Një portret për Thaçin dhe të mërziturit me të

Nga Mero Baze Unë jam një kritik i vjetër i Thaçit, qysh në Rambuje, kur isha aty si gazetar dhe ai zbriti nga avioni, që shkoi ta ...

Nga Mero Baze


Unë jam një kritik i vjetër i Thaçit, qysh në Rambuje, kur isha aty si gazetar dhe ai zbriti nga avioni, që shkoi ta merrte si guerrilas dhe e përcolli si “kryeministër”. Isha kundër përpjekjeve të tij dhe grupit të tij, për ta përdorur Konferencën e Rambujesë si trampolinë për të marrë pushtetin politik në Kosovë, dhe jo si një një ngjarje historike, që do bënte Kosovën e pavarur. Dhe e vërteta e dhimbshme nuk është se ai firmosi ngase James Rubin i premtoi Thaçit se do bëhej një film në Hollivud dhe as se dikush e kishte kërcënuar nga Kosova, se po të firmoste do ta vrisnin. E vërteta është se firma e tij zgjatej për shkak se Rugova dhe të vetët, hezitonin të hidhnin firmën në një dokument të brendshëm, që ai pas Konferencës të quhej kryeministër.
Të vërtetat e tjera janë legjenda urbane, dhe vlejnë për të treguar përralla për brezat e rinj.
Pra, është e qartë se Hashim Thaçi, ishte një i ri ambicioz që donte të udhëhiqte Kosovën, natyrisht dhe duke luftuar për të. Ai rrethohej nga një grup ideologjikisht i lidhur shumë me komunizmin në Shqipëri, e mira e vetme e të cilit ishte se kishte formuar një brez nacionalkomunistësh në Kosovë, duke besuar vërtet që Shqipëria e Enver Hoxhës, mund të rrëzonte brenda ditës NATO-n, Traktatin e Varshavës dhe Titon, nëse i duhej.
E keqja tjetër e madhe ishte se rrugëtimi i tij politik përmes UÇK-së, kaloi përmes kufomash të bashkëluftëtarëve të tij dhe kundërshtarëve politikë, që krijojnë tablo të qartë eleminimesh politike të stilit hoxhist.
Hashim Thaçi nuk qëndron pas gjithçkaje të keqe që ka ndodhur, por është përfituesi i gjithçkaje që është bërë ashtu, në shumë raste biles shumë shëmtuar.
Ata që e akuzojnë për trafikim organesh, natyrisht që janë duke thënë broçkulla, por ata që flasin për burgje politike, janë afër të vërtetës së dhimbshme, se shumica e atyre që e pësonin, ishin kundërshtarë politik shqiptarë.
Nuk jam pajtuar asnjë ditë me ato që kanë bërë atëhere, dhe të flisje atëhere, kur unë kam folur e shkruar, nuk është si të shkruash tani në Facebook. Të paktën katër dënime me vdekje nga ato listat vulgare që shpërndanin komandatët e vetshpallur, i ruaj akomë në bibliotekë. Dhe kur ja kam përmendur Hashim Thaçit në vitin 2001, ma ka kthyer po me humor se dhe atë e kishin “dënuar”.
Por lufta mbaroi dhe paslufta arrogante dhe shpesh fashistoide e disa komandantëve, u qetësua nën presionin ndërkombëtar.
Hashim Thaçi, ashtu siç përfitoi nga këto praktika, ashtu dhe e pësoi. Kur të gjithë mendonin se “çlirimtarët” do të ishin fituesit e zgjedhjeve të para, të dyta apo të treta në Kosovë, panë se ata ishin humbësit. Lideri i tyre kishte marrë gjithë ngarkesën negative të asaj çfarë kishte ndodhur dhe Ibrahim Rugova i fitonte zgjedhjet me lehtësinë e padurueshme, të dikujt që nuk bën asgjë. As gabime.
Hashim Thaçi erdhi në pushtet pas vdekjes së Rugovës, atëhere kur LDK u bjerr, u coptua dhe humbi identitetin e saj. Ndërkohë, Hashim Thaçi nuk ishte më ai i pari, por kishte ndryshuar. Ai ishte bërë më i dëgjueshëm, më tolerant, më takticien, ose thënë kosovarçe, “më gjarpër” se në luftë. Ai hyri në një koalicion real me presidentin Sejdiu, mundi LDK në vitin 2007 dhe prej atëhere kurrë nuk ka humbur më. Nga pikëpamja politike, zgjedhja e tij si president i Kosovës, pavarësisht ndasive dhe tensionit që krijojnë kundërshtarët e tij, është një objektiv i arritur me fuqinë e tij personale dhe politike.
Por këtu do të desha të them dy fjalë për kundërshtarët e tij, dhe agresionin verbal ndaj LDK-së, vajzës së Rugovës, vajzës së koelgut tim Enver Maloku, Doruntinës dhe të tjerëve që befas u kujtuan se Hashim Thaçi u “ka vrarë” baballarët, motrat apo vëllezërit.
Ata që janë në opozitë me Hashim Thaçin dhe janë mbartës të këtij fjalori agresiv, janë të gjithë ish- krahu i luftës dhe ish- kolegë e shokë të tij, të ndarë nga rruga e pushtetit. Kur krimet kanë ndodhur, dhe që kanë ndodhur vërtet, ata nuk ishin as në anën e Doruntinës kur i vranë babain, as në anën e Teutës ku ribënin atentate ndaj babait të saj, as në anën e intelektualëve apo kundërshtarëve të vrarë apo zhdukur. Ishin në anën e vrasësve. Nuk kam asnjë deklaratë politike të Albin Kurtit, Ramush Haradinaj apo Fatmir Limaj, kundër asaj që ka ndodhur. Po ashtu, nuk kam asnjë detaj të fiksuar në memorien time si gazetar, që këta njerëz i kanë dënuar apo i kanë kundërshtuar këto veprime.
Unë tani jam shumë më i ftohtë nga distanca me Kosovën, për të kuptuar se pazaret e pasluftës dhe betejat politike për pushtet, nuk përfillin më historinë, por e vërteta është se këta nuk janë njerëzit e duhur për të folur tani për diçka që kanë heshtur dhe kanë qenë bashkëfajtorë.
Lereni ta kritikojnë Hashim Thaçin ata gazetarë dhe ata intelektualë të Kosovës, që ja kanë thënë dhe atëherë, edhe tani të metat e tij. Lereni të flasin ata që kanë qarë në ato ditë dhe heshtni ju që jeni gëzuar. Lereni të shkruajë Arbana dhe Berati, Robelli ose Surroi, lereni të flasë Vjosa, ose Doruntina, por jo ju që keni përbuzur dhimbjen e tyre.
Kosova natyrisht mund të gjente një president shumë më të mirë se Hashim Thaçi, por garën dhe betejën me molotov, ja kanë bërë dje ata që nuk kanë asnjë mëkat më pak se ai. Ndoshta më shumë. Mos ua prishni betejat dhe moralin e betejave, atyre që duan një Kosovë më të mirë, por jo pushtet më shumë. Po të jetë nga raca e atyre që luftojnë për pushtet, Hashim Thaçi e ka merituar atë post. Qoftë dhe si pajtues me një shumicë politike, që ju po ja kujtoni se dikur “është vrarë”.

Related

Opinione 1671684463322347279

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item