Erozioni i moralit në politikë

Arbën XHAFERI, 2011 “Kush është për moralin në politikë le të shkojë në kishë”. Thuhet se autori i këtij vlerësimi paska qenë kryemi...

Arbën XHAFERI, 2011

“Kush është për moralin në politikë le të shkojë në kishë”. Thuhet se autori i këtij vlerësimi paska qenë kryeministri i vrarë serb, Zoran Gjingjiq. Ky qëndrim politik kryesisht lidhet me euriditin e periudhës së Renesancës, Nikolo Makiviali( 1469-1527). Ata që vend e pavend e keqpërdorin maksimën e tij” Qëllimi i arsyeton mjetet”, si duket nuk janë të informuar se, të paktën në shtetet e mirëfillta demokratike, kjo maksimë ka pësuar ndryshime. Tani më nuk mjafton që qëllimet të jenë të moralshme, por edhe mjetet duhet të jenë të tilla. Ky ndryshim u arrit përmes standardit që garanton respektimin e të drejtave të njeriut. Aty ku ato nuk respektohen shfaqen kriza me efekte rrënuese.
Popujt që nuk kanë tradita politike, popujt që nuk kanë ndërgjegje demokratike e perceptojnë politikën si mjeshtri manipuluese, si dredhi që përmes një gojëtarie të zjarrte fsheh interesat individuale apo grupore, duke i paraqitur ato si vlera gjithëkombëtare, apo univerzale. Suspendimi i moralit në politikë e bën atë një instrument të fuqishëm që lehtëson abuzimin në shumë drejtime, duke filluar nga përvetësimi i të mirave materiale e deri te ndikimi në procesin e vendimmarrjes.
Ata që me plot gojë thonë se morali nuk ka vend në politikë, megjithatë, në luftën për pushtet, shërbehen me teknikën e diskualifikimit moral të kundërshtarit. Amoraliteti në politikë shihet te liria e njollosjes morale të oponentit derisa nuk arrihet qëllimi kryesor: relativizmi i fajit. Kjo përtharje e ndjeshmërisë morale bëhet pastaj arma e fuqishme e mbijetesës politike të atyre që në vend të platformës ofrojnë katalogun e veseve të oponentit. Kjo dukuri mori trajta histerike, sidomos në shoqëritë dhe shtetet që sapo u çliruan nga regjimet diktoriale. Qytetarët e këtyre shteteve sollën me vete aftësinë dhe përvojën e njollosjes, atë të fletë-rrufeve të dikurshme, ku çdokush çdokënd e njolloste, nëse këtë e kërkonte vëllai i madh. Në shtetet e mirëfillta demokratike, megjithatë abuzimet, sidomos ato morale nuk tolerohen. Asnjë autoritet politik nuk mund të mbrohet nëse janë dokumentuar shkeljet e normave ligjore ose morale…Ish kancelari gjerman, Helmut Koli, bashkuesi i dy Gjermanive u hodh në gjyq për shkak se në mënyrë jo të rregullt paska deponuar në arkën e partisë së tij (CDU-së) një donacion prej 20.000 markash gjermane.
Një shembull tjetër, ai i “impeachmentit”( verifikimi i ndershmërisë së një zyrtari të lartë) ndaj presidentit amerikan Bill Klinton dëshmon të paktën se morali në shoqëritë demokratike të konsoliduara ende ka peshë.
Përjashtimi i parimeve morale nga politika është më i kapërdishëm nëse bëhet fjalë për një grup tjetër etnik, religjioz, gjuhësor. Në raste të tilla as që hapen debatet, madje, mbi këto shkelje drastike të normave morale dhe qytetëruese ndërtohet homogjeniteti mbi baza etnike. Shembull tipik për këtë pohim është procesi i transformimeve politike në Jugosllavi, përkatësisht në Serbi në tridhjetë vitet e kaluara.
