Umberto Eco ndërroi jetë, rroftë letërsia e tij!

Në moshën 84-vjeçare, shkrimtari dhe mendimtari italian u nda nga jeta të premten e shkuar. Ndërsa e gjithë bota kulturore u hidhërua ...


Në moshën 84-vjeçare, shkrimtari dhe mendimtari italian u nda nga jeta të premten e shkuar. Ndërsa e gjithë bota kulturore u hidhërua për humbjen e tij dhe qindra bashkëqytetarë e nderuan në ceremoninë mortore në Milano, duke e përcjellë drejt banesës së fundit, vepra e Umberto Eco-s jeton. Shtëpia botuese “La Nave di Teseo” ka lajmëruar botimin e librit më të ri të autorit “Pape Satàn Aleppe”, i cili thuhet se qe dëshira e fundme e Eco-s, që të vinte si vepër postume. Po si e ka njohur lexuesi shqiptar veprën shumë-përmasore të një prej intelektualëve më të mëdhenj modernë? Ecoja në shqip, i rrëfyer nga botuesi dhe përkthyesit e tij…
Nga Suadela Balliu
A mundet të vdesë vërtet një shkrimtar? Koha ka treguar që jo. Megjithëse edhe ata janë pjesë e kufizimeve të kësaj jete, shkrimtarët e kanë mbjellë dhe rritur përjetësinë përmes veprës së tyre. E premtja e shkuar, ishte vërtet e zezë për letërsinë botërore. Brenda njëzet e katër orëve humbi dy prej emrave të mëdhenj të saj – amerikanen e të famshmit “To kill a mocking bird” Harper Lee në moshën 89-vjeçare, me një jetë të shkuar jashtë vëmendjes publike; dhe italianin Umberto Eco, në moshën 84-vjeçare , letërsia e të cilit të lë ndjesinë se ke përtypur një enciklopedi të tërë.
Ndoshta 84–vjeçari energjik dhe aktiv – jo vetëm në jetën publike e intelektuale të vendit të tij, por edhe prodhimtar deri në momentet e fundit të jetës – e humbi betejën me kancerin, por letërsia e tij jeton. Me qindra qytetarë iu bashkuan nderimeve në ceremoninë mortore në Kështjellën “Sforza” të Milanos dhe miliona lexues u hidhëruan për vdekjen e tij në të gjithë botën. Por filozofi që thoshte se shkruante letërsi vetëm fundjavave, nuk i ka lënë vetëm lexuesit. Pas romanit “Numri Zero”, i botuar edhe në shqip vitin e shkuar nga Sh. B. Dituria, Ecoja u vjen lexuesve me një vepër postume, “Pape Satàn Aleppe”, të cilën shtëpia botuese “La Nave di Teseo” do e botojë në maj të këtij viti. Po si e ka njohur lexuesi shqiptar veprën shumë-përmasore të një prej intelektualëve më të mëdhenj modernë? Ecoja në shqip, i rrëfyer nga botuesi dhe përkthyesit e tij…

Eco Ymeri
Petrit Ymeri: Për Umberto Econ, librat ishin një siguri për jetën, një paradhënie e vogël për pavdekësinë
Kur jeni njohur me veprën e Umberto Eco-s si lexues? Çfarë ndjesish ju ka lënë?
Besoj duhet të kenë qenë vitet ’80 kur jam ndeshur me emrin e tij; ne ishim shumë të etur të lexonim libra e autorë evropianë. Kishim herë pas here mundësi të merrnim libra të tillë në bibliotekën e shtëpisë botuese apo të Lidhjes së Shkrimtarëve. Kujtoj që kam lexuar dy-tre libra studimorë, estetikë, eseistikë, kujtoj p.sh. një studim për poetikën e Xhojsit, por me koncepte e mendime pothuajse të panjohura për ne. Duhet t’i ktheheshe shpesh për ta kuptuar si duhet. Leximi i tyre ishte si një zbulim i madh. Vonë më ka rënë në dorë romani i tij i parë “Emri i trëndafilit” që pat bërë bujë të madhe kur ishte botuar dhe më pas jam njohur edhe me vepra të tjera. Për hir të së vërtetës në vitet ’80 e njihnim pak kulturën dhe letërsinë bashkëkohore. E njihnim nga lexime të rastit, me mungesat e mëdha që kishin bibliotekat te ne.
