Ballkani “nënvlerëson” shkallën e ekstremizmit xhihadist

Ekspertët rajonalë të sigurisë dhe të shërbimeve inteligjente kanë paralajmëruar se pavarësisht goditjes së ekstremizmit radikal islam...


Ekspertët rajonalë të sigurisë dhe të shërbimeve inteligjente kanë paralajmëruar se pavarësisht goditjes së ekstremizmit radikal islamik dhe masave të shtuara të sigurisë, një numër i konsiderueshëm të rinjsh nga Ballkani vazhdojnë të radikalizohen online, ndërsa shkalla e ekstremizmit është me gjasë shumë më e gjerë se ç’mendohej fillimisht.
Ata i kanë thënë Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN se kjo i vendos shtetet me numër të konsiderueshëm xhihadistësh në rrezikun e sulmeve të mundshme.
Dr. Fabian Zhilla, ekspert i krimit kibernetik dhe pedagog i Institutit Kanadez të Teknologjisë në Tiranë thotë se një numër i konsiderueshëm i të rinjve shqiptarë, më së shumti me njohuri të cekëta fetare vazhdojnë të kenë akses në propagandën e ISIS përmes rrjeteve popullore sociale si Facebook.
“ISIS ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të shpërndarë propagandë online dhe audienca e tyre përbëhet nga individë që mbështesin aktet e dhunshme,” paralajmëron ai.
Dr. Mimoza Xharo, ekspertë e sigurisë dhe akademike, me përvojë gati 20 vjeçare në qarqet e shërbimeve inteligjente beson gjithashtu se niveli i problemit është i nënvlerësuar, duke theksuar se pati një bum në shpërndarjen e materialeve të dhunshme ekstremiste online, menjëherë pas sulmeve në Paris nëntorin e shkuar.
Ajo i përshkruan të rinjtë shqiptarë me edukim të dobët fetar, të cilët marrin dhe ndajnë propagandë të dhunshme si “luftëtarë potencialë në hije”.
“Shqipëria është e rrezikuar nga bumi i mbështetësve online (të ekstremizmit të dhunshëm) të cilët nesër mund të veprojnë si ujqër të vetmuar,” thotë ajo.
Në Bosnje, Uros Pena, zv.shef i Drejtorisë për Koordinimin mes strukturave të policisë paralajmëron: “Ne as që e dimë sa i madh është problemi i terrorizmit dhe radikalizimit”.
Pena paralajmëron se ky problem nuk mund të trajtohet dhe monitorohet në mënyrë efektive pa ditur përhapjen e tij.
“Dhe kjo nënkupton të kthehemi pas në bazë, te policimi në komunitet, të shkojmë në mes të njerëzve, të cilën ne nuk e bëjmë më,” thotë ai.
Shkëmbimi i informacionit dhe kapacitetet
Xharo paralajmëroi gjithashtu se nevojitet që Shqipëria të investojë në teknologji dhe në burime njerëzore, në mënyrë që vendi t’u paraprijë rreziqeve potenciale në të ardhmen. Shqetësimet mbi burimet dhe shkëmbimin e informacionit janë ngritur edhe për disa shtete të tjera.
Në Maqedoni, burime të policisë thotë se kriza në vazhdim e refugjatëve po i vendos shërbimet e përforcuara nën presion të mëtejshëm. Një zyrtar tha se fokusi te refugjatët, përfshirë skedimin e atyre që mund të jenë xhihadistë, rrezikon të kompromentojë aftësinë e shtetit për të monitoruar ekstremizmin e dhunshëm në shtëpi.
“Kemi burime të kufizuara, si në kapacitete njerëzore ashtu edhe në personelin e inteligjencës…rreziku i infiltrimit të radikalëve në mesin e refugjatëve është gjithmonë aty, por më e rëndësishme është që ne t’u kushtojmë vëmendje radikalëve vendas dhe të kthyerve (nga Siria dhe Iraku),”i tha ai BIRN në kushtet e anonimatit.
E ndërsa kapacitetet e autoriteteve të sigurisë nuk janë identifikuar si problem specifik në Serbi dhe në Mal të Zi-vende që kanë një numër më të vogël xhihadistësh të dyshuar-çështja konsiderohet veçanërisht serioze në Bosnje.
Sipas zyrtarëve të lartë të policisë dhe të shtetit, shkëmbimi i informacionit mes 15 forcave të policisë së vendit është ose i ngadaltë, ose me raste jo-ekzistent.
“Shkëmbimi i informacionit është një problem i madh. Çdo agjenci mban për vete informacionin më të mirë. Ata kanë detyrimin ta ndajnë informacionin, por kjo nuk ndodh…Nuk kemi përcaktime të qarta të juridiksionit, kështu që kemi gjithmonë probleme,” thotë Pena.
Autoritetet boshnjake janë në procesin e implementimit të strategjisë antiterror të dakordësuar vitin e shkuar, e cila përfshin ngritjen e një data-base të vetme për të gjitha operacionet kundër radikalizimit dhe terrorizmit, informacion që do të jetë i pranishëm në të gjitha njësitë e policisë.