Shoqëria serbe u homogjenizua mbi parimet e hegjemonizmit, përkatësisht anti-shqiptarizmit, ngaqë me këtë politikë suspendoheshin të drejtat vitale të shqiptarëve. Simboli i kësaj politike ishte Millosheviqi. Kjo politikë vazhdon të kultivohet edhe pas vdekjes së tij, edhe pas rrënimit të strukturave dhe të mekanizmave që ishin nën kontrollin e tij. Ai më nuk ekziston, mirëpo politika e tij, sidomos ajo ndaj shqiptarëve dhe Kosovës frymon po me atë intensitet. Ai nuk u mënjanua nga skena politike për shkak se përuroi politikën shfarosëse ndaj shqiptarëve, por për shkak se nuk e realizoi projektin, pastrimin etnik në Kosovë. Argumenti kryesor për këtë pohim të rëndë është ligjërimi (diskursi) politik i atyre që erdhën pas tij, Koshtunica, Tadiqi, Jeremiqi etj.
Gjenerata e re e politikëve serbë i dënon veprimet e administratës së Millosheviqit, por jo edhe qëllimet e politikës së tyre. Këta politikanë të “Serbisë së tjetër” kërkojnë, madje më sistematikisht ato qëllime që i pat përuruar Millosheviqi-Kosovën në Serbi. Slogani kryesor i V.Koshtunicës në zgjedhjet e fundit ishte “Kosova është Serbi”.
Ringjallja e këtyre kërkesave ka një gradacion që sajohet prej deklaratave primitive, rrugaçe, siç janë ato të Sheshelit e deri te ato fine, cinike të presidentit aktual, Tadiq dhe ministrit të tij të punëve të jashtme Vuk Jeremiq. Deklaratat e këtij të fundit gëlojnë nga cinizmi, gënjeshtra, amoraliteti.
Filozofët cinizmin e përkufizojnë si gënjeshtër e arsimuar. Kjo shihet më së miri në ligjëratën e ministrit serb të punëve të jashtme, Vuk Jeremiq, të mbajtur më 17 mars 2011, në qendrën Hastert, në kolegjin Viton që është instituti më prestigjioz të krishterimit ungjillor të SHBA-ve. Në këtë ligjëratë ai bëri përpjekje që duke shënuar 7 vjetorin e protestave të 17 marsit 2004, t’i përsëritë edhe njëherë paragjykimet bajate serbe. Duke marrë parasysh fizionominë religjioze të këtij kolegji, ministri serb i punëve të jashtme e pa të udhës që ligjëratën e tij ta fillojë me psalmin 74:
“…klithin armiqtë e Tu në kuvendin e të Tuve.
zakonet e tyre i vënë në vend të tonave…
me zjarr i dogjën vendet e tyre të shenjta…
në shpirtin e tyre thënë:t’i shfarosin njëherë e përgjithmonë…”
Me këtë uzurpim keqpërdorues, blasfemik të shembujve nga Bibla, ministri gjysmë mysliman serb, Jeremiq përpiqet të vendosë një parabolë ndërmjet fatkeqësisë së popujve biblikë me atë serb. Ai me vetëdije të plot i baltos shqiptarët, pa fije të keqardhjes për 14000 civilë shqiptarë mizorisht të vrarë, 150 000 shtëpi të djegura, me mija gra të dhunuara dhe duke heshtur të gjitha këto, me cinizëm shpreh bindjen se auditori do të kuptojë se ç’paskan bërë shqiptarët e Kosovës më 17 mars 2004. Duke heshtur motivet e protestës, mbytjen e katër fëmijëve shqiptarë nga serbët ende të paidentifikuar, duke heshtur faktin se me këtë rast u vranë dyfish më shumë shqiptarë se serbë, si dhe faktin se vandalizmi i objekteve të kultit serb filloi pasi që në Beograd dhe Nish u dogjën paraprakisht xhamitë e vetme (të tjerat u rrënuan fill pas tërheqjes së Perandorisë Osmane nga këto territore), Jeremiq përpiqet që para një auditori konservativ religjioz amerikan t’i paraqesë shqiptarët si myslimanë fanatikë, ndërkaq serbë si viktima krishtere . Në mënyrë të pamoralshme ai e hesht faktin se në periudhën osmane, falë shqiptarëve, të gjitha objektet e kultit serb që kanë rëndësi, janë mbrojtur deri në ditët e sotme. Fundja marrëzia shqiptare zgjati vetëm tri ditë, ndërkaq ajo serbe vazhdon me qindra vjet.