Kur vendosët ta botonit dhe cili ishte libri i parë që e sollët në shqip prej tij?
Fillova të mendoj për botimin e këtij autori nga mesi i viteve ’90. Por gjërat ecnin ngadalë, kontaktet i kishim ende të kufizuar, nuk kishim ende përvojën e bashkëpunimit, të kontratave, të planeve disavjeçare e kështu me radhë. Nisa të botoj me radhë librat e Umberto Eco-s, duke filluar më 2006 me “Të thuash gati të njëjtën gjë. Përvoja përkthimi” dhe pastaj çdo vit 2007 e me radhë kam botuar nga një apo dy libra si “Për letërsinë”, “Si shkruhet një punim diplome”; “Gjashtë shëtitje në pyjet e tregimtarisë”, “Në kërkim të gjuhës së përkryer në kulturën europiane”… Më vonë erdhën romani  “Varreza e Pragës”, e pastaj  kryevepra tjetër e tij “Historia e Bukurisë”. Më 2012 botuam “Emri i trëndafilit” variant i përmirësuar nga vetë autori atë vit, duke ruajtur përkthimin e mëparshëm të Donika Omarit, por sigurisht duke ndjekur origjinalin e ri. Më 2014 Umberto Eco botoi romanin e tij të fundit “Numri Zero” të cilin ne e botuam  në janar 2015. Ndërkaq kemi në proces përkthimi edhe një roman të ri për lexuesin shqiptar, që është “Lavjerrësi i Fukoit”, të cilin do e botojmë në vjeshtën e këtij viti. Më tej besoj do të kemi edhe një vepër postume të Eco-s, besoj për 2017-ën.
Sa tituj të botuar numëroni prej Eco-s në Sh.B.Dituria?
Sikurse përmenda bashkë me “Lavjerrësin…” do të kemi dhjetë tituj të tij. Mendoj se kemi një korpus pothuajse të plotë të veprës së Eco-s. Besoj ndër më të mirat prej tij. Nga takimet që kemi pasur apo dhe me korrespondencën me Econ, kishte disa vepra që nuk i rEcomandonte dhe nuk donte të përktheheshin, sepse mendonte se ishin të tejkaluara ose që ai u ishte rikthyer në vepra të viteve të fundit. Zgjedhjet tona kanë qenë gjithmonë edhe në konsultim me autorin dhe me botuesin e tij, nuk kemi botuar pothuajse asgjë pa u këshilluar me të. Ai e pëlqente këtë lloj marrëdhënieje me botuesit e tij edhe në gjuhë të tjera. Ai e konsideronte Botuesin një institucion.
Kur e keni takuar për herë të parë Umberto Econ dhe çfarë përshtypjeje ju la njeriu që kishit përballë, krahasuar me shkrimtarin që e kishit njohur prej letërsisë së tij?
