Ekspertët: Kosova e Ballkani mund të vihen në shënjestër të sulmeve terroriste

Një numër qytetarësh nga Kosova i janë bashkuar organizatave terroriste që luftojnë në Lindjen e Mesme. Numri i tyre sipas policisë është ...

Një numër qytetarësh nga Kosova i janë bashkuar organizatave terroriste që luftojnë në Lindjen e Mesme. Numri i tyre sipas policisë është rreth 300. Ekspertët thonë se kjo e rrit rrezikun, edhe pse aktualisht jo akut


Kosova ka rritur masat e sigurisë në të gjitha rajonet e Kosovës, pas sulmeve terroriste në Bruksel, me qëllim të parandalimit të incidenteve të mundshme, thonë zyrtarë të policisë. Sipas tyre, policia dhe institucionet e tjera të sigurisë bëjnë vlerësime të vazhdueshme lidhur me nivelin e kërcënimit, përfshirë edhe kërcënimin nga terrorizmi. “Tash për tash nuk ka ndonjë indikacion apo informacion konkret për ndonjë sulm të mundshëm terrorist në Kosovë, mirëpo, as Kosova nuk mund te jete imune ndaj këtij fenomeni sikurse nuk janë edhe shtetet më të zhvilluara në rajon e më gjerë.
Institucionet e vendit janë të gatshme që varësisht nga situata të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme me qëllim të parandalimit të çfarëdo lloj kërcënimi ndaj sigurisë së vendit në përgjithësi dhe kundër qytetarëve të saj në veçanti”, thuhet në një deklaratë të policisë së Kosovës.
Kosova ka kohë që është rreshtuar përkrah aleancës globale në luftë kundër terrorizmit dhe radikalizmit. Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, thotë se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të bashkëpunojnë me organet e rendit sepse vetëm kështu, mund të shtohet siguria në vend dhe parandalohen incidentet e mundshme. “Kosova ka treguar përkushtimin e saj që ta ruaj paqen dhe që të jetë pjesë e luftës kundër çdo veprimi të keq, të ndërtoj raporte të mira ndëretnike dhe ndërfetare. Unë ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të jemi pjesë e këtij përkushtimi. I ftoj të gjithë qytetarët tanë që janë në fronte të luftës, të dalin nga këto fronte, fronte të cilat janë në dëm të vetes së tyre, viktimave atje dhe mund të jenë në dëm edhe në vendit tonë. Organet e sigurisë së Kosovës po i marrin të gjitha masat që ta shtojnë sigurinë në vend. Kërkoj bashkëpunim të të gjithë qytetarëve tanë, që ta shtojmë sigurinë në vend, duke qenë kështu pjesë e sigurisë globale”, tha kryeministri Isa Mustafa nga foltorja e Kuvendit të Kosovës.
Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës i është bashkuar organizatave të shpallura terroriste që luftojnë në Lindjen e Mesme. Numri i tyre sipas policisë është diku rreth 300 persona. Njohësit e çështjeve të sigurisë, thonë se numri i madh i qytetarëve të Kosovës që iu janë bashkuar organizatave terroriste, megjithatë e bën Kosovën një vend ku nuk mund të thuhet se nuk ka rrezik nga sulmet terroriste.
Kosova e Ballkani mbeten të rrezikuar
Njëri prej ekspertëve, Burim Ramadani, njohës i çështjeve të sigurisë mendon se “Kosova, njësoj si vendet e rajonit, është në një shkallë më të ulët të rrezikut nga sulmet terroriste nëse e krahasojmë me vendet kryesore evropiane. Por, rreziku mbetet kryesisht në bazë të numrit tejet të madh të qytetarëve të Kosovës që i janë bashkëngjitur organizatave terroriste. Në fakt, Kosova dhe Ballkani mund të bëhet shënjestër e sulmeve terroriste në periudhën kur sulmet e tilla në vendet evropiane pamundësohen. Në atë kohë, sigurisht se organizatat terroriste do të tentojnë të japin mesazhe të prezencës së tyre në Kosovë dhe në Ballkan”, thotë Burim Ramadani.
Sipas Ramadanit, në linjën e ngritjes së masave të sigurisë, Kosova duhet të ngrejë një qendër “fuzionuese” që shpërndan informacionet në kohë reale. “Kosova nuk duhet që vetëm pas rasteve të caktuara nëpër Evropë të rris masat e sigurisë. Kosova duhet të fuqizojë ndjeshëm inteligjencën dhe institucionet e sigurisë. Duhet të vendos mekanizma të përhershëm, sikurse edhe të përmirësojë shkëmbimin e informacioneve midis sektorit të sigurisë. Pra, duhet të themelojë një qendër fuzionuese midis institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës, për të shpërndarë informacionet në kohë reale, 24/7. Po ashtu, duhet të përmirësojë kontrollin e kufijve dhe të trajtojë në mënyrë strategjike deradikalizimin në tërësi”, thotë Burim Ramadani.
Kosova ka kohë që i është bashkuar aleancës globale kundër terrorizmit dhe radikalizmit dhe në këtë linjë ka ndërmarrë një sërë masash të sigurisë.
Hapat konkret që janë ndërmarrë, janë: Ligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës, hartimi i strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, që rezulton në terrorizëm e që udhëhiqet nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, si dhe përkrahja e plotë e ofruar për mekanizmat e rendit dhe drejtësisë që të kryejnë detyrat e tyre në këtë drejtim.
Megjithë këtë, Kosova vazhdon të renditet ndër vendet me pjesëmarrje shumë të lartë të qytetarëve të saj në luftërat në Lindjen e Mesme përkrah organizatave tashmë të shpallura terroriste nga OKB, si janë “ISIS dhe Al-Nusra”. Numri i të rinjve kosovar përkrah ISIS-it, në periudha të ndryshme llogaritet të jetë rreth 300, ku 50 prej tyre thuhet se janë vrarë. Që nga viti 2014, parlamenti i Kosovës ka miratuar ligjin që u ndalon qytetarëve të Kosovës të marrin pjesë në luftërat jashtë Kosovës.
Burimi: Deutsche Welle

Related

Top Lajm 3528078360044048685

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item