Kriza e naftës i fut në hall të rinjtë arabë, s’ka më punë zyre

Perspektiva –  Për dekada me radhë, familja mbretërore ka përdorur rezervat e pamasa të naftës për t’u mundësuar një jetesë komode shtetasv...

Perspektiva – Për dekada me radhë, familja mbretërore ka përdorur rezervat e pamasa të naftës për t’u mundësuar një jetesë komode shtetasve saudit. Këtu përfshihet edukimi dhe shëndetësia falas, tarifa të reduktuara të energjisë elektrike dhe mijëra vende pune në administratë. Një fuçi nafte vlerësohet poshtë 30 dollarëve, krahasuar me mbi 100 dollarë që shitej në qershor të 2014-s



Me tesha të bardha tradicionale dhe rezyme të rregulluara bukur, djemtë sauditë kishin mbushur një korridor të tërë në një prej universiteteve të kryeqytetit, Riad. Në radhë të gjata, ata prisnin për t’u intervistuar nga punëdhënësit në përpjekje për të gjetur një punë të re.
Ky është një nga tri panairet e punës që janë bërë në dy javët e fundit dhe prania masive e kandidatëve, pjesërisht erdhi nga frika që i ka kapluar të rinjtë për të ardhmen. Shumë prej tyre pyesin se si do të jetë Arabia Saudite tani që çmimi i naftës është ulur në mënyrë drastike.
Për dekada me radhë, familja mbretërore ka përdorur rezervat e pamasa të naftës për t’u mundësuar një jetesë komode shtetasve sauditë. Këtu përfshihet edukimi dhe shëndetësia falas, tarifa të reduktuara të energjisë elektrike dhe mijëra vende pune në administratë. Askush nuk paguan taksa dhe nëse do të respektoheshin më shumë të drejtat politike, atëherë ky vend nuk do të kishte të sharë për shumicën e njerëzve.
Një fuçi nafte vlerësohet poshtë 30 dollarëve, krahasuar me mbi 100 dollarë që shitej në qershor të 2014-s. Buxhetit të shtetit i është hequr një llokmë goxha e madhe dhe tani stili i jetesës i vendosur nga mbretëria rrezikon që të shkërmoqet. Arabia Saudite është ekonomia më e madhe ndër vendet arabe dhe një aleat i rëndësishëm i SHBA-së.
Rënia e naftës i ka dhënë efektet e para në vend. Shumë projekte janë shtyrë për më vonë, ndërkohë që ministrive u është vendosur një limit për shpenzimet. Sikur të mos mjaftonte, drejtuesit e vendit tani po bëjnë diskutime që një herë e një kohë konsideroheshin si të pamendueshme, si vendosja e taksave dhe shitja e aksioneve të kompanisë më të kushtueshme të planetit, “Saudi Aramco”.
Katër prej shteteve më të mëdha prodhuese të naftës, Arabia Saudite, Katari, Rusia dhe Venezuela diskutuan në Doha të martën për të ngrirë prodhimin e naftës, me qëllim rritjen e vlerës së “arit të zi”. Por nëse vendet e tjera prodhuese, Irani, Iraku dhe Azerbajxhani nuk veprojnë njësoj, atëherë vështirë që kjo masë të ketë efekt. Drejtuesit azerbajxhanas nuk e kanë me qejf uljen e prodhimit, ashtu si edhe Irani, që kërkon të rifitojë pozitat në treg. Prej shumë vitesh, iranianëve iu ndalua të shisnin naftë, për shkak të embargos.
Për të rinjtë sauditë (70% e popullsisë është nën moshën 30-vjeçare), kriza e naftës ka ulur pritshmërinë në jetë. Ka të ngjarë që tani ata do të duhet të punojnë më shumë sesa prindërit e tyre, do të kenë më pak siguri dhe benefite në punë.

“Për brezin e vjetër, ishte më e lehtë. Ata sapo dilnin nga bankat e shkollës do të nisnin një punë në shtet. Që kjo të ndodhë tani, të duhet një specializim i mirë. E gjithë barra na ngelet ne”, tha Abdulrahman Alkhelaifi, 20 vjeç, ndërsa po bënte pushimin e punës te “McDonald”-i.
Është e vështirë të mos të vlerësosh rolin që “ari i zi” ka luajtur në Arabinë Saudite. Brenda disa dekadash ai e shndërroi një vend të varfër, përgjithësisht rural në mjaft të zhvilluar, ku shtetasit e saj u gjendën mes të mirave dhe bollëkut. Qytetet e vendit me 21 milionë banorë zbukurohen nga rrokaqiejt, ndërsa shoferët, makina të preferuara kanë fuoristradat. Mirëqenia që vinte nga nafta i dha mundësinë familjes mbretërore që të mbante pushtetin, të bënte një diplomaci imponuese dhe të investonte miliona dollarë në promovimin e një rryme islami të interpretuar ashpër anembanë botës.
Në familjet saudite të ardhurat u rritën shumë, gjithashtu edhe numri i të diplomuarve u shtua disa herë. Por këto vite të arta nuk u shfrytëzuan nga pushtetarët për të ndërtuar një plan të qartë ekonomik, të pavarur nga nafta. Rreth 90% e të ardhurave të qeverisë vijnë nga “ari i zi”, ndërkohë që 70% e sauditëve janë të punësuar në administratë. Madje dhe sektori privat varet nga qeveria sa u përket shpenzimeve.