Jemi takuar për herë të parë në Panairin e Librit në Frankfurt më 2007-ën. Ishte një takim i programuar, siç janë ato me shkrimtarët e mëdhenj apo edhe me shtëpitë e mëdha botuese. Kishim disa kohë që komunikonim. E kujtoj, që kishim lënë takim në stendën e Bompianit, botuesi tradicional i Eco-s deri para një viti, ku ai botoi pjesën dërrmuese të veprës së tij. Ai po rrinte i vetëm në një tavolinë në stendën e Bompianit, e cila ishte thuajse bosh, dhe diçka shkruante a lexonte. Ndërsa u nisa drejt tij një nga sekretaret që më njihte sigurisht, më doli përpara dhe si e merakosur tha: “ZotiYmeri keni lënë takim me profesorin?” E merakosur sigurisht se Umberto Eco nuk qe një autor apo njeri i zakonshëm. Sapo u përshëndetëm e u ulëm, profesori më tha duke qeshur “Çfarë të tha ajo vajza? Më kanë frikë, se në dukje jam i rreptë. Ndonjëherë bëj sikur, ndonjëherë zemërohem vërtet”. Ecoja ishte shumë i këndshëm, i thjeshtë, i çiltër, të shihte në dritë të syrit. Zakonisht këto lloj takimesh janë të shkurtra. Por ne atë ditë kemi ndenjur thuajse 45 minuta duke biseduar. Ai nuk e njihte Shqipërinë, dinte fare pak gjëra vendin tonë. Madje çuditej sesa pak dinte, edhe pse vend kaq i afërt. Biseduam për një mundësi vizite,  e ai gati më dha fjalën që do të vinte në Shqipëri. “Duhet të flasim me këta më thoshte (për botuesit e tij), këta m’i bëjnë apo m’i prishin planet”. Ishte një bisedë krejt e shpenguar, e lirë, ai ishte shumë i thjeshtë në komunikim. E kam takuar disa herë. Po dy kanë qenë rastet kur kemi folur gjatë. Ishin biseda pune, më pyeste për librin në Shqipëri; sesi ecte, donte të dinte se ç’libra botonim veç të tijve. Donte të dinte për përkthyesit. Edhe kur kam botuar veprën e tij “Historia e Bukurisë” i fola për Shpëtim Çuçkën, formimin, studimet e tij. Ai kënaqej. Ishte i vetëdijshëm se kush ishte dhe ç’ishte vepra e tij. Kërkonte vëmendjen dhe respektin maksimal nga botuesit e secilës gjuhë. “Kur të kesh gjëra të rëndësishme, më tha, më shkruaj”. Më dha adresën e e-mailit dhe herë pas here i dërgoja ndonjë pyetje. I bëja ndonjë urim për festa, për ditëlindje, pa e tepruar, sigurisht. Ka pasur edhe takime të shkurtra në aktivitete të ndryshme. Kjo ishte marrëdhënia profesionale , por edhe miqësore mund të quhet. Ishte njeri që e vlerësonte dhe e respektonte profesionin tonë.
Si ka reaguar lexuesi shqiptar ndaj veprës së Eco-s? Sa i dashur dhe i lexuar është në Shqipëri ai?
Mund të them me shumë siguri që është autor shumë i vlerësuar edhe në Shqipëri. Qoftë veprat e tij letrare, “Emri i Trëndafilit”, “Varreza e Pragës”, “Numri Zero”, por edhe eseistika, librat studimorë… Kështu p.sh. libri që është bërë gati si bibël për përkthyesit “Të thuash gati të njëjtën gjë”, “Historia e Bukurisë’ është si një manual kulturologjie, për artet, për shkencën e fjalës e kështu me radhë, apo “Në kërkim të gjuhës së përkryer”. Një shërbim të mirë që i kemi bërë veprës së Eco-s, por edhe lexuesit shqiptar është se kemi bashkëpunuar me përkthyes veçanërisht të mirë, që nga“Emri i Trëndafilit” nga Donika Omari; me “Historia e Bukurisë dhe “Si shkruhet një punim diplome” , nga Shpëtim Çuçka, “Të thuash gati të njëjtën gjë” nga Marjana Ymeri e me radhë Diana Kastrati me dy vepra, Ledia Dushi me dy romane, apo Genc Lafe. Kemi përkthyes pa dyshim ndër më të mirët. Natyrisht që i kemi kushtuar vëmendje të veçantë edhe punës redaktuese. E kemi bërë këtë shërbim cilësor dhe lexuesi e vlerëson këtë gjë. Librat studimorë janë libra që përdoren rregullisht në universitete. Është një nga autorët më të sigurt dhe më të pëlqyer në shqip dhe nuk ke nevojë t’i bësh shumë publicitet.
