Pse filozofia na duhet më shumë se kurrë

Nga Roger Scruton Kjo është vizita ime e parë në Shqipëri dhe ka qenë një vend për të cilin gjithmonë kam pasur një imazh specifik. ...

Nga Roger Scruton

Kjo është vizita ime e parë në Shqipëri dhe ka qenë një vend për të cilin gjithmonë kam pasur një imazh specifik. Një vend, i cili është përtej të gjitha ndryshimeve dhe diversitetit që kishte rreth e qark, duke i dhënë gjithmonë rëndësi personaliteteve britanike, dhe sidomos Lordit Bajron, një poet i yni dhe që ka një histori të veçantë. Shqipëria është një vend që po shkon në një drejtim të ri dhe kam mësuar shumë sot për këtë drejtim në të cilin Shqipëria po ecën, sa gati po më bllokohet mendja nga gjithë ai informacion. Dua ta falenderoj universitetin për këtë nderim të madh dhe ndiej të them diçka në lidhje me këtë, edhe pse nuk mendoj se e meritoj në fakt.
Unë në jetën time jam munduar që filozofinë ta bëj diçka të rëndësishme për jetët e përditshme të njerëzve. Unë u rrita në Akademinë Britanike për ta menduar filozofinë si një lëndë teknike akademike, me degët e veta, si: epistemologjia, logjika apo filozofia e shkencës. Këto shkojnë përtej prekjes së njerëzve të zakonshëm dhe ata nuk shohin ndonjë rëndësi të madhe te filozofia. Unë gjithsesi e kuptova që gjatë studimit të kësaj lënde, e cila është e rëndësishme për jetën morale dhe shpirtërore, pra jetën e përditshme të njerëzve, në një farë mënyre në botën në të cilën ne jetojmë sot, feja po humb pak a shumë influencën te njerëzit, botë në të cilën njerëzit nuk kanë më qartësinë e para disa viteve, si për shembull kush ata ishin dhe kujt i përkisnin. Sot është shumë e rëndësishme të mendosh në mënyrë kritike. Kur unë e takova filozofinë për herë të parë, si njeri e pashë atë si pjesë të letërsisë pasi mendova se ishte diçka që varet prej fjalës. Pashë që filozofia ishte diçka si ajo e Platonit, shumë poetike dhe mund ta eksploronte të vërtetën përfundimtare si ajo e Kantit, por në të gjitha format e veta, filozofia ishte diçka e cila thellë-thellë bënte një pyetje thelbësore: Kush jam unë, kujt i përkas dhe çfarë e bën qenien time në këtë botë diçka tjetër dhe jo një aksident. Kjo mendoj se është një pyetje që njerëzit e kanë gjithmonë në mendje. Të rinjtë nuk vijnë në universitet thjesht për të mësuar gjëra abstrakte, sigurisht, jo nëse ata duan që të dalin në botën e vërtetë. Ata vijnë për të pyetur e për të marrë përgjigje dhe përmes kësaj bëhen pjesë e një universiteti që përfaqëson një lloj modeli në fakt. Një universitet i ri, i cili e ka krijuar veten prej dëshirave të veta është një model me një komunitet të tillë akademik. Mendoj se filozofia duhet të jetë pjesë e çdo komuniteti social dhe të bëjë pyetjet thelbësore. Filozofia në etimologjinë e vet nënkupton dashurinë për dijen, por për mua është më shumë dashuria për të bërë pyetje dhe për të mos u kënaqur me pyetje të thjeshta. Ndoshta është e vetmja mënyrë se si ne mund të mësojmë për të ndërtuar komunitetin për të cilin kemi nevojë. Ne jemi mësuar të bëjmë pyetje për botën akademike, por të bësh pyetje për botën që të rrethon dhe të mos tolerosh përgjigje të thjeshta duke qenë i hapur ndaj faktit që të tjerët mund të mos jenë dakord me ty është një dhuratë e madhe që filozofia sjell nëpërmjet universitetit. Ne jetojmë në një botë të çuditshme. Kurrikula e universiteteve është vënë në pikëpyetje pasi njerëzit nuk e dinë pse duhet të studiojnë latinishten, greqishten apo gjuhën vendëse.
Ata pyesin se pse duhet t’i studiojmë këto gjëra? Pse duhet të merrem me letërsi, me arte dhe me muzikë? Sigurisht që ka një interes të caktuar për gjëra që nuk janë objekt i studimit dhe kur studentët vijnë në universitet, pedagogët gjithsesi do të thonë se nuk ka të vërteta, është gjithçka relative, nuk ka asgjë të re për të thënë. Pra mund të lexosh atë që do, mund të ikësh prej këtu dhe pastaj të bësh çfarë të duash. Dhe për të rinjtë kjo gjë është shumë demoralizuese sepse po rritet ideja që në universitete nuk ka të vërteta, pasi e vërteta është diçka relative dhe nuk ka arsye për të bërë të tilla pyetje. Një filozof që ka qenë shumë ndikues në botën tonë, tha që nuk ka fakte por ka interpretime, dhe ky ishte Niçja. Ndaj unë pyes nëse kjo vetë është e vërtetë dhe ka një paradoks këtu. Nëse universitetet tona janë ndërtuar mbi këtë paradoks, që nuk ka një të vërtetë të caktuar, atëherë çfarë jemi duke u mësuar studentëve? Hobbes e tejkaloi këtë paradoks dhe tha që ka një problem nëse mendojmë në këtë mënyrë, prandaj duhet ta rifillojmë me një pyetje të re që na bën sens dhe që mund t’i japim një përgjigje. Njerëzit nuk e gjejnë dot kollaj të vërtetën, prandaj ata bëhen të manipulueshëm pasi ne kuptojmë që në Britani, në botën perëndimore dhe Amerikë ka një censurë që etiketohet me të qenit politikisht korrekt. Kjo i censuron njerëzit për të mbajtur qëndrime, sepse të vetmet besime që mund të kesh janë ato që të tjerët të lejojnë ty të kesh. Çfarë lloj universiteti është ky? Një universitet i vërtetë është ai që u thotë studentëve që ndoshta gjithçka që ti mendon është e gabuar dhe unë do të të shpjegoj pse. Në këtë pikë fillojnë argumentet ku edhe studenti është i lejuar ta fitojë debatin në fund, pasi askush nuk e ka monopolin e së vërtetës.
Ia vlen që t’i bëjmë këto pyetje pasi duhet t’u hapim mendjen njerëzve drejt mundësisë që ka më shumë se një përgjigje. Unë besoj se ne intelektualët mund ta gëzojmë jetën jo thjesht duke bërë gjithçka që bëjnë të tjerët, por duke deklaruar gjëra. Duke thënë që kjo është diçka që kam vendosur ta besoj sepse kjo gjë ka domethënie për mua. Mirëpo ne mund të jetojmë edhe në një botë në të cilën mund t’i dyshojmë ato që besojmë dhe prandaj unë mendoj se liria e mendimit që filozofia përfaqëson është shumë thelbësore për këtë epokë. Jetojmë në një kohë që gëzimi është një luks gjithmonë e më i rrallë dhe ne kemi nevojë që të gjithë ta gëzojmë dhe ta shijojmë jetën. Njerëzit që ndjekin botën intelektuale mund ta bëjnë këtë vetëm duke bërë dhe duke iu përgjigjur këtyre pyetjeve. Kjo është ajo që unë jam përpjekur të bëj në jetën time”.

Related

Kultura 4537537995671675998

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item