Lasgushi dhe Eqerem Çabej, një miqësi 60-vjecare

Ky shkrim është i pari nga shkrimet e Çabejt, kur ishte student 21-vjeçar në Graz të Austrisë, përpara se të shkonte ne Vjenë. Aty në ...


Ky shkrim është i pari nga shkrimet e Çabejt, kur ishte student 21-vjeçar në Graz të Austrisë, përpara se të shkonte ne Vjenë. Aty në Graz u njoh e u miqësua me poetin, i cili ishte një legjendë për studentët shqiptarë të Austrisë asaj kohe, i admiruar fort prej tyre. Lasgushi ishte gati 10 vjet më i madh në moshë se Çabej dhe ka qenë si duket edhe një udhëheqës shpirtëror i tij në këto vite rinie.
Personaliteti i veçantë i poetit bëri për vete edhe familjen e Çabejt të ri, ku ai hynte e dilte si i shtëpisë. Janë treguar gjithnjë me humor e simpati nga pjesëtarët e familjes bisedat me Lasgushin kur shkonte atje për vizitë e për të pirë kafe. Kjo miqësi rinie zgjati 60 vjet, deri kur u shua Çabej, në vitin 1980

Mbi poezinë e Lasgush Poradecit*

Eqrem Çabej
Poezia e Lasgush Poradecit ka shumë vjet që tingëllon në veshin e Shqiptarit; po e ngadalshme e si nga larg, si harpa e Eolit: vetëm në kohët e fundit, me rastin e sëmundjes së tij të rëndë, vetëdija kombëtare u zgjua, dhe fletoret janë plot me artikuj për të e për ndihmat materiale që i mblidhen.
Po sa di vetë gjer tani kurrkush nuk është marrë estetikërisht me poezinë e Lasgush Poradecit.
ga shqiptarët që kam pyetur më të shumëve u pëlqejnë do vjersha idilike si “Kroi i Poradecit”, kurse shumë të paktë i shijojnë thellësitë moderne të tija; një shenjë e cektësisë së shijes shqiptare të sotme.
Duke hedhur një vëshrim mbi literaturën e Shqipërisë së re, do të shohim së pari se në githë rrjedhjen e jetës së saj, të gjithë përfaqësuesit e saj, i përshkon një frymë e lartë etike (morale), një shenjë kjo mjaft karakteristike. Kjo frymë kapërcen në shumë raste në zonat e religjionit.
Së dyti, ajo ndahet natyrisht në dy perioda: e para përmbledh ata vjershëtorë, në jetën dhe veprën e të cilëve midis të tjerave një ide kryesore është flaka e madhe që i ndez për lirimin e Atdheut: flasim për De Radën dhe Naim Frashërin. Doemos ideja e tyre merr forma të ndryshme në të dy: e mbajtur te De Rada, ati i vjershës shqiptare, në format e ngadalshme e madhështore të klasicizmit, te Naimi më e djegur, shfaqet më direkte. Po në thelb ideja është gjith’ ajo. Dhe religjioziteti i tyre bie dendur në rigatën e misticizmit, misticizëm katolik te De Rada, e te Naimi misticizëm oriental.
Një vend të veçantë midis periodës së parë dhe të dytë mban Fishta: te ky mbretëron jo vetëm ideja e çlirimit, po edhe fjala burrnore profetike e ruajtjes së lirisë së fituar, vëllazërimit të Shqiptarëvet të sotmë. Duke filluar, pra, idenë e lirisë nëpër heroizmat lokale, Fishta arriti të përqafojë atë që quhet ideja shqiptare. Edhe vepra e Prendushit, me ndryshimet e veta, më duket se i kushtohet po këtij misioni.