Për ju si botues, ç’do të thotë humbja e një shkrimtari të përmasave të Eco-s?
Janë shkruar e thënë pa fund vlerësime të jashtëzakonshme për Profesorin e Madh të mendimit e të fjalës, Umberto Econ, që sapo ndërroi jetë. Do doja ta përkufizoja me fjalët e Alessandro Barricos: “Ishte më i madhi, në një sport që e praktikonte më mirë se kushdo tjetër: të qenit intelektual!”. Në këtë botë apo fushë loje hyjnë e dalin shumë, por prania apo mungesa e tyre nuk ka mbase fort rëndësi. Vepra e Umberto Eco-s, jeta e tij, mendimi i tij, u jepnin kuptim gjërave. Kur nga kjo fushë loje a mendimi largohen gjigantët, fusha nuk është më ajo që ishte më parë: ka humbur magjinë. Ai ishte një kampion i mendimit, i kurajës, i guximit qytetar. Duke lexuar Econ kuptoje që Dija nuk është vetëm një detyrë, por edhe një kënaqësi. Ai ishte Trashëgimtari i vërtetë i dinastisë letrare. Humbja e tij ishte shumë më shumë se një trishtim, ishte një goditje në kuptimin e vërtetë. Bota humbi një ndër shtyllat bazike të kulturës. Ishte një mendimtar aktiv e dinamik si askush tjetër. Ishte një njeri i rrallë, qytetar në kuptimin e plotë të fjalës. Një studiues që jetonte me shqetësimet jo vetëm të vendit të tij, të Europës, me shqetësimet e mbarë njerëzimit. Po të shohësh kolonën e tij editoriale, ai shkruante për gjithçka. Jetonte me pulsin dhe shqetësimet e kohës, çfarë ndodhte, parashikonte të ardhmen, rreziqet, sfidat e së ardhmes. Mendonte për qytetërimin dhe njerëzimin. Një mendje enciklopedike si askush apo pakkush si ai. Dukej pak fodull në qëndrimin e tij, por ishte i sigurt në atë që thoshte dhe duke qenë i ndershëm nuk bënte lojëra me mendimet dhe qëndrimet e tij. Ishte njeri i drejtpërdrejtë dhe shprehej qartë për politikat e mëdha, qëndrimet që ndikonin në jetët e njerëzve. Por nëse mund të jetë një ngushëllim, që ka lënë një vepër të madhe, atëherë duhet marrë si i tillë: ka lënë një vepër unikale. Siç shprehej ai vetë: “Ne kemi një limit, vërtet shkurajues: vdekjen”.
Si mund ta përshkruani ju shkrimtarin, mendimtarin, semiologun Umberto Eco?
Ecoja është një model i veçantë do të thosha, ku gërshetohen në mënyrë të pazgjidhshme dhe origjinale mendimtari dhe shkrimtari. Një model që e gjejmë rrallë në letërsinë botërore, shumë rrallë. Ai shkruante e fliste lehtësisht për çdo temë. Edhe në letërsinë e tij është filozofi, mendimtari, shkrimtari i madh. E lexojmë qartë shqetësimin e tij, pulsin e tij edhe nga gjëra shumë të thjeshta. Është i njohur për shembull qëndrim i i tij ndaj rrjeteve sociale, ku edhe budallenjtë kanë të drejtë të thonë çfarë të duan dhe madje të përpiqen t’u imponohen të tjerëve.
Së fundmi keni botuar romanin e fundit “Numri Zero”, si është pritur deri tani?
