Shkrimtari Stephen King i bën skanerin Amerikës

Vëzhgimi –  Një nga shkrimtarët amerikanë më të njohur në botë, me 350 milionë kopje të shitura të veprave të tij, diskuton për zgjedhjet ...

Vëzhgimi – Një nga shkrimtarët amerikanë më të njohur në botë, me 350 milionë kopje të shitura të veprave të tij, diskuton për zgjedhjet presidenciale të 2016-s në SHBA, filmin e tij të preferuar të 2015-s, dhe çështjen e racizmit në Hollywood. Ai e quan kandidaturën e Donald Trump-it si kandidat i republikanëve për zgjedhjet presidenciale si diçka qesharake



Ka pak fraza të cilat ia dalin të bindin njerëzit të shkojnë në kinema për të parë një film të ri përveç asaj: “bazuar në një roman të ‘Stephen King-ut’”. Shkrimtari amerikan, një nga më prodhimtarët dhe të njohurit anembanë planetit, ka arritur që të hesë 350 milionë kopje të veprave të tij. Ndërkohë historitë e tij kanë frymëzuar disa nga filmat më të shikuar të dekadave të fundit, që nga “The Shining” deri te “The Shawshank Redemption”. Por prapë, autori 68-vjeçar mendon se nuk ka pasur fat në televizion, ku shumë prej projekteve të tij nuk janë vënë në jetë. Por telenovela “11.22.63” mendohet se do t’ia kthejë lavdinë në ekranin e vogël. Skenari bazohet në romanin e tij me të njëjtin emër, ku një mësues, që luhet nga aktori James Franco ka detyrën të kthehet mbrapa në kohë dhe të parandalojë vrasjen e presidentit të atëhershëm John F. Kennedy, që çoi më pas në zhvillime katastrofike si lufta e Vietnamit.
A e patë vrasjen e Presidentit Kenedi në lajme dhe çfarë efekti pati te ju?
E pamë, unë, mamaja dhe vëllai. Unë dola nga shkolla dhe jetoja në një qytet të vogël në jug të Waterville, Maine, dhe shoferi që na dërgonte në shtëpi ne, një tufë fëmijësh për çudi atë pasdite kishte ndezur radion. Kurrë se hapte atë. Ai tha: Një bir k.. sapo vrau presidentin. Dhe ne të gjithë heshtëm. Pamë gjithçka ndodhi më vonë. Mamaja ime ishte republikane e thekur, por ajo qau me ngashërim. Vazhdoi të fliste për fëmijët e vegjël që ai la. Në darkë, ne po shikonim televizion me ushqimin vënë në prehër, kur pamë Oswald-in që u transferua nga burgu lokal në një më të madh. Aty pamë kur ai u vra drejtpërdrejt. Ngelëm me gojë hapur. Nuk e besonim dot.
Pse mendoni se kjo tragjedi ka prodhuar më shumë teori konspirative se çdo ngjarje tjetër në historinë amerikane?
Sepse Jack Ruby ia mbylli gojën Oswald-it përpara se ai të fliste për atë që kishte bërë. Kur u mor për herë të parë në pyetje, ai tha fjalët e zakonshme të një sapo të arrestuari: nuk e bëra unë. Njerëzit dyshojnë sepse Oswald-i kurrë nuk u dorëzua dhe tha; po, unë e bëra. Na duket e pabesueshme që një ekstremist i vetmuar me një pushkë, të mund të vriste njeriun më të pushtetshëm në botë. Por këtë gjë e kemi parë kohë pas kohe. E pamë me John Lennon-in që nuk kishte fare konspiracion. Ai u vra nga një njeri i vetmuar i luajtur mendsh.