Në Kosovë, ekzistojnë shqetësime se të identifikuarit si bartës të rrezikut potencial, përfshirë të dyshuarit e kthyer nga Siria dhe Iraku janë liruar nga burgu dhe mbahen pa shumë kontroll në arrest shtëpie apo urdhra detyrimi paraqitjeje.
Dy kosovarë besohet se janë arratisur nga vendi, ndërsa mbaheshin në arrest shtëpiak-njëri dyshohet se është kthyer në Siri, duke nxitur dyshimet se këto masa sigurie janë duke u përdorur në mënyrën e gabuar.
Zyra e Prokurorisë Speciale të Kosovës refuzoi të komentonte, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme që mori nga BIRN.
Rreziku i luftëtarëve të kthyer
Çështja e shkëmbimit të informacionit dhe monitorimi efektiv përbëjnë gjithashtu një shqetësim në rritje, pasi disa vende të Ballkanit kanë qenë vende kyçe të origjinës për luftëtarët xhihadistë që iu bashkuan ISIS ose Al Nusrës -degë e Al-Kaedas në Siri dhe Irak.
Bosnja, Kosova dhe Maqedoni kanë eksportuar, sipas vlerësimeve të ndryshme, numrin më të lartë të luftëtarëve, ndërkohë që shqiptarët përfaqësojnë gjithashtu një numër të konsiderueshëm të luftëtarëve nga Ballkani në Siri dhe Irak. Serbia dhe Mali i Zi kanë një numër shumë më të vogël luftëtarësh xhihadistë.
Një numër i lartë i shtetasve nga Ballkani-përfshirë edhe luftëtarë të dyshuar-janë kthyer tanimë në vendet e tyre. Të gjitha shtetet i shohin të kthyerit si rrezik potencial për sigurinë, ndërsa kanë prezantuar reforma ligjore për të lejuar hetimin e të dyshuarve që kanë luftuar ose nxitur të tjerët të luftojnë ilegalisht në konflikte të huaja. Dënimet variojnë nga njëri shtet në tjetrin.
Të gjitha qeveritë thonë se legjislacioni i ri ka reduktuar në mënyrë domethënëse numrin e qytetarëve të tyre që luftojnë në Siri dhe Irak, edhe pse ekspertët argumentojnë se sensibilizimi për aktivitetet e ISIS ka luajtur gjithashtu rol.
Sërish, Skënder Perteshi, studiues i Qendrës së Studimeve të Sigurisë në Kosovë, QKSS  paralajmëron se xhihadistët e thekur nuk mund të frenohen vetëm nga legjislacioni, pasi ata “kanë fare pak respekt… për ligjet e qeverisë që nuk lidhen me versionin e tyre të Sharia-s”.
Ndërsa ekspertët këshillojnë adresim urgjent të rrezikut që vjen prej shkallës së panjohur të radikalizimit dhe ekstremizmit online, ata paralajmërojnë gjithashtu se shërbimet e sigurisë dhe të inteligjencës duhet të rriten në monitorimin e rreziqeve nga brenda dhe parandalimin e sulmeve të mundshme në Europë.
Amer Veiz, kreu i njësisë antiterror brenda Agjencisë shtetërore të Hetimit dhe Parandalimit në Bosnje nënvizon se disa luftëtarë të kthyer, jo vetëm janë aftësuar në përdorimin e eksplozivëve dhe armëve, por janë radikalizuar më tej dhe sërish janë të përfshirë në rekrutimin e xhihadistëve.
Kritika për komunitetet islamike  
Komunitetet zyrtare Islame, përgjegjëse për emërimin e imamëve dhe mbarëvajtjen e xhamive kanë tërhequr kritika të ashpra në të gjithë rajonin për një perceptim të dështuar në trajtimin e çështjes së radikalizimit në xhamitë “jozyrtare” ose “jashtë kontrollit”.
Shumë pranojnë se komunitetet janë përpjekur për të vendosur kontrollin mbi “para-xhamitë” që u përhapën prej grupeve të huaja-shpesh në ndjekje të një linje shumë strikte dhe konservatore të Islamit se sa ajo që konsiderohej tradicionale në rajon-të cilat vërshuan në Ballkan pas rënies së komunizmit dhe gjatë luftrave të përgjakshme të ’90, të cilat sollën shpërbërjen e Jugosllavisë.
Situata është më komplekse në Serbi për shkak të pranisë së dy komuniteteve islame-një me qendër në Beograd dhe tjetra që vepron nën kujdesin e veçantë të Komunitetit Mysliman të Bosnjes. Ekspertët besojnë se përplasja mes dy institucioneve ka krijuar hapësirë për ekstremistët që të radikalizojnë boshnjakët e margjinalizuar të Bosnjes dhe komunitetin rom.
Gjithsesi, të tjerë besojnë se ndërsa komunitetet islamike kanë një rol të rëndësishëm në luftën kundër ekstremizmit, nuk mund të pritet që ato të marrin përsipër përgjegjësitë e policisë apo autoriteteve të zbatimit të ligjit.
