Histori nga Jeta: Një gabim më njohu me njeriun e jetës

Të dashur lexues, historia ime nisi thjesht nga një copë letër dhe nga një keqkuptim. Besoj se kur të lexoni vazhdimin e historisë, do t...


Të dashur lexues, historia ime nisi thjesht nga një copë letër dhe nga një keqkuptim. Besoj se kur të lexoni vazhdimin e historisë, do ta mendoni ndryshe çdo mundësi që do t’ju ofrohet.

Unë punoja si kameriere në një lokal. Përveç pijeve, ne shërbenim edhe gjëra të ngrohta, por jo si në restorantet e mëdha. Njerëzit vinin për të ngrënë ndonjë drekë të lehtë kur e kishin shtëpinë larg dhe kështu, kalonin një vakt të shpejtë e të bollshëm. Unë në atë kohë isha e divorcuar dhe kisha një fëmijë. Isha rreth të 28-tave dhe punoja gjatë turnit të parë se vajzën e kisha 8 vjeçe dhe pasdite nuk kishte kush të kujdesej për të. Vinin nga të gjitha llojet e njerëzve, profesorë, inxhinierë, doktorë, të papunë etj. Mua nuk më ngacmonin, të them të drejtën, sepse punoja gjithmonë me një vajzë të re e të bukur 21 vjeçare dhe të gjithë i propozonin asaj. Unë kisha vuajtur me burrin tim dhe për momentin nuk doja të kisha burrë tjetër. Kishte raste kur më mungonte shumë, por e kaloja kohën duke iu përkushtuar vajzës. Pasi kaloi një kohë e gjatë që punoja në atë lokal, fillova t’i njihja klientët dhe të fiksoja disa prej tyre
që vinin më shpesh. Ndër ta ishte një djalosh rreth të tridhjetave. Ishte i gjatë dhe kishte një pamje prej aktori filmash. Ai ishte shumë i edukuar dhe si gjithë të tjerëve më buzëqeshte gjithmonë edhe mua kur i shërbeja. Na falënderonte sa herë ikte dhe kështu, pak nga pak, tek unë filloi të lindte një ndjenjë e re për këtë djalë. Unë zakonisht nuk jam edhe aq e dashur me njerëzit. Kjo nuk do të thotë që jam e pasjellshme, por nuk jam edhe aq e buzëqeshur. Pavarësisht kësaj, kur vinte ky djalosh, mua buzëqeshja më dilte vetvetiu. As vetë nuk doja, por nuk e ndaloja dot.

Një ditë, pasi kishte ngrënë, unë shkova të pastroja tavolinën e tij dhe pashë një copë letër ku ishte shkruar një numër telefoni. E futa menjëherë në xhep. Isha e sigurt që e kishte lënë për mua. Doja ta merrja në darkë kur isha në shtëpi vetëm, por mendova se do të ishte më mirë ta merrja të nesërmen para se të shkoja në punë. Të nesërmen u zgjova vonë dhe nuk kisha kohë për t’i telefonuar; duhej të merresha me vajzën e të përgatitesha edhe vetë për në punë.

Në punë po prisja me padurim momentin kur ai të vinte, por për çudi, ai nuk erdhi atë ditë. Mendova se i kishte mbetur hatri që nuk e mora në telefon, kështu që sapo mora pushimin e drekës, i telefonova:

– Alo, si jeni?

– Mirë faleminderit! Kush jeni ju?

– Ajo që më dhatë numrin e telefonit dje, kamerierja e lokalit…

– Oh, më fal, nuk ta njoha zërin. Faleminderit për telefonatën. Nuk besova se do të më merrje në telefon, megjithëse e lashë numrin…

– Desha të të merrja më parë, por nuk kisha kohë… – i thashë.

– S’ka gjë më mirë vonë, se kurrë! – tha ai me një humor të hollë dhe të këndshëm.

Me kaq e mbyllëm telefonatën e parë. Edhe pse kisha vendosur të mos lidhesha me një tjetër mashkull, për të do ta thyeja vendimin. Vazhdova punën dhe në darkë e mora përsëri. Sa po përshëndeteshim, ai dëgjoi vajzën që po më kërkonte t’i shikoja detyrat.

– Kush po të thërret “mami”? – më pyeti i habitur.

– Vajza ime, – i thashë.

– Pse ke fëmijë, në atë moshë që je ti?

– Po, sigurisht! Pastaj, besoj se jam në moshë të përshtatshme për të patur fëmijë…

– Oh, më fal, por ti je tepër e re. Ti je ende fëmijë vetë.

– Faleminderit për komplimentin, – qesha unë, – por jam 28 vjeçe. Edhe pak e mbush 29.

– Vërtet? Po nuk dukesh më e madhe se njëzet! Po habitem…

– Njëzet është ajo tjetra, jo unë. – i thashë, ende pa kuptuar asgjë.

– Cila tjetër? – ai vazhdonte të habitej dhe më tepër.

– Kamerierja tjetër që punojmë së bashku.