Romani i tij i fundit është një libër i veçantë i llojit të tij. Përveçse ishte i vogël, dhe Ecoja e theksonte vazhdimisht- edhe në intervistën e fundit- si “romani me 200 faqe”, ky është një roman ku ai fshikullon dhe jep mësime morali në kuptimin e vërtetë të fjalës për mediat, për gazetat, sesi media shitet e blihet, sesi është kthyer në një manipulues të mendimit, të shoqërisë, të njerëzve, që nga gjërat e jetës së përditshme, lidhjet e medias me politikën, biznesin…Për fat të keq, këto që thotë Ecoja i gjejmë dukshëm sot në shoqërinë shqiptare, në mënyrë fare të hapur. kam menduar që mbase kjo është një nga arsyet që këtu te ne është folur pak për këtë libër, pikërisht sepse tregon veset e medias, sesi është e implikuar në këtë propagandë të shfrenuar të bizneseve e të politikës që qëndrojnë bashkë. Ai e ka shkruar për realitetin italian, por kur e lexon duket sikur e shkruan për ne. Janë shumë ata që mendojnë se media shqiptare është sëmurë rëndë nga këto sëmundje që rrëfen Ecoja në romanin e tij të fundit.

Ledia Dushi: Vepra e Eco-s është si koha
Dëshmitar i mprehtë i kulturës dhe historisë së vendit të tij dhe asaj europiane, Eco e njohu dhe e ndjeu për së brendshmi si rrallëkush ritmin e përsëritjes së historisë. Vepra e Eco-s është si koha, me të shkuar, me të ardhme, e sigurisht pa të tashme. Kur e lexon Econ, e aq me tepër kur provon ta shqipërosh atë, e kupton më së miri se idetë më të vështira janë ato që thuhen thjesht. Në këtë këndvështrim, vepra e Umberto Eco-s është thjeshtësisht e vështirë.
“Numri Zero”, romani i mbramë i këtij strukturalisti ma përforcoi edhe me tej mendimin se Ecoja u përpoq gjithnjë që Njeriu të mos mërzitej kurrë nga të qenit Njeri. Kjo, mendoj, se është edhe përpjekja e tij më e madhe, përpjekja e vazhdueshme e këtij dishepulli të vonë të Sokratit, këtij mjeshtri ndër të fundmit, i cili e përdori aq mirë e në mënyrë klasike letërsinë për të përcjellë e shënjuar qëndrimet e tij, e veçanërisht filozofinë e tij.

Donika Omari: Letërsia ka humbur shkrimtarin shkencëtar e filozof
Shtëpia botuese “Naim Frashëri” kishte një bibliotekë të pasur me libra shumë të mirë të porositur nga redaksia e përkthimeve, ku punoja. Kështu pata fatin të lexoja romanin e famshëm të Eco-s që më la përshtypjen e një vepre vërtet të jashtëzakonshme. Kur e mbarova leximin m’u duk se termit iluminizëm mund t’i shtoja termin modern. Me domethënien e vet kjo vepër të bën të ndiesh fizikisht se një dritë të është ndezur në tru.
Kjo vepër të pasuron në mënyrë të veçantë e në disa drejtime. Për sa u përket ideve të ndihmon të hysh në botën e madhe të mendimit njerëzor duke të nxitur t’i rimendosh gjërat. Artistikisht lexuesi shijon bukurinë e metaforës, të poezisë e të ironisë, që Ecoja e ka aq të vetvetishme. Nuk është e paktë joshja që provon nga erudicioni i tij vërtet i jashtëzakonshëm, saqë shkrimtarin e kanë quajtur një tru i kompjuterizuar. Mjeshtëria në ndërthurjen me një fantazi të gjallë të situatave, në dhënien me realizëm bindës të karaktereve është një tërheqje tjetër që të bën ta ndiesh leximin e këtij romani si një kënaqësi intelektuale të nivelit më të lartë.
