Kongresi, Rama dhe Nano…

Nga Lorenc Vangjeli Fatos Nano mungoi në kongresin e Partisë Socialiste. Njëzet e pesë vjet më parë dhe nja një mijë e ca metra për...

Nga Lorenc Vangjeli

Fatos Nano mungoi në kongresin e Partisë Socialiste. Njëzet e pesë vjet më parë dhe nja një mijë e ca metra përtej sallës së pallatit të Kongreseve, tek Teatri i Operas dhe Baletit, ai u zgjodh kryetar i një partie që sapo kishte ndryshuar emrin në një kohë që gjithë Shqipëria po ndryshonte ethshëm sistemin qeverisës.
Në qershor të vitit 1991 as vetë Nano që ju llastua gjatë përzgjedhjes së emrit të tij nga ish-presidenti i fundit komunist Ramiz Alia për të qenë kryetar i ish-partisë komuniste të punës, nuk ja kishte idenë se çfarë po merrte në dorëzim. Në kushtet e Shqipërisë pluraliste një parti e madhe si PS-ja ishte e destinuar që herët a vonë të vinte në pushtet. Dhe në një vend të varfër, drejtimi i një partie të madhe që do të vinte në pushtet, padyshim do të ishte pasuria më e madhe e një individi, edhe pse në atë kohë Nano nuk kishte si ta kishte një ide të tillë. Ndoshta nisi të kuptojë kur e futën padrejtësisht në burg politik (për herë të parë e pranoi si të gabuar arrestimin edhe vetë Doktori këtë të premte) dhe dëgjonte jehonën e protestave të socialistëve që brohorisnin emrin e tij, që rriheshin në emër të tij, betoheshin e burgoseshin për emrin e tij dhe shpresonin për hir të tij. 
Tetë vjet më pas, në tetor 1999 kur ndiqte garën drithëruese për të njëjtin post përballë Pandeli Majkos e dinte më mirë se shumëkush tjetër se çfarë kishte pasur në dorë, çfarë kishte lënë t’i ikte nga dora dhe që ishte i gatshëm të bënte gjithçka kishte në dorë, në mënyrë që të shtinte sërish në dorë PS-në. Kështu ndodhi dhe ai u bë një nuse që nusëronte për herë të dytë, por që zhytej sërish në mëkatet e martesës së parë.
Dymbëdhjetë vjet më vonë ishte thjesht i vetëkënaqur dhe i mbushur me veten. I fryrë në pikën që konkuronte çdo balonë me ajër të nxehtë sepse ndjente që fluturonte ai para dhe historia pas tij, Nano hyri në një garë pa garë. Rifitoi postin e kryetarit me një shumicë dramatike kundër Rexhep Meidanit dhe Edi Ramës, por pa kuptuar se kishte shënuar pikën më të lartë në vota vetëm e vetëm që rrëzimi i pritshëm të ishte sa më i dhembshëm. Siç dhe ndodhi kur u largua nga pushteti në 2005-ën dhe u harrua me një shpejtësi të frikshme nga të gjitha ata që nxitonin të bënin gjithçka të ishin qoftë dhe një çast pranë vështrimit të tij, qoftë kur i mbulonte sytë me syze optike, qoftë kur i rinovoi me operacion me lazer. U bë bezdi e çdo individi që ishte sjellë me të si tapeti i lumtur që e shkelte këpuca e tij tallëse, pak “dyst taban”.
U rikthye në 2007-ën me ëndrrën presidenciale duke u përqafuar me ish-armikun e tij të betuar Berisha dhe duke ju lutur në distancë ish-mikut Rama. E zgjoi shpejt makthi i një të vërtete të thjeshte: e kishin harruar, e kishin konsideruar të shkuar që nuk ju dilte në llogaritë e të nesërmes. Në parlament e votoi për burrëri Paulin Stërkaj, por e refuzoi pa dilemë Taulant Balla, ish-shefi i tij i protokollit kur ishte kryeministër.
