Dashuria në Arabinë Saudite në epokën e teknologjisë

Sauditët, në mënyrë të kujdesshme, kanë sfiduar traditat e ngurta të shoqërisë së tyre, duke përdorur internetin për të flirtuar dhe bis...


Sauditët, në mënyrë të kujdesshme, kanë sfiduar traditat e ngurta të shoqërisë së tyre, duke përdorur internetin për të flirtuar dhe biseduar. Gjithashtu, shumë platforma mediash sociale u mundësojnë atyre një vend të sigurt për të ndjekur lidhjet jashtëmartesore dhe madje edhe të gjejnë njeriun e jetës

Arabia Saudite nuk i kursen masat e ashpra kur bëhet fjalë për të dënuar ata persona që dashurojnë në kundërshtim me rregullat e tyre të islamit. Por kjo mënyrë sjelljeje nga mbretëria konservatore ka bërë që shumë të rinj të përqafojnë rrjetet sociale për të ndjekur lidhjet e tyre dhe të planifikojnë takime me njeriun e zemrës.

Në një vend, i cili ka rregulla shumë të forta të segregimit gjinor, djemtë dhe vajzat e pamartuara që takohen njëri me tjetrin, mund të përballen me dënime të forta nga policia fetare.

Sauditët, në mënyrë të kujdesshme, kanë sfiduar traditat e ngurta të shoqërisë së tyre, duke përdorur internetin për të flirtuar dhe biseduar. Gjithashtu, shumë platforma mediash sociale u mundësojnë atyre një vend të sigurt për të ndjekur lidhjet jashtëmartesore dhe madje edhe të gjejnë njeriun e jetës.

“Të gjitha shoqet e mia flasin me djem në rrjetet sociale”, thotë një vajzë 23 vjeçe. Ajo tregoi edhe për takimin që pati me ish të dashurin e saj nëpërmjet “Facebook”-ut.

Ajo kujton se marrëdhënia e tyre shkoi deri aty, sa të dy bënin ekskursione të fshehta në makinën e të dashurit, madje nuk mungonin edhe takimet e zjarrta. Për shkak të ndjeshmërisë që ka në shoqërinë saudite kjo çështje, të intervistuarit preferuan që të flisnin në kushtet e anonimatit për “Washington Post”-in.

Edhe pse e ëma është përpjekur që t’i prezantojë asaj meshkuj si bashkëshortë të mundshëm, prapë ajo preferon që të përdorë median sociale për kësi gjërash. “Me rrjetet sociale gjithçka bëhet më intime. Unë nuk dua që të nis një marrëdhënie me një të huaj”, shpjegon ajo.

Të detyruar nga mbretëria saudite që ndjek një formë të ashpër të islamit sunit, shtetasit e saj gjithnjë kanë ndjekur taktika vjedharake për dashurinë dhe për të shuar epshin.

Përpara epokës së internetit, meshkujt vendosnin numra telefoni në lajmërimet për shitjen e makinave të tyre, me qëllimin e vetëm që të telefonoheshin nga vajzat dhe më pas t’i propozonin për lidhje atyre.

Tani së fundmi, nëpërmjet teknologjisë “Bluetooth”, ata tentonin që të krijonin kontakt me njerëzit që kishin më afër vetes.

Por rrjetet sociale ofrojnë shumë më shumë lidhje dhe anonimitet. Smartfon-ët janë të kudondodhur, pavarësisht se çfarë gjendjeje ekonomike ka mbajtësi i tij. Studimet tregojnë se Arabia Saudite, me një popullsi prej rreth 22 milionë banorësh, ka një nga përqindjet më të larta të përdorimit të “Twitter” dhe “YouTube” në botë.

Abdulrahman al-Shuqir, sociolog në Ministrinë e Edukimit, i cili shkruan për historinë e marrëdhënieve seksuale në vend, tha se kanalet privatë të komunikimit në mediat sociale ndihmojnë në fillimin dhe forcimin e marrëdhënieve të rëndësishme. Kjo ka sjellë gjithashtu rritjen e takimeve mes çifteve.

