Pse po dështon politika e Obamës mbi Lindjen e Mesme?

Nga Kenet Polak dhe Barbara Uollter Imagjinoni sikur është data  8 dhjetor e vitit 1941, një ditë pas sulmit japonez në Pearl Harbor...

Nga Kenet Polak dhe Barbara Uollter

Imagjinoni sikur është data  8 dhjetor e vitit 1941, një ditë pas sulmit japonez në Pearl Harbor. Presidenti Franklin Ruzvelt del para Kongresit për të kërkuar miratimin e shpalljes së një lufte kundër. . .SS-ve Nazistë. Jo Japonisë – ata s’mund të pushtonin kurrë SHBA-në. Jo Hitlerit – ne nuk e kemi shumë qejf, por nuk po i kryen ai vrasjet. Jo trupave të rregullta të Vehrmahtit, ato thjesht janë duke zbatuar urdhërat. Jo ndaj Partisë Naziste, ajo nuk është një kërcënim i drejtpërdrejtë fizik i Shteteve të Bashkuara. Gjithë furia kundër SS-ve, pasi ata janë duke kryer gjenocidin, që është krimi më i keq i Rajhut të Tretë.
Pastaj Ruzvelt i telefonon Stalinit dhe Çërçillit, dhe i nxit ata të mos shqetësohenm më mbi divizionet e ushtrisë gjermane, Luftëaffe-n dhe fabrikat e municioneve të Hitlerit – dhe të përqëndrohen vetëm ndaj SS-ve. Nëse Amerika do të kishte patur këtë qasje ndaj Luftës së Dytë Botërore, do të qe krejtësisht absurde, por kjo është në fakt mënyra sesi administrata Obama po merret me konfliktin në Lindjen e Mesme:duke u fokusuar vetëm tek ISIS-i.
Vrasësit xhihadistë të Shtetit Islamik, janë vetëm një simptomë e një problemi shumë më të madh në Lindjen e Mesme. Duke u fiksuar vetëm pas kësaj simptome, në vend të burimit të saj, dhe më pas duke u përpjekur të bindim të gjithë të tjerët në rajon të bëjnë të njëjtën gjë, ne jemi duke shkuar drejt dështimit të sigurtë. Në të kundërt, ajo që rusët kanë bërë muajt e fundit, ka një kuptim të përsosur për njerëzit në Lindjen e Mesme.
Rusët zgjodhën një anë:atë shiite në konfliktin sirian, regjimin e Asadit, të mbështetur nga Irani dhe Hezbollahu (me qeverinë e Irakut që atashohet hera-herës). Kjo nuk do të thotë se shtetet sunite arabe, të cilat janë aleatët tradicionalë të Amerikës, e pëlqejnë zgjedhjen e Moskës. Por ata e kuptojnë atë. Ajo që ata nuk kuptojnë, është strategjia e frikshme, që po ndjek prej një kohë të gjatë mbrojtësi i tyre.
Për pasojë, një aleate tradicionale amerikane si Arabia Saudite, është ndjerë e detyruar të ndërmarrë veprime të rrezikshme në vetëmbrojtje, sikurse ishte ekzekutimi i një kleriku shiit muajin e kaluar, si dhe ndërhyrë në luftën civile të Jemenit duke mbështetur qeverinë sunite kundër Huthive shiitë të favorizuar nga Teherani.
Shumica e banorëve të Lindjes së Mesme, e konsiderojnë ISIS-in si diçka të neveritshme dhe duan ta shohin të zhdukur. Por Shteti Islamik nuk është rrënja e problemit. Problemet e vërteta në Lindjen e Mesme, rrjedhin nga dështimi i sistemit shtetëror arab i post-Luftës së Dytë Botërore, që ka prodhuar kolaps shtetëror, vakuum pushteti dhe luftëra civile, sikurse janë ato të shpërthyera së fundmi në Irak, Siri, Libi dhe Jemen.
Këto luftëra janë përhapur tashmë tek vendet fqinje në formën e flukseve të mëdha të refugjatëve, terrorizmit, përhapjes së radikalizimit, dhunës ndër-kufitare, krizës ekonomike dhe spektrit të një konflikti në të gjithë rajonin sunito-shiit. Kjo përhapje destabilizuese, kërcënon tashmë interesat kombëtare të Evropës dhe Amerikës, dhe kërcënimi kryesor janë luftërat civile të rajonit.
Konflikte të tilla, pjellin përherë grupe ekstremiste si ISIS-i dhe Al Kaeda. Shteti Islamik u krijua (fillimisht si pjesë e Al-Kaedës në Irak), pasi shpërtheu lufta civile në Irak. Grupi qe në prag të zhdukjes, kur SHBA-ja arriti më në fund t’i japë fund luftës civile në Irak të viteve 2007-2010, vetëm sa për të shpëtuar dhe u ringjallur, kur Siria fqinje rrëshqiti në një luftë civile në vitin 2011.
Prej atëhere, ISIS-a dhe Al- Kaeda janë rritur dhe përhapur në të gjithë rajonin, por në mënyrë efektive vetëm tek shtetet në luftë civile ose në prag të saj – Siri, Jemen, Libi, Mali, Somali,
Egjipt dhe sërish në Irak. Edhe nëse Shtetet e Bashkuara do të qe në gjendje të “mundte” apo “degradonte” ISIS-in, për aq kohë sa zgjasnin luftërat civile në rajon, kushtet që çuan në shfaqjen e tij do të ekzistonte akoma, dhe thjesht do të dilnin në skenë grupe të reja radikale për ta zëvendësuar atë. Jepini fund luftërave civile, dhe grupet terroriste do të rrënohen.
