Popullsia shqiptare po zvogëlohet, ulen lindjet dhe rritet numri i vdekjeve

Numri i lindjeve në Shqipëri pësoi një rënie tjetër gjatë vitit 2015 duke shënuar nivelin më të ulët në shtatë dekada. Instituti i Sta...


Numri i lindjeve në Shqipëri pësoi një rënie tjetër gjatë vitit 2015 duke shënuar nivelin më të ulët në shtatë dekada. Instituti i Statistikave publikoi sot (e shtunë) të dhënat e përgjithshme për popullsinë e Shqipërisë ku raportohet se numri i lindjeve të regjistruara më 2015 qe 33,221 vetë, rreth 2,500 më pak se sa në vitin 2014.
Numri i lindjeve ka rënë me shpejtësi përgjatë 25 viteve të fundit, nga njëra anë për shkak se shqiptarët kanë zgjedhur të kenë më pak fëmijë dhe nga ana tjetër për shkak të emigrimit masiv të të rinjve. Por numri i lindjeve kaq i ulët në Shqipëri është regjistruar për herë të fundit rreth Luftës së Dytë Botërore, plot shtatë dekada më parë.
Në vitin 1990, numri i lindjeve pati shënuar rekordin historik në Shqipëri me mbi 82 mijë foshnja, por lindjet ranë me shpejtësi gjatë viteve që pasuan.
Vdekjet në rritje
Ndërsa numri i lindjeve ka ardhur në rënie të vazhdueshme, numri i vdekjeve shënoi gjithashtu nivelin më të lartë në shumë dekada duke ndjekur tendencën shumëvjeçare të krijuar nga plakja e popullsisë.
Në vitin 2015, Shqipëria regjistroi 22,422 vdekje, rreth 1,800 më shumë se në vitin paraardhës.
Shtesa natyrore minimale, popullsia në zvogëlim
Sipas INSTAT, shtesa natyrore e vendit, e llogaritur si diferencë mes lindjeve dhe vdekjeve qe vetëm 11 mijë në vitin 2015, rreth 4 mijë më pak se sa në vitin paraardhës si pasojë e rënies së lindjeve dhe rritjes së vdekjeve.
Por krahas nivelit të ulët të rritjes natyrore, Shqipëria ka shënuar gjatë dy dekadave të fundit emigrimi masiv të popullsisë, emigrim që ka qenë më i lartë se sa shtesa natyrore. Sipas vlerësimeve të INSTAT, gjatë vitit të kaluar janë larguar rreth 43 mijë vetë ndërsa në të njëjtën periudhë, vlerësohet se kanë ardhur imigrantë apo janë kthyer shqiptarë nga emigrimi në masën rreth 26 mijë vetë.
Për rrjedhojë, INSTAT vlerëson se popullsia e Shqipërisë ka rënë në rreth 2.89 milionë vetë në vitin 2015. Ky është niveli më i ulët i popullsisë rezidente në Shqipëri i regjistruar që nga viti 1985.
Niveli i popullsisë së raportuar nga INSTAT bazohet në të dhënat e grumbulluara nga regjistri civil, ku regjistrohen lindjet dhe vdekjet, si dhe nga disa supozime mbi emigrimin dhe imigrimin dhe për rrjedhojë, shifra e popullsisë rezidente prej 2.89 milionë banorësh duhet të merret si vlerësim me rezerva. Për shkak se Shqipëria nuk mban regjistër të shqiptarëve që ikin jashtë vendit apo të atyre që kthehen nga emigrimi, është e pamundur që të dihet me saktësi numri real i popullsisë rezidente.


Related

Shqipëria 5670156153483913199

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item