Politika amerikane është rrëmbyer nga terroristët

Nga Joseph S. Nye, Jr. Politika amerikane është rrëmbyer nga terroristët. Në dhjetor 2015, sondazhet treguan se një në gjashtë ameri...

Nga Joseph S. Nye, Jr.

Politika amerikane është rrëmbyer nga terroristët. Në dhjetor 2015, sondazhet treguan se një në gjashtë amerikanë, rreth 16 për qind e popullsisë, tashmë e identifikon terrorizmin si problemin më të madh kombëtar, me rritje nga vetëm 3 për qind që kishin të njëjtin mendim një muaj më parë. Ky është niveli më i lartë i alarmit mes Amerikanëve në një dekadë, megjithëse është ende më i ulët se sa 46 për qind që qe matur pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
Pasojat e këtij ndryshimi në opinionin publik kanë qenë veçanërisht të forta në zgjedhjet primare presidenciale mes republikanëve. Dukshëm ato fuqizuan kandidaturën e Donald Trump, retorika anti-islamike e të cilit ka qenë veçanërisht e ashpër (për të mos thënë zjarrvënëse). Disa politikanë kanë filluar ta quajnë betejën kundër terrorizmit “Lufta e Tretë Botërore.”
Terrorizmi është një problem për Shtetet e Bashkuara, siç treguan sulmet në San Bernardino, Kaliforni, në dhjetor. Por ai është fryrë përtej përmasave reale, si nga kandidatët për presidentë ashtu edhe nga media që i bindet shprehjes së vjetër, “nëse ka gjak, ecën.” Për ta vënë terrorizmin në dritën e duhur, amerikanët – dhe të tjerët – duhet të kenë parasysh këto shpjegime:
Terrorizmi është një formë teatri. Terroristët janë më të interesuar në tërheqjen e vëmendjes dhe në vendosjen e problemit të tyre në krye të axhendës se sa janë të interesuar për numrin e vdekjeve që shkaktojnë. Shteti Islamik (ISIS) i kushton vëmendje të veçantë skenografisë. Prerjet barbare të kokave që transmetohen dhe shpërndahen përmes medias sociale krijohen posaçërisht për të tronditur dhe shkaktuar zemërim – dhe rrjedhimisht për të tërhequr vëmendjen. Duke ekzagjeruar efektet e tyre dhe duke e bërë çdo terrorist të kapë lajmet kryesore, ne bëjnë lojën e tyre.
Terrorizmi nuk është kërcënimi më i madh me të cilin përballen vendet e zhvilluara. Terrorizmi vret shumë më pak njerëz se sa aksidentet automobilistike apo cigaret. Në të vërtetë, në këtë pikëpamje, terrorizmi nuk është madje as një kërcënim i madh – por as i vogël, gjithsesi. Ka më shumë gjasa që dikush të vritet nga një rrufe se sa të vritet nga një terrorist.
Ekspertët vlerësojnë se rreziku vjetor që amerikanët të vriten nga një terrorist është një në 3.5 milionë. Amerikanët ka më shumë gjasa që të vdesin në një aksident të shkaktuar në vaskë banje (1 në 950 mijë), nga një pajisje elektroshtëpiake (një në 1.5 milionë), nga një dre (një në dy milionë), ose nga një avion (një në 2.9 milionë). Gjashtëmijë amerikanë vdesin çdo vit për shkak se shkruajnë mesazhe apo flasin në telefon ndërsa po i japin makinës. Kjo është qindra herë më shumë se sa numri i atyre që vdesin nga sulmet terroriste. Terrorizmi radikal islamik vret më pak amerikanë nga sa vdesin si pasojë e punëtorëve të zemëruar ndaj vendit të punës apo nxënës që masakra nëpër shkolla. Terrorizmi nuk është Lufta e Tretë Botërore.