Nëse kapen në një lidhje jashtëmartesore, atëherë “fajtorët”, e sidomos femrat, do të shikohen me përbuzje nga shoqëria dhe do të marrin dënime të ashpra nga familjet e tyre. Për më tepër që duhet të përballen edhe me policinë fetare, që monitoron jo vetëm kafenetë, restorantet dhe qendrat tregtare, por dhe forumet online.

Ahmad al-Ghamdi, ish-shef i policisë fetare në qytetin e Mekës, thotë se kjo strukturë ndihet e kërcënuar, pasi mediat sociale ia bëjnë shumë më të vështirë punën. Ai shtoi se vendosi të japë dorëheqjen nga kjo polici, pasi nuk ishte dakord me abuzimet që kolegët e tij kryenin ndaj njerëzve. Policia fetare ka për detyrë të forcojë ligjin islam mes popullsisë.

Për shumë sauditë, ndërhyrjet e tyre bazohen tek operacionet e befta, shantazhet dhe rrahjet në publik.

“Ata po bëhen gjithnjë e më të çmendur nga dita në ditë”, tha 35-vjeçari Turki, punonjës në një ministri, i cili akuzoi policinë fetare se e futi në kurth, duke përdorur një grua që kontaktoi me të nëpërmjet mediave sociale.

Edhe pse i martuar, ai nisi të flirtonte me këtë femër misterioze në rrjetin social “Snapchat”, përpara një viti. Më pas u ndalua nga policia, ndërsa tentoi që të takohej me të. Gruaja e tij, me të cilën kishte 10 vite martesë e dy vajza të vogla, kërkoi divorc pas këtij incidenti.

Nëse një saudit apo saudite shikon ndonjë person interesant në “Instagram”, përpiqet që të tërheqë vëmendjen e preferencës, duke dhënë pëlqime në fotografi. Më pas, kjo formë flirtimi online do të pasojë me biseda private në “WhatsApp”. Kur të dy bashkëbiseduesit e ndiejnë veten rehat njëri me tjetrin, atëherë marrëdhënia futet në një fazë tjetër më serioze. Ata nisin që të shkëmbejnë fotografi në “Snapchat”.

“Ti e kupton që po futesh në diçka serioze, kur fillon që të përdorësh ‘Snapchat’”, tha studentja 19-vjeçare e Universitetit të Riadid, Dima.

Ajo kujton se në korridorin e një qendre tregtare të kryeqytetit saudit, e mbuluar, arriti që të flirtonte me tre djem, të cilët i njohu nëpërmjet “Twitter” dhe “Instagram”.

Dima shfaqi interes për një prej tyre, e ky i fundit e ftoi për të bërë një xhiro në makinën e tij. Por ajo është paksa hezituese, pasi nuk e di se çfarë do të ndodhë.

Por shoqja e saj, Sarah, 18 vjeçe, që studion në të njëjtën klasë, e inkurajoi që ta merrte parasysh këtë rast.

“Nuk kemi pse të ndiejmë turp për diçka që konsiderohet normale në çdo vend tjetër”, tha ajo, e mbuluar paksa nga turpi.

Hassnaa al-Kenyeer, shkrimtare për çështjet e grave që jeton në Riad, mendon se fuqizimi i femrave në vend ka ardhur pjesërisht nga kontaktet online dhe nga rritja e takimeve fizike që vijnë si rrjedhojë e komunikimit të parë.

Gratë kanë bërë mjaft përparime në edukim dhe në profesion, edhe pse ato vazhdojnë të jenë të ndaluara të ngasin makinën. Madje që të marrin pasaportë dhe të udhëtojnë jashtë, duhet që të marrin leje nga një mashkull i familjes apo bashkëshorti.

“Tani femrat janë më të lidhura me botën e jashtme dhe po ndihen me më shumë besim te vetja”, thotë Kenyeer.

Ajo thotë se roli i shkuesve tradicionalë është zbehur.

Në epokën e rrjeteve sociale, martesa me shkuesi konsiderohet si e tepërt për të rinjtë sauditë, si 25-vjeçari Muhammad, banor në kryeqytet, i cili punon në një nga ministritë e shtetit. I pyetur se përse nuk e preferon më këtë zakon, ai përgjigjet: “Pse do të duhet unë të paguaj lekë për një shkues tradicional, kur mund t’i takoj vajzat ‘online’”.

Related

Erotikë 8819546394909799415

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item