Kulmi i telenovelës “11.22.63” është se duke parandaluar vrasjen e Kenedit, ne do ta ndryshonim rrjedhën e historisë duke paralajmëruar njerëzit për luftën në Vietnam dhe vrasjen e Bobby Kenedi-t. Cila ngjarje e fundit sipas jush, do ta ndryshonte drastikisht kursin e historisë amerikane? Ndoshta zgjedhjet presidenciale të vitit 2000?
Ngjarja për zgjedhjen e Bushit është mjaft e rëndësishme. Do ta vendosja atë në vend të dytë. Faktikisht, është e përmendur edhe në seritë e telenovelës, ku Al thotë që do të ketë ndryshime të mëdha nëse kthehesh prapa në kohë në vitin 2000 në Florida dhe harxhon 100 mijë dollarë për të bindur njerëzit të votojnë për Al Gore-n në vend të Bushi-t apo Naderi-t. Kjo sepse president do të shpallet Al Gore. Ngjarjet më të mëdha janë sulmet terroriste të 11 shtatorit. Nëse do lajmëronte dikush se avionët do të merren nga terroristët e do të përplasen në Kullat Binjake, atëherë nuk do të ndodhte lufta në Afganistan, lufta në Irak, gjithë ato jetë të humbura, gjaku i derdhur dhe miliarda dollarë të shpenzuara.
Ju keni bashkëpunuar edhe në serialin “Lost?
Më ka pëlqyer shumë “Lost”, ashtu si edhe gruas sime. Të mendosh që ajo rrallë shikon televizion. Pasi bisedova me producentin J.J. Abrams’ rezultoi që gruaja e tij u rrit afër lumit në qytetin e Brewer-it në Maine. Folëm gjatë për këtë, madje më pas shkuam e pamë edhe filmin horror “The Decent”.

Meqë po flasim për J.J, çfarë mendoni për një nga filmat e tij të fundit “Star Wars” dhe “Force Awakens”?
Mua më duket më i miri nga të gjithë filmat në seri të tij. I pari qe me të vërtetë special, pasi asnjë nuk e kishte idenë çfarë do të shihte. Të gjithë vendosën që t’i besonin punës së mirë të tij dhe më pas kur panë në fillim pamjet e një anije të madhe kozmike u tërhoqën jashtëzakonisht. Unë e vlerësoj të gjithë atë film. Çdo pjesë. Mendoj se ai ka shfaqur në serinë e re, veçantinë e filmit të parë. Shkova ta shikoja me tre nipërit e mi dhe ishte fantastik.
Prit, juve ju pëlqeu më shumë se sa “Empire”?
Po. Pas filmit të parë nga tri origjinalët unë pëlqej të tretin, sepse aty ishte Carrie Fisher me veshjen e saj joshëse dhe unë kam mendimin se ajo shfaqet shumë seksi.

Tani po shkojmë drejt dhënies së çmimeve për filmat më të mirë. Cilin film do të veçoni për 2015-n? Për mua, nr. 1 ishte “Mad Max: Fury Road”.
Edhe mua më pëlqeu si film. Por nuk dua të lë pas edhe “The Big Short”. Mendoj se ishte fantastik. Më lër të mendohem pak çfarë kam parë tjetër…Më e bukura është se po afron dhënia e çmimeve “Oscar” dhe shumica e kanë të vështirë që të kujtojnë kush e fitoi çmimin “Best Picture” 7 vite më parë. Por filmat më të çmendur ne i kujtojmë gjithnjë. Por “The Big Short” dallon nga të tjerët, sepse ai trajtoi një subjekt të ndërlikuar në një mënyrë zbavitëse. Por mua më pëlqeu edhe “Cop Car” me Kevin Bacon. Qe film i mirë. M’u duk paksa si “Stand By Me”, vetëm pak më i zymtë.
Çfarë mendoni për diversitetin në Hollywood, meqë edhe çmimet “Oscar” po shërbejnë si katalizator? Duket sikur media sociale i ka dhënë zë memecëve dhe ka ndihmuar që t’i nxjerrë në pah këtë çështje.
Absolutisht. Media sociale ka qenë e jashtëzakonshme kur bëhet fjalë për këtë çështje. Më vjen çudi me nominimet që janë bërë në këto dy vitet e fundit, ku kanë mbizotëruar të bardhët. Sidomos kur mendon që ka pasur interpretime shumë të mira si p.sh., ai djali nga “Friday Night Lights” në filmin “Creed”, Micahel B.Jordan, ishte i jashtëzakonshëm. Meritonte një nominim. Por edhe më tepër Idriz Elba në filmin “Beasts of no Nation”. Një performancë e paparë në një rol mjaft të vështirë. Pyes veten nëse një pjesë e arsyes që ai dhe gjithashtu filmi u injoruan kishte të bënte me bashkëpunimin me Netflix-in. Mendoj se në shumë filma, njerëzit nuk kanë qejf idenë e personave të tjerë që ndërhyjnë me forcë në fushën e tyre. E shikojnë si kërcënim. Unë jam pjesë e “Academy Awards”, por nuk kam shans të votoj për aktorët. Unë votoj për çmimet: “Best Picture”, “Best Original Screenplay” dhe “Best Adapted Screenplay”. Një pjesë e votuesve të vjetër mund të ndikohen edhe nga fakti që për tema të caktuara nuk kanë njohuri. Por këtë vit “Oscar”-i mendoj se do jetë mjaft interesant, sepse shumë njerëz kanë pakënaqësi e do të flasin rreth kësaj çështjeje.