E kam filluar dhe përfunduar përkthimin në vitet 1991-1992, por e botova disa vjet më vonë, në 1996. Vështirësia kryesore e përkthimit qëndron në përballimin e erudicionit të autorit, që shfaqet kudo, në përshkrimet e vendeve, të sendeve, të botës materiale e shpirtërore, në dialogët, në krijimin e metaforave e të alegorive etj. T’i përmbahet stilit të origjinalit e njëkohësisht natyrës së shqipes është një sfidë tjetër për përkthyesin. Proza rrëfimtare e Eco-s, me fraza të gjata ku pika vihet edhe pas gjysmë faqeje e ku i gjen të gjitha tipet e fjalive, ka një strukturë me ndërtime gramatikore jo të lehta, që i kërkon përkthyesit nga një anë besnikëri ndaj stilit dhe nga ana tjetër qartësinë e shprehjes saktë e bukur të mendimit në gjuhën e mbërritjes.
Duhet zotëruar një njohje shumë e mirë e të gjithë krijimtarisë së tij në të gjitha fushat ku u shqua. Pastaj, është koha që përcakton vlerën e vërtetë të veçantive të një trashëgimie që, në rastin e Eco-s, është kaq e gjithanshme.
Me ndarjen nga jeta të Umberto Eco-s, letërsia botërore ka humbur shkrimtarin shkencëtar e filozof. Ka humbur dukurinë e rrallë të personalitetit të kulturës që jo vetëm me veprën e vet të shkëlqyer por me të gjithë jetën e vet luftoi si një antikonformist i paepur për të ndihmuar në krijimin e mendjeve të hapura, të lira nga paragjykimet, nga “përbindëshat që pjell gjumi i arsyes”.

Shpëtim Çuçka: Italiani mendjemprehtë, dyshues e kërkues
Lexuesi shqiptar – këtu nuk kam parasysh lexues të veçantë për nga formimi dhe cilësi të tjera – e ka natyrisht të vështirë ta rrokë tërësinë e mesazheve kryesore, që janë vendosur në tërë shtrirjen e veprave të Eco-s, sikurse edhe të pjesës kryesore të prodhimit kulturor evropianoperëndimor. Bota jonë kulturore, e lidhur detyrimisht me mënyrën e të jetuarit, të vepruarit dhe të menduarit jo vetëm të individëve të veçantë, por sidomos të gjithë shoqërisë, është mbushur me tjetër problematikë thelbësore, është pajisur me të tjera sisteme nocionesh dhe njohurish, me tjetër aparat logjik, është mbështetur mbi një tjetër ngrehinë morale dhe edukative, vepron me tjetër sistem gjuhësor. Këto ndryshime të thella, që ndajnë botën e Umberto Eco-s nga bota jonë, kthehen në pengesë të madhe për cilindo që do të donte ta lexonte veprën e këtij italiani mendjemprehtë, dyshues e kërkues. Ato ngrihen si pengesë serioze përpara cilitdo, që matet, guxon dhe përpiqet ta përkthejë këtë botë në botën e gjuhës shqipe. Mundësitë e dështimit të këtyre përpjekjeve janë shumë të mëdha. Mundësitë e suksesit të tyre –shumë të vogla. Kjo është një e vërtetë e thjeshtë, që duhet të kuptohet nga të gjithë – botues, përkthyes dhe lexues. Dhe të gjithë duhet të jemi të përgatitur që humbjet – në gjuhë, por jo vetëm – mund të jenë të ndjeshme, ndërsa arritjet – modeste.