As përparimet në arsim nuk krijuan një klasë punëtorësh të zellshëm dhe profesionistë. Shumica e inxhinierëve dhe punonjësve në shëndetësi janë të huaj, ndërkohë që mjaft prej tyre e lënë punën në mesditë apo edhe më parë.
Por që prej 2014-s, qeveria po i shtyn të rinjtë të gjejnë punë në sektorin privat, aty ku rrogat janë më të ulëta dhe puna më e rëndë.
“Modeli i qëndrueshmërisë i ekonomisë sauditë është bërë çështje. Ulja e çmimit të naftës mund të shikohet si një thirrje për t’u zgjuar”, tha kryeekonomisti i “Jadwa Investiment”, Fahad Alturki. Ai shton se nuk ka vend për panik, sepse shteti arab ka mundësi të manovrojë e të përmirësojë të ardhmen. E kjo për shkak të rezervave të mëdha financiare. Gjithashtu borxhi është i ulët dhe investimet në infrastrukturë mund të sjellin shpërndarje të kapitalit dhe punë. Por diferencat mes brezave janë të dukshme.
Një grua që së fundmi mori doktoraturën në Mjekësi në SHBA tha se i ati i saj që kishte bërë karrierë ushtarake, u trajnua jashtë, iu fal shtëpia, shëndetësinë e kishte falas dhe gjithashtu edhe shkolla për fëmijët. Edhe e ëma që u diplomua si mësuese e gjuhës arabe, u punësua afër shtëpisë dhe iu dha para nga shteti vetëm se u diplomua.
Kurse ajo nuk po gjen dot punë, edhe pse është më e miredukuar dhe flet rrjedhshëm anglisht. Edhe i shoqi i shkolluar në SHBA është në të njëjtën situatë. Ata janë të detyruar të jetojnë te familja e prindërve.
“Prindërit e mi kishin mjaft mundësi. Ata fitonin mirë dhe ne kishim jetesë mjaft të kënaqshme. Unë kam menduar se e njëjta gjë do të ishte dhe për ne”, tha doktorantja e mjekësisë, që preferoi të qëndronte anonime.

Problemet ekonomike vijnë në një moment kur në familjen mbretërore ka ndryshim brezash dhe Lindja e Mesme është e trazuar.
Shteti tani drejtohet nga princi Mohammed bin Salman, i ati i të cilit anashkaloi princër të tjerë me më shumë eksperiencë, për ta vendosur 30-vjeçarin në këtë detyrë. Ky veprim solli jo pak pakënaqësi brenda familjes.
Princi Mohammed, ministër i Mbrojtjes dhe i dyti në radhë për fronin, ka nisur një luftë të kushtueshme në Jemen dhe kërkon ndryshime radikale, si rritja e çmimit të naftës, vendosja e taksës dhe privatizimi i kompanive shtetërore.
Por vënia në zbatim e tyre nuk po funksionon dhe kjo ka shkaktuar amulli mes bizneseve që nuk dinë se si të planifikojnë saktë në pesë vitet e ardhshme.
Për më tepër që shtetasit sauditë nuk janë mësuar me ndryshime të shpejta.
Një drejtues tha se ndryshimi duhet të bëhet, por jo me ritme të shpejta, pasi mund të dëmtojë bizneset e vendit.
Statistikat tregojnë se në tregun vendas çdo vit nisin punë 250 mijë të rinj sauditë. Përshtatja e tyre konsiderohet një sfidë mjaft e madhe.
Mangësitë e të diplomuarve u panë në panairet e punës. Shumica janë të diplomuar në universitetet shtetërore, të cilat kanë dështuar në formimin profesional të të rinjve, ashtu siç punëdhënësit i kërkojnë.
Shumica e të intervistuarve thanë se kurrë nuk kishin punuar më parë dhe prindërit e tyre ishin të punësuar në qeveri.
Madje, pavarësisht eksperiencës së mirë që mund të merrnin në kompanitë private, shumë kandidatë preferonin rehatinë e punës në shtet.
“Puna në privat është eksperiencë e mirë, por aty nuk ka pushim dhe as siguri për të ardhmen. Ditët janë të gjata dhe nuk të lënë as të punosh”, tha 24-vjeçari Ali al-Ariyani.
Në një zonë të ndarë vetëm për femrat, shumë kandidate ankoheshin se universiteti nuk u kishte dhënë aftësitë e nevojshme në kompjuter, që kërkohen aktualisht nga punëdhënësit.
“Është shqetësues fakti që universitetet tona nuk na kanë përgatitur siç duhet për t’iu përshtatur tregut të punës. Shumë spitale preferojnë punonjës të huaj, të cilët i paguajnë më pak se ne vendasit”, tha 23-vjeçarja Khuloud al-Khateeb.
Në vitet e fundit, shteti saudit ka penalizuar kompanitë që kanë pak punonjës vendas. Por shumë punëdhënës ankohen për këtë ligj, i cili i detyron të shpenzojnë më shumë për njerëz që kontribuojnë fare pak.
Në dyqanin e “McDonald”-it në Riad, të huajt marrin 320 dollarë në muaj, kurse vendasit 1,460 dollarë, një pjesë e kompensuar nga shteti. Kompania gjithashtu ka krijuar programe të veçanta për vendasit që u jep mundësinë atyre të përparojnë në hierarki.
Punonjësit sauditë, gjatë pushimit, tregojnë se ata e duan punën e tyre, por kanë frikë se nuk do të jenë aq të suksesshëm, sa edhe prindërit.
Ata e dinë se tani qeveria ka më pak të ardhura të punësojë shtetasit, kështu që u duhet të punojnë më fort.
“Qeveria është e mirë, por ne jemi brez i llastuar. Të gjithë duan punë shteti”, thotë 21-vjeçari Ahmed Mohammed. Ky mendim u pranua edhe nga shokët e tij. Kolegu Alkhelaifi shtoi: “Të gjithë duan që të rrinë rehat në shtëpi e të paguhen”.

Related

Bota 2670191219162285189

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item