Protestuesit e rinj në Shqipëri ndahen nga politika

Gjithnjë e më shumë protesta në Shqipëri po vijnë nga grupe profesionale të interesit, si biznesmenët apo ambientalistët, që janë të v...


Gjithnjë e më shumë protesta në Shqipëri po vijnë nga grupe profesionale të interesit, si biznesmenët apo ambientalistët, që janë të vendosur të mos manipulohen nga partitë politike të stilit të vjetër.
Fatjona Mejdini | BIRN | Tiranë
Protestat që nuk kanë lidhje me partitë politike po rriten me shpejtësi në Shqipëri, në atë pikë ku mezi kalon një ditë pa një protestë të tillë në kryeqytetin, Tiranë.
Grupet profesioniste përfshirë avokatët, dentistët, ambientalistët, biznesmenët dhe aktivistët socialë të gjithë po dalin në rrugë për të shprehur zemërimin e tyre.
Më e fundit – mbajtur kundër ndërtimit të një parku lojërash në Liqenin Artificial të qytetit – mblodhi dy grupe protestuesish, mbështetësit e partisë opozitare dhe aktivistë të pavarur të shoqërisë civile – ku këta të fundit luftuan ta distanconin veten nga e para.
Një trend kundrejt protestave nga grupet e shoqërisë civile ka filluar të ndihet në vitet e fundit, në kontrast me të shkuarën, ku shumica e protestave organizohej dhe drejtohej nga partitë politike.
Kur Sali Berisha mbajti pushtetin nga 2005 në 2013, opozita e krahut të majtë organizoi shumicën e protestave në rrugë, duke kërkuar zgjedhje të reja dhe duke denoncuar korrupsionin e qeverisë.
Në janar 2011, garda e republikës qëlloi për vdekje katër protestues të opozitës përpara godinës së kryeministrisë.
Këto ditë, protestuesit janë më pak të dhënë të mbështeten te partitë politike kur përballen me atë që e perceptojnë si padrejtësi.
Alida Karakushi, një analiste e politikës publike që ka marrë pjesë në protesta të ndryshme që nga viti 2012, i tha BIRN se shqiptarët duan ta distancojnë veten nga politika sepse nuk i besojnë më establishmentit të vjetër politik.
“Njerëzit në Shqipëri e kanë humbur besimin te dy partitë kryesore politike dhe kanë filluar të kuptojnë se ka forcë në të qenët në grupe profesionale, që mund t’i përdorin kundër politikanëve,” tha Karakushi.
Ajo iu bashkua aktivistëve civilë në protestë kundër planit të Bashkisë së Tiranës për të ndërtuar një park lojërash në Parkun e Liqenit, duke përdorur rrjetet sociale për t’i treguar partive politike të qëndrojnë larg protestës së tyre.
Ajo thotë se protestat e shoqërisë civile po krijojnë një lloj efekti domino në shoqëri.
“Këto lloj protestash nxisin njëra-tjetrën. Njerëz shohin se si të tjerët po dalin në rrugë dhe më pas gjejnë kurajën të bëjnë të njëjtën gjë,” tha Karakushi.
Pasi ka marrë pjesë në protesta kundër dy qeverive të fundit në Shqipëri, ajo beson se qeveria aktuale e kryeministrit Edi Rama është më e sofistikuar në përdorimin e taktikave me marrëdhënien me publikun për të kufizuar rolin e protestuesve.
“Mënyra sesi qeveria Berisha u përpoq të përballej me protestat ishte me direkte ndërsa qeveria aktuale është më e rafinuar në mbytjen e zërit të protestuesve,” beson ajo.
Lutfi Dervishi, një pedagog gazetarie në Universitetin e Tiranës, e sheh rritjen e protestave të drejtuara nga shoqëria civile si lajm të mirë.
“Shoqëria jonë po fillon të zgjohet. Ndryshe nga protestat politike të partisë së vjetër, protestat e sotme i përkasin grupeve të interesit, si biznesmenëve dhe ambientalistëve. Ata po protestojnë me një synim të qartë,” tha Dervishi.
Ai beson se shumica e njerëzve janë të lodhur dhe të zhgënjyer nga të gjitha qeveritë dhe partitë politike.
Ai gjithashtu vlerëson që shqiptarët janë bërë më të ndjeshëm ndaj çështjeve të mjedisit dhe gati për tu përballur me arrogancën e qeverive në këtë fushë.
Një nga protestat më mbresëlënëse të organizuar nga grupet e shoqërisë civile shqiptare në vitet e fundit reflekton qartazi shqetësimet mjedisore.
Në nëntor 2013, mijëra njerëz dolën në rrugë për të kundërshtuar shkatërrimin në Shqipëri të armëve kimike nga Siria, duke e detyruar kryeministrin Edi Rama të refuzojë kërkesën nga Uashingtoni që Shqipëria të përfshihej.
Arsimi është një tjetër çështje madhore ku grupet e palidhura me politikën po luftojnë.
Në vitin 2014, studentë dhe pedagogë filluan një protestë kundër ligjit të ri të arsimit të lartë, duke krijuar Lëvizjen Për Universitetin. Ata ende po vazhdojnë protestat kundër zbatimit të ligjit.

Related

Shqipëria 5367785157323698161

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item