Për më tepër, luftërat civile mund të jenë ngjitëse. Një nga treguesit më të mirë është fakti se se çdo vend do të përjetojë një luftë civile, në rast se kufizohet me një vend që është tashmë në një luftë të tillë. Sa më gjatë të vazhdojnë konfliktet në Irak, Siri, Jemen dhe Libi, aq më shumë ka të ngjarë që ato të destabilizojnë fqinjët e tyre. Jordania, Libani, Tunizia, Bahreini, Arabia Saudite dhe Kuvajti, tashmë janë duke përjetuar trazira të dhunshme, ndërsa luftërat civile të saposhpërthyera po përhapin tension në Turqi, Egjipt dhe Sudanin e Jugut.
Çfarë duhet të bëjë SHBA? Historia e luftërave civile që nga viti 1945, ofron mësime të qarta, të cilat politika aktuale i ka injoruar. Në kundërshtim me urtësinë e përbashkët, është e mundur që një fuqi e jashtme t’i japë fund luftës civile të dikujt tjetër. Që nga viti 1945, më shumë se 20 përqind e rreth 150 luftërave civile, kanë përfunduar përmes marrëveshjeve të negociuara.
Ky numër u rrit në rreth 40 përqind pas vitit 1991, si në Ballkan, Mozambik, Kamboxhia dhe El Salvador, pjesërisht për shkak se komuniteti ndërkombëtar mësoi si të lehtësojë arritjen e marrëveshjeve të tilla.
Ne tani e dimë se negocimi i fundit të parakohshëm të një lufte civile përfshin tri gjëra: (1) ndryshimin e dinamikës ushtarake, në një situatë ku asnjë prej fraksioneve ndërluftuese nuk beson se mund të arrijë një fitore të drejtpërdrejtë, dhe ku të gjithë besojnë se mund të dorëzojnë të sigurtë armët e tyre; (2) farkëtimin e një marrëveshje për ndarjen e pushtetit ndërmjet të gjitha grupeve rivale, e cila të sigurojë një shpërndarje të barabartë të pushtetit politik dhe përfitimeve ekonomike, e shoqëruar me një garanci kundër shtypjes së minoriteteve; dhe së treti) të ndërtojë institucione (të jashtme apo të brendshme), të afta për të siguruar zgjatjen në kohë të dy kushteve të para.
Kjo qasje, është si ajo që SHBA arriti në Bosnje dhe (përkohësisht) në Irak. Por ajo do të funksionojë, vetëm nëse ka burime të mjaftueshme dhe ndiqet në mënyrë të qëllimtë. Ndërhyrjet e jashtme, të cilat nuk e përdorin këtë qasje ose nuk vënë në funksion burime të mjaftueshme për ta bërë atë të besueshme, jo vetëm që dështojnë, por kanë ndërkohë prirjen për ta bërë konfliktin (dhe përhapjen e tij) më keq.
Problemi është se administrata Obama, nuk është duke e ndjekur këtë metodë zgjidhjeje, si në Irak ashtu edhe në Siri. Plani i armëpushimit në Siri, i njoftuar javën e shkuar nuk ka gjasa të realizohet, derikur disa fraksione ndërluftuese të japin frymën e fundit. Në Siri, përpjekjet diplomatike të Sekretarit amerikan të Shtetit, Xhon Kerri, mund të prodhojnë një ditë një marrëveshje të realizueshme, për ndarjen e pushtetit në aspektin politik.
Por kjo s’do të ketë asnjë shans të ndodhë, derikur të ketë një përpjekje paralele ushtarake. Diçka e tillë, nuk duhet të jetë aq e kushtueshme dhe e dhimbshme, si përvojat e fundit të SHBA-së në rajon, duke përfshirë Afganistanin apo Irakun. Uashingtoni ka nevojë të krijojë një forcë të fuqishme opozitare, në gjendje për të ndaluar të gjitha fraksionet radikale dhe regjimin e Asadit, në mënyrë që të jetë e qartë për të gjithë, se negociatat janë e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza aktuale.
Gjithashtu mund të duhet të ofrohet një siguri reale, në mënyrë që fraksionet ndërluftuese dhe përkrahësit e tyre, të besojnë se nuk do të masakrohen në rast se dorëzojnë armët. Në Irak, e kundërta është e vërtetë. Fushata ushtarake amerikane e udhëhequr kundër Shtetit Islamik, mund të bindë një ditë luftëtarët se fitorja e plotë është e pamundur, porse SHBA nuk ka treguar të njëjtën energji në ndjekjen e një procesi politik të pajtimit kombëtar, që mund të prodhojë një marrëveshje të re të realizueshme për ndarjen e pushtetit.
As në Irak dhe Siri, SHBA-ja apo partnerët e saj të koalicionit, nuk po ndërtojnë institucione vendase ose vendosin një forcë paqeruajtëse të jashtme, që mund t’i bindë irakianët dhe sirianët të besojnë se ndryshimet do të zgjasin. Derikur Uashingtoni të jetë i gatshëm të ndërmarrë hapa të tillë dhe të bëjë prioritetet të saj përfundimin e luftërave civile në Irak dhe Siri, nuk ka të ngjarë të arrihet ndonjë gjë që ia vlen./ WSJ/ Bota.al
Shënim: Kenet Polak është bashkëpunëtor kryesor në Institutin Brookings. Barbara Uolltër është profesore në Shkollën e Politikave dhe Strategjisë Globale në Universitetin e Kalifornisë në San Diego.





Related

Top Lajm 5592717294300801338

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item