Diana Kastrati: Eco, Libri i Librave
Emrin e tij e njihja, veprën e tij jo. Kisha mbaruar studimet në kapërcyell të dy sistemeve, të dy epokave. Eco ishte fort bashkëkohor për t’u futur në programet e studimeve tona universitare.  Duhet të ketë qenë viti 1992. Gjendesha në Itali në një kurs pasuniversitar. Po shijoja mirakandjen e të endurit nëpër libraritë tejet të pasura dhe po aq të mirëstrukturuara të qytetit ku ndodhesha. Aty kam blerë ma së pari romanin e tij të mirënjohur botërisht Il nome della rosa (Emri i Trëndafilit), i botuar nga Bompiani. Faktikisht u nisa drejt librit, e shtyrë nga emri i autorit që e kisha dëgjuar plot herë. Ky edicion hapej me një parathënie të vetë Eco-s: “Më 16 gusht 1968 më ra në dorë një libër që i detyrohej penës së një abati të quajtur Vallet, Le manuscript de Dom Adson de Melk, i përkthyer në frëngjisht nga botimi i Dom J. Mabillon…”. Nuk isha e qartë: Ishte roman historik, thriller apo çfarë? Referencat kulturore të tij ishin të atilla që mund të trembnin më të mirin lexues. Por, kapërceva faqet e parathënies dhe u ndodha përballë këtyre rreshtave me të cilët hapej romani: “Fillimisht ishte Fjala e Fjala ishte pranë Zotit, e Fjala ishte vetë Zoti”. Sinteza më goditëse e elokuente që kisha lexuar ndonjëherë. Trembjen e përligjur fillestare, ma fitoi kureshtja. Duke respektuar “statusin e studentit” në të cilin ndodhesha, bleva formatin më të lirë të mundshëm; atë të edicionit super pocket (livre de poche). Sakrilegj. M’u desh kohë që ta lexoja. M’u desh edhe më shumë kohë të përthithja gjithë atë makinë narrative të pangjashme alla Eco, krejtësisht e panjohur për shijet që letërsia deri atëherë e frekuentuar kishte plazmuar në mua. E konsideroj si librin që të transformon, të shenjon. Librin fizik e kam akoma në bibliotekë. Shenjën imateriale të tij ma ruan besnikërisht e pa frikë humbjeje, vetëdija ime emocionale e racionale. Për arsye profesionale fillimisht, më është dashur t’i afrohem veprës së tij studimore. Lënda e Semiotikës mban, midis të tjerësh studiues, pashmangshmërisht vulën e Eco-s. Madje, mund të thuhet se në dhjetëvjeçarët e fundit, është një nga zërat më ndikues të këtij lëmì. Në gjykimin tim, të pretendosh se e njeh Umberto Eco-n studiues, është luks i fuqishëm. Çdo vepër e tij, traktat, artikull apo opinion, është i atyre përmasave diturake që kërkon jo thjesht zellin dhe predispozicionin për t’iu vënë leximit, por edhe pajisjen me një aparat dijenish paraprake që nuk është fort e zakonshme të disponohet. Vëmendjen më të madhe e kam patur dhe e kam ndaj studimeve të tij në teorinë globale, ravijëzimin e të gjitha qasjeve të tij në proceset e komunikimit, duke hedhur dritë mbi organizimin kulturor nga ligjërimi i folur te gjestet, nga imazhi tek objektet funksionale etj. Po kaq intriguese për mua janë teoritë e tij të semiotikës së letërsisë, të cilat zhvillojnë një reflektim pa ndihmën e teknicizmave, por që të lejojnë të bësh të tuat instrumentet e duhura për leximin në nivelin e duhur.