Nga ana tjetër e telefonit nuk u dëgjua asnjë zë. Kjo heshtje më bëri të kuptoja se kisha gabuar që e kisha marrë atë copë letër, pasi ai e kishte lënë për kolegen time e jo për mua.

– Oh, mos më thuaj se ti e ke lënë numrin për… – nuk i thoshja dot emrin e saj se dukej se do të më shembej tavani mbi kokë.

– Të lutem, më fal për keqkuptimin! – u shfajësua ai. Në fakt, ai nuk kishte pse të shfajësohej sepse gabimin e kisha bërë unë.

– Jo, jo, ju nuk keni faj unë gabova duke menduar se…

– I gjithë faji është i imi. Nuk duhej ta kisha lënë numrin im në tavolinë, por nuk po gjeja mënyrë tjetër. Më fal edhe një herë.

Ja pra se si u përmbysën gjërat me një të thërritur të vajzës “mami”. U mërzita shumë dhe nuk më bëhej të shkoja në punë. Nuk e dija se si do të sillesha kur ai të vinte për të ngrënë, por nuk kisha nga t’ia mbaja. Në punë duhej të shkoja se s’bën. Prita orarin kur ai vinte, por ai nuk erdhi, madje kaloi shumë kohë dhe ai nuk erdhi. Më dukej se ai nuk vinte ngaqë i vinte turp për ngatërresën që kishte bërë. Më dukej se dhe kisha bërë që ata të dy të mos takoheshin. Ndoshta po ta kishte pastruar tavolinën kolegia ime, tani ata të dy do të ishin të lidhur. Për këtë, vendosa t’i telefonoja.

– Po pate kohë, mund të pimë një kafe së bashku dhe të sqarohemi, – i thashë.

– Po, sigurisht, por nuk ka nevojë për sqarime. E kam për kënaqësi të pi kafe me ju.

U habita se prisja që ai të më thoshte se nuk kishte punë me mua, se gabimi i numrit ishte tashmë i harruar. U takuam në një kafe afër shtëpisë dhe unë kisha marrë edhe vajzën me vete. Të them të drejtën, jo se është vajza ime, por ajo është vërtet shumë e zgjuar.

– Më fal për ngatërresën. Ngaqë ti ishe shumë i sjellshëm me mua, mendova…

– S’ka gjë. Këto gjëra ndodhin. – tha ai tepër i qetë.

– Po unë padashje prisha një lidhje! – u mundova të justifikohesha.

– E ç’lidhje?! Me atë? Më mirë që ndodhi kështu.

– Më fal, se nuk më takon mua, por ti sikur e kishe me qejf të lidheshe me të.

– Fati im që numrin e more ti. Po ta kishte marrë ajo, tani unë do të isha në kthetrat e saj. Pyeta për të dhe mora vesh se ishte një vajzë që… – ai nuk deshi ta shante.

– Edhe unë që kam që nga ajo ditë që “vajtoj” se desh ju lashë pa martuar, siç thotë edhe ai teatri. – u përpoqa të bëja shaka unë.

Ia kaluam mirë atë ditë dhe për çudi, ai më mori në telefon sapo u ndamë.

– Faleminderit për këtë pasdite të mrekullueshme që kaluam. U kënaqa pa masë.

– Faleminderit ti që e pranove ftesën time. – i thashë.

Dhe kështu, ne u takuam disa herë e mes nesh pak nga pak sikur po lindte një ndjenjë e veçantë. Nganjëherë më dukej e pamundur, meqë ai nuk ishte nisur që të lidhej me mua, prandaj një ditë i thashë:

– Me të vërtetë ndjen për mua?

– Sigurisht. Ç’është kjo pyetje? Po të mos ndjeja, nuk do të rrija me ty.

– Ngaqë më shkon shpesh mendja te fillimi i njohjes sonë… Gjithmonë më del përpara se si e mora gabimisht atë letër.

– E ç’rëndësi kanë ato gjëra tani? Atëherë u nisa nga një fiksim koti, kurse tani çdo gjë është reale. Nuk ke pse ta mendosh më atë rast. Dakord, zemër?

– Dakord! – i thashë me bindje se fjalët e tij ishin tamam ato që duhet të besoja.

Ne u lidhëm me njëri-tjetrin dhe për më shumë ai ishte shumë i lidhur me vajzën time. Ajo ndjehej mirë me të dhe dukej se ishte vajza e tij, aq shumë u përshtatej ai tekave të saj.

Që nga ajo kohë, ne jemi bashkë dhe unë tashmë nuk punoj aty ku punoja më parë. Tani kam mbaruar një kurs parukerie dhe kam parukerinë time.

Jam e lumtur krah këtij djali dhe rrallë më bie ndërmend për mënyrën se si u njohëm. Megjithatë, doja t’ua tregoja të gjithëve që të kenë besim te shikimet. E them këtë se unë me shikimet dhe me sjelljen e tij u dashurova, edhe kur ai nuk e kishte mendjen tek unë. Por sigurisht është edhe fati, i cili më bëri ta merrja unë atë numër telefoni./intervista

Related

HISTORI NGA JETA 644298192696976515

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item