5 arsye pse marrëveshja BE-Turqi mbi emigrantët s’do të funksionojë

Nga Camino Mortera-Martinez BE-ja vazhdon të përballet me krizën e refugjatëve, duke improvizuar zgjidhje të reja. Plani i fundit, i...

Nga Camino Mortera-Martinez

BE-ja vazhdon të përballet me krizën e refugjatëve, duke improvizuar zgjidhje të reja. Plani i fundit, i konkretizuar në marrëveshjen e 18 marsit mes BE-së dhe Turqisë, është më i diskutueshmi dhe më pak e realizueshmi, nga të gjitha masat e provuara deri më tani. Në këmbim të ripranimit të një pjese të mirë të refugjatëvë sirianë, Brukseli do t’i japë Ankarasë 6 miliardë euro, si dhe përshpejtojë procesin e heqjes së vizave për qytetarët turq, ashtu edhe negociatave të anëtarësimit të Turqisë me BE-në.
Kjo marrëveshje është një përpjekje e guximshme e Brukselit për të trajtuar krizën e refugjatëve. Por ajo është edhe më e pamatura:duke i vendosur të gjitha ‘vezët’ e saj në ‘shportën’ turke, BE-ja rrezikon përkeqësimin e krizës nëse marrëveshja nuk do të funksionojë. Shumë zyrtarë pranojnë privatisht se dështimi është skenari më i mundshëm. Më poshtë po rendisim 5 arsyet.
1.Një tragjedi greke
Greqia, e mbështetur nga Frontex (agjencia kufitare e BE-së), duhej të fillonte kthimin e refugjatëve drejt Turqisë të dielën e 20 marsit – ditën kur marrëveshja hyri në fuqi. Midis së djelës dhe së hënës, më shumë se 1.600 persona kaluan nga Turqia në ishujt grekë. Atyre iu bashkuan 5.775 azilkërkues tashmë të bllokuar atje. Shumë prej tyre janë duke u evakuuar në kontinent, për t’u bërë vend të sapoardhurve.
Greqia s’mund t’i kthejë njerëzit mbrapsht në mënyrë automatike:rregullat ndërkombëtare dhe të BE-së i detyrojnë vendet të shqyrtojnë aplikimet rast pas rasti. Pra, Greqia duhet të shqyrtojë kërkesat e të gjithë atyre që mbërrijnë tek brigjet e saj. Për shkak se BE-ja ka tanimë një marrëveshje me Turqinë, autoritetet greke nuk duhet në parim të shqyrtojnë kërkesat për azil të atyre që vijnë nga Turqia.
Ata kanë ende nevojë t’i shqyrtojnë kërkesat rast pas rasti, por janë të lejuar t’i rikthejnë rrefugjatët në Turqi nëse autoritetet verifikojnë se ata kanë udhëtuar prej andej. Ndërkohë azilkërkuesit kanë ende të drejtë për ta kundërshtuar në gjykatë vendimin për kthimin e tyre. Vetë Athina duhet t’u sigurojë azilkërkuesve një vend për të qëndruar.
Greqia nuk ka pasur një sistem funksional të azilit për më shumë se 5 vjetësh:në vitin 2011, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut u shpreh se vendet e BE-së duhet të ndalojnë kthimin e njerëzve në Greqi, për shkak të mangësive të sistemit të azilit që kishte kjo e fundit – duke përfshirë kushtet çnjerëzore në qendrat e saj të pritjes. Pra, Greqia tani ka nevojë të ndërtojë një sistem të mirëfilltë azili, të plotësuar me gjykatat, qendrat e pritjes dhe ato të paraburgimit, në një periudhë shumë të shkurtër kohe.
Brukseli ka premtuar të ndihmojë Athinën, në formën e gjyqtarëve, dhe punonjësve socialë për qendrat e azilit, si dhe forca të tjera policore. Por BE-ja nuk i ka mbajtur ende këto premtime: pasi Greqia kërkoi ndihmë nga Frontex-i në tetor 2015 në menaxhimin e presionin migrator, vendet anëtare qenë tepër të ngadalta në dërgimin e burimeve të nevojshme njerëzore dhe financiare. Deri në shkurt të këtij viti 2016, ata kishin dërguar në Greqi vetëm 60 përqind të 775 rojeve kufitare të premtuara. Dhe vetëm Gjermania ka dërguar makineri shtesë të gjurmëve të gishtrinjve, të nevojshme për ndërtimin e qendrave të përpunimit të shpejtë të të dhënave mbi refugjatët që mbërtijnë.