Në manirin e identifikimit të shqiptarëve me Azinë dhe të serbëve me Krishterimin, këto ngjarje u kodifikuan me fjalë që krijojnë asociacion me të kaluarën e hebrenjve, si pogrom, netë e kristaltë etj. Në vazhdë të krijimit të dikotomisë ndërmjet shqiptarëve myslimanë dhe serbëve të krishterë ai përsëri citon Biblën, përkatësisht librin për Gjonin: “… edhe në çaste të pikëllimit trishtues nuk duhet harruar besimin dhe shpresën “. Ai shpreh bindjen e tij se Zoti nuk do ta lerë vetëm grigjën e tij ( natyrisht serbët) dhe se vuajtja është e përkohshme, ndërkaq shpresa (për riokupim të Kosovës)është e amshueshme. Në vijim të idealizimit të serbëve si popull që beson në zotin e vërtet, ky ministër, në mënyrë të padurueshme e citon një thënie biblike: “duaje armikun tënd”. Të shërbehesh me këtë porosi fisnike dhe të urtë krishtere, pas të gjitha krimeve që serbët, përkatësisht forcat e ndryshme ushtarake dhe siushtarake bënë në të gjitha hapësirat ish-jugosllave është shenjë e imoralitetit, mungesës së ndjeshmërisë morale.
Ky ministër si duket vuan nga sëmundja e Alzheimerit dhe pastaj, lehtë-lehtë flet për natyrën jo violente, krishtere të serbëve. Në këtë ligjëratë ministri cinik i punëve të jashtme të Serbisë kontestin serbo-shqiptar e trajton si luftë për identitet. Ai e shpall Kosovën si ajër pa të cilën nuk mund të jetojë serbi, si djep sakral i serbëve. Këto pohime janë sa cinike po aq edhe agresive dhe joreale. Këto ditë shefi i këtij ministri, presidenti serb Tadiq, e desakralizoi Kosovën duke e trajtuar si interes tokësor. Ai, në disonancë me veten dhe të tjerët, tha se nuk është e drejtë që, lidhur me kontestin serbo-shqiptar, njëra palë të fitojë gjithçka (shqiptarët) dhe pala tjetër, serbët, të humbë çdo gjë. Prandaj, presidenti pragmatik që ia hoqi tisin mitit serb për Kosovën, e ftoi Shqipërinë për dialog për ndarje të Kosovës, për ta zgjidhur kështu, si tregtarët në aksham-pazar, kontestin 100 vjeçar serbo-shqiptar. Duke cituar ish-patriarkun serb Pavle, i cili e përkufizon Kosovën si gurrë e traditës shpirtërore dhe shtetërore, si zemrën dhe shpirtin serb, si pjesë e pashkëputshme të qenies serbe, ministri serb i punëve të jashtme Jeremiq, krijon relacionin e ngjashmërisë ndërmjet Kosovës me Veli Forxhin dhe Jorgtaunin, me Allamon dhe Getisburgun, me Perl Harburin dhe Ivo Xhinon. Të gjitha këto vlejnë sa Kosova për serbët. Ajo për serbët qenka si drita e syrit, si Jerusalemi…
Pas tiradave sakrale dhe patetike për Kosovën si djep të qenies serbe, ministri serb kalon në dimensionin ku identifikohet Kosova edhe shqiptarët me të ligat e botës moderne, prej krimit të organizuar, korrupsionin e deri te tregtia monstruoze me organe njerëzore. Duke e trajtuar raportin e sharlatanit Dik Marti, si diçka të mirëqenë, ministri serb, Jeremiq, ministër i shtetit dhe popullit që i vrau të gjithë presidentët, pos Titos dhe Millosheviqit, i një shteti që është zhytur në korrupsion në çdo segment të jetës, merr guximin të thotë edhe pas konstatimit të GJND-së në favor të Kosovës, se pozita ndërkombëtare e saj qenka e pambrojtshme! Gjithë këtë mish-mash religjioz, nacionalist, imoral, të gënjeshtërt ai e përfundon me fjalinë e shkëputur nga opusi i porosive të Martin Luter Kingut “ejani së bashku ta shkruajmë psalmin e paqes”. Rolin e të pafajshmit e luanin të gjithë udhëheqësit serbë në Gjykatën e Hagës. Ata mohonin krimet ose të paktën i arsyetonin mjetet çnjerëzore për t’i realizuar qëllimet “sublime”serbe. Asgjë nuk mund të trajtohet si qëllim “sublim” nëse mjetet nuk janë të moralshme. Stigmatizimi i vazhdueshëm i shqiptarëve është në korrelacion të drejtpërdrejtë me erozionin e moralit në politikën serbe.

Related

Top Lajm 1812180225129344268

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item