Periudha e dytë është ajo në të cilën ideja kombëtare i lë udhën idesë njerëzore: Atdheu ishte duke u liruar, ëndrra e përvëluar e shkrimtarëve të parë ishte duke u bërë realitet. Kështu, syri i poetit u hap për horizonte më të gjera, vegime më të thella. Po të marrim në dorë veprat e Asdrenit, do të shohim të shfaqur atje fillimet e kësaj periode të dytë, e cila mund të quhet perioda moderne e poezisë shqiptare, dhe gjen vazhdimin e saj në vjershat e Lasgush Poradecit. Shenjë modernizmi e Asdrenit është dhe fakti se, i pakënaqur me pasurinë e fjalëve të gjertanishme, për të endur ndjenjat e vegimet e tija në gjithë stërcilësinë e tyre, ky fillon dhe pasuron thesarin e gjuhës me xhevahire të çmueshme, fjalë e mënyra foljeje të ra, delikate e stërmagjike. Po, i ikur që prej djalërisë prej Atdheut, e duke mos mundur nga ana tjetër të ngrihej në një ide universale, vepra e tij nuk mundi të dalë e plotë dhe duket të vërtetojë fjalën e gjermanit Theodor Storm: Asnjë poet i math pa Atdhe (Kein grosser Dichter ohne Vaterland).
II.
Lasgush Poradeci na hap portën e një jetë të re në poezinë shqiptare; një frisson neuf, siç pat thënë Victor Hugoi për vjershat e Baudelaireit, lind e rritet në lëmën e këngës shqiptare, një stil i ri, të cilin do ta kërkosh më kot ndër poetët e tjerë shqiptarë, po më kot dhe ndër shkrimtarët e huaj nga shkaku i origjinalitetit që e shquan këtë poet djalosh. Këtu ndjenja e mendime që nuk kish guxuar e s’kish arritur kurrkush ndër shqiptarët e pendës t’i shfaqte, këtu një stil i munduar, i cili ndryshon nga shkrimi i një Naimi a Fishte si, bie fjala, një pjesë beethoveniane nga një mozartiane. Ky, pra, është stili modern, stil’i Lasgush Poradecit.
Ç’e ndryshon nga të parët, është thellësia… Ay është vjershëtori më i thellë që ka shkruar në shqipet: në qoftë se kjo nuk është vënë ré gjer tani, shkaku është se më të shumët nuk e kuptojnë poezin’ e tij, e cila me fjalë e mënyra foljesh fare të thjeshta, e shumë popullore, arrin të koncentrohet aq sa mundet të nxjerrë në dritë mendimet me të thella, ndjenjat më labirintike, idetë më të larta. Dhe po të këndohet Lasgushi me dashuri, do të vërtetohet thellësia e tij e pashoqe, në mos sot, nga brezat që do të vijnë.
Poezia moderne n’Europë: Në Gjermani është çudi se ka qenë një shkrimtar i lindur që më 1770, Hölderin, i cili në jetën e tij letrare fort të shkurtër ka nxjerrë harmonira që u afrohen këtyre të sotmeve. Në kohët e fundit Rilke, Stefan George e disa të tjerë janë përfaqësuesit e vjershës moderne gjermane. Në Francë filloi fryma e re me disa vjersha të V. Hugoit, e lulëzoi me Baudelaire (Fleurs du mal), Verlaine, Mallarmé, Rimbaud, Valéry etj. Në Itali, D’Annunzio e Pascoli e rritën pemën e re të vjershës moderne të mbjellë prej Carduccit. Në Rusi, prozatorët e së cilës kanë ndikuar të gjithë Europën, nga vjershëtorët, ai që mori më famë në kohët e fundit është djaloshi i vdekur, Sergej Jessenin. – Ja, pra, poetët që janë produkti i kohës moderne, bir i së cilës është dhe Lasgush Poradeci.
Një tjetër send karakteristik për të: ky nuk është poet lirik në kuptimin më të vërtetë të fjalës: nuk do të gjesh t’ëmbla e të buta melodi; më shpesh vjershat e tija janë drama dhe shumë prej syresh tragjedira të vogla: shquan prologun, aktin e parë të dramës, kulmin e dramës, pastaj si vala e detit e “Këngës pleqërishte”, bie, bie, bie, pasi pat luftuar shpirti i munduar, i munduar më kot…
Pasi pat luftuar më kot për të gjetur lumtërinë jashtë kësaj bote, për t’iu avitur idealit të paarritshim.
Po, mor mik, lëre këtë botë! Në qoftë se nuk vret veten, hidhu në ideal e mbushe shpirtin plotë me të! Një fuqi elementare mundet të krijojë një botë… Po, ah, janë të gjitha përralla! Largoju më mirë dhe ruaje jetën si murg, i vdekur i pakallur. Të pakën do ndjesh ahere “Ç’ëndërim krijovi truri”.