2.Është ligji, budalla
Problemi thelbësor për zbatimin e marrëveshjes, është baza ligjore që e lejon BE-në të kthejë refugjatët në Turqi. Sipas rregullave ndërkombëtare, azilkërkuesit mund të kthehen vetëm tek vendet që konsiderohen të sigurta. Ky është e njohur si “parimi i moskthimit”. Ligji i BE-së thotë se që një vend të cilësohet i sigurtë, ai duhet të garantojë se askush nuk do të dëmtohet ose ndiqet penalisht “për shkak të racës, fesë, kombësisë, anëtarësisë në një grup të caktuar shoqëror ose mendimit politik”.
Nuk është e qartë nëse Turqia mund të konsiderohet si një ‘vend i sigurt i tretë” në bazë të këtyre rregullave. Shumë kurdë kanë ikur nga Siria dhe Iraku, dhe dërgimi i tyre në një vend ku ekziston një konflikt të hapur ndërmjet pakicës kurde dhe qeverisë kombëtare, do t’i vendoste ata në një rrezik të mëtejshëm. Dhe Turqia nuk u ofron aktualisht sirianëve statusin e plotë të refugjatit; sipas ligjeve turke, ata gëzojnë një mbrojtje të përkohshme, por me një qasje të kufizuar në tregun e punës, arsimit dhe ndihmës sociale.
Ka pasur edhe raporte se Turqia ka shtyrë azilkërkuesit të kthehen sërish në Siri, duke shkelur parimin e moskthimit. Muajin e shkuar, Ankaraja u mbylli kufijtë shumicës së sirianëve që i iknin një ofensive të mbështetur nga Rusia në qytetin e Alepos. Disa OJQ dhe organizata ndërkombëtare, kanë njoftuar se do ta kundërshtojnë këtë marrëveshje në gjykatë. Nëse kjo e fundit e rrëzon marrëveshjen, Brukselit do t’i duhet të ndalë zbatimin e saj dhe Evropa do ta shfaqë vetën të paaftë për të menaxhuar këtë krizë, në një mënyrë që është edhe e organizuar dhe në përputhje me të drejtat e njeriut.
3.Kjo marrëveshje do të vetë-shkatërrohet
As autorët e marrëveshjes nuk duket se janë shumë optimistë në lidhje me të:Marrëveshja thekson qartazi se është një masë e përkohshme, e projektuar për të reduktuar numrin e njerëzve që kalojnë detin Egje. Nëse ajo dështon në këtë mision, marrëveshja do të quhet e anuluar. Nëse ka sukses, atëherë do të zëvendësohet me një “skemë vullnetare humanitare të pranimit”, kodi për një program të zhvendosjes nga Turqia.
BE-ja është e gatshme për rivendosjen e vetëm 72.000 refugjatëve nga Turqia. Pra, nëse më shumë se 72.000 largohen nga Greqia, zbatimi i marrëveshjes do të pushojë. Por vetëm në tre muajt e fundit – kur një marrëveshje fillestare me Turqinë, me vlerë 3 miliardë euro, qe arritur – rreth 70.000 sirianë (si dhe 78.000 emigrantë të kombësive të tjera) mbërritën në Greqi nga Turqia. Dhe ka ende 2.5 milionë sirianë në Turqi.
E vetmja mënyrë që marrëveshja të funksionojë është nëse brenda 3 muajve – kur numri i sirianëve që vijnë në Greqi parashikohet të ketë arritur pragun 72.000 – lufta në Siri të ketë përfunduar, dhe sirianët të kthehen në shtëpi, ose që refugjatët sirianë të jenë të kënaqur të qëndrojnë në Turqi. Kjo e fundit nuk ka gjasa. Dhe një marrëveshje paqeje në Siri, mbetet për momentin iluzore.
4.Ata më bënë një ofertë që s’mund ta refuzoja
Sikurse qendra jonë ka argumentuar në të kaluarën, BE-ja është e aq dëshpëruar për të zgjidhur krizën e emigracionit, saqë është përgatitur për t’i ofruar thuajse gjithçka Turqisë. Tre muaj më parë, në Bruksel u ra dakord për t’i paguar Turqisë 3 miliardë euro për të penguar sirianët të kalojnë përmes detit në Greqi. Por Ankaraja nuk e frenoi rrjedhën e tyre:në 3 muajt e parë të vitit 2016, gati 148.000 persona kanë mbërritur në ishujt e Egjeut nga Turqia.