Si ju duket ngritja e Donald Trump-it?
Nuk di çfarë të them për të. Mua Trump-i më lë pa fjalë. Kur ai zbriti nga ashensori dhe tha se do të garonte për president, thashë mos po bënte ndonjë shaka. M’u duk si një mënyrë për të rikthyer të gjithë vëmendjen nga vetja, për të qenë në faqe të parë të gazetave, për të marrë edhe më tepër famë. Mendova se do të garojë për pak, e pastaj do heqë dorë dhe kjo çështje do të mbyllej këtu. E quajnë mjeshtër të medias, por mua më duket kandidati antimjeshtër i medias. Ka thënë nja 40 fraza që po të mos ishte, kishte namin e njeriut-skandal, do ta kishin flakur tutje me kohë nga zgjedhjet. Kujtoj debatin që patën republikanët në New Hampshire. Marco Rubio përsëriti tri a katër herë të njëjtën çështje dhe moderatorja i tërhoqi vëmendjen. Një sjellje sikur kandidatura e tij është diçka e rrezikshme. Kurse me Trump-in nuk ka reagime të tilla. Kujtoj që ofendoi një gazetare, pastaj u tregua vulgar ndaj Ted Cruz-it e prapë vazhdon me sjelljen e tij, pa u shqetësuar fare. Mua më duket si jelek antiplumbi. A do të nominohet? Para disa muajsh do ta quaja qesharake këtë ide, por tani s’jam i sigurt. Ka njerëz që thonë, edhe po u nominua s’ka për t’u zgjedhur president, e unë shpreh kështu. Po kush i di të këto gjëra.
Mua Ted Cruz-i më duket kandidati më i frikshëm. Mbi një dekadë më parë, kujtoj që Trump qe demokrat e tani po thotë ato që elektorati i tij do. Kurse Cruz, është një totalisht një karakter tjetër…
Po edhe mua Cruz më duket i frikshëm. Mendoj se në fund, Trump ka më shumë shanse për t’u zgjedhur. Ted Cruz është një kristian-fundamentalist e kjo është njësoj sikur të zgjedhësh një Imam për president, i cili bazohet te libri i shenjtë e jo te Kushtetuta. Por nuk mendoj se do zgjidhet. Edhe sikur të ndodhë që të jetë president e të rrijë pa e hedhur botën në erë, unë shtroj pyetjen: A do t’ia dalim ne të shikojmë një djalë që ngjan si një moderator i një emisioni quiz-esh? Nuk është në rregull që nga modeli i flokëve.
A jeni frymëzuar ndonjëherë në historitë apo karakteret tuaja nga David Bowie?
Unë kam bërë disa seri emisionesh kohë më parë në periudhën kur doli kënga “Vitet e arta”. Një këngë misterioze dhe e bukur dhe ne e përdorëm si këngë të spektaklit. Por në fund, për fat të keq, drejtuesit e programacionit nuk e përzgjodhën. Pastaj më telefonoi e ne folëm për një album që ai kishte dëshirë të bënte. U ndjeva shumë keq kur mora vesh që ai vdiq. Në mendjen time gjithnjë kisha një imazh të tij, vazhdimisht i ri dhe vazhdimisht duke ndryshuar, kështu që u shokova kur mora vesh se ai kishte moshën time. Është humbje e madhe. Njeri i talentuar që arriti shumë gjëra në jetë. Mënyra se si shtypi e trajtoi, d.m.th shkruan që ishte i pashëm dhe me shije në modë m’u duk sikur injoroi zotësinë e tij si muzikant. Ka bërë shumë krijime të bukura.

Related

Top Lajm 4656216452891001365

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item