Umberto Eko ose biblioteka që na mungon

Ilir Yzeiri Vdekja e filozofit, semiologut dhe shkrimtarit Umberto Eko ka qenë lajmi i parë në të gjitha mediat europiane. Ai, ashtu...

Ilir Yzeiri

Vdekja e filozofit, semiologut dhe shkrimtarit Umberto Eko ka qenë lajmi i parë në të gjitha mediat europiane. Ai, ashtu edhe siç ishte dhe është në të vërtetë, është vlerësuar si fytyra italiane e kulturës së gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Njeriu që së bashku me Bart e ndonjë tjetër, i dhanë një kuptim tjetër studimit të traditës dhe harmonizuan filozofinë me studimin e kulturës së masave. Ata e shtynë përpara filozofinë, kritikën letrare, semiologjinë, duke lexuar kohën e re të zhvillimit mediatik dhe duke interpretuar fenomenologjinë e re që po lindte. Dy miqtë, Bart dhe Eko, kaluan nga eseistika në semiologjinë rigoroze dhe u dalluan secili sipas mënyrës së tij dhe secili me shenjtin e tij, ka vënë në dukje kritika. Roland Bart studioi Ignace de Loyola dhe Eko Thomas d’Aquin. Kur Bart botoi “Mitologjitë” (1957), i riu Eko nisi të botojë artikuj të ndryshëm ose ese në rubrikën “Pastiches et Postiches” në revistën “Verri”, të cilat i përmblodhi në librin “Ditari minimum”. U bë i famshëm sidomos me një nga esetë e tij “Fenomenologjia e Majk Bonxhornos”, duke e interpretuar këtë dukuri të kulturës së re që po lindte. Ai nuk ishte “superman”-i, por “everyman”-i, njeriu mesatar tipik i televizionit. “Ai, shkruante Eko, i ka të gjitha cilësitë morale dhe intelektuale në shkallën më të ulët të evolucionit. Ai shitet për atë që është dhe nuk ka turp pse është injorant. Admiron hapur specialistin dhe profesorin. I pamëshirshëm me ata që ka poshtë vetes, ai shfaqet ndryshe përballë të iluminuarve. Ai është bërë një star, një yll, një idhull gjithë duke qenë një shembull i gjallë dhe triumfues i vlerës që ka mediokriteti”. Ndërsa romani “Emri i trëndafilit”, përkthyer edhe në shqip nga Donika Omari, e bëri atë të famshëm në të gjithë botën. Gjithë teoria e tij, filozofia apo ndihmesa që ai dha në studimet semiologjike sidomos, nuk u njohën në Shqipëri në kohën e duhur. Vendi ynë, i cili sot ngjet si një hapësirë e ndërtuar nga ana e kulturës me dhe të hedhur, i mbylli kufijtë fizikë dhe mendorë për të njohur këto zhvillime dhe kultura shqiptare sot, historia e letërsisë, teoria e letërsisë, kritika letrare janë sporadike dhe pa sistem, sepse në mendjet e shqiptarëve është mbjellë me forcë sociologjizmi vulgar dhe ai vijon të përdoret si mënyrë për të kuptuar botën dhe për ta interpretuar atë. Vdekja e Umberto Ekos është një humbje për kulturën botërore, duhet të jetë edhe për ne, madje për ne pak më shumë, sepse ne, jo për fajin tonë, nuk e njohëm atëherë kur ai ishte gjallë, ndaj duhet të kujtohemi për të dhe për gjithë shkollën e madhe të semiologjisë që ai e përsosi në fillim të viteve ‘60 së bashku me Bart, filozofë të tjerë të kësaj periudhe. Në Shqipëri janë përkthyer disa vepra të Ekos, por edhe të filozofëve të tjerë modernë që u morën me narracionin, shënjueshmërinë, ekzistencializmin apo interpretime të tjera të kohës klasike dhe të rileximit të saj, megjithatë në ligjërimin e përgjithshëm zotëron kultura e thatë dhe e ngurtë e interpretimit sociologjik vulgar të jetës