Përse Suedisë i janë shtuar djemtë krahasuar me vajzat?

Çudia Diçka e çuditshme po ndodh me proporcionin djem-vajza në Suedi. Vlerësimi më i fundit tregon se ka 123 djem për çdo 100 vajza të m...

Çudia
Diçka e çuditshme po ndodh me proporcionin djem-vajza në Suedi. Vlerësimi më i fundit tregon se ka 123 djem për çdo 100 vajza të moshës 16 dhe 17 vjeç. Por shkaqet e kësaj mund të gjenden tek emigrantët


Proporcioni natyral gjinor në lindje është 105 djem për çdo 100 vajza, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe statistikat zyrtare të vitit 2014 tregojnë se kishte 108 djem për çdo 100 vajza mes 16 dhe 17-vjeçarëve në Suedi.
Sipas Universitetit A&M të Teksasit, tani vendi ka 123 djem për çdo 100 vajza në këtë grupmoshë. Nëse kjo është e saktë, ka shumë rëndësi dhe domethënie. Politika e një fëmije në Kinë dhe preferenca për djem bëri që disa çifte të kryenin aborte që lidheshin me përzgjedhjen gjinore, gjë që kontribuoi në një normë seksuale 117 djem për çdo 100 vajza të moshës 16 dhe 17 vjeç.
Llogaritja për Suedinë u bë duke shtuar edhe aplikantët për azil në vitin 2015 te shifrat aktuale të popullatës mbi bazën e supozimit se të gjithë aplikantët do të fitonin të drejtën e qëndrimit. Numri i atyre që në fakt e kanë fituar azilin nuk do të shfaqet te të dhënat zyrtare të statistikave të popullatës për të paktën një vit.


Suedia ka marrë më shumë aplikime për frymë sesa çdo vend tjetër në Europë, rreth 163 000 vetëm vitin e shkuar. Popullata e vendit është afërsisht 9.7 milionë.
Çfarë përbën habi është se nëse shihni moshat më të përhapura tek aplikantët për azil në Suedi, janë të shumtë 16-vjeçarët shpesh të pashoqëruar nga prindërit apo kujdestarët.
Dhe 92 për qind e minorenëve të pashoqëruar të moshës 16 dhe 17 vjeç janë meshkuj. Përse ndodh kjo gjë?
“Nëse jeni minorenë, së pari merr strehim dhe më shumë burime financiare. Gjithashtu ka më shumë nëpunës civilë që të ndihmojnë me problemet e ndryshme”, thotë Hanif Bali, anëtar i Partisë së Moderuar në opozitë në Parlamentin suedez. “Nëse keni nevojë për ushqim, veshje, pra gjithçka, ju mund të shkoni te bashkia dhe të kërkoni para.”
Por ka edhe një përfitim tjetër të madh, që sipas Balit është i rëndësishëm. “Ju keni të drejtën e bashkimit familjar. Ndaj mund të sillni të gjithë familjarët tuaj në Suedi, nëse jeni minorenë.”
Ka stimuj të mëdhenj që të mbërrini në Suedi përpara se të mbushni 18 vjeç. Kjo mund të shpjegojë përse shumë të rinj e bëjnë këtë udhëtim në këtë pikë të jetës së tyre.
Është interesant fakti se kur analizohen të dhënat në bazë kombësie, aplikantët 16-vjeçarë nga Afganistani janë veçanërisht të dukshëm. Ka rreth shtatë ose tetë herë më shumë refugjatë të moshës 16-vjeçare nga Afganistani sesa nga Siria; moshat e atyre që aplikojnë për qëndrim në Suedi nga Siria dhe Iraku janë më të shpërndara.
Bali beson se lajmi për përfitimet që merr dikush nëse e shpallni veten si një minoren i ka bërë afganët të dynden në Europë. Por a gënjejnë disa të rinj për moshën e tyre?
“Ne nuk kontrollojmë për moshën, sepse nuk e provojmë dot”, thotë Bali.
“Por në vendet nordike, shumica e atyre që janë testuar nuk e kanë dhënë moshën e saktë. Disa miq të mitë, që janë kujdesur për refugjatët nën moshë, thonë se një person që ishte prezantuar si minoren, ishte në fakt 28 vjeç.”
Ideja e kryerjes së testeve mjekësore për të caktuar moshën e azilkërkuesve sjell kundërshti. Gjithsesi ka një konsensus në rritje mes politikanëve se Suedia duhet të bëjë kontrolle më rigoroze në kontrollin e moshës së emigrantëve të rinj.
Në të ardhmen, mungesa e balancës gjinore në grupin e njerëzve 16 dhe 17 vjeç mund të tkurret. Teksa refugjatët nën moshën 18 vjeç mund të ftojnë familjet t’u bashkohen atyre, është e mundur që motrat e tyre një ditë të udhëtojnë drejt Suedisë dhe të ulin raportin.
Cili shtet europian është më i lumturi?
Qytetet europiane kanë nivelet më të larta të cilësisë së jetës në botë, por kontinenti ka disa ndasi kur vjen puna për kënaqësinë e popujve.
Ndërsa shumica e qytetarëve europianë thonë se janë të kënaqur me vendin ku jetojnë, Greqia, Turqia dhe Italia janë më të palumturat, sipas një studimi të kryer nga Komisioni Europian.
Nordikët janë më të lumturit me qytetet ku jetojnë. Studimi intervistoi 40 000 europianë në 79 qytete për nivelin e kënaqësisë mbi çështje si: kujdesi shëndetësor, transporti, siguria, ndotja dhe emigracioni. Qytetet me njerëz më të palumtur ishin Stambolli, Palermoja dhe Athina. Rreth 99 për qind e popullatës në Zyrih dhe Oslo ishin të kënaqur, ndërsa Alborgu, Vilniusi dhe Belfasti kishin nivelet më të larta të kënaqësisë me vendbanimin.
Gjithashtu tre e katërta e shumicës së banorëve në qytetet europiane thanë se ndiheshin të sigurt. Thuajse gjysma e banorëve të Romës kishin të njëjtin mendim dhe nivele të ngjashme u panë edhe në Marsejë, Stamboll dhe Athinë. Vendet e punës ishin gjithashtu një tjetër tregues kryesor i kënaqësisë së jetës.
Burimi: Telegraph.uk






Related

Top Lajm 7087747203492045114

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item