Shtëpia Botuese Dituria që gëzon të drejtat e autorit për përkthimin e veprave të Eco-s, më besoi sjelljen në shqip të Sei passeggiate nei boschi narrativi (Gjashtë shëtitje në pyjet e tregimtarisë). Vepra e përkthyer ka dalë në 2007-ën. Bëhet fjalë për gjashtë leksione-konferenca të mbajtura nga Eco gjatë 1992-1993 me rastin e Norton Lectures në Harvard University. Gjashtë leksione që mëtojnë të përballin nga pikëpamja semiotike çështjet e tregimtarisë, ama duke u nisur nga vetë përvoja e lexuesit. Një mënyrë elegante e zhdramatizuese se si duhet të orientohemi në “pyjet” e leximit. Një vështrim tejet interesant e intrigues i procesit të të lexuarit, i marrëveshjes pa kushte të lexuesit para cilësdo vepër letrare, marrëveshje që Mjeshtri Eco e quan “pezullimi i mosbesimit”. Më pyesni nëse ishte e vështirë të sillej në shqip Eco? E lehtë, jo. Galeria e referencave kulturore artistike të përdorura nga ai është e pafundme: nga Homeri tek Akile Kampanile, nga Nervali te Franc Kafka, nga Agata Kristi te Karolina Invernici. Por, nga ana tjetër, teksa përktheja e gjeja veten duke buzëqeshur për gjetjet gjeniale të interpretimeve të tij. Ajo që spikat fuqishëm në veprat e tij studimore është pikërisht spiralja e mendimit të tij, një spirale ama ku ti nuk e humbet kurrë rrugën sepse koherenca logjike e tij të garanton natyrshëm daljen te përfundimi i argumentuar. Një mënyrë elegante dhe argëtuese e trajtimit të çështjeve semiotike, e cila më kompensonte vështirësitë e ndeshura rrugës. Një kryevepër studimore, një aventurë qe tonifikon mendjen.
Si prozator, eseist, filozof, semiolog… Do të ishte minimizuese dhe e pavend që të guxoja të ndaja këto aspekte të personalitetit të tij diturak. Nëse bëhet fjalë thjesht për parapëlqim, do të rendisja në vend të parë semiologun dhe filozofin.
Çfarë ka humbur letërsia botërore me ndarjen nga jeta të Umberto Eco-s… Nuk dua të bie në retorikën e rrezikshme të klisheve. I ndruhem gjykimit të Umberto Eco-s edhe aty ku ndodhet. Do të thërras në ndihmë një thënie të Italo Kalvinos, i cili e përdorte në lidhje me intertekstualitetin, duke e përshtatur për pyetjen tuaj: “Çdo libër i ri që lexoj bëhet pjesë e atij libri të plotë e kompleks e të vetëm që është shuma e leximeve të mia… Prej vitesh frekuentoj këtë bibliotekë duke eksploruar çdo vëllim, çdo raft, por mund t’ju dëshmoj që në fakt nuk kam bërë asgjë tjetër përveçse kam çuar përpara leximin e një libri të vetëm”. Për mua, Umberto Eco është pikërisht ky: Libri i librave, mishërimi i Dijes universale.

Vepra e Eco-s në shqip
Të thuash gati të njëjtën gjë
Autori: Umberto Eco
Përktheu: M. Ymeri, A. Ylli
F.416
Çmimi: 900 lekë
Emri i trëndafilit
Autori: Umberto Eco
Përktheu: Donika Omari
F.600
Çmimi: 1500 lekë
Gjashtë shëtitje në pyjet e tregimtarisë
Autori: Umberto Eco
Përktheu: Diana Kastrati
F.184
Çmimi: 700 lekë
Historia e Bukurisë
Autori: Umberto Eco
Përktheu: Shpëtim Çuçka
F.440
Çmimi: 4000 lekë
Në kërkim të gjuhës së përkryer
Autori: Umberto Eco
Përktheu: Genc Lafe
F.368
Çmimi: 1000 lekë
Numri zero
Autori: Umberto Eco
Përktheu: Ledia Dushi
F.208
Çmimi: 1000 lekë
Varreza e Pragës
Autori: Umberto Eco
Përktheu: Ledia Dushi
F.432
Çmimi: 1250 lekë
Si shkruhet një punim diplome
Autori: Umberto Eco
Përktheu: Shpëtim Çuçka
F.264
Çmimi:800 lekë
Për letërsinë
Autori: Umberto Eco
Përktheu: Donika Omari
F.320
Çmimi: 800 lekë

Related

Kultura 4959764599056880031

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item