FATOS KLOSI: RROKU NUK KA BËRË NDONJË HEROIZËM QË TË INTERVISTOHET NGA MEDIAT

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Fatos Klosi, në një intervistë të shkurtër për gazetën “Shqiptarja.com” flet për rizgjimin e...


Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Fatos Klosi, në një intervistë të shkurtër për gazetën “Shqiptarja.com” flet për rizgjimin e një ngjarje të 15 viteve më parë, kur një oficer i SHISH, Marjan Rroku vrau në mënyrë makabre për motive të dobëta e me armët e shtetit një vajzë 16 vjeçare Alda Canajn e nënën e saj Mbarime Canaj në mes të kryeqytetit.
Ish-kreu i SHISH tregon se Rrokun e ka pasur student ë Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega e Fizikës Bërthamore, dhe në kohën e drejtimit prej tij të shërbimit sekret ishte rekrutuar në SHISH, pasi kishte mbaruar nje shkollë të Shërbimit Informativ. Klosi thotë se nuk i duhet bërë publicitet një ngjarje të ndodhur 15 vite më parë, pasi ish-oficeri i SHISH s’ka bërë ndonjë heroizëm, por ka vrarë dy femra, njëra nga të cilat minorene në moshën 16 vjeçare. Ish-kreu i shërbimit sekret thotë se vrasja vërtetë ka qenë në kushtet e rëndimit nervor, dhe pa asnjë lidhje logjike. Sipas tij një vrasje e tillë ka një autor dhe ai është ish-oficeri i SHISH që ka marrë dënimin sipas ligjeve të shtetit, me burgim të përjetshëm dhe nuk ka pse i bëhet publicitet vrasësit.

E njihnit Marjan Rrokun, ish-oficerin e Shërbimit Informativ Shtetëror të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një vajzë 16 vjeçare dhe nënës së saj 15 vite më parë?
Po e njihja. Ka qenë student në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega e Fizikës Bërthamore në Universitetin e Tiranës. Ka qenë një student i mirë dhe me rezultate të mira. Këtë mbaj mend unë që nga ajo kohë, megjithëse është një kohë e largët që nga periudha kur e kam pasur studentë.


Ndërkohë që Rroku është rekrutuar si oficer i Shërbimit Informativ Shtetëror në periudhën kur ju keni qenë Drejtori i SHISH. Si u ingranua në shërbimin inteligjent..?
Gjithçka është bërë sipas të gjithë rregullave dhe të ligjit për Shërbimin Informativ Shtetëror. Bëra një ftesë për ish-studentët e Fizikës Bërthamore, të cilët i njihja, për t’u bërë pjesë e strukturave të Shërbimit Informativ Shtetëror. Disa iu përgjigjen thirrjes, mes të cilëve edhe Marjan Rroku, dhe pranuan që të jenë pjesë e SHISH. Pas kësaj ai bëri shkollën e Shërbimit Informativ dhe u titullua oficer i SHISH, duke filluar menjëherë punën në një nga sektorët e këtij Shërbimi. Ai ishte një oficer i ri i SHISH e nuk kishte shumë kohë në Shërbimin Informativ Shtetëror.
Në një intervistë për një emision televiziv ish-oficeri i SHISH Marjan Rroku rrëfeu për herë të parë se e kishte bërë vrasjen, por në kushte të rënda psikike. Madje nuk e mbante mend çfarë kishte bërë, apo dhe si kishte lëvizur nga vendngjarja. Si e komentoni këtë rrëfim të tijin pas 15 vitesh?
Unë që të jem i sinqertë nuk e kam parë intervistën që është transmetuar me ish-oficerin e SHISH, Rroku. Por ajo që mund të them është se, normalisht që ai ka treguar të drejtën kur thotë se nuk mbante mend asgjë, nuk ka qenë në vete dhe se ka humbur logjikën. Të vrasësh dy njerëz, aq më tepër një vajzë të re 16 vjeçare dhe nënën e saj, vetëm një njeri që ka humbur logjikën, ka humbur mendjen dhe nuk është në vete mund ta bëjë. Dhe të vrasësh pa asnjë arsye dy njerëz, është përtej humbjes së logjikës, është një krim që tashmë ka marrë ndëshkimin sipas ligjeve të shtetit.
Një njeri me mendje normale nuk mund të bëjë vrasje të tilla, aq më tepër të vrasë dy femra. Prandaj them se ai ka treguar të vërtetën kur thotë se vrasjet që ka kryer as që i mban mend dhe ka qenë në kushte jashtë normales. Ai ka qenë në kushtet e një tronditje të thellë nervorë kur ka bërë krimin e vrasjes së dy njerëzve, të dy femrave nënë e bijë, për të cilin ka marrë dhe dënimin që i takon sipas ligjit nga drejtësia.
Dy ditë me radhë mediat përmes intervistave dhe nxjerrjes së materialeve arkivore i kanë dhënë një vend qendror kësaj ngjarjeje të 15 viteve më parë, të për cilën është dhënë dhe një dënim me burgim të përjetshëm. Komenti juaj?
Mua më duket absurde që të nxirret nga arkivi një ngjarje e tillë, kur kanë kaluar 15 vite nga vrasja vajzës 16 vjeçare dhe nënës së saj nga ana ish-oficerit të Shërbimit Informativ Shtetëror. Marjan Rroku nuk ka bërë asnjë heroizëm që t’i rikthehen mediat tani, duke i dhënë këtë hapësirë dhe vëmendje shumë të madhe. Përkundrazi ka bërë një krim shumë të madh, ka vrarë një vajzë 16 vjeçare dhe nënën e saj, ka vrarë dy femra të pafajshme pa asnjë arsye, pa asnjë shkak dhe mes të kryeqytetit.
Nuk është e drejtë që pas 15 vitesh të bëhet sërish publike një ngjarje e cila është mbyllur në mënyrë tragjike për një familje që ka humbur dy nga njerëzit më të afërt, dhe për të cilin organet kompetente kanë dhënë dënimin me burgim të përjetshëm për vrasësin. Duhet të tregohen të kujdesshëm pasi lëndohen njerëz, lëndohen plagët e tyre që ende nuk janë mbyllur./shqiptarja.com

Related

Intervista 8139363201037422950

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item