Ivan Ejub Kostic, autor i “Islami i persekutuar” dhe drejtor menaxherial i Qendrës Ballkanike për Lindjen e Mesme me qendër në Beograd pranon se liderët fetare duhet të bashkëpunojnë me shërbimet e sigurisë për të identifikuar rreziqet potenciale, por thekson se gjithë sa ata mund të bëjnë e ka një kufi.
“Gjithnjë e më shpesh dëgjon se përgjegjësia kryesore (për radikalizimin) bie mbi komunitetin mysliman, por kjo nuk është e vërtetë…më së pari është një çështje shtetërore e agjencive të sigurisë dhe policisë,” thotë ai.
Përteshi vëren se Komuniteti Mysliman i Kosovës ka fuqi të kufizuara ekzekutive mbi imamët dhe xhamitë, ku “mund të vendosë vetëm të mos e paguajë një imam, por nuk mund t’i shkarkojë ata”.
Rehabilitimi dhe parandalimi
Shumica e ekspertëve nëpër Ballkan kanë bërë thirrje për përpjekje më të mëdha nga shoqëria civile, komunitetet fetare dhe instititucionet në parandalimin e radikalizimit fillimisht, por edhe për ngritjen e programeve të rehabilitimit për ata që përqafuan xhihadizmin, përfshirë edhe luftëtarët e kthyer.
Ata nënvizojnë se një numër domethënës i atyre që u përfshinë në grupet xhihadiste apo përkrahën ideologji ekstreme të dhunshme kishin pak njohuri fetare para radikalizimit-dhënia e instruksioneve nga institucionet islamike të njohura është identifikuar si një prioritet.
Bekir Makic, një lider fetar dhe ish-zyrtar i Komunitetit Mysliman të Serbisë me seli në Beograd thekson se çështja është një fenomen global, ndërsa thotë se xhihadistëve të rinj “u është prezantuar një panoramë e Sirisë, e ndryshme nga realiteti” në rrjetet sociale apo përmes propagandës ekstremiste.
“Ata (xhihadistët) besojnë se janë duke luftuar për vlera të vërteta…(pavarësisht se nuk ka) justifikime për veprimet e tyre…Nuk ka justifikim fetar, human apo moral për bashkimin e tyre me të ashtuquajturin Shtet Islamik,” thotë ai.
Bashkë me mësimin e myslimanëve të rinj me “vlerat korrekte të besimit”, Makic thotë se rinia ballkanase në përgjithësi, por veçanërisht pjestarët e komuniteteve të margjinalizuara dhe të përjashtuara kanë nevojë për “mundësinë e një jete të denjë”.
Ekspertët, përfshirë Perteshin nga QKSS dhe Mirsad Kurgas, themelues i organizatës së marrëdhënieve me komunitetin mysliman ”Numër 19” paralajmërojnë se të rinjtë e Ballkanit, të cilët e gjejnë veten në pamundësi për të gjetur punë apo shërbime sociale apo nuk janë në gjendje të ndërtojnë një jetë me kuptim në vendet e tyre, janë më të prirur për t’u radikalizuar.
“Të rinjtë (xhihadistët) më thanë se duke shkuar në Siri, gjetën një kuptim të ri në jetë. Ata u ndjenë të dobishëm atje,” vëren Kurgas.
Perteshi argumenton se ekstremistët shfrytëzojnë margjinalizimin, zhgënjimin dhe mungesën e arsimimit tek të rinjtë.
“Ne s’duhet të harrojmë se Kosova ka popullsinë më të re të Europës dhe kjo ka përgjegjësitë e veta…të rinjtë duhet të ndjehen të rëndësishëm dhe me vlerë për vendin e tyre. Ata duhet të jenë të aftë t’i kanalizojnë energjitë dhe dëshirat e tyre,” thotë ai.
Ndërsa shumica e vendeve kanë shkruar strategji të detajuara kundër terrorizmit, ekziston një shqetësim i gjerë që shtetet e Ballkanit nuk janë duke i implementuar këto masa në kohë të shpejtë-veçanërisht në rehabilitimin e atyre që u dënuan apo burgosën se kishin luftuar përkrah grupeve xhihadiste.
Vetëm izolimi i luftëtarëve xhihadistë të kthyer, pa u dhënë atyre programe të pranueshme rehabilitimi është njësoj si “të fshehësh përkohësisht një granatë nën rrogoz”, sipas kolegut të Perteshit te QKSS, Shpend Kursani.
Perteshi paralajmëron se ka të dhëna që të burgosurit si luftëtarë në Siri dhe Irak janë radikalizuar edhe më tepër në burg-një shqetësim me jehonë në të gjitha vendet e Ballkanit me një numër të lartë të kthyerish.
“Kjo është çështja…një plan konkret është i nevojshëm për adresimin e problemit me të kthyerit. Burgu nuk është një zgjidhje universale për problemin dhe në disa raste, mund të rezultojë kundër-produktiv,” këshillon ai.
BIRN

Related

Top Lajm 1528399059779529314

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item