Evropianët u rikthehen aleancave të vjetra

Nga Jim Yardley Presidenti i Këshillit Evropian paralajmëroi shtetet anëtare të bllokut: Dilni me një plan konkret për zgjidhjen e k...

Nga Jim Yardley

Presidenti i Këshillit Evropian paralajmëroi shtetet anëtare të bllokut: Dilni me një plan konkret për zgjidhjen e krizës së refugjatëve brenda dy muajsh, ose rrezikoni të zhyteni në kaos.
Donald Tusk, një prej figurave më të pushtetshme politike të Bashkimit Evropian, paralajmëroi hapur para pothuajse pesë javësh 28 shtetet anëtare të bllokut: Dilni me një plan konkret për zgjidhjen e krizës së refugjatëve brenda dy muajsh, ose rrezikoni të zhyteni në kaos.
Për çudi, të njohur për zvarritjen e vendimeve politike evropiane, krerët e shumë shteteve të Evropës tani po reagojnë me shpejtësi, duke shpallur politika të serta kufitare e udhërrëfyes për kushtet e azilit – madje edhe kur kanë mbetur pak javë prej ultimatumit të zotit Tusk, presidenti i Këshillit Evropian.
Problemi është se krerët politikë nuk u qëndrojnë gjithnjë me bensikëri rregullave evropiane, duke mos respektuar me gjasë edhe të drejtën ndërkombëtare e duke vepruar bashkërisht pas atij paralajmërimi të Tuskut. Në disa raste, ata më shumë preferojnë t’u kthehen aleancave të vjetra se të ruajnë e fuqizojnë maninë e solidaritetit të Bashkimit Evropian.
Austria u është bashkuar këtë javë shumë shteteve të Ballkanit me aprovimin e politikës së ashpërsimit të masave kufitare në atë që shumëkush po e quan me cinizëm rikthimi i Perandorisë Habsburge. Katër ish-satelitë sovjetikë, të prirë prej Polonisë e Hungarisë, janë bërë tjetër bllok i fuqishëm opozitar.
Dhe në këtë kohë ndryshimesh e ashpërsimesh të masave, po injorohet thirrja për unitet që vjen prej Angela Merkelit të Gjermanisë, e cila po mundohet të shuajë revoltën politike dhe njëherësh të kërkojë zbatimin e formulës së reduktimit të numrit të refugjatëve që po mundohen të arrijnë në Gjermani.
«Po hyjmë në një fazë në të cilën të gjithë po mundohen të ndalin refugjatët para se t’ia behin te kufijtë e tyre», ka deklaruar Ivan Krastev, shef i institutit për kërkime shkencore në Bullgari, Qendra për Studime Liberale. Ai ka shtuar: «Dilema kryesore është se cili vend do të shndërrohet në parking për refugjatët?»