Edhe pesë vjet më pas ndryshoi historia duke prodhuar të njëjtën histori që e la atë jashtë oborrit të presidencës.
I vetëm dhe tërësisht jashtë politikës, Nano duket se nuk ka më as ambicje për të dalë sërish në skenën ku dikur shkëlqente me adoleshencën e tij të pandreqshme prej Piter Pani politik, me batutat tallëse për këdo, me stilin romak të gostive që nisnin në muzg e mbaronin në të gdhirë, me aftësinë e pabesueshme për të ndrequr portretin brutal të Berishës pas 97-ës dhe për ta bërë atë më të pranueshëm për shqiptarët e 2005-ës, me arrogancën e pandryshueshme brenda në Tiranë, me lehtësinë e rëndomtë me të cilat merrte gjërat serioze, me njërën dorë që rrokulliste zaret në kazino dhe dorën tjetër që priste fishat që duhej t’i “dhuronin”, me sjelljen mendjemadhe në një shoqëri që në thelb pak e njeh modestinë, Nano është pra, thjesht i vetëm në vetminë e tij. Që pak e ka zgjedhur vetë, pak se nuk ka pasur zgjedhje tjetër.
Në kongresin e këtij marsi të ish-partisë së tij që u hap nga Erion Veliaj, njeriu që i talli publikisht martesën e tij të dytë, Nano thjesht mungoi.
Erioni hapi perden e kongresit që e mbylli praktikisht Rama me fjalimin e tij kilometrik. I cili në mënyrë të papritur dhe të pabesueshme për të e përmend paraardhësin e tij që në fillim:“Çfarë na ka ndarë me të, nuk na ndan në dysh me historinë e kësaj partie”.
Nano e dinte që në thelb, ftesa për të ishte vetëm një kortezi politike plot bezdi.
Por për Ramën që e ftonte për të dytën herë për festimet e 25 vjetorit të PS-së, mund të ishte edhe ashtu, por edhe një akt i lëvdueshëm politik vetëqortimi.
Para Edi Ramës kongresin socialist e përshëndeti Ilir Meta. “Fituam së bashku dy fushata elektorale duke dëshmuar një të vërtetë të thjeshtë: që e majta e bashkuar është gjithmonë triumfuese”, tha aleati i socialistëve që kur iku nga shtëpia e së majtës i përzënë nga Nano në 2003-shin, grabiti nga ajo parti dy ”mobilje” që ata po i përdornin gjithmonë e më pak: unitetin dhe solidaritetin. Dhe me to, unitetin e solidaritetin dhe me shifrat e tij elektorale, ai vazhdon të imponojë zgjidhjen e dilemës: një të majtë të bashkuar e në pushtet apo një të majtë pa unitet dhe me solidaritet të dyshimtë në opozitë.
Këtë të shtunë, megjithatë, ftesa e refuzuar nga Nano shërbeu mbi të gjitha për të kuptuar një të vërtetë universale. Një të vërtetë që shkon për shtat edhe për individët, pavarësisht nëse quhen me një emër tipik komunist si emri Fatos apo kanë një emër Perëndimor si Edi. Ajo është një e vërtetë për Partinë Socialiste, shërben si e tillë edhe për gjithë Shqipërinë, për Ballkanin Perëndimor, për Evropën e ndoshta edhe për vetë njeriun në thelb, si qenie shoqërore: vetëm e përkohshmja është e përjetshme! Nëse dikush mendon ndryshe, thjesht nuk e kupton sepse në atë moment është në pushtet! Dhe pushteti është gënjeshtar si servilët. Sepse servilët janë gjithashtu të përjetshëm. Të përjetshëm në shkëlqimin e tyre prej tapeti të kuq të pushtetit të përkohshëm!
Javanews.al

Related

Opinione 2046791434017192549

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item