Eni Vasili trondit me 10 histori nga burgu i grave

10 gra që kanë vrarë dhe që pendohen në rrëfimet e tyre të gjata para gazetares Eni Vasili.  Histori dhimbjeje të grave shqiptare të k...


10 gra që kanë vrarë dhe që pendohen në rrëfimet e tyre të gjata para gazetares Eni Vasili. Histori dhimbjeje të grave shqiptare të keqtrajtuara që nga lindja, të nëpërkëmbura, të vetme në betejën e tyre të mbijetesës, shpesh të paafta për të vendosur për fatin e tyre e duke u bërë në fund… vrasëse.
“Unë kam vrarë” është një pohim tronditës, por pas këtij pohimi qëndrojnë histori të gjata jetësh të vuajtura, pa besim, pa rrugëdalje. Janë 10 gra që kanë vrarë dhe që pendohen në rrëfimet e tyre të gjata para gazetares Eni Vasili. Janë histori të frikshme të grave shqiptare të keqtrajtuara që nga lindja, të nëpërkëmbura, të vetme në betejën e tyre të mbijetesës, shpesh të paafta për të vendosur për fatin e tyre duke përfunduar në fund…në vrasëse. Libri i gazetares Eni Vasili, botim i UET-Press do t’ju drithërojë, do t’ju bëjë të qani dhe të vuani bashkë me këto gra që vuajnë dënimin me burg për vrasje. Ky libër vjen me një parathënie nga shkrimtari i madh Ismail Kadare, i cili ndër të tjera thotë; “Libri i Eni Vasilit nuk mëton të merret me tiparin universal të dukurisë. As të shtrojë pyetje, për të cilat përgjigjet janë shpesh të pamundura. Siç e ka treguar vetë, profesioni e ka shtyrë gazetaren e re jo thjesht te pyetja, përse kishte ende vrasje në këtë botë, duke përfshirë edhe vendin ku ajo jeton”.
Po si lindi ky libër me rrëfime? Ai lindi nga kauza për faljen e Nazime Vishës, një vajze që vrau burrin që e kishte dhunuar tërë jetën e saj. Hyrja në atë burg për të njohur Nazimen e çoi Enin te histori të ngjashme, te gra të tjera, secila me nga një histori.
“Hera e parë që kalova pragun e një burgu ishte kur do të intervistoja Nazime Vishën, në nëntor të vitit 2013, kur Ismail Kadareja dhe Dritëro Agolli, së bashku me disa personalitete të tjerë të kulturës shqiptare, më besuan publikimin e kërkesës për faljen e saj në programin tim “Studio e Hapur”. Që nga dita kur hyra pas atyre dyerve të rënda, shumë gjëra ndryshuan në perceptimin tim për botën, për realitetin shqiptar, për jetën e gruas, për seksizmin, maskilizmin, mungesën e emancipimit shoqëror, për injorancën, për varfërinë dhe mizorinë në shoqërinë ku jetojmë. Nuk do ta kisha besuar kurrë që vetëm pak kilometra larg shtëpisë sime, qenie njerëzore, të së njëjtës gjini me mua, merrnin frymë në një tjetër epokë, ndoshta në Mesjetë, ku lindnin dhe vdisnin pa jetuar, si skllave të devotshme”, shkruan gazetarja Vasili në hyrjen e librit të saj.
Intervistat janë realizuar në burgun 325 në Tiranë, ku po vuajnë dënimin 55 gra, dhe në rrëfimin e tyre vijnë 10 gra që janë dënuar për vrasje. Autorja thotë se me rrëfimet e tyre ato i “dhuruan një këndvështrim unik, të papërsëritshëm, një sferë kristali për të kuptuar disa të vërteta që mund t’i njohësh vetëm po të hysh aty brenda”.
Historia e këtyre grave nuk nis në momentin kur ato kryejnë vrasjen, por shumë më herët, ndoshta që në momentin që lindën vajza, të destinuara për të vuajtur , për t’u nëpërkëmbur. “Janë 10 histori jete, 10 histori mëkati, 10 vrasje që mund të mos kishin ndodhur, që mund të ishin ndaluar. Janë 20 fate njerëzore të bashkuara në një simbiozë të mistershme deri në përjetësi, në simbiozën e ekzekutuesit dhe viktimës, ndonëse në disa prej historive që do të lexoni, do ta keni të vështirë të kuptoni kush është realisht viktima dhe kush vrasësi. Rrëfimet janë ndërtuar në formën e intervistave, jo pa qëllim. Ajo që libri merr përsipër të tregojë janë të vërtetat e të dënuarave, ngjarjet sipas tyre, përjetimet dhe interpretimet e këtyre grave në vetë të parë, pa pretenduar aspak që ato që tregojnë të jenë të vërtetat absolute. Rrëfimet shoqërohen, gjithashtu, me një përmbledhje të arsyetimit dhe të vendimit të gjykatave, për t’i dhënë lexuesit gjithë instrumentet, që të mund t’i gjykojë këto histori, po edhe për të zgjedhur të vërtetën, që mund të besojë”, shprehet Vasili.
Po puna e gazetarit ndonjëherë mund të jetë vrasëse për atë që bën dhe Eni kujton lodhjen psikologjike që përjetonte pas intervistave me këto gra. “Nuk kam realizuar kurrë asgjë më të vështirë se këto intervista dhe, pa filluar ende, pandehja se vjelja e rrëfimeve do të kishte qenë një proces tashmë i njohur për mua. U përballa jo vetëm me reagimin e mendjes time ndaj tmerrit të këtyre historive, por edhe me reagimin e pazakontë të fizikut tim, i cili, në fund të çdo interviste i ngjante një trupi të lodhur nga një punë fizike sfilitëse. Pas historive të para plandosesha në shtrat për ditë me radhë, në një gjendje dobësie e jermi të pakuptimtë, të cilën ma zbardhi mikesha ime londineze, Arlinda Cerga, një PHD në psikologji, kur më tha se po bëja një eksperiment të rrezikshëm me veten dhe më shpjegoi protokollet që profesionistët përdorin në të tilla raste. Që nga ajo kohë, pas përballjeve me burgun dhe me historitë e grave, i drejtohesha psikologut që të shkarkoja ngarkesën emocionale dhe të gjeja mbështetje profesionale për të vazhduar punën”.
Po çfarë i bën të forta këto histori? Sipas Vasilit është rindërtimi i tyre real që shfaq pas një vrasjeje të gjitha problemet e shoqërisë shqiptare. “Do të shihni se si pasioni, varfëria, emigracioni, injoranca marrin formën e një arme vdekjeprurëse dhe përdoren deri në skenarët e të paimagjinueshmes, deri në skaj të krimit, kur nëna vret birin e saj. Këto dhjetë gra më treguan se askush nuk është i paprekshëm nga e keqja, më treguan se si kurrë nuk e kishin përfytyruar se një ditë do nënshkruanin mbi një letër të bardhë në një komisariat policie: “Unë kam vrarë…”, shkruan Vasili në librin e saj.


Related

Top Lajm 7886469077883534074

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item