Terrorizmi botëror nuk është gjë e re. Shpesh nevojitet të kalojë një gjeneratë që një dallgë terrorizmi të përfundojë. Në fillim të shekullit të njëzetë, lëvizja anarkiste vrau një numër krerësh shtetesh për një ideal utopik. Në vitet 1960-70, Brigadat e Kuqe të së “majtës së re” dhe fraksione të Ushtrisë së Kuqe rrëmbyen avionë në vende të ndryshme, rrëmbyen njerëz dhe vranë udhëheqës të biznesit apo të politikës (si dhe njerëz të zakonshëm).
Ekstremizmi xhihadist sot është një fenomen politik mbresëlënës i fshehur pas një veshjeje fetare. Shumë prej udhëheqësve të tyre nuk janë fondamentalistë tradicionalë, por identiteti i të cilëve është dërrmuar nga globalizimi dhe për këtë shkak po kërkojnë për kuptim në bashkësinë imagjinare të një kalifati të pastër islamik. Mposhtja e tyre do të kërkojë kohë dhe përpjekje, por natyra provinciale e ISIS kufizon përmasat e ndikimit të saj. Me sulmet e saj sektare, ajo nuk është në gjendje as të joshë të gjithë myslimanët, jo më të joshë hindutë, kristianët e të tjerët. ISIS në fund do të mposhtet, siç janë mposhtur edhe terroristët e tjerë transnacionalë.
Terrorizmi është si Xhiu Xhicu. (Jiu jitsu). Aktori më i vogël përdor fuqitë e aktorit më të madh për ta mposhtur atë. Asnjë organizatë terroriste nuk është aq e fuqishme sa një shtet dhe shumë pak lëvizje terroriste ia kanë dalë të rrëzojnë një shtet. Por nëse ata mund të zemërojnë dhe lodhin qytetarët e shtetit duke i shtyrë të ndërmarrin veprime vetëshkatërruese, ata kanë shpresa për të triumfuar. Al Kaeda ia doli të tërheqë SHBA-të në Afganistan në vitin 2001. ISIS lindi në rrënojat e pushtimit të udhëhequr nga amerikanët të Irakut.
Pushtet inteligjent nevojitet për të mposhtur terrorizmin. Pushteti inteligjent është aftësia për të kombinuar fuqinë e dhunshme të ushtrisë së policisë dhe joshjes me pushtet të butë dhe bindje. Fuqia e fortë nevojitet për të vrarë apo kapur terroristët e vendosur, pak prej të cilëve janë të hapur ndaj joshjes dhe bindjes. Në të njëjtën kohë, pushteti i butë nevojitet për të bindur ata në periferi të cilët terroristët e vendosur dëshirojnë t’i rekrutojnë.
Kjo është arsyeja se pse vëmendja ndaj narrativës se si trajtohen veprimet e SHBA-ve në median sociale janë po kaq të rëndësishme dhe të nevojshme sa edhe sulmet ajrore me precizion të lartë. Retorika antagoniste që armiqëson myslimanët dhe dobëson gatishmërinë e tyre për të dhënë informacion të rëndësishëm, na rrezikon ne të gjithë. Kjo është arsyeja se pse pozat anti-myslimane të kandidatëve aktualë për presidentë janë kaq kundërprodhuese.
Terrorizmi është një problem serioz dhe ai duhet të jetë prioritet kryesor i shërbimeve të informacionit, policisë, ushtrisë dhe diplomacisë. Ai është një komponent i rëndësishëm i politikës së jashtme. Dhe është me rëndësi vendimtare që të mbajmë armët e shkatërrimit në masë larg duarve të terroristëve.
Por ne nuk duhet të biem në kurthin që kanë ngritur terroristët. Veprimet e banditëve nuk duhet të luhen në një teatër bosh. Nëse ne i lejojmë ata të marrin qendrën e vëmendjes në diskutimin publik, ne do të dëmtojmë cilësinë e jetës sonë civile dhe do të çorientohemi në prioritetet tona. Fuqia jonë do të përdoret në këtë rast kundër nesh.
Project Syndicate-BIRN

Related

Top Lajm 4021346658069023406

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item