Ka disa muaj që zyrtarët e Bashkimit Evropian, bashkë me Merkelin, janë munduar të ndajnë barrën me politikën e kuotave të shpërndarjes së refugjatëve që tashmë janë në Greqi e Itali, në vende të ndryshme anëtare. Por shumë shtete kanë mbyllur dyert dhe programi pothuajse është paralizuar.
Krerët e Bashkimit Evropian janë pajtuar gjithashtu të ndajnë tre miliardë euro si ndihmë për organizatat humanitare në Turqi me qëllim të ofrimit të ndihmës fluksit të emigrantëve që po marrin rrugë prej bregdetit turk drejt ishujve grekë. Por emigrantët nuk kanë të ndalur.
Pa një kundërpërgjigje efektive politike panevropiane dhe me publikun nëpër vendet e tyre gjithnjë më të zemëruar, krerët e shteteve të Evropës kanë humbur kontrollin. Ata po kërkojnë aleatë në kauzat e tyre.
Deri para një muaji, Austria, si Gjermania, simbolizonte mikpritjen e ngrohtë të Evropës për sirianët dhe refugjatët e tjerë që po largohehsin prej luftës dhe varfërisë. Tani, Austria po sfidon zyrtarët e Bashkimit Evropian – dhe po frustron Merkelin – duke ua mbyllur portën refugjatëve.
Austria organizoi të mërkurën një takim në Vjenë me shumë shtete të Ballkanit, që vjet kishin lejuar emigrantët të përshkonin kufijtë e tyre në rrugën drejt Gjermanisë dhe Suedisë.
Grupi në Vjenë është pajtuar të ashpërsojë masat kufitare ndaj një numri emigrantësh që do të lejohen të udhëtojnë drejt veriut, dhe është zotuar se do ta ndihmojë Maqedoninë të vulosë kontrollin në kufirin jugor me Greqinë.
Polonia dhe Hungaria po ofrojnë gjithashtu ndihmë për Maqedoninë. Më parë, krerët e policive në Austri, Kroaci, Maqedoni, Serbi dhe Slloveni kanë shtrënguar masat për kontrollimin e emigrantëve.
Marrë së bashku, këto veprime kërcënojnë ta shndërrojnë Greqinë në të ashtuquajturin parking të refugjatëve. Policia greke tashmë ka rialokuar mijëra emigrantë nga pikat kufitare me Maqedoninë në qendra refugjatësh në periferi të Athinës.
Kryeministri grek, Alexis Tsipras, është kërcënuar, dhe Greqia ka tërhequr ambsadorin e saj nga Austria. Ministria e Jashtme greke ka lëshuar një deklaratë në të cilën paralajmëron kundërshtimin ndaj rishfaqjes së hasmërive të vjetra të Evropës.
«Është e qartë se problemet e mëdha të Bashkimit Evropian nuk mund të konfrontohen nëpërmjet mendimeve, sjelljeve dhe nismave ekstrainstitucionale që rrënjët i kanë në shekullin nëntëmbëdhjetë», thuhet në deklaratë.
Greqia tani është porta hyrëse për sirianët dhe refugjatët e tjerë që mundohen të arrijnë në Evropë. Sivjet, më shumë se 100 mijë emigrantë kanë arritur në ishujt grekë, ka bërë të ditur Organizata Ndërkombëtare për Migrim. Kjo shifër mund të shkojë deri në një milion deri në fund të vitit. Zyrtarët e lartë grekë paralajmërojnë se vendi – që ende po rimerr veten prej krizës ekonomike – mund të zhytet në konflikt civil nëse bëhet zonë e ndërmjetme për emigrantët që mundohen të arrijnë në pjesën tjetër të Evropës.
«Ky nuk është problem grek», ka deklaruar Megan Greene, analiste e vjetër e zhvillimeve evropiane. «Është problem evropian, dhe kërkohet zgjidhje evropiane. Po shohim se ‹solidaritetin› po e merr era».
Analistët thonë se nëse marrëveshja e arritur gjatë javës në Austri integrohet në politikën e gjerë të Bashkimit Evropian, me Maqedoninë që do të shndërrohej në murin e skajshëm të bllokut, kjo do të rrezikonte me rikthim të kufijve të shteteve anëtare. Greqia do të mbetej në fakt jashtë kufijve të bllokut, pavarësisht se është anëtare e BE-së. Por brenda kufijve do të hynin në fakt Maqedonia dhe Serbia, që ende nuk janë shtete anëtare.
Bashkimi Evropian do të ketë një takim të rëndësishëm më shtatë mars me Turqinë për të diskutuar për fluksin e refugjatëve. Krerët evropianë pastaj do të mblidhen në Bruksel më 17-18 mars për të arritur marrëveshje për një politikë të përbashkët të migrimit. Ky është takimi që konsiderohet ultimatum i Tuskut.
Krerët, si Merkeli, kanë kohë të gjatë që kanë thënë se migrimi kërkon zgjidhje të përbashkët evropiane dhe se asnjë vend, qoftë edhe i madh, nuk mund t’ia dalë i vetëm në krye. Por prapëseprapë nuk do të jetë punë e lehtë në terren.
Hungaria tani po planfikon të mbajë referendum nëse duhet të pranojë a të refuzojë refugjatët. Italia – që për vite me radhë po merret me çështjen e emigrantëve – po bën thirrje për krijimin e të ashtuquajturave eurobonde për financimin e reagimit ndaj krizës së migrimit – ani pse Gjermania dhe vendet e tjera po i bishtnojnë kësaj kërkese.

Në Gjermani, presioni politik ndaj Merkelit vetëm sa po rritet dhe shumëkush parashikon se partia Alternativa për Gjermaninë, antiemigrante, do të mund të marrë shumë vota në zgjedhjet e rëndësishme në tri shtete në muajin e ardhshëm.
Për më tepër, do të mund të vihej në dyshim fushata e rizgjedhjes së Merkelit vitin e ardhshëm. Ajo ka kritikuar Austrinë dhe shtetet e tjera se po veprojnë jashtë paramterave të Bashkimit Evropian, dhe për mundësinë e izolimit të Greqisë. Megjithatë, politika për ashpërsimin e kontrolleve kufitare ndaj fluksit të refugjatëve  do të shkonte në favor të Merkelit.
«Është qenësore për Gjermaninë që të ulet numri i refugjatëve», ka deklaruar Almut Möller, drejtues i zyrës së Berlinit të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme./New York Times/ DP

Related

Top Lajm 3595503518649319652

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item