Më çdo varg prej pikash lot
Kur dridhesh nga hidhërimi dhe jeta t’është natë, mos u ngroh në mishin e gruas!… Përpara syrit të shpirtit tënd t’avitet forma ideale: “Me flokë përmbi supe.”
Me roba gjer për dhé
Këtë, të patruptën, pushtojë “me një magji të re”. Ja qëndrimi i Lasgush Poradecit kundrejt dashurisë, ku duken aq zotësia ashtu dhe vetijat e një vjershëtori.
Disa nga vjershat e tija nuk kuptohen, ose me shumë zor: Kush e njeh Lasgush Poradecin për s’afërmi di se ai është një adhuronjës entuziast i kulturës latine, i kjartësisë latine, një armik i obskurantizmës gjermane. Një paralelë: Nietzsches, armikut më të rreptë të “besties blonde” të muzikës së Wagner-it, i pëlqente muzika latine e Bizetsë, poezia latine e Horacit, mendimet latine e stili latin i Montaigneit. Po të pakë të mëdhenj kanë qenë aqe të munduar nga demoni i mendimeve kaotike sikur Nietzscheja. Spiegimin na e jep një dialog i Platonit: “Njeriu dëshiron atë që nuk ka vetë”. Edhe Lasgush Poradeci është larg nga të qenët një njeri “latin”.
Po moskuptimi i lehtë, të thomi errësira e disa vjershave të tija, nuk është e metë, përkundrazi një element i gjithë shkrimeve të thellë në botë, që prej poemave indiane e, nëpër Kuranin, gjer më sot. Fundi i fundit çdo thellësi ësht’ e errët. Dhe faji s’është aq i gjeniut sa i publikut mendjeshkurtër. Dante, tek i cili gjinden disa verse jo aq të kjartë, ka thënë: O voi che avete gl’intelletti sani, Mirate la dottrina che s’asconde Sotto il velame delli versi strani.
Po sikundër ndër komponistët e një stili të rëndë, ziplot, nganjëherë ndihen tingëllimet e këndshme të një scherzo-je, ashtu dhe nëpër poezitë e këtij, të gjera e plot gremina, që janë tableau-të e një fati, shfaqet dikur (sa rrallë!) një nënqeshje sublime në trioletin e lehtë si një grumbull rrezesh dielli të mëngjesit në një odë të zezë:
Këto kopshte ku fryn era
Muar ngjyrën e floririt.
Se ç’i shkel baluke-prera
Këto kopshte ku fryn era!
Kush nuk mundet nga magjia e kësaj gjuhe? Djalëri Shqiptare, këndo Lasgush Poradecin, e pastaj vdis!
Këto vërejtje le t’i shërbejnë kuptimit të poezisë së Lasgush Poradecit, të këtij djaloshi, të cilin një fat i mirë duket sikur ia ka falur Shqipërisë, që të bëhet ai shkrimtar, të cilin Shqipëria do t’ia falë njëherë botës. Po si do të zhvillohen punët, kush mund ta dijë? Lasgush Poradeci ka mjaft kohë që nuk shkruan. Perioda e djalërisë i kaloi, tash do të vinte krijimi i burrërisë. Po një sëmundje e rëndë dhe e pamëshirëshme lufton që ta shtypë… Kjo kaptinë e sëmundjes së tij është tepër tragjike, aq sa nuk mund të zgjatemi më tej: a është sëmundja shkaku i vuajtjeve të tija apo vuajtjet e tija të para qenë shkaqet e sëmundjes, këto janë probleme tepër të koklavitura. Fakti është se literatura shqiptare do fitonte shumë, ose do të humbiste shumë me Lasgush Poradecin. Ne dëshërojmë të parën. Po Fati e ka në dorë!
Edhe shqiptarët. Duhen sakrifica të mbëdha që ai të mund të mbarojë misionin e vet…
E pastaj le të ronitem, le të qaj, e le të vdes.
Graz, shkurt 1929
* Botuar së pari në “Gazeta e re”, 22 shkurt 1929./Shqip/

Related

Top Lajm 8469183816216559715

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item