SHBA: Korea e Veriut mund të pasurohet me plutonium brenda pak javësh

Korea e Veriut, që zhvilloi testin e katërt bërthamor gjatë muajit të kaluar, si dhe lëshoi një raketë me rreze të gjatë veprimi në orbi...


Korea e Veriut, që zhvilloi testin e katërt bërthamor gjatë muajit të kaluar, si dhe lëshoi një raketë me rreze të gjatë veprimi në orbitë gjatë së shtunës, mund të nisë nga grumbullimi i plutoniumit brenda pak javësh, pas rifillimit të punës në një reaktor bërthamor.

Paralajmërimi jepet nga drejtori i Kundërzbulimit amerikan Kombëtar gjatë kësaj të marte.

James Clapper ka thënë se, në vitin 2013, menjëherë pas testimit të tretë bërthamor, Korea e Veriut shpalli qëllimet e saj për “rinovuar dhe rivendosur në punë” ambientet e kompleksit bërthamor të Yongbyonit, për të përfshirë pajisje të pasurimit të uraniumit, si dhe rinisur me reaktorin e prodhimit të plutoniumit të moderuar, të mbyllur në vitin 2007.

“Vlerësojmë se Korea e Veriut ka ndjekur me përpikmëri njoftimin e saj, duke zgjeruar ambientet bërthamore në Yongbyon, si dhe duke rifilluar punën e reaktorit të prodhimit të plutoniumit”, tha Clapper në një deklaratë të parapërgatitur përballë Komitetit të Shërbimeve të Armatosura, në Senatin amerikan.

“Vlerësojmë gjithashtu se Korea e Veriut ka operuar në këtë reaktor mjaftueshëm, sa për të nisur grumbullimin e plutoniumit nga konsumimi i karburantit në reaktor brenda shumë pak javësh, apo çështje muajsh”, shtoi ai në atë që quhet si vlerësim i përvitshëm i kërcënimeve mbarëbotërore.

Korea e Veriut e ka përdorur më herët reaktorin e Yongbyonit, si një burim plutoniumi për të zhvilluar bomba bërthamore. Vendi komunist ka testuar një pajisje të re bërthamore, e katërta e tillë, më 6 janar të këtij viti. Ndërkohë që, shtatorin e kaluar Peniani njoftoi se Yongbyoni nisi operimin dhe se po punohej për të përmirësuar “cilësinë dhe sasinë” e armëve, të cilat do të mund t’i përdorë kundër Shteteve të Bashkuara “në çdo kohë”.

Clapper bëri të ditur se armët bërthamore të Veriut komunist, por edhe programet e lëshimit të raketave mund të “vijojnë të përbëjnë një kërcënim serioz ndaj interesave të SHBA-ve, por edhe ndaj sigurisë rajonale në Azinë Lindore gjatë 2016-s”. Sipas tij, Korea e Veriut ka zgjeruar përmasat dhe sofistikimin e forcës së saj balistike, teksa është “angazhuar për zhvillimin e një rakete me rreze të gjatë të mbushur me lëndë bërthamore, e cila të jetë e aftë të përbëjë një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Shteteve të Bashkuara”.

Veriu komunist njoftoi të shtunën e kaluar se kishte lëshuar me sukses një satelit në orbitën e Tokës, përmes një rakete me rreze të gjatë veprimi. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në rajon e panë veprimin e fundit të Penianit si një perspektivë e zhvillimit të teknologjisë së raketave balistike që mund të përdoren për transportin e armëve bërthamore. Lëshimi i satelitit u dënua ashpër nga Shtetet e Bashkuara, aleatët e tyre, por edhe nga Këshilli i Sigurisë në OKB.












Related

Top Lajm 1788291424691122947

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item