‘Kam vajzën tuaj, dua 400 mijë euro’. Pjesë e skenarit edhe vajza e biznesmenit

Gjykata për Krimet e Rënda ka dënuar me 7 vjet burg në total tre të rinj të akuzuar për vendosjen e një gjobe 400 mijë euro ndaj një bizne...

Gjykata për Krimet e Rënda ka dënuar me 7 vjet burg në total tre të rinj të akuzuar për vendosjen e një gjobe 400 mijë euro ndaj një biznesmeni, duke inskenuar rrëmbimin e vajzës së tij.
Orion Hoxha dhe Nensi Çobo

Orion Hoxha dhe Nensi Çobo
Tre adoleshentet, një prej të cilëve vetë vajza e biznesmenit, u shpallën fajtorë për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes për marrjen e pasurisë”. Ndonëse dy prej tyre u gjykuan në masën e sigurisë “arrest në burg” vendimi përfundimtar i ka nxjerrë nga qelia.
Gjykata ka pezulluar ekzekutimin e dënimit me burg duke i lënë në liri me kusht. Një nga kushtet e urdhëruara nga togat e zeza është vajza e biznesmenit, i dashuri saj në kohën e ngjarjes dhe miku i tyre i përbashkët të mos shoqërohen me njëri-tjetrin.




Referuar vendimit të shpallur pak ditë te Krimet e Rënda, i pandehuri Orjon Hoxha u dënua me 2 vjet e 6 muaj burg, i pandehuri Kris Gjore me 2 vjet burg dhe e pandehura Nensi Ç., me 2 vjet e 6 muaj burg. Pasi përfituan uljen e një të tretës për shkak të gjykimit të shkurtuar, gjykata la në liri me kusht për një periudhë 3- vjeçare të pandehurit Orjon dhe Nensi, ndërsa i pandehuri Kris për 2 vjet.
Gjatë konkluzioneve përfundimtare janë shfaqur të penduar dhe kanë kërkuar mëshirë nga gjykata për masën e dënimit. Pas ngjarjes 18-vjeçarët Orion e Nensi dhe 19-vjeçari Kris pretenduan se ngjarja kishte qenë vetëm një lojë për të provuar dashurinë e biznesmenit ndaj vajzës së tij.
TELEFONATAT KERCENUESE
Referuar dosjes së Prokurorisë për Krimet e Rënda, tre të rinjtë u bënë “protagonistë” të një gjobëvënieje më 21 gusht 2015. Rreth orës 13:00 të kësaj dite, biznesmeni L.Ç. ka kallëzuar në Drejtorinë e Policisë Tiranë se rreth orës 12:15 në telefonin e tij me numër xxxxx241 ka marrë një thirrje nga numri xxxxx119, ku një zë mashkulli i ka thënë “Unë jam dikush që ka vajzën tuaj. Unë nuk kam asgjë personale me ju dhe e di që je njeri i mirë, por unë jam në hall dhe më duhen 400.000 (katërqind mijë) euro. Mos bëj asnjë tentativë të futësh policinë apo njerëz të tjerë në këtë punë”.

Pasi e ka mbyllur telefonin, shtetasi L.Ç., nuk e ka marrë seriozisht komunikimin e mësipërm, por rreth orës 12:23 ka marrë një telefonatë tjetër nga numri xxxxx169 dhe po i njëjti zë i ka thënë “Kam hall dhe ato lekët më duhen. Unë e di që ti i ke aq para. Mos fut njeri në këtë punë dhe as policinë”.
Personi që ka komunikuar ka qenë tepër i qetë dhe nuk ka shfaqur asnjë lloj shenje nervozizmi edhe pse L.Ç. i ka folur me një ton të ashpër. Sipas Prokurorisë, pasi ka verifikuar që vajza e tij Nensi Ç. nuk ndodhej në banesë dhe kishte të fikur numrin telefonin celular, kallëzuesi është nisur drejt D.P.Q. Tiranë për të bërë kallëzim.
DEKLARATAT
Në orët e pasdites të asaj dite, policia ka kryer shoqërimin e shtetasve Orion Hoxha, Kris Gjore dhe Nensi Ç., të cilët rezultoi se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë organizuar dhe kryerjen e telefonatës për shtetasin L.Ç., me anën e së cilës kanë shtrënguar me anën e kanosjes për përdorimin e dhunës ndaj vajzës së tij për fituar padrejtësisht pasuri.
“Këta shtetas, të pyetur me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, kanë deklaruar që Orioni dhe Nensi Ç., që është vajza e shtetasit L.Ç, kanë qenë të njohur midis tyre dhe kanë menduar për t’i marrë një sasi lekësh këtij të fundit. Për këtë ata do të improvizonin rrethana të tilla, sikur vajza e shtetasit L.Ç., shtetasja nën hetim N.Ç. ishte rrëmbyer dhe t’i telefonohej L.Ç, duke i kërkuar një sasi të madhe lekësh në këmbim të lirimit të saj. Për realizimin e këtij plani, Orioni kishte biseduar dhe me shtetasin nën hetim Kris Gjore, që ishte shoku i tij, i cili do të kryente telefonatën”, thuhej në dosjen e Prokurorisë.
REALIZIMI I PLANIT
Sipas Prokurorisë, në datën 21 gusht 2015 në orët e mëngjesit, Orioni është takuar me Krisin dhe kanë blerë një aparat telefoni dhe dy karta SIM me numrat xxxxx119 dhe xxxxx169. Orioni rreth orës 11:00 ka takuar shtetasen nën hetim Nensi Ç. dhe e ka dërguar në një dhomë hoteli si dhe i ka marrë telefonin e saj me vete, të cilin e ka fikur.
Rreth orës 12:00, Krisi në prezencë të Orionit ka marrë dy herë në telefon shtetasin L.Ç., duke i kërkuar 400 000 euro në këmbim të lirimit të vajzës së tij, e cila, sipas tij, ishte e rrëmbyer nga këta shtetas.
Pasi L.Ç. ka bërë kallëzim në polici, kjo e fundit ka pasur dyshime se në këtë veprim ishte përfshirë shtetasi Orion Hoxha dhe ka shoqëruar familjarë të tij, për t’u interesuar lidhur me veprimet e Orionit atë ditë.
I vënë në dijeni të këtij fakti, Orioni ka shkuar dhe ka takuar Nensi Ç., e cila priste në dhomën e hotelit dhe ka thënë që “…të shkonte në shtëpi sepse ishte bërë e madhe …”.
Kjo e fundit i ka telefonuar nënës së saj dhe polica ka kryer shoqërimin e më pas arrestimin e saj në flagrancë. Po ashtu, Policia ka kryer shoqërimin dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve Orion Hoxha dhe Kris Gjore.
ARMAND BAJRAMI

Related

Top Lajm 4007067603301737560

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item