Këshilltari i Trump: Në Kosovë, serbët luftonin Al-Kaidën

Lista e këshilltarëve të kandidatit Donald Trump, për politikën e jashtme, është alarmuese Nga Ruben Avxhiu,   Illyria Kandidati r...

Lista e këshilltarëve të kandidatit Donald Trump, për politikën e jashtme, është alarmuese
Nga Ruben Avxhiu, Illyria

Kandidati republikan ka zbuluar sot më në fund, ekipin e këshilltarëve të tij në politkën e jashtme dhe në një shikim të parë është shumë shqetësuese.
Të paktën një prej këshilltarëve ka treguar herë pas here një injorancë alarmuese për zhvillimet në Kosovë e Ballkan, me pikëpamje të kopjuara tërësisht nga propaganda ruse dhe serbe për rajonin.
Donald Trump nuk ka përvojë dhe njohuri në politikën e jashtme dhe atë të sigurisë. Debatet dhe intervistat me median kanë dëshmuar se asgjë nuk është e garantuar sesi do të sillej ai në politikën e jashtme, nëse do të bëhej president. Prandaj, emrat e këshilltarëve që do ta rrethojnë ka shumë rëndësi.
Kjo listë nuk është e vetmja gjë shqetësuese që ka dalë sot nga intervista që Trump bëri me ekipin redaksional të gazetës së njohur “Washington Post”. Por po ndalem fillimisht aty.
Një anëtarët e grupit të vogël të këshilltarëve është Walid Phares, një profesor nga Libani, në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Washington DC. Ai është komentues i çështjeve të Lindjes së Mesme dhe terrorizmit botëror.
Ja si e përshkruan Phares ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë: “Një fushatë e gjithanshme e Al-Kaidës për të shkatërruar ushtrinë serbe, çoi në ndryshimin e regjimit në Serbi”.
Artikuj pas artikujsh, Walid Phares ka fajësuar Amerikën për tensionimin e marrëdhënieve me Rusinë, duke i interpretuar ato me lidhjen e ngushtë mes Rusisë dhe Serbisë dhe injorimin e interesave ruse në Kosovë.
Në fakt, e kundërta e kësaj është e vërtetë: Rusia filloi të interesohej seriozisht për Kosovën dhe Serbinë pasi u tensionuan marrëdhëniet me Perëndimin. Kosova ishte vetëm një pretekst për Moskën.
Phares është një injorant fund e krye, në mos pasqyron pikëpamjet e financuesve të studimeve të tij. Rusia nuk ka interesa të drejtpërdrejta në Serbi. Në 2003, Rusia i tërhoqi paqeruajtësit nga Kosova duke treguar një mungesë të theksuar interesi për të ardhmen e rajonit.
As nuk ishte përkrahja amerikane për Kosovën një nder që po u bënte vendeve myslimane si e përshkruan Phares. Jo më kot këto të fundit vonuan në njohjen e Kosovës, madje disa prej tyre ende ngurrojnë e madje bëjnë propagandë kundër njohjes së saj. Phares është i obsesionuar kundër myslimanëve po nuk shpjegon dot se pse të krishterët e Kosovës gjithashtu donin pavarësi nga Serbia apo se pse Rusia ka shprehur disa herë sinjale se nëse ia njohin aneksimet në Gjeorgji dhe Ukrainë, ajo mund ta njohë Kosovën.
Walid Phares është vetëm një nga anëtarët e grupi të këshilltarëve që udhëhiqet nga senatori nga Alaska, Jeff Sessions.
Ashtu si shumica e Republikanëve në Kongres në vitin 1999, ai nuk ishte dakord me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe në një debat në tetor të vitit 1999, të përshkruar nga “The New York Times”, ai e ka kritikuar Shtëpinë e Bardhë për cilësimin si sukses të ndërhyrjes në Kosovë.
“Spastrimi etnik filloi vetëm pasi filluam të bombardojmë ne”, tha ai kur Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, William Cohen deklaroi se NATO-ja kishte ndaluar spastrimin etnik të shqiptarëe në Kosovë.
Lista e këshilltarëve përfshin edhe një analist të ri, me origjinë greke, George Papadopoulos, që ka studjuar në Londër dhe që ka për ironi të njëjtin emër me udhëheqësin e juntës fashiste greke, të vitit 1967.
Çfarë ndikimi do të kenë këta njerëz në politikën e kandidatit Donald Trump, nëse zgjidhet president? Sa mund të ndryshojë politika amerikane në Ballkan e Europë, pas kaq dekadash investim energjish diplomatike, financiare dhe marrëdhëniesh publike?
Në këtë pikë, vetëm vetë kandidati republikan mund ta dijë. E mbase as ai jo. Jo vetëm që Trump nuk është i qartë, por ai edhe ka dëshmuar se mund të ndryshojë mendim e pikëpamje nga një intervistë në tjetrën. Jeta që ka bërë nuk i ka dhënë shumë kohë që të analizojë e mendojë për rolin amerikan në Ballkan.
Nga natyra, ai përbuz problemet e vogla dhe rajonet e vogla. Nuk është çudi që të sakrifikojë arritjet aty, apo t’ia delegojë punën dikujt afër vetes. Po kujt? A do të jenë po këta njerëz që e këshillojnë sot, në rrethin e tij në Shtëpinë e Bardhë?
Trump mund të mos fitojë dot as garën republikane, e jo më zgjedhjet e nëntorit, por pasi a kryesuar bindshëm, garën republikane deri tani, është normale që të fillojmë të mendojmë edhe skenarin që ai mund të bëhet President.
Një nga deklaratat veçanërisht shqetësuese që bëri në intervistën e sotme me redaksinë e gazetës “Washington Post” ishte që NATO po i kushton shumë Amerikës kështu që nuk e dinte nëse si President do të pranonte vazhdimin e jetës së saj. Për Putinin në Moskë, kjo deklaratë mund të ketë qenë muzikë e vërtetë. Për europianët është një kujtesë dhe jo e para, në histori, se e kanë marrë mbrojtjen amerikane si të mirëqenë, madje disa herë duke u ankuar prej saj, ndërkohë që largimi i Amerikës nga kontinenti i vjetër është e mundshme. Ky sinjal nga Trump nuk duhet të injorohet.
Nuk është thjesht një nga batutat e cekëta që i numërohen miliardierit nga Manhattan. Ai përsëriti gjëra që i kanë thënë edhe politikanë e analistë të tjerë para tij. Kemi problemet tona në SHBA. Kemi mbi 19 trilionë dollarë borxhe. Nuk do të falimentohemi duke mbrojtur të tjerët.
Vërtet, nga këshilltarë që kanë qenë kundra ndërhyrjes në Kosovë, te ana që kanë përqafuar propagandën serbe të Kosovës terroriste islamike, te të rinj, pa përvojë si analisti i energjisë nga Greqia, te vetë Trump që duket sikur pasqyron rrymën izolacioniste e unilateraliste, Amerika mund të hyjë në një fazë tjetër, në atë që ta lërë botën në kaosin e saj e të mbyllet në kullën e saj të fildishtë.
Është ngushëlluese për shqiptarët e për Ballkanin e Europën që kjo mund të ndodhë tani, e jo në 1999 apo 2008, po perspektiva është gjithësesi shqetësuese, në mos e frikshme. Edhe antiamerikanët më të mëdhenj, duhet ta kuptojnë mirë se sado i keq të jetë xhandari proverbial në karikaturat e tyre të Amerikës, më mirë me të se me ligjin e xhunglës të një bote pa superfuqi.

1 Like194 views

Related

Top Lajm 3706802307361785166

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item