Tashmë, Erdogani ka kërkuar edhe 3 miliardë euro të tjera, së bashku me liberalizimin e vizave për turqit dhe ri-hapjen e procesit të anëtarësimit në union. Ndryshe nga Maroku, që shpesh përmendet si një histori suksesi në bashkëpunimin mbi luftën kundër emigracionit ilegal, qeveria turke ka axhendën e vet politike. Deri më tani, Erdogan ka qenë një negociator i zgjuar: ai e di se liderët e BE-së, që përballen me një presion politik në rritje në vendet e tyre, janë të gatshëm të ofrojnë shumë.
Fala ankthit të BE-së për të mos e vënë në rrezik marrëveshjen me Turqinë, Erdogan ka qenë në gjendje të vazhdojë politikat e tij autoritare dhe godasë median opozitare. Në rast se BE-ja mban premtimet e saj, Erdogan do të marrë atë që dëshiron nga Evropa me çmim të ulët. Nëse Brukseli nuk do t’i përmbahet angazhimit të marrë në marrëveshje- dhe ky është skenari më i mundshëm – presidenti turk do të paraqesë atë si një tradhti nga ana e Evropës, duke justifikuar një kurs më pak evropian të politikës së jashtme. Në çdo rast, kjo është një situatë e favorshme për presidentin turk, që e bën atë më pak të përkushtuar për të përmbushur pjesën e tij të marrëveshjes.
5.Ne mund ta bëjmë këtë! Por a mundemi vërtet?
Sipas politikës ‘një brenda, një jashtë’, një numër i papërcaktuar shtetesh anëtare janë angazhuar për rishpërndarjen e 72.000 refugjatëve sirianë nga Turqia. Por performanca e BE-së mbi rivendosjen dhe zhvendosjen e njerëzve është më pak se mbresëlënëse:në shtator të vitit 2015, vendet anëtare të BE-së ranë dakord për të zhvendosur 160.000 azilkërkues nga Greqia dhe Italia (i ashtuquajturi sistem i kuotave).
Deri më tani, janë zhvendosur vetëm 890 persona. Rreth 600 raste janë duke u mbajtur pezull për shkak të shqetësimeve të sigurisë, pjesërisht pasi është shumë e vështirë të kontrollosh sfondin e jetës personale të një azilkërkuesi. Edhe nëse marrëveshja me Turqinë zvogëlon numrin e njerëzve që ndërmarrin udhëtimin e rrezikshëm nga Turqia në Greqi, vendet-anëtare të BE-së do të duhet ende të rivendosin një numër të madh sirianësh.
Është e paqartë se pse ata do të jenë më të gatshëm për ta bërë këtë tani, kur nuk i kanë përmbushur premtimet që kanë bërë 6 muaj më parë. Edhe pse nuk ka asnjë tregues se sulmet e Brukselit përfshinin ndonjë refugjatë ose emigrant nga Siria, shumë qeveri kombëtare ka të ngjarë të këmbëngulin për rritjen e kontrollit të sigurisë ndaj të gjithë refugjatëve. Shtetet anëtare do t’i rezistojnë rivendosjes së azilikërkuesve direkt nga Turqia, nëse siguria jepet nga autoritetet turke.
Në përfundim, edhe në qoftë se marrëveshja BE-Turqi funksionon, ajo mund të krijojë më shumë probleme sesa do zgjidhë:sirianët e dëshpëruar të kthyer në Turqi, dhe të tjerët që nuk përfshihen tek 72.000 të zhvendosurit, mund të fillojnë të përdorurin rrugët të tjera më të rrezikshme për të ardhur në Evropë. Në vend të një sistemit jofunksional “një jashtë, një brenda”, BE-ja duhet të fokusohet në rritjen e presionit ndaj Ankarsë për të përmbushur detyrimet e saj ndërkombëtare për azilkërkuesit dhe të ruajë më mirë kufijtë e saj.
Në vend se t’i japë Turqisë më shumë para, Brukseli duhet të përqendrohet në ndihmën ndaj Greqisë për të siguruar kufijtë e jashtëm të Shengenit. Sa më shpejt që udhëheqësit e BE-së të kuptojnë se kjo marrëveshje nuk është një shkop magjik, aq më shpejt ata mund të kthehen pas sërish duke kërkuar dhe gjetur një zgjidhje më të mirë./ Centre for European Reform/ Bota.al
Shënim: Camino Mortera-Martinez është studiues në Qendrën për Reformën Evropiane

Related

Top Lajm 7031859701151656209

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item