dhe të kulturës. Kultura shqiptare dhe studimet mbi të janë një mishmash që nuk përtypet dot nga publiku shqiptar dhe nëse vazhdojmë kështu, ne do ta thellojmë hendekun mes lexuesit të sotëm dhe letërsisë sonë, siç po bëjmë edhe tani. Merita e madhe e Ekos dhe e atyre që studiuan letërsinë, traditën, dukuritë e reja që solli zhvillimi mediatik sidomos apo imazhi në kulturën europiane, është se ata arritën të shohin te modelet e reja që krijoheshin, vjimësinë e modeleve apo konstrukteve të ndërtuara më parë në memorien kolektive dhe në të gjitha rastet përzien bashkë interpretimet psikologjike me ato ligjërimore për të shpjeguar jo vetëm të shkuarën, por për të gjetur modelin e saj te personazhet e sotme. Po konsolidohej komunikimi dhe po përpunoheshin teoritë e tij në drejtime të tilla, si strukturalizmi semiologjik, narratologjia, teoritë e imazhit, fenomenologjia si dukuri e gjithanshme dhe Eko e të tjerët si ai e ripërtërinë mendimin filozofik dhe kuptimin për format e komunikimit, duke arritur që të shpjegojnë atë që po ndodhte dhe duke e rilexuar të shkuarën me nocionet e teorive të reja. Tradita që la pas Umberto Eko do të ndihmojë edhe studimet shqiptare, të cilat kanë një mal me punë për të bërë. Për fat të keq, në këta njëzetë e ca vjet tranzicion, të gjitha qeveritë nuk kanë pasur asnjë vizion që të nxisin institucionet akademike dhe kulturore për studime të thelluara e të plota për kulturën shqiptare. Është e paimagjinueshme që mungojnë tekstet e mëdha të historisë së letërsisë, të autorëve të kulturës shqiptare. Për fat të keq në vijojmë të paraqitemi para botës si popull gjysmë i kultivuar dhe pa traditë të konsoliduar. Në kulturën europiane ne njihemi vetëm prej Kadaresë, pastaj e gjithë njohja e të huajve për ne janë kultura e trafikimit, kosovarët e shpërngulur apo emigrantët shqiptarë. Sot e gjithë ditën mungojnë botimet e mëdha e serioze për Mesjetën shqiptare. Problemi ynë i madh i identifikimit me tri besime fetare në vend që të shfrytëzohet prej nesh dhe të paraqitemi para botës me autorë e vepra që e bëjnë dinjitoze këtë larmi, përkundrazi, për shkak të mungesës së botimeve dhe të orientimeve, ne shfaqemi si një vend mysliman dhe si një vatër e rekrutimit të ISIS. Ne kemi dy figura të mëdha, mes të tjerash si Bogdani apo Hasan Tahsini, njëri katolik e tjetri mysliman, që janë personalitete të një kalibri europian. Veprat e tyre kanë mbetur në nivel akademik studimi dhe gati të panjohura nga Europa. Gjithë ky ngërç ndodh veç të tjerash se institucioneve tona iu mungon aparati teorik i asaj tradite që krijoi edhe Ekoja me të tjerë. Shkollat e vjetra të mendimit teorik të kohës së komunizmit kanë mbytur gjithë hapësirën e studimeve dhe institucioneve akademike shqiptare sot e gjithë ditën dhe lexuesi me vështirësi mund të gjejë ndonjë autor që rreh ta studiojë kulturën, letërsinë apo artin me aparatet moderne të shkollës që krijoi edhe Umberto Eko veç të tjerash. Ndaj vdekja e tij duhet të na rikujtojë të gjithëve se kemi një bibliotekë në kujtesën tonë me rafte bosh. Vdekja e Umberto Ekos ndoshta na kthjellon që të mbushim memorien tonë me veprën e tij.















Related

Opinione 8185127130799741617

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item