmin e tij. Si shumë të tjerë, ai ishte në tension mes shumë referencave. Si shumë të tjerë, njëra prej tyre ishte e influencuar nga shumë site dhe vepra vehabiste, shumë kollaj të disponueshme në Bruksel. Më kujtohet shumë mirë, fundi i provimit të tij me gojë, në gjimnaz. Patëm një diskutim të gjatë, përgjatë të cilit ai shfaqte, sa bindjen e tij të thellë të superioritetit të Islamit, mbi modelin perëndimor, por edhe një pakënaqësi të dukshme, kundrejt këtij të fundit.
I nënvizova duke i thënë se, do të vijë një ditë kur idealizmi i tij, do të vihet në provë, dhe se duhet të bëj kujdes, për të mos u mbyllur në rrugën e krenarisë dhe të zemërimit. Duke më buzëqeshur, më tha, të mos shqetësohem.
Najimi më vonë, siç më informuan, filloi studimet e larta politeknike. Nuk e di se, si e ka jetuar integrimin në një ambient, që sipas mendimit tim, lejon më pak diskutimin mbi besimet dhe fetë. Mbi këtë periudhë, nxënës të tjerë më kanë thënë se, kishte ngelur po ai: d.m.th, karizmatik, i qeshur dhe mbrojtës i një Islami të paqes. Disa më raportuan gjithashtu se, kishte ngelur i plagosur nga shumë komentime, që ishin bërë në universitet, mbi Islamin dhe myslimanët. Disa muaj më vonë, unë dhe një kolegu im, secili më vete, kishim marrë të reja nga ai. Nëpërmjet një e-maili, ai na uronte një Krishtlindje të gëzuar. Iu përgjigjëm që të dy, por ai s’na u përgjigj më. Ndoshta nuk kishte më dëshirë të debatonte? Gjithsesi, urimi i tij mbi “Krishtlindjen e gëzuar” më duket sot, si i ngarkuar me një kritikë. Ai donte të thoshte: “Unë jam i vëmendshëm ndaj jush, por kush shqetësohet për Islamin ?”
Nuk ishte një djalë i keq. Jo, Najim nuk ishte një djalë i keq, ishte i qeshur, i gjendur. Kishte një shikim të mirë. Jo, nuk ishte një djalë, që të tjerët tallen me sjelljen e tij, apo me fizikun e tij, dhe si pasojë formësohet me ligësi ndaj shokëve të tij. Jo, nuk ishte një fëmijë, prindërit e të cilit kanë dhënë dorëheqjen, nuk japin aq sa duhet dashuri, apo kuadër edukativ. Jo, nuk ishte një nga të rinjtë e shumtë, që të dërrmuar nga sistemi shkollor, shkojnë nga dështimi në dështim dhe nuk mund të gjejnë njohje, veçse në rolin e “shefit të bandave”. Jo, nuk ishte një nga të pa favorizuarit, që kalojnë nga dështimi shkollor në kriminalitet, nga kriminaliteti në banditizëm dhe nga banditizmi në terrorizëm. Jo, Najimi nuk ishte as një i ri pa të ardhme. Pavarësisht emrit dhe ngjyrës së lëkurës së tij, suksesi shkollor dhe inteligjenca e tij, i kishin hapur tashmë portat dhe do të vazhdonin t’ia hapnin.
Por, atëherë si? Pse? Dreqi ta hajë, Najim !! Si arrite deri këtu ? Si arrite të shkëmbesh idealet e tua të paqes, të “fesë tënde perfekte” me barbarinë dhe shkatërrimin? Si munde ti, djali i dashur, të lësh familjen tënde, lagjen tënde, shoqërinë tënde ? Si munde të vrasësh, Najim? Si munde të planifikosh vrasje për të tjerët ? Si munde të imagjinosh dhe vendosësh bomba frikacake dhe barbare, duke pluhurizuar trupa dhe gjymtyrë, dhe duke shkatërruar përtej jetëve, që morën ? Si arrite të jesh motori i gjithë këtyre dhimbjeve ?
Adoleshent, të doja shumë, Najim. Tani, nuk ndjej veçse trishtim, acarim dhe turp.
Me aktet e tua, solle «frikën» dhe «turpin» mbi familjen tënde, mbi miqtë e tu, mbi shkollën tënde, mbi lagjen tënde, mbi qytetin tënd, mbi vendin tënd, mbi “fenë” tënde. Dhe për të gjithë, do të jetë shumë e vështirë të ringrihen. Në raport se, me çfarë kërkoje, kur ishe adoleshent, domethënë një shoqëri që njeh një vlerë dhe i jep një vend Islamit, nuk kishe mënyrë se, si ta bëje më keq.
Si mundëm ne, ta linim ta bëje ? Por, dreqi ta hajë, si mundëm dhe ne të arrinim deri këtu?
Si e kemi lënë, për afro 40 vite, Islamin vehabit, të zërë gjithë këtë vend në xhamitë tona, në libraritë tona, në lagjet tona ? Si mundëm ne, të mos dinim, që në raport me këtë religjion paqe, në raport me myslimanët që janë njerëz të paqes, kishte një rrezik, atje ? Islami, na interesonte aq pak, sa nuk e pamë, që atje kishte vetëm një version, dhe se ky version ishte nga më pak të përshtatshmit për shoqërinë tonë. Imigracioni na interesonte aq pak, sa nuk e kuptuam, që ishte normale për çdo të ri të miksuar, të eksploronte origjinat e vehabizmit, si islamizmi i tij, dhe se ishte diçka, që duhej inkuadruar. Si mundëm ta linim institucionin shkollor kaq jo aktiv. Përse nuk i dhamë më shumë zë dhe mjete forcave, që në gjirin e saj punojnë për ndryshimin? Atyre që tentojnë të ndalojnë, të përjashtojnë dhe të ndëshkojnë ? Atyre, që mësonin të mirë administronin diversitetin? Të gjithë atyre, që punojnë që të rinjtë, të kenë realisht hapësira, për t’u realizuar.
Si mundëm t’i linim, në internet, të shumëfishoheshin gjithë këto video të ISIS, pa reaguar?
Në raport me internetin, si me mediat e tjera, përse kemi qenë kaq të ngadaltë, për të kuptuar se ishte thelbësore t’u mësojmë të rinjve, si t’i venë në shërbim ? Përse intelektualët tanë myslimanë, nuk morën më shumë kohë dhe energji për të vendosur në internet, në xhami dhe në vende publike, interpretime të tjera të Islamit, ato që Najimi i donte kur ishte adoleshent, ato që bëhen nga dashuria, paqja, liria dhe edukimi ? Përse nuk i dhamë më shumë mjete atyre që e bënin, për të bërë të dukshëm veprimin e tyre, për t’i lejuar Islamit, të çonte drejt një tjetër imagjinare, se sa ashpërsia tradicionaliste, apo dhuna terroriste ? Si arritëm në një shoqëri ku është shumë e vështirë për të folur mbi idetë ? Përse, në shkolla, në lagje, në universitete, ka kaq pak hapësira për të shkëmbyer, përballur dallimet tona, dialoguar ? Si arritëm në një botë që mbi çështjen e fesë, arrin kaq pak të rivihet në dyshim ?
Ne jemi në zi, por vjen koha e reflektimeve. Unë lutem që, Najimin si edhe shumë vrasës të tjerë, të mos i bëjmë « të huaj ». Unë shpresoj, që përtej përgjegjësisë së tyre, ne të arrijmë të njohim atë që, në rrugën e tyre, na thërret dhe na përket. Ulëras që, mbi shumë pika të shkollës sonë si edhe të shoqërisë sonë, është vërtet koha të vëmë një «paketë mjetesh» për të ndryshuar. Unë dëshiroj me gjithë zemër, që ky ndryshim të na gjej të ribashkuar me më shumë dialog, më shumë vend për diferencat, më shumë edukim dhe mbi të gjitha më shumë zë për të rinjtë.
* Botuar në të përditshmen belge Le Soir, dt. 29.03.2016.
Përgatiti dhe përshtati në shqip im.ta/ DITA

Related

Top Lajm 3355489440472677149

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item